BREAKING NEWS

U plagosën në Gramsh, pasagjerët sirianë dërgohen me urgjencë tek Spitali i Traumës

U plagosën në Gramsh, pasagjerët sirianë dërgohen me
x

Ekonomia

Taksa e banesës, vetëm 5 mijë familje bëjnë deklarimin e pronave në UKT, ja si do shkohet tek verifikimi në terren i sipërfaqeve

Taksa e banesës, vetëm 5 mijë familje bëjnë deklarimin

Taksa e banesës duket se i ka gjetur të pa përgatitur qytetarët e Tiranës. Kryeqyteti ka në gjirin e saj me mijëra banesa, të cilat përveçse kanë hyrë në proces legalizim, pritet edhe të taksohen. Por kur na ndajnë dy javë nga afati i fundit i deklarimit të banesës, vetëm 5300 qytetarët janë paraqitur pranë zyrave të Ujësjellës Kanalizime Tiranë për të bërë vetë deklarimet, sa i përket sipërfaqeve banuese, mbi të cilat do të aplikohet taksa e re e banesës. Në momentin e vetë-deklarimit, secili nga individët njihet edhe me taksën që do të paguajë, pasi bëhet përllogaritja përkatës mbi bazën e formulës, vlera e ndërtesës x 0,05%, për ndërtesën që shfrytëzohet për banim. Qytetarët mund të kryejnë vetëdeklarimet në 12 pikat e UKT-së, me një kopje të kartës së identitetit, certifikatën e pronësisë me kartelën e pasurisë/ kontratë shitblerje, dhurimi ose shkëmbimi/ akt privatizimi apo vetë deklarimi të ALUIZNI-t, rivlerësim të fundit të pasurisë, nëse ka dhe librezën e ujit apo një faturë UKT. Afati për vetëdeklarim është data 15 Shtator, dhe më pas UKT do të nisë verifikimet në terren për të pasur në sistem të gjitha të dhënat e detajuara për banesat në kryeqytet. Megjithatë, duke qenë se Tirana ka shumë banesa dhe qytetarët po e neglizhojnë afatin e vetëdeklarimit, nuk përjashtohet mundësia që të shtyhet edhe afati edhe përtej 15 shtatorit. Ndërkohë, sa i takon detyrimit për të paguar këtë taksë, do të jenë të përjashtuara disa kategori. Një nga këto kategori, janë ata që përfitojnë pension pleqërie ose pension social, kur familja përbëhet vetëm nga pensionistët. Gjithashtu, as familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike nuk duhet të paraqitet tek pikat e UKT për të deklaruar sipërfaqen e banesës me qëllim pagesën e taksës së ndërtesës. Një tjetër kategori janë pronat e shtetit dhe të njësive të vetëqeverisjes vendore që përdoren për qëllime jofitimprurëse nuk do ta paguajnë taksën. As pasuritë në pronësi të shtetit që me vendim qeverie kanë kaluar nën administrimin e shoqërive publike shtetërore nuk do të jenë të detyruara të paguajnë. Po ashtu, ndërtesat e banimit që shfrytëzohen nga qiramarrësi me qira të pa liberalizuara, banesat sociale që janë në pronësi të bashkive dhe pasuritë e paluajtshme që përdoren nga qeveria si banesa sociale janë të “amnistuara” nga taksa e ndërtesës.

Ja si do përcaktohet vlera e pagesës

Qeveria publikoi pak ditë më parë një vendim, në të cilin janë specifikuar të gjithë hapat sesi bëhet përcaktimi i taksës për secilën ndërtesë. Janë njësitë e vetëqeverisjes vendore ato të cilat duke përdorur të dhënat e mbledhura për ndërtesën/njësinë pasurore, përcaktojnë bazën e taksës dhe llogarisin shumën e taksës vjetore të ndërtesës për t’u paguar nga çdo taksapagues. Për ndërtesat që shfrytëzohen për banim sipërfaqja e ndërtesës do të shumëzohet me 0.05%. Për ndërtesat që shfrytëzohen për veprimtari ekonomike sipërfaqja do të shumëzohet me 0.2%. Ndërsa për sipërfaqet ndërtimore për të cilën zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi dhe nuk ka arritur ta përfundojë atë brenda afatit shumëzimi do të bëhet me 30%. Nëse në informacionin e marrë nga ZVRPP-ja konstatohet se për ndërtesën/njësinë pronësore është kryer një transaksion shitblerjeje gjatë 3 viteve të fundit, atëherë si bazë e taksueshme do të merret vlera më e lartë midis transaksionit dhe vlerës të regjistruar në ZVRPP. Ndërkohë, njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë të drejtë të kryejnë edhe verifikime në terren për objektet e taksueshme për të identifikuar ndërtesat që nuk janë hedhur në sistem apo edhe për të bërë ndryshime.