Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Adem Muhametaj: Kamza Basket, që tani elitë e basketbollit shqiptar

Adem Muhametaj: Kamza Basket, që tani elitë e basketbollit shqiptar

Postuar: 01/07/2013 - 11:52

Basketbolli shqiptar ka probleme. Këto probleme janë natyrisht të karakterit kompleks, por më së shumti shkaqet duhen  kërkuar në dy aspekte kryesore: Në infrastrukturë, ku terrenet janë dëmtuar, janë shkrirë apo mungojnë në pjesën më të madhe (pa përjashtuar dhe bazën materiale të mangët), si dhe në mbështetjen e dobët financiare nga shteti, gjë që duket në fondin e limituar grant që jepet për federatat sport ive e në veçanti për federatën  e basketbollit. Shumëkush mund të shtronte pyetjen e thjeshtë: çfarë do të bënte një federatë si ajo e basketbollit me vetëm 90 milionë lekë të vjetra? Ndoshta nuk mund të përballojë as rrogat e gjyqtarëve. Gjithsesi, talenti nuk mungon dhe fakti që klubet kosovare po kërkojnë elementë në kampionatin tonë tregon se ka potencial, thjesht ai duhet menaxhuar më mirë. Një nga skuadrat që ka ngjallur interes vitet e fundit është Kamza Basket. Një ekip i ngritur në një vendbanim me njerëz të ardhur, por ku ka potencial të fuqishëm për zhvillimin  basketbollit. Trajneri i këtij ekipi, Adem Muhametaj, duke bërë një bilanc të shkurtër të punës trevjeçare, por edhe ambicieve që ka skuadra e Kamza Basket, thotë se janë të gjitha premisat për të pasur një basketboll të zhvilluar dhe se ka një ringjallje të basketbollit sidomos në zonën e Kamzës. Sipas tij, Kamza basket do të shndërrohet shpejt në ekipin më të mirë shqiptar dhe skuadra që do t’i japë tonin basketbollit në vendin tonë. Ai beson se infrastruktura ka nevojë urgjente për ndërhyrje dhe është turp që Mali i Zi, një shtet me më pak se 70 mijë banorë investon dhjetë herë më shumë se Shqipëria për basketbollin. Në Intervistën e dhënë për “SOT”, Muhametaj komenton  dhe rivalitetin me skuadrën e Tiranës dhe ekipet e tjera në kampionat dhe ambiciet që ka vetë Kamza Basket në edicionin e ri të basketbollit.

Zoti Muhametaj, Kamza Basket është një klub që ka pasur një ngritje të fuqishme në kampionatin tonë sidomos vitin e  fundit. Na tregoni diçka për ambiciet ë ka skuadra që ju drejtoni për sezonin  e ri dhe natyrisht diçka më shumë për merkaton që klubi juaj do të bëjë në prag të sezonit të ri?
Sa i takon  merkatos ne nuk kemi nisur ende të lëvizim, por e vërteta është se po shohim mundësitë që do të na serviren. Praktikisht po e hetojmë tregun, nisur dhe nga lëvizjet që po bën basketbolli kosovar, që po lakmon fort për të marrë elementë cilësorë nga klubet tona këtu në Shqipëri, nisur dhe nga lehtësirat që janë krijuar në lidhje me trajtimin e sportistëve tanë si ekstrakomunitarë. Kjo, në fakt, është në interes të përbashkët, por dihet tashmë që basketbolli në Kosovë ka një prioritet ndryshe, më pozitiv. Për t’u kthyer te pyetja juaj mbi ecurinë e Kamza Basket, mund të them se kemi tre vjet të mrekullueshëm në kampionatin shqiptar të basketbollit. Madje mund të them se ishte një ecuri e jashtëzakonshme, por këtu duhen përshëndetur të gjithë, përfshi dhe bashkinë Kamëz dhe kryebashkiakun Xh. Mziu, i cili na ka qëndruar pranë dhe ka ndjekur thuajse të gjitha ndeshjet tona.

Sa ndikuan kushtet e krijuara?
Po, në Kamzë gjatë këtyre viteve u ndërtua një palestër e përmasave olimpike, pra e parametrave ndërkombëtare. Ndërkohë, u ndërtuan  disa shkolla të reja që kanë në brendi të tyre palestra të kompletuara. Natyrisht që nuk kanë përmasa olimpike por janë funksionale dhe kjo ndihmon shumë sportin në zonë. Për më tepër, ne vetë si klub jemi të interesuar që të shtrijmë basketbollin në këto shkolla dhe që të thithim elementët më të mirë. Nëse shfrytëzohen si duhet, ka potencial të rinjsh që mund t’i japin perspektivë basketbollit të klubit të Kamzës.

Realisht, deri në ç’nivel kanë shkuar raportet tuaja si klub me këto të rinj? Dua të them a ka talente dhe si operoni për t’i thithur?
Ka disa mënyra, por një pjesë prej tyre janë punësuar në ato shkolla ku ka pasur interesim për sportin. Qëllimi ynë është të krijojmë akademinë e basketbollit të Kamzës. Besoj do të ishte diçka shumë pozitive për ne. Ne jemi Kamza Basket dhe gjykojmë se promovojmë vlera në basketbollin shqiptar.

Kamza bëri një sezon të mrekullueshëm në kampionatin shqiptar edicionin që lamë pas, por cilat janë ambiciet e Kamza Basket për sezonin e ri? Ju si trajner çfarë synoni?
Në fillim duhet të themi se qëllimi ynë parësor ka qenë masivizimi i basketbollit në Kamzë, pasi kështu do të ishte më mirë për të përzgjedhur. Dhe bindja ime (dhe jo vetëm imja), ka qenë që masivizimi do të sillte cilësi. Praktikisht Kamza Basket është sot një klub serioz, me elementë cilësorë dhe një skuadër që lufton për të gjithë trofetë e sezonit, duke qenë pretendente e denjë dhe favorite për të fituar titullin. Ndër qëllimet e tjera mund të përmend dhe infrastrukturën, pasi të rinjtë kërkojnë kushte dhe ato që unë përmenda më sipër na ndihmuan të bëjmë përpara. Pasi kemi masivizuar dhe kemi krijuar kushtet duam të jemi cilësorë në lojën e basketbollit. Dhe unë besoj se është momenti që të kemi cilësi në lojën tonë. Faktikisht unë jam i lumtur me atë që prodhoi Kamza këto vite. Në edicionin e fundit, nga 31 ndeshje që zhvilluam nuk humbëm asnjë. Nuk e di se sa e ndiqni, por kampionati i fundit ishte nga më rivalizuesit e viteve të fundit. Ishte një kampionat shumë i fortë. Pati nga skuadrat rivale edhe blerje lojtarësh të huaj, por Kamza është tashmë elitë e basketbollit shqiptar.

Po flasim për një kampionat që nuk është cilësor. Të tregohemi të drejtë kur flasim për suksese, pasi niveli i basketbollit tonë lë për të dëshiruar apo jo?
Unë nuk jam në një mendje me ju për këtë çështje, pasi skuadrat rivale patën  lojtarë cilësorë. Vllaznia, për shembull, kishte një malazez, një maqedonas e një serb, që ishin pjesë e kombëtareve të tyre. Edhe Tirana ishte shumë e fortë, pra kampionati pati rivalitet dhe ky  nuk është vetëm mendimi im, që edicioni i fundit ishte nga më të fortët e më rivalizuesit e viteve të fundit. Ne ia dolëm pra të kishim sukses dhe kjo na bën krenarë.

Si ka mundësi që basketbolli shqiptar, i gjendur në një rajon që ka ajkën e basketbollit botëror (Serbia, Greqia, Turqia edhe vendet e tjera të rajonit), nuk arrin të konkurrojë si duhet në ar enën ndërkombëtare? Mos harrojmë se edhe Kombëtarja reflekton këtë dobësi të kampionatit...
Marrja pjesë në aktivitetet ndërkombëtare lidhet me ekonominë. Buxheti i klubeve tona është i dobët, dhjetëra herë më pak se edhe buxheti i klubeve kosovare. Megjithatë, duke folur specifikisht për Kamza Basket, nuk mendoj se kemi qenë inferiorë. Ne mundëm Vllazninë tre herë, e cila siç thashë më lart kishte lojtarë të huaj, mundëm Prizrenin që ka një skuadër shumë cilësore. Unë kam bindjen se po të garojmë në ndeshjet ndërkombëtare do të kemi sukses, por s’mund të marrim pjesë, pasi nuk kemi buxhet.

Si qëndron raporti mes të rinjve e veteranëve në skuadrën tuaj? Domethënë bazoheni kryesisht te veteranët, apo ka një ndërthurje me të rinjtë?
Ne kemi një grup shumë heterogjen. Nga veteranët kemi Bilalin dhe Karajn, por kemi dhe të rinj të talentuar si Gjona etj. Madje Gjona ishte një nga lojtarët kryesorë të ekipit dhe kishte kontribut në suksesin e skuadrës sezonin e kaluar.

Meqë folëm për buxhetin dhe nivelin e kampionatit, të flasim pak për basketbollin  kosovar. Ju besoj e ndiqni dhe si qëndrojnë raportet me kampionatin tonë?
Kur flasim për buxhetin ai është problem serioz. Kosova po bën “gjueti” në kampionatin tonë, me qëllim për të marrë lojtarë, nisur dhe nga fakti se vendimet e federatave i lejojnë të luajnë si ekstrakomunitarë. Lojtarët në Kosovë paguhen dy herë më shumë se sa këtu te ne. Basketbolli në Kosovë është sport i parë dhe rrjedhimisht merr më shumë vëmendje. Ndryshe nga këtu te ne që kemi futbollin sport të parë. Peja ka lojtarë me parametra europianë, që luajnë madje dhe në NBA. Pra në Kosovë ka lojtarë cilësorë. Për më tepër ka dhe basketbollistë si Dardan Berisha që është lojtar europian. E thënë shkurt kanë më cilësi dhe kampionati i tyre është më atraktiv se sa kampionati ynë.

Si e sheh të ardhmen e basketbollit në Shqipëri?
Fatmirësisht basketbolli po rizgjohet. Kamza është pa frikë një shembull i mirë. Fieri gjithashtu po investon. Krahas Tiranës, Vllaznisë e ndonjë klubi të traditës, basketbolli kërkon masivizim të mëtejshëm pasi kështu do rritet dhe cilësia. Kemi lojtarë që luajnë në Kombëtare dhe mendoj se basketbolli i ekipit kombëtar ka perspektivë. Por kampionati ynë është ende prapa, realisht ka mbetur prapa.

Doni t’i ktheheni me sa duket çështjes së buxhetit?
Natyrisht që po. Shiko! Nuk është e vështirë të bëhet ndryshimi me vendet e rajonit, pasi statistikat tregojnë qartë diferencën. Mali i Zi, një vend i vogël, investon dhjetë herë më shumë se Shqipëria për basketbollin. Është turp ta thuash, por ky është një fakt i hidhur dhe real. Maqedonia, falë një projekti që ka pasur me Europën, është drejt përfundimit të 60 palestrave moderne. Atje basketbolli do të marrë zhvillim shumë të madh.

Nuk është vetëm buxheti, të jemi realistë, është dhe infrastruktura në tërësi...
Po, po, natyrisht, madje një mangësi e madhe. Pallatet e sportit janë degraduar shumë. Jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe. Të gjithë pallatet e sportit kanë probleme dhe vërtet që është për të ardhur keq, pasi kanë 30 vjet që s’është vënë dorë mbi to.

Me aq sa kemi informacion, Tirana duket se është rivali juaj më i madh. Por edhe ata janë të përçarë, pasi kemi dy ekipe të Tiranës. Me cilën rivalizoni më shumë?
Tirana, e shoqatës, ka rivalizuar shumë me ne, prandaj dhe gara ishte shumë e bukur. Ata kishin marrë lojtarë të huaj dhe ishin ekip i fortë. Ndërsa Tirana e klubit të zakonshëm është një emër i madh i basketbollit shqiptar. Ajo mbështetet nga bashkia e Tiranës dhe besoj se do të jetë ende një skuadër e fortë e rivale shumë e ashpër për ne. Në fakt unë gëzohem që skuadrat janë të forta, pasi kështu basketbolli bëhet jo vetëm më i bukur, por edhe më i ndjekur.

Diçka për të shtuar?
Asgjë tjetër veçse të falënderoj bashkinë Kamëz që na ka mbështetur deri tani dhe unë e them me bindje se Kamza Basket është sot për sot numri një i basketbollit shqiptar dhe realisht një klub që po rritet e do ta dominojë kampionatin tonë të basketbollit. Intervistoi: Adriatik BALLA

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 284

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/10/2018 - 07:34

Fondet etnografike janë të rrezikuara nga mungesa e kushteve. Edhe pse bëhet një punë e madhe nga punonjësit që merren me fondet dhe studiuesit, kushtet në të cilat janë prej vitesh lënë për të dëshiruar.

Postuar: 16/10/2018 - 07:28

Artistët përballen me jo pak probleme në aktivitetin e tyre artistik, dhe sipas tyre përgjegjësia

Postuar: 14/10/2018 - 07:44

Artistët janë totalisht jashtë vëmendjes së institucioneve shtetërore.

Postuar: 14/10/2018 - 07:34

Shqipëria do të luajë sot në mbrëmje me Izraelin në kuadër të grupit të parë të Divizionit C të L

Postuar: 12/10/2018 - 07:22

Kërkesat e artistëve deri tani të paplotësuar nga Ministria e Kulturës, ku sipas kryetarit të Sin

Postuar: 06/10/2018 - 10:00

Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi komentoi dje zhvillimet e fundit politike në vend.