BREAKING NEWS

‘Koha nuk pret’, Jozefina Topalli prezanton “Lëvizjen për Ndryshim”: Ka vetëm dy mundësi në jetë!

‘Koha nuk pret’, Jozefina Topalli prezanton “Lëvizjen
x

Ekonomia

Vijon rënia e të ardhurave, deficiti buxhetor shkon në 52.25 miliardë lekë, goditja më e madhe vjen nga Tatimet e Doganat

Vijon rënia e të ardhurave, deficiti buxhetor shkon në 52.25

Buxheti i shtetit vijon të pësojë tkurrje të mëdha. Që prej fillimit të vitit, por sidomos pas shpërthimit të pandemisë, të ardhurat e derdhura në arkën e shtetit kanë vijuar në rënie, ndërsa shpenzimet janë rritur ndjeshëm. Arka nuk ka njohur ndonjë përmirësim të mirëfilltë edhe pas hapjes së ekonomisë, madje as shtimi i aktiviteteve gjatë sezonit turistik nuk solli përmirësim efektiv. Konkretisht, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave, të ardhurat në këtë 8 mujor janë reduktuar me 280 milionë euro, një rënie e konsiderueshme në raport me një vit më parë. “Të ardhurat totale për 8-mujorin e vitit 2020 u realizuan në masën 270.7 miliardë lekë ose 99.8% të planit të 8-mujorit. Krahasuar me një vit më parë të ardhurat kanë pasur një tkurrje nga efektet e pandemisë prej 35.2 miliardë lekë. Pavarësisht një rritje të lehtë në krahasim me muajt paraardhës, të ardhurat e mbledhura në gusht, nuk e ndryshojnë trajektoren rënëse të këtij viti”, thuhet në raportin e ministrisë. Nga ana tjetër, shpenzimet në 8 mujor arritën në 323 miliardë lekë, duke u rritur me 4.3 për qind apo 108 milionë euro për shkak të paketave financiare në mbështetje të biznesit dhe individëve në kuadër të pandemisë. Pikërisht këto lëvizje kanë thelluar më tej disbalancat mes shpenzimeve nga buxheti i shtetit dhe të ardhurat që grumbullohen në të. Në këta 8 muaj raporti mes këtyre dy treguesve ka vijuar të kalojë në dallime të mëdha duke bërë që deficiti buxhetor të kalojë në rritje historike në këtë vit. Saktësisht të dhënat e publikuara nga Financat tregojnë se rritje të ritmit të shpejtë të deficitit buxhetor, me një humbje prej 52,25 miliardë lekësh nga buxheti i shtetit. Sakaq edhe pse kjo rritje është në parametra më të ulëta se parashikimi i fundit i qeverisë në buxhetin e 2020, kjo nuk e lehtëson aspak peshën negative që sjell rritja e deficit në ekonomi. “Në muajin e tetë të vitit 2020 deficiti rezultoi në rreth 52.25 miliardë Lekë nga rreth 66.8 miliardë Lekë i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i deficitit arriti në masën rreth 3.57 miliardë Lekë, për periudhën 8 mujore të vitit 2020 deficiti rezulton 48.7 miliardë Lekë më shumë. Shpenzimet kanë rezultuar rreth 13.4 miliardë lekë më shumë, prej të cilave transfertat për paketat financiare në mbështetje të biznesit dhe individëve kanë qenë 11.8 miliardë Lekë”, tregohet në raport.

Arka e doganave drejt boshatisjes

Në raport evidentohet fakti se lehtësimi i TVSH për bizneset si pasojë e pandemisë i ka dhënë goditje të madhe buxhetit të shtetit me plot 33,7 miliardë lekë humbje. Gjithsesi më tej tregohet se ky nuk është i vetmi zë që ka sjellë uljen më të madhe të të ardhurave, Doganat e Tatimet gjithashtu nuk kanë mbledhur të ardhurat e planifikuara në rishikimin e tretë të buxhetit. Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT), u realizuan në masën 237.7 miliardë Lekë, 0.1 miliard më pak se plani vjetor për vitin 2020 dhe me një tkurrje nga efektet e pandemisë 30.8 miliardë më pak ose -11.5% krahasuar me vitin 2019. Jemi në muajin e 9 të vitit dhe gjendja nuk po njeh përmirësim, çka tregon se efektet e pandemisë vijojnë të cenojnë ekonominë. Më pas me ndikim negativ janë shfaqur edhe të ardhurat tatimore, ku në këtë 8 mujor të ardhurat nga ky zë u realizuan në masën 141.6 miliardë Lekë. Sakaq tkurrja në raport me vitin e shkuar ka reflektuar efektet e pandemisë në masën 18.8 miliardë ose 11.7%. Ndërkohë që të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 17.6 miliardë Lekë. Për shkak të shtyrjes së kësteve të pagesës së tatimit mbi fitimit në ndihmë të biznesit, këto të ardhura janë realizuar 28.4% më pak se një vit më parë dhe 1.4% më pak se plani i këtij viti.