BREAKING NEWS

Ilaçi i mrekullisë? Dyshimet se pse Trump po reklamon hidroksiklorinën, si vë duart në fytyrë eksperti kur flet presidenti për ilaçin që po e trumpeton me zell të jashtëzakonshëm

Ilaçi i mrekullisë? Dyshimet se pse Trump po reklamon
x

Ekonomia

“Standard and Poor’s” vlerëson ekonominë shqiptare, por kërkon reforma, problem mungesa e investimeve të huaja

“Standard and Poor’s” vlerëson ekonominë shqiptare,

Standard and Poor’s vlerëson pozitivisht ecurinë e ekonomisë shqiptare. Në raportin më të fundit të publikuar për vendin tonë, S&P ka folur për një klimë të qëndrueshme “B+” të ekonomisë në Shqipëri. Megjithatë, Standard and Poor’s është treguar kritik në lidhje me hapat që po bën vendi ynë për përfitimin e investimeve të huaja. Sipas raportit, qeveria shqiptare duhet të rishikojë menjëherë reformën për investime, aty kërkohen reforma të vena në praktikë që do të rrisin të ardhurat dhe do të përmisojnë klimën e të bërit biznes në Shqipëri. “Është kritike që reformat strukturore të përmirësojnë ambientin e biznesit dhe të tërheqin investimet e huaja, në mënyrë që të rritet në mënyrë të qëndrueshme niveli i të ardhurave afër mesatares rajonale dhe europiane”, thuhet në raport. Aprovimin e Standard and Poor’s një ekonomi të qëndrueshme e ka shprehur dhe ministrja e Ekonomisë, Anila Denaj, e cila u shpreh konfirmuese për një përmisim të klimës ekonomike në dy vitet e ardhshme.

“Pritshmëritë e S&P mbi zhvillimet e qëndrueshme të ekonomisë në periudhën afat-mesme mbeten pozitive, duke vlerësuar reformat dhe menaxhimin e financave publike shqiptare”, u shpreh Denaj. Ministrja ka mirëpritur edhe kritikat e publikuara në raport, për të cilat ajo garantoi përpjekje intensive të çdo institucioni për të përforcuar qëndrueshmërinë e klimës ekonomike në vend. “Axhenda e reformave të qeverisë do të vazhdojë në përmirësim të jetës së qytetarëve dhe klimës së biznesit në vend”, tha ajo. Standard and Poor’s tregon besimin se qeveria shqiptare do të dijë të krijojë dhe praktikojë reforma efektive për rritje të qëndrueshme ekonomike gjatë periudhës afat-mesme.

Deficiti buxhetor

Ndër të tjera në raportin e Standard and Poor’s bëhet edhe analiza e nivelit të deficit buxhetor dhe ulja e borxhit publik. Sipas të dhënave të raportit, gjatë këtij viti niveli i deficit buxhetor do të pësojë rritje, për shkak të investimeve që qeverisë shqiptare i duhet të bëjë për programin e rindërtimit. “Agjencia pret një rritje të përkohshme të deficitit në vitin 2020 në nivelin 2.2% të PBB, duke qenë se qeveria do punojë intensivisht për ri-ndërtimin pas tërmetit, si dhe njëkohësisht do të vijojë me pastrimin e detyrimeve të prapambetura”, thuhet në raport. Gjithsesi raporti vlerëson qëndrueshmërinë e këtij niveli përgjatë viti që lamë pas, me 1.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. “Agjencia vlerëson se në vitin 2019 deficiti buxhetor ishte në përputhje të plotë me targetin prej 1.9% të PBB, pavarësisht se u godit nga një tërmet në tremujorin e fundit. Edhe zgjerimi i lehtë i deficitit në 2019 krahasuar me atë të vitit 2018 me 1.6%, reflekton kryesisht rritjen e fortë të pagesave të rimbursimit të TVSH, e rrjedhimisht një performancë më të ulët se sa plani i të ardhurave neto nga taksat”, shprehet Standard and Poor’s. Madje pritet që në këta hapa pozitivë të vazhdohet edhe gjatë planit afatmesëm 2020-2022, ku sipas të dhënave të raportit niveli i deficit buxhetor do të ulet poshtë 60%-it. Duke reduktuar kështu në 45% nivelin e borxhit të jashtëm deri në fund të vitit 2022. “Agjencia projekton se borxhi publik neto do të bjerë poshtë nivelit prej 60% të PBB deri në vitin 2022, në ndjekje të rregullit fiskal më afatgjatë të përcaktuar në ligjin organik të buxhetit për reduktimin e borxhit publik poshtë nivelit prej 45% të PBB. Në këtë aspekt, ecuria mund të jetë edhe më e mirë në sajë të përpjekjeve të autoriteteve për të përmirësuar administrimin e mbledhjes së të ardhurave”, theksohet në raport.

Më tej agjencia Standard and Poor’s mbështet dhe vlerëson se autoritetet po vijojnë përpjekjet aktive për të përmirësuar profilin e borxhit publik, për të vijuar rritjen e maturitetit të tij, ulur risqet e rifinancimit dhe ato të kursit të këmbimit.