Tkurret kreditimi për biznesin vendas, bankat përqendrojnë kreditë jashtë vendit, 500 milionë euro dolën vjet nga Shqipëria

Postuar: 21/04/2017 - 07:59
Zbardhen shkaqet e rënies së kredisë bankare për bizneset. Gjatë vitit 2016, bankat kanë nxjerrë jashtë vendit si kredi për bizneset e huaja rreth 67 miliardë lekë, ose afro 500 milionë euro. Në Raportin e Stabilitetit Financiar për 6-mujorin e dytë të vitit 2016, Banka e Shqipërisë e vë theksin te rritja e kreditimit për subjektet që nuk ushtrojnë aktivitet në Shqipëri. Sipas këtij raporti, kredia që jepet jashtë vendit ka vijuar të jetë e lartë. “Sektori bankar ka zgjeruar pozicionin kreditor në subjektet jorezidente. Në dhjetor 2016, aktivet me jo rezidentët përbëjnë 27% të totalit të aktiveve, ndërsa detyrimet përbëjnë 6% të tyre. Si rrjedhojë, pozicioni neto kreditor është zgjeruar me rreth 11% në terma gjashtëmujorë dhe rreth 19% në terma vjetorë, duke arritur në nivelin 293 miliardë lekë”, thuhet në raportin e BSH. Në maj të vitit 2013, Banka e Shqipërisë ndërmori disa masa për të zbutur tendencën e kreditimit jashtë vendit, që dha efekte. Megjithatë, në gjysmën e dytë të vitit 2016, siç thotë BSH, rritja e shpejtë e burimeve të financimit në valutë dhe ulja e efektit penalizues të këtyre masave është reflektuar në zgjerimin e aktiveve me jo rezidentët me rreth 15.6% me terma vjetorë, në mungesë të alternativave të mjaftueshme të investimit në vend.
Vlerësimi i rreziqeve që i kanosen sistemit
Rreziku nga ekonomia e brendshme vijon të jetë i lartë, sipas matricës së publikuar nga Banka e Shqipërisë. Nga ana tjetër, bankat mëmë mund të kenë reduktim të veprimtarisë në rajon dhe kjo tendencë duhet vlerësuar, theksuan ekspertët e Bankës së Shqipërisë. Rreziku i kreditit u ul përgjatë periudhës, ndonëse mbeti pranë nivelit të një viti më parë, kreditë me probleme u ulën në 18.3%, mbulimi i kredive me probleme me provigjione dhe kapital u përmirësua, koletarizimi i kredive është i qëndrueshëm, si dhe shpërndarja sipas monedhës, sektorëve dhe bankave është më e mirë. Në uljen e kredive me probleme kanë ndikuar proceset e mbledhjes, ristrukturimit dhe largimit të tyre nga bilancet BSH thekson se zhvillimet janë pozitive dhe inkurajuese, por procesi i uljes së kredive me probleme përmban pasiguri. Bankat munden të ruajnë fokusin në këtë proces. Rreziku i likuiditetit vlerësohet i ulët nga Banka e Shqipërisë. Kjo për shkak të vlerës së ulët të raportit Kredi/Depozita, vijimi i rritjes së depozitave, prania e lartë e aktiveve likuide dhe rezultatet e ushtrimit të provës së rezistencës. Sipas monedhave, rreziku i likuiditetit në valutë është më i lartë se ai në lek, ndaj kjo duhet të reflektohet në rritjen e kërkesës minimale për aktive likuide në valutë (de-euroizim). Sektori bankar është i ekspozuar ndjeshëm ndaj rrezikut të tregut, si luhatjet e kursit të këmbimit dhe ndryshimet e normave të interesit.
Bankat mund të kenë nevojë për kapital shtesë
Lidhur me rezistencën e sektorit bankar, BSH raporton se nivelet e kapitalizimit dhe të likuiditetit janë të mira. Kapacitetet absorbuese janë të plota në kushte normale, rezistenca është e mirë ndaj goditjeve ekstreme, banka të veçanta paraqesin nevojën për rritje të kapitalit në skenarët më ekstremë
Sistemi bankar paraqitet i mirëkapitalizuar dhe ushtrimi i provës së rezistencës tregon se skenari bazë mund të përballohet. Megjithatë, për lëvizje ekstreme, Banka e Shqipërisë mendon se banka të veçanta kanë nevojë për shtim kapitali.
/Agjensia e Lajmeve Sot News/