BREAKING NEWS

E veshur sportive dhe duke shijuar tingujt e çiftelisë, ambasadorja Yuri Kim shfaqet si kurrë më parë (Pamjet)

E veshur sportive dhe duke shijuar tingujt e çiftelisë, ambasadorja
x

Ekonomia

Zhbllokohet procesi, nis regjistrimi i rreth 16.500 pronave në jug të vendit, përfitojnë mbi 8 mijë banorë

Zhbllokohet procesi, nis regjistrimi i rreth 16.500 pronave në jug të

Nis regjistrimi i pronave në jug të Shqipërisë. Pas problemeve të shumta që ka hasur procesi i regjistrimit të pronave, sidomos në pronat e ndara sipas ligjit 7501, pas pezullimeve të shumta nga gjykata, ditën e djeshme Kadastra Shqiptare ka vendosur nisjen e procesit të regjistrimit për 16 mijë e 500 prona në jug të vendit. Lajmin e mirë e dha dje drejtori i Kadastrës, Artan Lame, i cili përmes një deklarate publike sqaroi se pjesë e regjistrimit do jenë si tokat e përfituara nga ligji 7501 edhe pronat në proces legalizimi. “Pas një pune përgatitore prej disa muajsh, sot Kadastra Shqiptare hap zyrtarisht procesin e regjistrimit fillestar në 8 zonat kadastrale të bregdetit të jugut dhe konkretisht: Palasë, Dhërmi, Vuno, Lukovë, Gjilekë, Ilias, Himarë, Nivicë. E thënë me fjalë të thjeshta, fillon procesi i regjistrimit të pronave në bregdetin e jugut. Ky proces do të trajtojë rreth 16.500 pasuri private, kryesisht toka të përfituara me AMTP, përmes ligjit 7501/1991, shtëpitë e vjetra tradicionale, objekte në proces legalizimi, prona të vjetra, objekte të privatizuara”, deklaroi kreu i Kadastrës. Lame tregoi për mediat se nga ky proces do të përfitojnë mbi 8 mijë banorë, ndërsa shtoi këtu se në regjistrim do të përfshihen edhe 5200 pasuri publike. Sakaq ai premtoi publikisht se këtë herë Kadastra si institucion përgjegjës do të çojë deri në fund regjistrimin e pronave, proces i cili prej më shumë se 20 vitesh është zvarritur nga një kalvar i gjatë problemesh. “Do të përfitojnë rreth 8000 banorë, rezidentë apo të emigruar të këtyre zonave. Gjithashtu, procesi do të trajtojë edhe rreth 5200 pasuri shtetërore, kryesisht prona të institucioneve publike, vepra infrastrukture, kullota, pyje. Përgjatë 26 vjetëve që funksionon procesi i regjistrimit fillestar, ky proces ka filluar 2 herë dhe pastaj është braktisur pa u përfunduar. U premtojmë të gjithë banorëve të këtyre zonave, se kësaj radhe shteti shqiptar do ta çojë deri në fund këtë proces. Procesi i regjistrimit fillestar, i ka rrënjët dhe mundësohet përmes ligjit të ri për Kadastrën, të hyrë në fuqi në fillim të vitit të kaluar, si edhe të ligjit për përfundimin e proceseve tranzitore, të hyrë në fuqi para rreth një muaji”, theksoi ai.

 Monitorimi i procesit

Tashmë dihet që prej vitesh jo vetëm ligji i regjistrimit të pronave ka qenë problematik dhe pengesë për nisjen e procesit, por edhe shkeljet nga autorët përgjegjës kanë qenë të shumta. Për këtë arsye, dje Lame tregoi se, këtë herë grupi i monitorimit për procesin në jug do të dërgohet nga Tirana, kështu do të shmangen ndërhyrjet nga institucionet e tjera atje. “I gjithë procesi i regjistrimit, do të kryhet dhe monitorohet nga ekipet tona të dërguara nga Tirana. E bëjmë këtë edhe për shkak të ekspertizës më të mirë, e cila është e grumbulluar pikërisht pranë Drejtorisë së Përgjithshme këtu në Tiranë, por edhe për shkak të shmangies së konfliktit të interesit midis punonjësve lokalë, si edhe për të mos përfshirë në këtë proces një drejtori rajonale, e cila për fat të keq muajt e fundit ka shfaqur problematika të mbartura e mahisura prej vitesh. Gjatë kësaj periudhe përgatitore, jemi ndeshur në një mori problematikash të mbartura e të shtresëzuara në vite, që në këtë proces do përpiqemi t’i eliminojmë krejtësisht”, deklaroi ai. Më tej Lame tregoi se procesi i regjistrimit do të zgjasë disa muaj, por në mbyllje të tij shumë probleme ligjore dhe konflikte mes pronarëve do të ulen tepër. Gjithashtu ai tha se, për çdo hap dhe problem që do të hasen në procedura, Kadastra do të informojë publikun përmes mediave. “Pas përmbylljes së këtij procesi që do të zgjasë disa muaj, në bregdetin e Jugut do të krijohet mundësia për investime të ligjshme, që nga ai pronari që do të hapë një dy apo tre dhoma për turistët pranë shtëpisë së tij, e deri tek komplekset dhe hotelet turistike të mëdha. Gjithashtu, siguria juridike që do të krijojë ky proces, do të çojë në uljen drastike të konflikteve të pronës përgjatë gjithë zonës. Në ditët në vijim, ne do të jemi vazhdimisht në kontakt si me mediat ashtu edhe me publikun, duke ofruar informacione të detajuara rreth procedurave, rreth zyrave të hapura në terren, do të njoftojmë për ecurinë dhe problematikat e ndeshura”, sqaroi ai.