Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Fitoi ‘Green Card” 8 muaj pas vdekjes, aktori shqiptar së bijës: M’erdhi t’bërtisja me sa zë që kisha, e vogla ime që s’u rrite kurrë

Postuar: 10/08/2018 - 16:00

Fitoi ‘Green Card” 8 muaj pas vdekjes, aktori shqiptar së bijës: M’erdhi t’bërtisja me sa za që kasha, evogla ime që s’u rrite kurrë
 
Një e-mail në kutinë e tij elektronike i ka rihapur plagën e rëndë të humbjes së të bijës. 8 muaj pasi u nda nga jeta, e bija e aktorit të njohur nga Kosova, Çun Lajçi rezulton të jetë fituese dhe se ishte përzgjedhur për të qenë fituese e “Green Card”, një nga ëndrrat e shumë të rinjve për të jetuar e punuar në Amerikë.
 
Siç duket, një nga aplikuesit ka qenë vajza e aktorit, Bubulina Krasniqi dhe përgjigja për rezultatin ka mbërritur së fundmi në e-mailin e vetë aktorit. Në dedikimin prekës për të bijën, pasi ka mësuar përzgjedhjen e saj si fituese, aktori tregon se si ajo i kërkoi e-mailin e tij, pasi i saji ishte hakuar.
 
E bija e aktorit, u gjet e vdekur në nëntor të 2017-ës në lagjen “Dardania” në Prishtinë. 34-vjeçarja dyshohet se u nda nga jeta nga mbidoza.
 
Dedikimi i plotë:
 
Green Card_a jetime
Po ta nisi nga Berni i Zvicrës, letrën e shkrueme ditë ma parë n’platonë e Kurrizit të Dardanisë, të cilën e palova n’valixhen e zemrës kur u nisa.
Nga këtu, ku dikur erdhem bashkë me i marrë vizat për 10 artistët e koncertit “Kosova djep Lirie” për shtetët Skandinave, nga Berni pra, ku erdha me mamin tand me “shitë” artin tim n’serialin zvicëran “Helvetica”, po t’shkruej për lajmin e papritun Bubulinë.
Po ta nisi anglisht, ashtu si iu shkrove ti e ashtu siç të shkruan ata. Shpresoj t’mos e keshë harrua gjuhën të cilën me aq përkushtim e mësove kurseve t’Anglishtës.
Dhe ja ku e ke fatin e shkruem ardhë me vonesë!
Sugaresha e babes.
Se sa me fat ishe, tregon letra që mbrrini n’imelë adresën time nga USAFIS Immigration Services:
Bubulina Lajci, Congratulations! You Are Eligible!
E lexova nji herë e dhetëherë, e prap nuk iu besova syve t’mi.
Kur e përkëtheva n’Google translate e ndjeva se si filloi me m’u mpi trupi nga habia. Ishte mengjes i hershem dhe si zakonisht ndodhesha n’kafenenë “Melosi” e nga turpi se po m’shikonte kush, u ktheva me fytyrë kah muri.
Duert i lidha pasqafe e sytë i mbylla t’mos rrjedhte loti.
M’erdhi t’bërtisja me sa za që kisha: hej, a e dini ju se miralakja ime, e tretuna n’dhé, e ka fitua Green Card_ën?
A e dini ore sa e lumtun do t’ishte sot po ta merrte lajmin! A e dini se do t’çmendej nga gëzimi ?
Hej, a dini ju sa letrat i ka shkrua netëve t’vona e sa cigaret i ka djegë tue thurë andrra për nji udhëtim tej Oqeanit?
Ju nuk mund ta paramendoni dëshpërimin e nji vajze të re që priste përgjigje e ajo s’vinte. Nji letër e priste që do t’ia ndryshonte jetën, e ajo s’vinte! E vajza priste si motra Konstantinin e vdekun!
M’erdhi me bërtitë por dhunshem thirrjen n’fytin e thamë e mbyta.
Kah muri i kthyem me trup, vetën e mallkova që s’isha n’dhomën time e me thirrë me zanin e barijve t’malit: gëzohu Bubulinë e kurrë mos pusho, gëzohu!
Gjatë, oh sa gjatë me sy mshelë i heshtun mbeta!
I fërkova tamthat me gishtat e mëdhej, nga frika se mos po m’pëlcisnin nga pikëllimi, por ti n’çast m’dole përpara tue kcye përpjetë nga gëzimi e tue u çjerrë:
Hej…! Amerika…! Green Carda…! Shkova babë, shkova! E qesheshe e qaje nga gëzimi!
I kthyem kah muri, me duert e lidhuna pas kreje, e tue u ruejt nga njerëzit që pinin kafe, gjithçka kujtova për ata pak sekonda, e kahmos m’shkoi mendja.
U mundova me t’pa tue luejt natën n’krevat me qenushin e vogël të kthyem n’shpindë me kamë përpjetë, e s’di pse nuk mujta!
Dhe ja ku m’ dole nga tymi i cigarës, që e thithje me aq passion, aty ulun të kompjuteri, me ato kufjet n’vesh, tue tund kokën djathtas majtas.
Atëherë i hapa sytë dhe fillova me folë me vetvetën, thua se po flisja me ty.
M’u kujtua mire viti i kaluem, kur natën vonë me flisje për ato llotaritë e Migracionit. Mua me mbylleshin sytë nga gjumi e ti s’hiqje dorë nga fati. Plotësoje diçka n’faqe internetësh e vazhdimisht e kërkoje imelë adresën time.
– Babi, ma jep adresën tande se mua ma kanë bllokua hakerët.
Aiii…! M’lodhe me ata haker dreqi! Thua se s’kan punë tjera veç me ty m’u marrë!
Çka po të duhet adresa ime n’mes natë?
– Po m’duhet për Green Card babë.
E unë, si unë.
S’u besoja llotarive as fateve përmes interneteve e pa fajin tand, gërvallesha n’ty:
Hiqu bre rrenave e mashtrimeve oj Buba ime. Hiqu interneve!
Por ti ishe aq e durueshme e kamëngulse sa s’bindeshe pa e provua fatin, e përshtypje s’të bajshin gërvalljet e nji plaku që s’merrte vesh n’fusha internetësh.
Ore!
M’thuej si t’binden engjëjt, si t’mashtruen, kur Ti ishe aq kokëfortë e aq besim kishe n’vetvete. Unë çuditem si mujten atë natë me t’vu n’gjumë e mos m’u zgjua kurrë ma, kur ti vetëm vetës i besoje!
Tani kur letra erdhi, kuj ti them se unë isha i gabuemi e ti fituesi. Kuj ti them se ti fitove e unë humba!
Po sugaresha ime po, e fitove Vizën që aq shumë e deshirove! E fitove Green Cardën që do të mbetet përgjithmonë pa firmën e fotografinë tande.
Do të mbetët jetime e përbetueme me emnin Bubulinë n’faqën e vet.
Ajo erdhi si lajmi ma fatkeq për mua e mamin e vllaun, për të mbet n’kujtesën tonë përjetësisht plagë e pa sherueshme.
E vogla ime që s’u rrite kurrë.
Ti gjithmonë ke qenë fitimtare, pos natëzezës se 19 nandorit, kur e humbe betejën me hienat që s’të çkapeshin. Ato e grryen shpirtin tand t’pastër vite me rradhë e s’u ngopën pa t’pa tue ra n’gropën e varrit!
Po t’shkruaj për andrrën tande Amerikane që erdhi zhgjandër n’ket mengjes, këtu n’qoshin e lagun nga shiu t’Melosit të mbushun tym cigarësh, kur ti s’ke ma ndjenjë gëzimi, e kurrë ma s’do t’i shfletosh faqet e librave t’mi për t’i lexua letrat e shkrueme për ty.
Ti tani noton n’barkun e miliona krimbave, e unë n’miliona kujtime digjem për ty e n’heshtje thërras:
Urime Green Carda Bubulinë.
Nga këtu po ta nisi n’Drelaj ty, e po eci rrugëve Helvetice tue i kallxua Galës që ta merr vesh Learti n’Prishtinë.
 
 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 0

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/08/2018 - 23:24

Këngëtarja Eneda Tarifa vazhdon të mbetet një nga këngëtaret shqiptare më të pëlqyera nga publiku. Vokali dhe pamja e saj e kanë kthyer Tarifën në personazh që përbën lajm në çdo kohë.

Postuar: 18/08/2018 - 23:08

Ajo është një ndër vajzat më pasanike në botë dhe ndër më të ndjekurat në rrjetet sociale.

Postuar: 18/08/2018 - 21:41

Pasi vetë Kejda iu kthye  komentueses pas i tha se dukej si 40 vjeç me ndërhyrje që kishte b

Postuar: 18/08/2018 - 21:24

Është aktor i njohur dhe shumë i talentuar po së fundmi, emri i tij është rradhitur krah shumë ak

Postuar: 18/08/2018 - 21:11

Kallashi e ftuar së fundmi në  “Elite show” , zbuloi që puna si striptiste i për

Postuar: 18/08/2018 - 19:35

Vajza e Majlinda Bregut bie shpesh pre e akuzave për operacione plastike për pamjen dhe linjat e

Postuar: 18/08/2018 - 19:16

Bota e showbizit shqiptar ka plot bashkëpunime, projekte të përbashkëta, miqësi, lidhje sentiment