Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Zbardhet kontrata mes Albpetrol dhe kanadezëve të Pennine Petroleum për bllokun e kërkimit të naftës në Velçë

Postuar: 06/12/2017 - 08:12

Nga dita e djeshme, Blloku Velçës do të administrohet nga kanadezët e Pennine Petroleum Corporation. Pas miratimit rreth 2 javë më parë në Këshill të Ministrave, marrëveshja mes kompanisë kanadeze dhe Albpetrol ka hyrë në fuqi ditën e djeshme, me publikimin e saj në Fletoren Zyrtare. Marrëveshja ka në bazë ndarjen e prodhimit, kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve. Blloku Kërkimor i Velçës përfshin një terren tokësor me sipërfaqe prej rreth 620 kilometër katrorë. Ai shtrihet në juglindje të Vlorës dhe është identifikuar prej kohësh si një zonë potenciale naftëmbajtëse.

Kontrata

Në kontratën mes Albpetrol dhe Pennine Petroleum përcaktohet se brenda 3 muajsh pas datës së hyrjes në fuqi, kompania duhet të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për fillimin e zbatimit të planit minimal të punës. Gjatë fazës së parë, që zgjat 2 vite nga data e hyrjes në fuqi, për një detyrim total prej 500 mijë USD, kompania duhet të zbatojë planin minimal të punës, i cili përkon me përvetësimin dhe interpretimin e të dhënave gjeologjike, gjeofizike dhe të puseve në lidhje me zonën e kontratës, duke përfshirë studime rajonale gjeologjike dhe strukturore të përcaktuara nga kompania si të nevojshme për analizën gjeologjike të zonës së kontratës sipas planit të punës dhe buxhetit. Me kusht që të ketë përfunduar plani minimal i punës në fazën e parë, kontraktori ose kompania fituese e kësaj kontrate ka të drejtë të zgjasë periudhën e kërkimit me 2 vite. Kontrata mund të zgjatet sërish në një fazë të tretë me 2 vite të tjera, me kushtin që kompania t’i paguajë AKBN 2 milionë USD.

Çfarë përfiton Shqipëria

Gjithë prodhimi i disponueshëm nga zona e kontratës do të matet në pikën e matjes. 10 për qind e vlerës së prodhimit do t’i paguhet Shqipërisë si rentë minerare. Përqindja e prodhimit të disponueshëm që i takon Albpetrolit dhe kompanisë së kontraktuar përfshin dhe naftën bruto e gazin natyror. Albpetrol ka të drejtën e pjesës së Albpetrolit mbi prodhimin, e cila caktohet në çdo muaj kalendarik duke përdorur faktorin “R” të aplikueshëm për atë vit kalendarik, e cila do të jetë pjesë e prodhimit të disponueshëm dhe duke rënë dakord me kompaninë e kontraktuar, do të merret në natyrë ose në para të thata. Kompania do të paguajë gjithashtu taksat e parashikuara sipas përcaktimeve ligjore për investitorët e huaj.

Dëmshpërblimi

Në rast të një dëmi për të cilin kompania kontraktore është përgjegjëse, kjo e fundit do të përpiqet që menjëherë dhe me kujdes të marrë masat e nevojshme që të zbusë dëmin dhe të rivendosë normalitetin e operacioneve. Kompania e kontraktuar do të paguajë dëmshpërblim kompensues lidhur me dëmin për të cilin është deklaruar përfundimisht përgjegjës dhe ky dëmshpërblim do të jetë i kërkueshëm edhe pas zgjidhjes së kontratës. Kompania duhet të dëmshpërblejë Albpetrolin ose AKBN në lidhje me pretendimet e palëve të treta për lëndime, humbje apo dëme që rezultojnë nga neglizhenca ose sjellje të qëllimshme të kompanisë së kontraktuar në kryerjen e operacioneve hidrokarbure.

Zgjidhja e kontratës

Kjo kontratë mund të zgjidhet nga kompania e kontraktuar me njoftim paraprak me shkrim jo më pak se 90 ditë drejtuar Albpetrolit, me kusht që kjo zgjidhje të mos shkarkojë kompaninë nga çdo angazhim i papërmbushur apo detyrim tjetër që ka lindur përpara kësaj zgjidhjeje. Kontrata mund të zgjidhet nga Albpetroli me njoftim me shkrim drejtuar kompanisë së kontraktuar jo më pak se 90 ditë kur kompania ka kryer në mënyrë të përsëritur një shkelje thelbësore të detyrave apo detyrimeve themelore sipas kontratës dhe është paralajmëruar me shkrim për këtë qëllim nga Albpetrol. Atëherë ky i fundit mund të japë njoftim për zgjidhje vetëm në rast se kompania e kontraktuar nuk ka ndrequr shkeljen brenda 3 muajve nga njoftimi i Albpetrolit. 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 5

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 11/12/2017 - 12:50

Nga janari i vitit të ardhshëm, qeveria do të ashpërsojë masat për të zëvendësuar flotën e automjeteve në qarkullim.
 

Postuar: 09/12/2017 - 11:07

Në vitin 2014, hyri në fuqi ligji “Për armët”, i cili specifikonte se çdo qytetar shqiptar mbi 25 vjeç, që plotëson disa kushte, mund të blejë një armë me leje për n

Postuar: 09/12/2017 - 08:17

Viti 2016 është mbyllur me një borxh doganor prej afro 24.7 miliardë lekë, ose 200 milionë euro.

Postuar: 08/12/2017 - 08:00

Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, biznesi mund të marrë kredi vetëm mbi bazën e bilancit që dorëzon tek tatimet.

Postuar: 07/12/2017 - 12:28

Me gjithë përparimin në raport me vetën Shqipëria u rendit e dyta pas Rumanisë për nivelin më të ulët në Europë të mbledhjes së taksave në raport me PBB në vitin 2016 sipas Inst