BREAKING NEWS

Ngjarje kriminale/ Zbrazen plumbat mbi uniformat blu të Policisë në Mamurras, plagosen rëndë dy efektivë, nisen me urgjencë në spital

Ngjarje kriminale/ Zbrazen plumbat mbi uniformat blu të Policisë
x

Ekonomia

Zbardhet vendimi, ja si do kompensohen familjet që do iu shemben banesat për shkak të rindërtimit, bonuset e tjera që përfitojnë

Zbardhet vendimi, ja si do kompensohen familjet që do iu shemben banesat

Ndërtimet pa leje që preken nga rindërtimi do kompensohen 100%. Qeveria ka miratuar vendimin që përcakton procedurat se si do të përfitojnë bonus qiraje familjet që kanë shtëpi të palegalizuara dhe do t’u shembet për shkak të rindërtimit. Pak ditë më parë ka folur për këtë çështje ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj, i cili shpjegoi se, këto banesa informale nuk mund të legalizohen dhe duke qenë se preken nga procesi i rindërtimit, do të shemben dhe familjet do të shpërblehen 100%. Konkretisht, vendimi sqaron se këto familje do përfitojnë bonus qiraje ose akomodohen në qendrat e strehimit në bazë të ligjit për strehim social. “Kur familjet janë zhvendosur nga ndërtime pa leje të papërfunduara, objekte që nuk mund të legalizohen, si dhe nga objekte të papërshtatshme për banim, njësitë e vetëqeverisjes vendore kujdesen që këto familje, dhe veçanërisht gratë kryefamiljare dhe nëna të vetme, të përfshihen në programin e banesave sociale me qira dhe, kur njësia e vetëqeverisjes vendore nuk disponon banesa sociale me qira, familjet dhe individët e zhvendosur trajtohen me subvencionimin e qirasë në tregun e lirë ose mund të vendosen në strehët e përkohshme”, përcakton vendimi. Ndërkaq, vendimi sqaron se edhe në ato raste kur rindërtimi në një zonë të caktuar do të bëhet nga investitorë të huaj apo vendas dhe jo bashkia, sërish familjet që preken do të përfitojnë banesë në ndërtesën që do bëhet dhe gjatë kësaj kohe do u kompensohet bonusi i qirasë nga investitori bazuar në të ardhurat që ka çdo familje. “Nëse investitori është një subjekt i ndryshëm nga njësia e vetëqeverisjes vendore, familjet, që banojnë në zonat që zhvillohen me qëllim strehimi, sistemohen nga subjekti që investon në banesa të përshtatshme dhe në distanca sa më të afërta me zonën e tyre aktuale të banimit. Shpenzimet për pagesat e qirave ndahen mes investitorit, familjeve dhe njësisë së vetëqeverisjes vendore, sipas marrëveshjes së lidhur. Për familjet pa të ardhura dhe me të ardhura shumë të ulëta, si dhe gratë kryefamiljare e nënat e vetme, qiraja mbulohet tërësisht nga investitori, sipas marrëveshjes së lidhur”, theksohet në vendim.

Kriteret dhe procedurat e përfitimit

Sipas vendimit, fillimisht nga shpërblimi do të përfitojnë familjet të cilat vazhdojnë dhe banojë në shtëpitë që do të shemben dhe më pas ato të cilat nuk banojnë aty aktualisht. Ndërkohë sqarohet se përfituesit do të marrin më pas një sipërfaqe nga zona e ndërtimit në bazë të kritereve që përcakton ligji për strehimin. Pra do të bien në marrëveshje për pronari dhe investitori. Kjo marrëveshje sigurisht respekton këto dy pika: sipërfaqja e ndërtimit që i takon investitorit është e barabartë me diferencën midis sipërfaqes së përgjithshme të ndërtimit dhe sipërfaqes që i takon pronarit sipas marrëveshjes; në rastet kur investimi realizohet nga subjekte private, bashkia përfiton 3% të sipërfaqes mbi 2 mijë m2. “Fillimisht përfitojnë banorët që banojnë në banesat që ndodhen në zonë dhe janë pronarë të truallit dhe banesës. Familjet që banojnë në zonë përfitojnë sipërfaqe ndërtimi sipas normave të strehimit në fuqi. Kjo sipërfaqe zbritet përpjesëtimisht nga pjesët fituese të sipërfaqes së ndërtimit të ri ndërmjet pronarit të tokës dhe investitorit, të cilët vlerësojnë nëse, pas zbritjes së sipërfaqes së ndërtimit që përfitojnë këto familje, investimi është me leverdi ekonomike për ta ose jo”, thuhet në vendim. Ndër të tjera vendimi sqaron se, në momentin që objekti ka përfunduar së ndërtuari, pasi bashkia dhe pronari bien dakord për sipërfaqen që do përfitohet, sipas ligjit për strehim, kjo kontratë dërgohet sërish në Kadastër dhe bëhet regjistrimi shoqëruar me certifikatën e pronësisë.