Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Agim Canaj: Futbollit i duhet revolucion sportiv, t’u jepet fund praktikave diletante

Postuar: 21/07/2019 - 07:39

Futbolli shqiptar dështoi në Europa League, pasi të tre skuadrat që morën pjesë nuk mundën të kalonin as raundin e parë të këtij kompeticioni, ndërkohë që Partizani u eliminua në Champions. Shorti i vështirë që patën në këtë raund i justifikon, por ajo që po ndodh me futbollin tonë në tërësi është një sinjal i fortë për të reflektuar dhe kërkohet një revolucion sportiv në kuptimin e mirë të fjalës, ku t’i jepet fund diletantizmit dhe shteti të verë dorë në sport, së pari duke zbatuar me seriozitet një Ligj Sporti e klubet të futen në rrugën e profesionalizmit. Kështu mendon edhe një prej teknikëve më të mirë të futbollit shqiptar, Agim Canaj, njohës nga afër i të gjitha problemeve që ka kaluar dhe kalon futbolli ynë. Sipas tij, është e domosdoshme një shkundje për klubet dhe institucionet që situata të përmirësohet. Canaj, i cili është mjaft i matur në daljet mediatike, është i bindur se futbolli ynë në këtë moment është në pikën më të vështirë të dekadës së fundit, prandaj lipset një revolucion. Në intervistën e dhënë për gazetën “Sot”, Canaj komenton, gjithashtu, punën e vështirë të trajnerëve që e pësojnë më shumë nga sistemi, si dhe ecuria e Kombëtares nën drejtimin e Rejës.

- Skuadrat tona nuk ia dolën të kualifikohen në kompeticionet e UEFA-s. Natyrisht, shorti nuk ishte i përshtatshëm, sidomos për Partizanin. U tha dhe u shkrua se luajtën mirë, por, e parë në një këndvështrim prej specialisti, si mund të përshkruhet paraqitja e skuadrave shqiptare në Champions dhe Europa League?

Mund të thuhen shumë gjëra për ndeshjet një e nga një, por ne duhet të theksojmë që në fillim se futbolli shqiptar po kalon momente të vështira dhe kjo vështirësi duhet parë në tre drejtime: organizim, financa dhe teknika. Organizimi ka të bëjë me strategjinë dhe klubet tona punojnë me strategji njëvjeçare. Klubet tona punojnë sot për nesër, operojnë me kontrata afatshkurtra dhe ndryshojnë trajnerë në fund të sezonit, edhe kur je skuadër kampione. Dhe këto lëvizje japin pasoja të rënda që vijnë më pas. Ekipet tona u përballën në kompeticionet e UEFA me ekipe të nivelit të lartë. Sigurisht që nuk ka tabu, pasi edhe në të shkuarën skuadrat tona kanë treguar se dinë të kalojnë më shumë se një raund, madje edhe ndaj kundërshtarëve të këtij niveli. Dhe shembull duhet marrë Skënderbeu, i cili ka bërë paraqitje shumë të mira. Por ndëshkimi i Skënderbeut ishte një goditje për futbollin shqiptar. Sa i takon Partizanit, ai ndryshoi staf, dhe një trajner e ka të pamundur në një hark kohor prej dy javësh të ndërtojë një ekip kompetitiv që të kalojë Karabagun, një skuadër me kualitet dhe eksperiencë tashmë në fazën e grupeve të kompeticioneve të UEFA-s. E megjithatë, skuadra luajti mirë, me të njëjtin sistem loje si më parë, një skuadër kompakte. Por edhe kjo nuk mjafton. Që në fillim ne folëm për organizimin e dobët që vjen nga mungesa e strategjive.

- Ndoshta është aspekti financiar më i rëndësishëm...

Sa i takon aspektit ekonomik nuk ka nevojë për koment. Futbolli ynë ka mungesa të shprehura në këtë drejtim. Jemi në prag të sezonit të ri dhe nuk dimë a do të jenë në garë katër ekipe. Duhet parë situata e borxheve që kanë klubet dhe duke parë këtë situatë të trishtë të futbollit tonë, mendoj se është momenti i duhur që shteti të ndërhyjë dhe duhet të ndërhyjë. Unë e kuptoj që sportdashësit, vetë klubet dhe aktorët e futbollit kanë pritshmëri të mëdha, por forcat e klubeve nuk janë në atë nivel. Me plot gojën mund të them se duhet një revolucion sportiv, duke nisur nga Ligji për Sportin. Duhet një operacion i gjerë që duhet të nisë nga maja. Të kopjojmë nga Kosova, e cila ka një buxhet disa herë më të madh se ne për sportin dhe ka investuar në sport. Mos harrojmë që rregullat e UEFA-s dhe FIFA-s për gjendjen financiare të klubeve janë ashpërsuar dhe kjo situatë duhet analizuar dhe rrjedhimisht duhen marrë masa. Kështu si funksionon futbolli ynë aktualisht nuk shkon.

- Përmendët pak më lart Skënderbeun. Ka shumë debat rreth klubit korçar. Sa e ka dëmtuar futbollin tonë ndëshkimi i tij?

Nuk e di çfarë flitet lart e poshtë, por në Shqipëri Skënderbeu ka treguar se edhe një klub shqiptar mund të bëjë progres falë menaxhimit profesionist. Klub me harmonizim të elementit menaxherial, financiar dhe teknik. Infrastruktura e ngritur ishte dëshmi e një menaxhimi të kujdesshëm dhe afatgjatë. Ishte fusha e lojës që tregoi se Skënderbeu luajti futboll dhe na ktheu në memorien tonë ato shkëndija të futbollit të dikurshëm me paraqitjet që bënin Dinamo, Partizani, Tirana e skuadra të tjera. Për mendimin tim ishte aset dhe të vjen keq për këtë që ndodhi, sepse shumë klube të tjera që pretendojnë të jenë elitë, nuk kanë ende një fushë të tyre, siç janë Partizani e Kukësi. Prandaj duhen veprat dhe Skënderbeu ishte dëshmi për këtë. Në letër lëshohen deklarata të mëdha, por në organizimin praktik janë diletantë. Epo, kështu nuk vazhdohet.

- Drejtuesit e klubeve tona nuk kanë mentalitet profesionist, a është ky një konstatim i drejtë?

Kthehemi në të njëjtën çështje. Unë jo rastësisht përmenda që në fillim komponentët që kushtëzojnë ecurinë e futbollit tonë si organizimi, financat dhe teknika. Është logjika e një klubi sportiv. Por, nëse nuk shlyen lojtarët e tu, atëherë si mund të pretendosh të shtysh sezonin? Kur nuk ke paratë e mjaftueshme, si do të organizohesh, si do të veprosh? Prandaj kërkohet një menaxhim profesionist që kërkon ndërhyrjen e shtetit. Mendoj se kjo është situata më e vështirë e futbollit tonë në dekadën e fundit.

- Trajnerët janë vazhdimisht në shënjestër. Në media përdoret shpesh “koka turku”, ose “kurbanë”, megjithëse edhe në futbollin profesionist, në Perëndim, kur skuadra nuk ka rezultate trajnerët shkarkohen. Duket të jetë një profesion plot ankth... Pse sulmohet kaq shumë trajneri në futbollin shqiptar?

Situata është komplekse, nuk duhet parë e shkëputur. Hallka kryesore është menaxhimi teknik dhe gjendja e klubit sjell barrë tek trajneri, edhe pse trajneri duhet të jetë i fundit që duhet ta mbajë këtë barrë. Por kjo është situata sot në futbollin shqiptar, ky është për fat të keq realiteti ynë, sepse i tillë është organizimi i klubeve. Jo rastësisht mora shembull Skënderbeun më lart, shembull pozitiv, sepse nuk e ndryshonte trajnerit kot më kot. Klubi kishte një projekt afatgjatë dhe trajneri ishte pjesë e projektit. Nëse duam që futbolli ynë të jetë në nivelin europian duhet patjetër të ndryshojmë. Sot ne jemi realisht në vështirësi të gjithanshme.

- Deshëm, së fundmi, një mendim tuajin për ecurinë e Kombëtares pas ardhjes së Edi Rejës. Ndryshoi trajneri, por mbetemi në pankinë me shkollën italiane (De Biazi, Panuçi, Reja). Ka një përmirësim të gjendjes, megjithëse grupi është po ai. Trajneri është me përvojë, por mosha e madhe e tij ngjalli jo pak debat. Çfarë duhet të presim nga Kombëtarja e trajnerit Reja në vazhdim?

Mua mu bë qejfi që Reja pranoi të drejtojë Kombëtaren. Mu bë qejfi pasi unë e njoh që kur jemi ndeshur me njëri tjetrin vite më parë, ai me Napolin dhe unë me Vllazninë, në duelin që patëm në turin e dytë të UEFA Europa League. Mosha e tij nuk është problem për sa kohë ai është fizikisht në formë. Pra, nuk flasim për moshën, por për veprimet dhe rezultatet e tij. Ai ka pak kohë që ka marrë skuadrën. Në ato dy ndeshje që drejtoi ekipin nuk kishte si të bënte ndryshime, pasi nuk kishte kohë të mjaftueshme dhe ishte i detyruar të operonte në kushte të papërshtatshme. Më tej do të shihet se çfarë do të ndodhë me skuadrën, por duhet të kemi besim, pasi ka eksperiencë të gjatë. Reja është trajner me përvojë, me integritet, me profesionalizëm. Unë kam besim të madh se ai do të bëjë më të mirën në krye të përfaqësueses. Dhe urojmë që Kombëtarja të marrë rezultate të mira në vijim, pasi është krenari për futbollin e një vendi.

Kush është Agim Canaj?

I lindur më 14 korrik 1962, në Vlorë, Agim Canaj është një nga personalitet e futbollit shqiptar. Ai është dekoruar nga FSHF në fund të vitit 2018 në mbrëmjen gala të federatës me titullin “Legjenda e Futbollit Shqiptar”. Vetë Canaj e ka cilësuar këtë titull si një vlerësim për brezin e artë të futbollistëve midis vitit 1980-1990, që shkëlqyen në tapetin e gjelbër të stadiumeve tona por edhe jashtë vendit pas vitit 1990, me kontribut në ekipin përfaqësues dhe në edukimin futbollistik ndër brezat e rinj. Canaj ka një karrierë të spikatur si trajner, si në Superligë, ashtu dhe në Kategorinë e Parë. Ndërmjet shumë emrash ekipesh, kujtojmë që Canaj ka drejtuar edhe Dinamon, skuadrën e tij të zemrës dhe me të cilën ka ndërtuar edhe karrierën kur ishte futbollist, ka drejtuar Vllazninë, Flamurtarin, Besën apo dhe Skënderbeun, pothuajse shumicën e skuadrave historike të futbollit shqiptar.

Intervistoi: Adriatik BALLA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 25/08/2019 - 08:23

Restaurimi i një objekti për të është një formulë kimie ose fizike. Me orë të tëra për të kërkuar një zgjidhje, e cila mes shumë alternativash duhet të jetë e duhura, përndryshe dëmi do të jetë i pakthyeshëm.

Postuar: 25/08/2019 - 08:07

Në shtator do të diskutohet e ndoshta do të miratohet në parlament një pjesë e rëndësishme e Ligj

Postuar: 23/08/2019 - 07:57

Që kur ka nisur diskutimi për teatrin e ri, kam pasur rastin të takoj shumë nga miqtë e mi aktorë

Postuar: 15/08/2019 - 07:35

Artistët shprehen se sot ndihen të pavlerësuar nga institucionet dhe sipas tyre trajtimi nuk ësht

Postuar: 15/08/2019 - 07:26

Sporti në Shqipëri po kalon një krizë, e shfaqur në forma dhe përmasa të ndryshme, por është fakt

Postuar: 11/08/2019 - 08:01

 Saimir Strati është një artist i rekordeve Guinnes.

Postuar: 11/08/2019 - 07:52

Volejbolli në Shqipëri ka ulje-ngritjet e tij.