BREAKING NEWS

Prokurorë të huaj zbarkojnë në SPAK me ligj, ndërkombëtarët marrin në patronazh gjurmimin e parave të korrupsionit dhe burgosjen e politikanëve

Prokurorë të huaj zbarkojnë në SPAK me ligj,
x

Ekonomia

Të dhënat e BSH, rëndimi i pandemisë zbeh shpresat për përmirësim të ekonomisë, inflacioni ende në nivele kritike

Të dhënat e BSH, rëndimi i pandemisë zbeh shpresat për

Ekonomia shqiptare vazhdon të mbetet e rrezikuar nga pasojat që sjell pandemia. Ditën e djeshme Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ka bërë një pasqyrim të përgjithshëm të situatës financiare në vend. Sipas atij, në tre mujorin e tretë, që përkon me sezonin turistik, ekonomia filloi të ringjallej, por në ritme më të ngadalta. Sipas Sejkos, masat kufizuese për shkak të përkeqësimit të situatës shëndetësore po rrisin rrezikun e rikuperimit në këtë tre mujor të katërt, pasi po godet sërish zërat kryesorë në ekonomi. Pra edhe në muajt e parë të 2021 ekonomia shqiptare mbetet e rrezikuar dhe e ngadalësuar në rritje, për shkak se klima e biznesit mbetet e dëmtuar dhe me ulje besimi për rikuperim. “Ekonomia shqiptare ka shënuar një kthesë drejt rikuperimit në tremujorin e tretë. Megjithatë, aktiviteti ekonomik në vend vijon të mbetet poshtë nivelit potencial, ndërsa rikuperimi i tij pritet të jetë një proces i rrethuar me rreziqe. Treguesit e disponuar erdhën në përmirësim gjatë muajve të verës, duke pasqyruar frenimin e përhapjes së epidemisë, si dhe efektin pozitiv të masave lehtësuese fiskale, monetare dhe financiare. Në përgjigje të tyre, ecuria e të ardhurave buxhetore dhe ajo e tregtisë me jashtë u përmirësua. Të dhënat e disponuara për tremujorin e katërt janë ende paraprake. Megjithatë, përkeqësimi i situatës dhe rivendosja e kufizimeve gjatë tremujorit të katërt sugjerojnë një rikuperim më të ngadaltë të aktivitetit ekonomik në këtë periudhë. Ky vlerësim mbështetet nga rënia e besimit të bizneseve dhe ilustron brishtësinë e zhvillimeve ekonomike në afatin e shkurtër”, deklaroi ai. Më tej ai shpjegoi se, lajmet e fundit mbi progresin e vaksinave japin shpresë për përfundimin e pandemisë dhe rikthimin e situatës në normalitet gjatë vitit 2021. Këto zhvillime rrisin gjasat e rikuperimit gradual, por të vazhdueshëm të aktivitetit ekonomik në horizontin afatmesëm, por situata epidemiologjike vijon të paraqesë sfida serioze për ecurinë e ekonomisë në afatin e shkurtër.

Inflacioni në lëkundje

Inflacioni është një nga treguesit kryesorë të ecurisë ekonomike dhe për shkak të goditjeve të njëpasnjëshme nga fatkeqësitë natyrore niveli i tij ka ardhur drejt uljes gjatë 2020, duke treguar një lëkundje të tregtisë dhe prodhimit. Ditën e djeshme kreu i BSH Sejko tha se në tre mujorin e tretë inflacioni ka pësuar një rritje të lehtë, por jo mjaftueshëm pozitive. Sipas tij rreziqet dhe presionet që vijnë nga mbyllja e tregut të jashtëm pengojnë përmirësimin e inflacionit. Prandaj BSH gjykon se inflacioni do mund të marrë një trajektore rikuperuese vetëm në vitin 2022. “Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një vlerë mesatare prej 1.8% në muajt tetor e nëntor, duke ardhur në rritje kundrejt nivelit mesatar prej 1.4% të shënuar në tremujorin e tretë. Ecuria e inflacionit gjatë muajve të fundit është ndikuar më së shumti nga faktorë të ofertës, të cilët kanë diktuar dhe luhatjen e çmimeve të ushqimeve. Nga ana tjetër, presionet inflacioniste, të cilat burojnë nga kërkesa agregate dhe nga ambienti i huaj, vijojnë të mbeten të ulëta. Në skenarin bazë, Banka e Shqipërisë pret një rritje graduale të inflacionit drejt objektivit në horizontin afatmesëm. Por, paralelisht me rritjen e presioneve inflacioniste nga jashtë, inflacioni parashikohet të vijë në rritje dhe të kthehet në objektiv brenda vitit 2022”, theksoi Sejko. Sipas bankës, përmbushja e këtij skenari zhvillimesh mbetet e kushtëzuar nga përfundimi i shpejtë i pandemisë, nga shpejtësia e rikuperimit të konsumit dhe investimeve, në vend dhe në botë, si dhe nga ruajtja e një ambienti të qetë e të përshtatshëm financiar. Gjithashtu, përmbushja e këtij skenari kërkon mbështetje nga politika makroekonomike stimuluese.