BREAKING NEWS

‘Pa shiko sa të thella qenkan punët!’, përgjimet e antimafias italiane, paralajmëron Artan Hoxha dhe zbulon emrin kush është ‘peshku i madh’

‘Pa shiko sa të thella qenkan punët!’, përgjimet e
x

Ekonomia

Zbardhet skema e re e kolaudimit të makinave, ja kategoritë që duhet të bëjnë kontroll çdo vit, çdo dy vite dhe një herë në tre vite

Zbardhet skema e re e kolaudimit të makinave, ja kategoritë që

Qeveria ka dërguar për konsultim publik projektligjin i cili do të ndryshojë tërësisht procesin e kolaudimit të makinave. Ashtu siç u lajmëruar disa ditë më parë më 31 dhjetor kompania SGS nuk do të ketë më përsipër kontrollin teknik të automjeteve, por gjithë kjo e drejtë do t’i kalojë shtetit. Kështu Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka paraqitur ndryshimet që do i bëhet Kodit Rrugor, duke përcaktuar dhe afatet e reja për çdo kategori mjetesh. Në dokumentin e publikuar sqarohet se mjetet e reja me kilometër zero nuk do të kenë nevojë për kolaudim vetëm pas 3 vitesh që nga regjistrimi, më pas do të kalojnë në kontroll njëherë në dy vjet. Gjithsesi theksohet se do të vijojë një kontroll i rreptë dhe më i shpeshtë për një kategori tjetër automjetesh. Konkretisht projektligji tregon se do të bëhet njëherë në vit kolaudimi i mjeteve që përdoren për transport publik si; urbanët, autobus dhe furgonët. Po një vjeçar do të jetë edhe vlefshmëria e kolaudimit për ambulancat, taksitë dhe autoshkolla. “Të gjitha mjetet që qarkullojnë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, janë të detyruara të kalojnë në kontroll teknik. Për mjetet e reja me motor, kontrolli teknik do të kryhet brenda tre vjetëve nga data e regjistrimit parë. Pas kësaj periudhe ky kontroll kryhet për çdo dy vjet. Mjetet e kategorisë M1, të përdorura si taksi dhe ambulanca si dhe mjetet e kategorive M2, M3, N2, N3, O3, dhe O4, kryejnë kontroll teknik çdo vit. Mjetet e reja të kategorisë M1, të përdorura si taksi dhe ambulanca si dhe mjetet e kategorive M2, M3, N2, N3, O3, dhe O4, kryejnë kontroll teknik brenda një viti nga data e regjistrimit të parë dhe më pas çdo vit”, thuhet në draft. Ndërsa mjetet e tjera do të kryejnë kontroll teknik të automjeteve njëherë në dy vjet, duke përfshirë këtu edhe ato automjete që e kanë bërë kolaudimin në 2020, shërbimi tjetër do të merret në 2022. Ndërsa theksohet se asnjëherë nuk përjashtohet rasti kur pronari i automjetit dëshiron të bëjë një kontroll vullnetar makinës edhe para skadimit të afatit.

Ja risitë e tjera

Ndër të tjera në raport bëhet me dije se, një herë në vit do të duhet të kryejnë kontroll teknik dhe mjetet për transport mallrash me ngarkesë më të madhe se 3.5 tonë si dhe mjetet me rimorkio me peshë maksimale me ngarkesë më të madhe se 3,5 tonë. Këto kategori mjetesh, nëse janë të reja do të kryejnë kontrollin teknik brenda një viti nga data e regjistrimit të parë dhe më pas çdo vit. Sipas relacionit, që shoqëron projektligjin, shtrirja e këtij shërbimi në kohë do të lehtësojë shtetasit si në vlerë pagese, por dhe në kursim të kohës, shpenzimeve të lëvizjeve, si dhe shumë lehtësira të tjera. Sipas relacionit shoqërues këto ndryshime vijnë edhe si nevojë për të përafruar legjislacionin me atë të Bashkimit Europian, përveç objektivit që kanë në rritjen e sigurisë së automjeteve. Por në këtë draft lihet e hapur mundësia për të licencuar kompani private të tjera të cilat mund të bëjnë kontrollin teknik të automjeteve. Konkretisht thuhet se do të krijohen hapësirat për liberalizim tregu. “Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të hartojë kriteret dhe kushtet e licencimit të operatorëve të kontrollit teknik të mjeteve duke marrë mendime dhe nga komuniteti i biznesit të fushës. Ofrimi i këtij shërbimi nga disa operatorë do të sjellë edhe liberalizimin e plotë të tregut të monopolizuar deri më sot. Në këtë projektligj është përfshirë edhe mbikëqyrja e qendrave të kontrollit teknik, e cila do të bëhet nga kompani private që do të garojnë për të marrë me koncesion mbikëqyrjen e procesit të kolaudimit”, thuhet në draft. Më tej theksohet se, kontrolli teknik është pjesë e një regjimi të gjerë të projektuar për të garantuar që mjetet rrugore të mbahen në një gjendje të sigurt dhe të pranueshme për mjedisin gjatë përdorimit të tyre. Gjithashtu Kontrolli teknik duhet të jetë mjeti kryesor për të garantuar përshtatshmërinë teknike të automjetit. Kontrollet teknike në rrugë të mjeteve tregtare duhet thjesht të plotësojnë kontrollet teknike periodike.