Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Pajtim Melani: Ja si të shmangim mashtrimet në internet, identifikimi i kompanive false i vështirë, ku duhet të investohen paratë

Postuar: 02/04/2017 - 08:21

Kryetar i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Pajtim Melani, u ka bërë thirrje qytetarëve që të bëjnë kujdes nga mashtrimet në internet. Në një intervistë, ai shprehet se ka shumë rreziqe që qytetarët të bien pre e mashtrimeve, duke investuar në bursë. Ai ka thënë se AMF po kryen verifikime të shumta, ndërsa ka shtuar se është një proces i vështirë zbulimi i faqeve private. Po ashtu, ai tregon se si duhen investuar paratë.

-Z. Melani, ju ndoshta nuk keni marrë një telefonatë të tillë: “Nëse investon 2000 euro nëpërmjet nesh, kjo shumë mund të shumëfishohet shumë shpejt”, por shumë sipërmarrës shqiptarë dhe qytetarë e kanë marrë. Mund të jetë kjo një ftesë për investim serioz po aq sa grackë e një skeme mashtrimi?

Unë, në radhë të parë, do të pyesja nëse subjekti është i liçencuar nga autoritetet shqiptare, nëse ka një seli në Republikën e Shqipërisë dhe nëse i ka të gjitha lejet dhe dokumentet që i japin mundësi të ushtrojë aktivitetin në territorin e Republikës. Këtë duhet patjetër ta verifikoja në burimet zyrtare të institucioneve tona shtetërore, që provojnë nëse një broker, një platformë online apo çdo lloj kompanie që të ofron të investosh paratë kundrejt një kthimi të caktuar, ka apo jo liçencë këtu. Pra, atë qytetar që vendos të “luajë” online (po përdor fjalën lojë, pse kundrejt një risku të lartë, ai pret një fitim shumë të lartë), e këshilloj të harxhojë disa minuta kohë që të konsultojë faqen e Bankës së Shqipërisë “bankofalbania.org” dhe faqen e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare “amf.gov.al”, nëse ky subjekt është apo jo i liçencuar. Është e domosdoshme që cilido qytetar që luan të sigurohet që brokeri apo kompania online është i liçencuar dhe pastaj t’ia besojë paratë e veta. Loja është e vërtetë. Ai nuk po bën thjesht “demo”, pra demonstrim, sepse ata kështu e nisin, të ofrojnë një shumë dhe të tregojnë si luhet dhe sa mund të fitosh. Kur ti si qytetar kthehesh në terma realë, pra prek llogarinë tënde dhe kartën tënde të kreditit, aty fillojnë problemet. Duhet ta mendosh më shumë se sa dy herë. Duhet ta mendosh në kuptimin nëse kompania që të ofron të luash është apo jo e liçencuar, pastaj të shikosh portofolin e saj ku dhe si kjo shoqëri ka investuar. Nëse kompania nuk ka liçencë, është mirë të mos luhet, sepse mund të ketë një kthim parash në afatshkurtër, por shtrirë në kohë, qytetari rrezikon të humbasë gjithçka, sepse ai nuk ka se ku të kërkojë llogari, nëse mendon se nuk u informua si duhet, apo iu fsheh një pjesë e riskut të lojës. Është fare i pambrojtur.            

-A është e vërtetë që shumë sipërmarrës dhe qytetarë, që shohin bursat jashtë vendit, si një mundësi për të shtuar konsiderueshëm paratë e tyre, po humbin shuma të mëdha këto dy vjet?

Duhet bërë një ndarje: për shkak të shqetësimit publik, nuk mund të themi se nuk duhet investuar fare. Jo, aty ku ka liçenca, ku aktiviteti kontrollohet, gjithkush mund dhe duhet të jetë i lirë të investojë. Për shembull, aktiviteti i investimit në monedha, në kursin e këmbimit të tyre. Nëse qytetari ka informacion, nëse mendon se mund t’i ndjekë në kohë reale kurset e këmbimit dhe ka aftësinë e parashikimit, përse jo. Ka subjekte të liçencuara nga Banka e Shqipërisë që veprojnë prej vitesh në këtë treg.

Ju i referoheni humbjeve. Humbje kanë ndodhur por ende fenomeni nuk është masiv. Nganjëherë ka edhe alarm mediatik. Gjykoj se në rastin e mbylljes së një platforme online në Jug të vendit, u ngrit një zhurmë e madhe mediatike, por për fat, qytetarë të prekur nga platforma pati pak ose aspak. Nëse do të kishte patur efekt real, do të kishim qytetarë që do të ankoheshin pranë Bankës së Shqipërisë, apo AMF-së, apo institucioneve të tjera shtetërore. Mirëpo kjo që ndodhi mendoj se është e shëndetshme, pse qytetarët informohen për risqet e këtyre skemave. Ne si AMF jemi përfshirë në një fushatë informimi të pandërprerë. Përveç njoftimit në faqen tonë të internetit “amf.gov.al” me titull “Investitorë kujdes!”, ku japim linkun e shoqërive të brokerimit të liçencuara nga ne, përpiqemi nëpërmjet mediave të sensibilizojmë qytetarët për rreziqet e investimit në platforma e kompani të paliçencuara. Besoj se një qasje e tillë po jep efekte pozitive të ndërgjegjësimit tek sipërmarrësit dhe qytetarët. Edhe kjo intervistë, dhe për këtë falenderoj median tuaj të mirënjohur, i shërben këtij misioni. Qytetarët tanë po bëhen më të kujdesshëm, më të përgjegjshëm. Aq më tepër që sot kemi investime nëpërmjet shoqërive të liçencuara ku mund të marrësh interesa normale vjetore 3 deri në 4 për qind. Të mos presë njeri se me investime me risk të arësyeshëm mund të marrësh më shumë. Ka një tendencë në tregjet ndërkombëtare për rritjen disi të interesit të parasë dhe të obligacioneve qeveritare e letrave me vlerë. Prej këtej mund të presim interesa pak më të rritura në një periudhë afatshkurtër. Nuk ka më kthime investimesh që brenda një viti të presësh të të rritet investimi me shumë herë. Që në momentin që ti shikon se të premtohet një kthim i tillë, 200 për qind apo 300 për qind, automatikisht duhet të kuptosh se ke hyrë në një zonë me risk shumë të lartë. Ky risk mund të të humbasë edhe komplet kursimet apo investimin. Prandaj edhe minimalisht duhet të shikosh nëse kompania apo platforma online është e liçencuar. Tek ne janë bankat e nivelit të dytë të liçencuara për të kryer veprimtari brokerimi, janë edhe disa kompani të liçencuara për veprimtari të tilla. Cilido në kohë reale mund t’i shikojë këto kompani në faqen e internetit të AMF-së “amf.gov.al”.

A ka rrezik që investimet e pakontrolluara toksike të shqiptarëve në bursat e huaja të shndërrohen në një dehje masive, rendje pas Eldorado-s, në skema të reja piramidale, në përsëritje të dehjes së viteve 1995-97?

Risqet gjithmonë ekzistojnë dhe prandaj ka edhe institucione mbikëqyrëse të shtetit për zbutjen apo eliminimin e tyre. Mendoj se kanë qenë dy elementë që e kanë stimuluar mundësinë e këtyre platformave online të parregjistruara për të tërhequr paranë nga publiku. Së pari, kthimi i emigrantëve nga Greqia, të cilët në Shqipëri kanë ardhur me para që i kanë pasur në bankat greke dhe i kanë sjellë në Shqipëri. Kishin disa mundësi investimi, ose do t’i investonin në sipërmarrje të vogla në qytetin apo fshatin ku u kthyen, ose në sistemin financiar nëpër banka apo letra me vlerë dhe fonde investimi. Ose mund të merrnin përsipër një risk edhe më të lartë duke i investuar nëpër platformat online. Këto platforma synojnë të godasin aty ku ka likuiditet, ku ka para që nuk investohen. Emigrantët që vijnë jo vetëm nga Greqia, por edhe nga vende të tjera, ku interesat e letrave me vlerë janë shumë të ulta, janë të prirur për të provuar fatin në investime që premtojnë kthim të lartë. Dakord, mund të investosh, por insistojmë që të realizohen këto investime të shqiptarëve në fonde investimi apo shoqëri brokerimi të liçencuara. Ne si AMF kemi kërkuar në një rregullore të veçantë që të gjitha subjektet e liçencuara në këtë fushë të tregojnë në mënyrë të dallueshme dhe të vazhduar për klientët e tyre nivelin e rrezikut, të riskut që klienti merr përsipër duke investuar tek ata. Informacioni duhet të jetë simetrik.

-Si mund të mbrohemi nga këto platforma toksike?

Duhet të kemi parasysh se me platformat online nuk ka asnjë gjë fizike. E gjitha është teknologji e dixhitalizuar, IT. Është e vështirë t’i identifikosh. Ne si AMF kemi marrë disa masa në drejtim të mbylljes së tyre ose nisjes së procedurave për mbyllje. Nuk është e lehtë. Një platformë online hap një adresë, blen një domain dhe atë domain nuk e blen në Shqipëri. Ofrohen domain pafund. Në momentin që ti mbyll një domain, ai hap një adresë, një domain tjetër. Kjo është një luftë e vazhdueshme mes institucioneve dhe këtyre platformave ilegale. Ftoj qytetarët të na ndihmojnë për t’i mbrojtur, duke na informuar në numrin tonë pa pagesë 0800 6969 ose duke dërguar sms në numrin 0694060671.  Në mbrojtjen e qytetarit investitor e kemi detyrim ligjor. I ofrojmë atij të gjithë informacionin që kemi në dispozicion. Për shembull, nëse shoqëria e brokerimit apo e investimit e liçencuar pranë nesh ka dorëzuar pasqyra financiare, si është ecuria e investimit në vitet e fundit, rezultati financiar i kompanisë, etj. Të gjithë këtë informacion ia vemë në dispozicion kundrejt kërkesës së tij. Si dhe të gjitha informacionet shtesë që mund të ketë nevojë. Mund të na e bëjë kërkesën me e-mail, me sms apo me një telefonatë. Në nivel institucional, si AMF kemi qenë në kohë reale iniciatorë të mbajtjes së mbledhjeve të Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar, ku bëjnë pjesë edhe Ministri i Financave dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.

-A janë kryer bllokime reale?

Po, nga informacionet që ne kemi, në qarkullim kanë ngelur vetëm një ose dy platforma të tilla të paliçencuara.

-A mund ta këshilloni qytetarin se ku t’i investojë paratë që ka?

Do të ishte mirë që për këtë ai t’u drejtohej bankave të nivelit të dytë, pra bankave tregtare. Ato kanë struktura të posaçme të brokerimit, kanë specialistë për sfera të ndryshme investimi. Sidomos për sipërmarrësit bankat ofrojnë staf të përgatitur, këshilltarë financiarë për portofolin e investimit. Këta ndjekin parimin e njohur botërisht “jo të gjitha vezët në një shportë”, duke diversifikuar portofolin e investimit të klientit. Kur ke para, mund t’i vendosësh në fondet e investimit, ose në fondet e pensioneve vullnetare. Informacioni dhe këshillimi pranë bankave nuk mungon. Këshillimi ofrohet prej tyre dhe është i përkohshëm. Ne si institucion shtetëror i mbikëqyrjes financiare kemi rolin e mbrojtësit të përhershëm ndaj qytetarit dhe investitorit, por jo të këshilluesit. Megjithatë, jemi gjithmonë të gatshëm dhe do ta falenderonim secilin qytetar që na drejtohet për informacion, sepse mendojmë më mirë të marrë informacionin e duhur dhe ta spostojë në kohë investimin që synon të bëjë, se sa ta kryejë, ta pësojë dhe pastaj të na drejtohet: “Po ju, ku ishit kur unë humbisja miliona?”. Ne si institucione shtetërore kemi detyrën dhe përgjegjësinë për t’i edukuar qytetarët tanë për risqet financiare që mund të ndeshin, në rast se investojnë në platforma të pasigurta. E ndjejmë këtë detyrë akoma dhe më shumë, duke patur parasysh pamjaftueshmërinë e dijeve financiare të qytetarit. Ne po mendojmë që të jemi të pranishëm në librat shkollorë për tregjet financiare dhe duam të nënshkruajmë një marrëveshje me Ministrinë e Arsimit. Synojmë që qysh në shkollat nëntëvjeçare në kurrikulat të vendosim në lëndën e edukatës financiare edhe njohuri për tregjet dhe mënyrat e veprimit në to. Kemi investimet në tregun e sigurimeve, në fondet e investimit, në pensionet vullnetare, në bursën që do ta kemi besoj shpejt. Janë produkte të shumta, të cilat ia vlen t’i njohësh që në periudhën e shkollës. Sot të gjitha veprimet financiare, përdorimi i kartave të debitit, të kreditit, pagesat online po shkojnë drejt tregjeve online, ku e ke të domosdoshme të zotërosh informacion dhe teknologji. Futja masive e telefonave të zgjuar e ka lehtësuar këtë proces, por njëkohësisht ka rritur edhe risqet. Me një klik mund të investosh, por mund edhe të humbasësh shumë. Sot nga një prej këtyre platformave që përmendëm mund të të vijë një e-mail apo një “alert” (tërheqje vëmendjeje), kudo ku je në faqen në internet, në Twitter, Facebook, Instagram, etj., mund të të vijë një ofertë. Duhet të jesh i kujdesshëm, sepse me një klik, nëse e ke të lidhur kartën e kreditit me telefonin (sikurse është shumica e rasteve), mund t’i bësh gjëmën vetes. Nëse të dhënat e kartës tënde të kreditit janë të memorizuara në telefon dhe ti autorizon veprimin, në pak sekonda mund të ndodhë që të hysh në një rrugë pa krye, të bëhesh viktimë e një skeme mashtruese interneti.      

Intervistoi: Fatos Çoçoli

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 23

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/04/2017 - 08:13

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, një nga figurat më aktive në komentimin dhe analizimin e ngjarjeve politike në vend, në një intervistë për gazetën “Sot”, flet për bojkotin e opozitës, bllokimin e rrugëve ditën e hënë, rolin e ndërkombëtarëve dhe fatin e koalicionit PS-LS

Postuar: 23/04/2017 - 07:23

Ministria e Kulturës është e para që ka përgjegjësi në problemet që kanë sot teatrot.

Postuar: 23/04/2017 - 07:14

Futbolli shqiptar njohu vitin e kaluar një arritje kulmore në përfaqësimin ndërkombëtar, duke marrë pjesë në Kampionatin Europian “Francë-2016”.

Postuar: 15/04/2017 - 08:03

Hartues i dosjes së Beratit në UNESCO, akademiku Emin Riza pohon se mosmirëmbajtja e vazhdueshme çon në rrënim të monumenteve të kulturës.

Postuar: 11/04/2017 - 10:04

Aktori Sulejman Dibra shprehet se nga ajo punë e madhe që bëhej për teatrin dhe filmin sot ka humbur shumë.

Postuar: 09/04/2017 - 07:37

Peshëngritja shqiptare solli medaljet e radhës nga aktivitetet ndërkombëtare. Plot katër të tilla nga Kampionati Europian i Kroacisë, një ari, një argjendi e dy bronzi.

Postuar: 08/04/2017 - 09:12

Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, në një intervistë për gazetën “Sot”, apelon për zgjidhjen e krizës politike.