Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Ulet numri i të infektuarve me Covid-19 në Shqipëri , ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Ulet numri i të infektuarve me Covid-19 në Shqipëri , ja
x

Ekonomia

Vazhdon rritja drastike e deficitit buxhetor, qeveria kërkon 80 milionë dollarë nga BB për monitorimin e PPP dhe stabilizimin e të ardhurave

Vazhdon rritja drastike e deficitit buxhetor, qeveria kërkon 80

Pandemia vazhdon të groposë buxhetin shtetit. Nga 320 milionë euro që ishte në muajin qershor, në fund të muajit gusht deficiti buxhetor ka arritur në 390 milionë euro, duke shënuar kështu një rritje historike në kohë rekord. Raporti i publikuar nga Ministria e Financave për 7 mujorin e 2020 tregohet se, e detyruar nga pandemia dhe tërmeti qeveria rriti shpenzimet me 4% në shtatë muajt e parë të vitit, duke arritur në 282 miliardë lekë. Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se kjo rritje erdhi si rrjedhojë e pagesave të shtuara për ndihmën ekonomike dhe për përdorimin e fondit rezervë në shumën 11.7 miliardë lekë, që shkoi për paketën sociale anti-Covid. Për të përballuar krizën ekonomike që kaploi bizneset dhe familjet në vend pas goditjeve të njëpasnjëshme nga fatkeqësitë natyrore, shpenzimet për fondet speciale, që shkojnë për mbulimin e deficitit të skemës së pensioneve dhe zënë rreth 35% të totalit të shpenzimeve, u rritën me më pak se 1%. Të gjitha këto lëvizje jashtë parashikimeve fillestare në buxhet prishën bilancin shpenzime-fitim të ardhurash, duke bërë që deficiti të pësojë rritje drastike brenda 7 muajve. “Më të ardhurat që u ulën me 12% për 7 mujorin dhe shpenzimet që u rritën, financat kanë qenë të detyruara që të shtojnë borxhin për të përballuar pagesat shtesë për ndihmën ekonomike dhe mbështetjen e paketave sociale anti-Covid. Deficiti buxhetor arriti në 49 miliardë lekë, ose 390 milionë euro për 7 mujorin e parë të vitit, nga vetëm -6 miliardë lekë që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky është niveli më i lartë i deficitit që nga 7 mujori i parë 2013, kur shkrehja e administratës përpara zgjedhjeve çoi në një rënie të të ardhurave, ndërkohë që shpenzimet në prag fushate elektorale u rritën ndjeshëm”, thuhet në raportin e ministrisë. E gjithë kjo situatë po krijohet për shkak se të ardhurat e grumbulluara nga qeveria nuk janë as sa gjysma e shpenzimeve të bëra, përkundrazi të ardhurat po zbresin në ritme shumë të shpejta. Konkretisht të ardhurat totale buxhetore për periudhën janar-korrik ishin 233 miliardë lekë, me një tkurrje prej 12% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ose 32 miliardë lekë më pak.

Thirrja për ndihmë në Bankën Botërore

Por përkeqësimi i gjendjes ekonomike dhe pamundësia për të përballuar vetëm këtë kolaps ka detyruar qeverinë shqiptare të kërkojë ndihmë nga Banka Botërore. Referuar dokumentit zyrtar të bërë publik mësohet se qeveria po kërkon 80 milionë dollarë kredi nën argumentin e financimit të politikave për zhvillimin e rritjes dhe qëndrueshmërisë fiskale të Shqipërisë. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka paraqitur kërkesën e saj dhe vendimi i bordit të Bankës Botërore pritet që të merret në 29 tetor 2020. Sipas ministrisë, kjo mbështetje buxhetore është drejt realizimit dhe është parashikuar në ligjin vjetor të buxhetit për vitin 2020. “Në këto kohë sfidash, ky bashkëpunim me Bankën Botërore shërben si një shtysë e mirë për ecurinë e disa reformave strukturore kritike, që mbështesin ristrukturimin ekonomik dhe një rikuperim të shpejtë. Kjo mbështetje buxhetore mbetet e rëndësishme për të siguruar rritjen e qëndrueshme të biznesit, krijimin e vendeve të punës dhe forcimin e politikave, institucioneve dhe investimeve për rimëkëmbjen e ekonomisë”, bën të ditur MFE. Në këtë dokument vërehet se pikat kryesore ku është bazuar qeveria që ka kërkuar këtë borxh janë monitorimi i PPP dhe rritja e të ardhurave. Në këtë rast Shqipërisë i tërhiqej vëmendje për përdorimin e shumtë të projekteve me Partneritet Publik Privat, ku thuhej se mungesa e transparencës në to po shpërdoron buxhetin e shtetit dhe mënyra se si veprohet me to do bëjë që të dalin komplet jashtë kontrollit të qeverisë. Me sa duket qeveria ka filluar t’i ndjejë këto ndikime dhe po merr masa për kontrollim të PPP, në këtë rast duke qenë se nuk ka mundësin vetë po i shtrin dorën sërish BB. “Vitet e fundit Shqipëria është përgjigjur gjithnjë e më shumë ndaj presioneve buxhetore duke u kthyer PPP për të përmbushur nevojat e shërbimeve publike duke përdorur kapitalin privat, rreziqet fiskale jashtë buxhetit janë rritur. Kriza e tanishme ka rritur presionet buxhetore edhe më tej. Prandaj, ky operacion mbështet një kornizë të forcuar të përzgjedhjes dhe monitorimit për PPP që synon të sigurojë që projektet ofrojnë vlerë më të mirë për para dhe që rreziqet për buxhetin të jenë më të përmbajtura. Ky veprim përfshin botimin e raportit të parë të monitorimit të PPP të Shqipërisë, duke sjellë transparencë më të madhe për një pjesë të ekonomisë shqiptare”, thuhet në dokument.