Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Veliaj 4-fishon taksën e banesës për qytetarët e Tiranës, zbardhet buxheti i ri i bashkisë, ja taksat e tjera që rriten gjatë 2019-2021

Postuar: 06/12/2018 - 07:20

Vitin e ardhshëm, qytetarët e Tiranës do të përballen me një sërë faturash më të larta. Kjo, falë planifikimit të Bashkisë së Tiranës, për të rritur disa taksa vitin e ardhshëm. Bëhet fjalë për taksën e re të ndërtesës, e cila pritet që deri në 2012 të jetë 4 herë më e lartë se ajo aktuale. Një tjetër taksë që do të rritet vitin e ardhshëm do të jetë dhe tarifa e pastrimit dhe largimit të mbeturinave, për të cilën qytetarët do të paguajnë 17 % më shumë se në 2018. Po ashtu, tarifa për zënien e hapësirave publike, do t’u kushtojë bizneseve 19% më shumë se ky vit që po mbyllet.

Buxheti 2019

Bashkia e Tiranës ka hartuar programin buxhetor afatmesëm për periudhën 2019-2021. Sipas relacionit, që pritet të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak, të ardhurat që pritet të mbledhë vetë Bashkia pritet të arrijnë në 13.4 miliardë lekë (ose rreth 105 milionë euro). Me një rritje prej 3% në raport me pritshmërinë e 2018. Së bashku me fondet e pakushtëzuara që merr nga qeveria qendrore, buxheti në dispozicion i bashkisë pritet të arrijë në 18.3 miliardë lekë, ose 145 milionë euro. Tre taksat e tarifat që pritet sjellin më shumë të ardhura në buxhetin e Bashkisë janë taksa e ndikimit në infrastrukturë (30%), e ndërtesës (17%) dhe tarifat e pastrimit (15%).

Taksat që rriten

Për taksën e re të ndërtesës, familjet do paguajnë katër herë më shumë deri në 2021. Për kategorinë e ndërtesave që shfrytëzohen për banim, sipas udhëzimeve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, aplikimi i taksës sipas sistemit mbi bazë vlere, do të fillojë në janar 2019. Sipas relacionit, për Bashkinë e Tiranës do të vijojë të jetë Drejtoria e Taksave Vendore, struktura që do të arkëtojë detyrimin e kësaj takse nga subjektet që realizojnë aktivitet ekonomik në territorin e Bashkisë së Tiranës, ndërsa për detyrimet e kategorisë familjare do të përzgjidhet Agjenti Tatimor brenda muajit dhjetor 2018, nëpërmjet vendimit të posaçëm për këtë qëllim. Në vitin 2019, të ardhurat nga taksa e ndërtesës janë parashikuar në vlerën 2.4 miliardë lekë, nga 1.78 miliardë lekë që është pritshmëria për 2018-n, me një rritje prej 34%. Pas taksës së infrastrukturës, ky është zëri i dytë që sjell më shumë të ardhura në buxhet, me rreth 18% të totalit. Rritja më e ndjeshme parashikohet për familjarët, nga 220 milionë lekë, që pritet të mblidhen në 2018-n, në 510 milionë lekë në 2019-n. edhe në vitet e ardhshme, fatura do të jetë gjithnjë e më e shtrenjtë, pasi të ardhurat nga kjo taksë nga familjarët pritet të arrijnë në 900 milionë lekë në 2021, me një rritje më shumë se 4 herë, në raport me atë që pritet të paguajnë deri në fund të këtij viti. Ndërkohë, vrulli i ndërtimeve pritet të vijojë edhe në 2019-n. Bashkia Tiranë parashikon që të mbledhë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga lejet e ndërtimit rreth 4 miliardë lekë, me një rritje prej 8% në raport me atë që pritet të mblidhet në 2018-n. Kjo taksë, e cila u rrit me një vendim të vitit 2015, nga 4% e kostos në 8% të çmimit të shitjes për apartamentet e banimit, i siguron Bashkisë rreth 30% të të ardhurave të veta. Nga taksa e tabelës pritet të arkëtohen 400 milionë lekë në 2019-n, me rritje 15% me bazë vjetore. Taksa e arsimit do t’i sjellë bashkisë 860 milionë lekë në 2019-n, 36% e së cilës do të paguhet nga familjarët dhe pjesa tjetër nga biznesi. Nga Taksa mbi kalimin të drejtës pronësisë për pasuritë e paluajtshme pritet të arkëtohen rreth 300 milionë lekë, pa ndryshime nga një vit më parë. Nga Tarifa e pastrimit dhe largimit të mbeturinave pritet të mblidhen rreth 2.1 miliardë lekë, duke qenë zëri i tretë më i rëndësishëm pas taksës së infrastrukturës, që i siguron më shumë të ardhura Bashkisë. Në raport me 2018-n, bizneset dhe familjarët do të paguajnë 7% më shumë. Si tarifa për zënien e hapësirave publike, bizneset do të paguajnë 420 milionë lekë, 19% më shumë se ky vit që po mbyllet. Sakaq, teksa parkimi në kryeqytet bëhet gjithnjë e më shumë një mision i vështirë, ai është dhe më i shtrenjtë. Në 2018-n, përdoruesit e automjeteve kanë paguar 440 milionë lekë (3.5 milionë euro) për të parkuar. Në 2019-n, Bashkia pret të arkëtojë 420 milionë lekë nga parkimi, me një rënie të lehtë të raport me pritshmërinë e këtij viti.

Shpenzimet

Sa i përket shpenzimeve, ndër projektet kryesore të bashkisë janë ndërtimi i 17 shkollave me partneritet publik privat, të ndarë në 4 lote, sipas zonave gjeografike. Sipas relacionit, aktualisht ka përfunduar procesi i përzgjedhjes dhe është lidhur kontrata për fillimin e punimeve për Lotin 1, i cili parashikon ndërtimin e pesë shkollave të reja, tre 9 vjeçare dhe dy të mesme, në Njësitë Administrative Nr.9 dhe Nr.11. Tjetër projekt është pylli orbital, që planifikon mbjelljen e 2 milion pemëve në këtë brez të ri të gjelbër të qytetit. Rrjeti Minimal i Biçikletave krijon një skelet me korsi të dedikuara dhe të veçuara nga trafiku për qytetarët që përdorin biçikletën si mjetin kryesor të lëvizjes së përditshme. Terminali perëndimor parashikohet të përballojë fluksin e autobusëve dhe furgonëve që hyjnë në Tiranë nga qytetet jugore, veriore dhe veri-lindore. Plani i ri i Përgjithshëm Vendor i Tiranës parasheh një qytet me 5 qendra të reja urbane në Kombinat, Kinostudio, Laprakë, tek Bulevardi i ri si dhe në Shkozë. Ndërtimi i Bulevardit Verior të Tiranës dhe Punimet Civile Përkatëse, Rehabilitimi i Lumit të Tiranës, Kopshti Zoologjik, transformimi i Piramidës në një qendër që përzien artin, kulturën, teknologjinë e informacionit dhe edukimin, janë disa nga projektet e tjera.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 7

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 10/12/2018 - 15:29

Eksportet e Shqipërisë drejt Kosovës janë rritur me 40% për muajin nëntor, periudhë kur Prishtina vendosi taksën 100 për qind për mallrat serbe. 
 

Postuar: 09/12/2018 - 07:27

Skema e ndihmës ekonomike si ajo e përfitimit nga personat me aftësi të kufizuara do të ndryshojn

Postuar: 08/12/2018 - 07:30

Niveli i përgjithshëm i çmimeve u rrit vetëm me 1.8 % në muajin nëntor, duke shënuar ritmet më të

Postuar: 08/12/2018 - 07:28

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ushtruar një kontroll në Entin Kombëtar të Banesave, nga ku ka rez

Postuar: 07/12/2018 - 07:32

Ambasada e Italisë në Tiranë njoftoi ditën e djeshme se për t’u ofruar një shërbim më të mi

Postuar: 06/12/2018 - 13:07

Monedha e përbashkët europiane ka shënuar një tjetër rekord të ulët për dekadën, duke u këmbyer p

Postuar: 05/12/2018 - 07:15

Institucionet shtetërore kanë shkaktuar një dëm prej 120,343,336 mijë lekë ose afërsisht 957.3 mi