Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Zbardhet raporti, 6 banka me nivel të lartë rreziku në pastrimin e parave, Gent Sejko mjaftohet vetëm me rekomandime

Postuar: 25/06/2019 - 07:21

Gjashtë banka të nivelit të dytë në vendin tonë rezultojnë me nivel të lartë rreziku në pastrimin e parave. Lajmi konfirmohet nga vetë Banka e Shqipërisë, e cila nga ana e saj kujdeset vetëm të japë rekomandime ndaj tyre. Në raportin vjetor të mbikëqyrjes për vitin 2018, BSH bën me dije se ka kryer vlerësimin e ekspozimit ndaj rrezikut të pastrimit të parave për 54 subjekte financiare, ndër të cilat 16 banka, 30 subjekte financiare jo banka dhe 8 shoqëri kursim krediti. Në përfundim të procesit të vlerësimit të tyre, rezulton se politikat, procedurat, kontrollet, trajnimet dhe infrastruktura, duhet të jenë të përshtatshme për menaxhimin e një niveli të lartë të rrezikut në 19 subjekte, ndër to; 6 banka, 12 subjekte financiare jo banka dhe 1 shoqëri kursim krediti. Përllogaritjet për këtë vlerësim përfshinë një set treguesish sasiorë dhe cilësorë, siç janë: raporti i numrit të klientëve me rrezik të lartë ndaj numrit total të klientëve; raporti i tepricës së llogarisë së klientëve me rrezik të lartë ndaj tepricës së llogarisë së totalit të klientëve; raporti i numrit të transfertave me rrezik të lartë ndaj numrit total të transfertave të kryera; raporti i vlerës së transfertave me rrezik të lartë ndaj vlerës totale të transfertave të kryera; numri i RAD-ve të raportuara në raport me numrin total të klientëve; cilësia e dokumentacionit plotësues të kërkuar sipas rregullores nr. 44, datë 10.6.2009, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, e ndryshuar etj. Banka e Shqipërisë raporton gjithashtu se gjatë vitit 2018, janë kryer 49 inspektime në vend në subjektet financiare nën juridiksionin e Bankës së Shqipërisë, me fokus çështjet e PPP/PFT, përkatësisht në: 7 banka; 11 subjekte financiare jobanka; 31 zyra këmbimi valutor. Referuar inspektimeve në vend, një pjesë e tyre (20 inspektime) janë kryer në kuadër të bashkëpunimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP).

Vlerësimi nga Komiteti Moneyval

Gjatë vitit 2018, është finalizuar raporti i vlerësimit të vendit tonë (raundi i pestë) nga Komiteti Moneyval i KE-së për çështjet e parandalimit të pastrimit të parave, financimit të terrorizmit, përshtatshmërisë ligjore, efektivitetit etj. Nga vlerësimet e këtij raporti, ka rezultuar se subjektet financiare, veçanërisht bankat, kanë një ndërgjegjësim të mirë të rreziqeve të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe detyrimeve ligjore. Gjithashtu, ato kanë marrë masat e duhura në një mënyrë që është më së shumti në përpjesëtim me nivelin e vlerësuar të rrezikut për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit; bankat janë efektive në përmbushjen e detyrimeve të raportimit për të ardhurat e dyshuara që vijnë nga aktivitete kriminale; sektori ka një marrëdhënie konstruktive me Bankën e Shqipërisë dhe DPPPP-në, e karakterizuar nga një komunikim i fortë, duke përfshirë edhe Shoqatën e Bankave. Për rrjedhojë, nga sa më sipër, subjektet financiare janë vlerësuar në nivelin “substantial - i konsiderueshëm”, ndërsa autoritetet mbikëqyrëse të parashikuara në ligj janë vlerësuar “moderate – i moderuar”. Banka e Shqipërisë vlerësohet për zbatimin rigoroz të akteve ligjore dhe rregullatore për parandalimin e hyrjes së aksionerëve dhe drejtuesve të subjekteve të licencuara të dyshuar apo të përfshirë në veprimtari të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, por dispozitat ligjore që rregullojnë miratimet paraprake për aksionarët dhe drejtuesit e institucioneve financiare janë në disa raste të paqarta dhe jokonsistente; të gjitha autoritetet mbikëqyrëse kanë aplikuar sanksione të kufizuara për shkeljet e detyrimeve PPP/PFT. Pjesa më e madhe e veprimeve përmirësuese të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare kufizohen në rekomandime.

Parandalimi i pastrimit të parave

Banka e Shqipërisë raporton se gjatë vitit 2018, janë konstatuar përpjekje pozitive të bankave dhe subjekteve financiare, në lidhje me parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Përgjithësisht, nga inspektimet në vend të kryera në banka, gjatë vitit 2018, ka rezultuar se ka një nivel të kënaqshëm përputhshmërie të bankave me detyrimet ligjore dhe nënligjore, si dhe janë menaxhuar me efektivitet rreziqet që vijnë nga pastrimi i parave/financimi i terrorizmit. Veçanërisht, bankat kanë ngritur struktura dhe sisteme të kënaqshme për këtë funksion, si dhe kanë rritur efikasitetin e masave parandaluese, çka reflektohet në rritjen e numrit dhe cilësisë së raporteve të aktiviteteve të dyshimta. Por, bazuar në gjerësinë e shërbimeve bankare dhe zhvillimin e produkteve elektronike që mundësojnë kryerjen e transaksioneve në distancë, ekziston rreziku i krijimit të hapësirave që mund të shfrytëzohen potencialisht për kryerjen ose fshehjen e aktiviteteve të jashtëligjshme. Në mbikëqyrjen e këtij rreziku, Banka e Shqipërisë ka bashkëpunuar ngushtë edhe me autoritetin përgjegjës, Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, nëpërmjet: kryerjes së inspektimeve të përbashkëta; shkëmbimit të informacionit; koordinimit të masave administrative; koordinimit të raportimeve për organizmat ndërkombëtare etj.; si dhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme nëpërmjet: shpërndarjes tek subjektet e licencuara të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe vendimeve të Këshillit të Ministrave për vendosjen e sanksioneve; dhe përditësimit të listës së financuesve të terrorizmit.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/07/2019 - 07:25

Dalin në dritë arsyet e furtunës që nisi kryeministri Edi Rama me Tatimet. Dje janë publikuar shifrat e të ardhurave në buxhet dhe rezulton se ka një rënie të konsiderueshme krahasuar me një vit më parë.

Postuar: 17/07/2019 - 07:23

Mazhoranca ka vendosur përfundimisht të tërhiqet nga koncesionet e pakërkuara.

Postuar: 13/07/2019 - 07:38

Ka hyrë dje në fuqi vendimi i qeverisë për të ndryshuar skemën e dëmshpërblimit për të përndjekur

Postuar: 12/07/2019 - 07:30

 Që prej marsit 2017, Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar USAID nëpër

Postuar: 11/07/2019 - 10:17

Kursi i këmbimit valutor, sipas Bankës së Shqipërisë, e enjte, 11 korrik 2019:

Postuar: 11/07/2019 - 07:26

Qeveria ka ndryshuar mënyrën e dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit politikë.