Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Agim Canaj: Terrenet e futbollit u shkatërruan, ka klube ku trajneri detyrohet të mbledhë topat

Postuar: 06/01/2019 - 07:58

Futbolli shqiptar arriti një pikë kulmore në përfaqësimin ndërkombëtar gjatë vitit 2016 me pjesëmarrjen e kuqezinjve në finalet e Europianit, zhvilluar në Francë. Shumë merita për këtë kualifikim pati jo vetëm trajneri Xhani De Biazi, por njëherësh edhe suporti që i dha ekipit Federata Shqiptare e Futbollit e veçanërisht vetë presidenti Armand Duka, duke ia plotësuar ekipit të gjitha kushtet. Megjithatë, brezi i artë i futbollistëve konsiderohet ai i viteve 80-të të shekullit të kaluar, një brez lojtarësh fantastikë, me kualitet të lartë teknik dhe që ia dolën të luanin edhe jashtë vendit pas rënies së regjimit. Pak ditë më parë FSHF dekoroi disa prej lojtarëve të këtij brezi me certifikatën “Legjenda të futbollit shqiptar”, e midis tyre dhe Agim Canajn, njërin prej njohësve më të mirë të futbollit tonë. Në fakt, ka një paradoks në Shqipëri, ku trajnerë bëhet kushdo, mjaftojnë ca lidhje nepotike apo interesash me presidentët e klubeve dhe kryetarët e bashkive, e specialistët e mirëfilltë si Canaj presin, duke dëshmuar se jetojmë në kohë çudirash. Në intervistën e dhënë për gazetën “SOT”, “Legjenda e futbollit shqiptar”, Agim Canaj, kujton dhe komenton disa anë pozitive të strukturimit të futbollit dekada më parë e më pas dëmtimin e rëndë të infrastrukturës, por edhe pritshmëritë e sezonit aktual futbollistik.

Pak ditë më parë, së bashku me disa prej ish-lojtarëve të shquar të viteve 80-të ju u vlerësuat nga FSHF me dekoratën “Legjenda e futbollit shqiptar”. Çfarë do të thotë për ju ky vlerësim dhe si e keni pritur atë?

Vlerësimi erdhi në kuadër të një nisme të Federatës Shqiptare të Futbollit për të nderuar figurat sportive që kanë pasur rezultate të larta. Të gjithë ne, përfshi mua, apo dhe Perlatin (ish-portieri legjendar i Partizanit, Perlat Musta) patëm vlerësim të veçantë. Rezultatet e larta të atyre viteve janë arritur me mund e me djersë. E vërteta është se në atë periudhë pati një brez futbollistësh mjaft të mirë dhe për hir të së vërtetës sistemi i kaluar i vlerësonte arritjet sportive. Megjithatë, ky vlerësim ishte njëherësh meritë e FSHF-së dhe e presidentit Duka që na vlerësuan si “Legjenda të futbollit shqiptar”, një vlerësim që unë do ta quaja të merituar për brezat e futbollistëve. Unë kam qenë kapiten i skuadrës kombëtare Shpresa (U-21), një ekipi që shkoi deri në çerekfinale të Europianit. Kemi eliminuar Gjermaninë Perëndimore, e cila në ato vite ishte një skuadër e mbushur me yje. Ishte një arritje e madhe e futbollit tonë në ato vite, një arritje që edhe sot duket e pamundur. Kam luajtur me Dinamon 10 vjet, ku kam fituar kupa e kampionate, por kam luajtur dhe me skuadrën kombëtare në një periudhë të artë të saj. Këto vlerësime, janë stimuj edhe për brezat e tjerë që kanë luajtur me ekipet përfaqësuese. Mos harrojmë që në atë kohë nuk na lejohej të luanim jashtë, kurse sot lojtarët e mirë e kanë këtë mundësi. Nga viti 1982 deri në vitin 1990, Shqipëria ka pasur një brez futbollistësh të talentuar dhe kanë qenë disa skuadra që kishin grupe lojtarësh mjaft cilësorë, si Dinamo, Partizani, Tirana, Vllaznia, Flamurtari, por edhe Luftëtari i Gjirokastrës. Ishte një brez lojtarësh i datëlindjes 1958-1964, brezi i artë i futbollit shqiptar. Kjo vijoi deri në vitin 1991, por një pjesë e këtyre futbollistëve vijuan të luanin edhe më vonë si Josa, Demollari, Kushta, apo edhe më të rinjtë si Strakosha etj, të cilët provuan të luanin jashtë si në Rumani, Greqi etj. Rivaliteti në atë periudhë ka qenë maksimal dhe nuk ishin vetëm klubet e lartpërmendura, por edhe ekipet kombëtare të moshave që prezantuan një nivel të lartë loje, gjithmonë brenda kontureve të kohës. Çfarë e bënte të veçantë këtë brez? Unë mendoj se ka pasur shumë talente dhe është bërë një punë e madhe, e studiuar dhe me mjaft pasion.

Gjithë problemi qëndron tek klubet. Ka pasur “fidanishten” e vet secili klub, gjë që sot duket e paarritshme. Si dhe sa ka ndikuar dhe po ndikon ky fenomen?

Klubet kishin skuadrat e tyre zinxhirë, ndërsa sot nuk punojnë sa duhet. Klubet e Dinamos dhe të Partizanit vareshin nga ministritë, respektivisht e policisë dhe e ushtrisë, dhe ata grumbullonin shumë elementë nga e gjithë Shqipëria, pra kishin shumë talente dhe mundësi zgjedhjeje. Por talenti ka qenë i madh edhe tek Tirana, e cila ka pasur traditë të fortë të prodhimit të lojtarëve cilësorë, apo dhe në Shkodër, Vlorë, Elbasan e gjetkë. Flasim për një periudhë që pati talente të shumta. Kishte profesionalizëm të ndërtuar në themel. Për shembull, tek Dinamo, të cilën unë e njoh shumë mirë, kishte kushte profesioniste. Dinamo kishte një kompleks nga më të mëdhenjtë në Ballkan, një kompleks sportiv i shtrirë në 8 hektarë dhe i kompletuar. Unë kam luajtur edhe jashtë, por pak vende kanë komplekse sportive të tilla të fuqishme. Partizani kishte kompleksin e vet, edhe Tirana gjithashtu. Terreni është baza, por edhe disiplina, serioziteti dhe vëmendja e vetë shtetit për të pasur sport masiv e të zhvilluar. Sot këta komplekse janë bërë copë e çikë, kemi vetëm betonizim. S’është lënë aspak vend për terrenet sportive dhe unë gëzohem që të paktën kompleksi sportiv i Dinamos, ka mbetur pa u ndryshuar si destinacion. Nuk e ka Dinamo, por është ende pjesë e sportit dhe kjo është pozitive. Ndryshe ndodhte me atë sistem, i cili investonte në sport, kurse sot ka ardhur koha e interesave ekonomike. Shteti investon pak dhe sporti nuk është më prioritet, për pasojë kemi dhe këto fenomene negative në aspektin zhvillimor të futbollit.

Përveç këtyre elementëve infrastrukturorë, një tjetër faktor me peshë ka qenë dhe kuadri teknik mjaft pasionant i asaj kohe...

Patjetër, gjërat duhen parë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Kur themi se sporti ishte prioritet dhe shteti kishte interes për një sport të zhvilluar, kjo dëshmohet dhe me trajtimin e kuadrove të sportit, të cilët ishin nga më të vlerësuarit. Specialistët paguheshin shumë mirë për kohën, ndërsa sot, fatkeqësisht, nuk ka vëmendjen e duhur. Unë kam drejtuar shumë ekipe, madje dhe në rrethe të thellë dhe specialisti nuk vlerësohet si duhet. Ka klube që funksionojnë vetëm me një punonjës dhe klube ku trajneri arrin deri aty sa të mbledhë topat, diçka që nuk konceptohet në klubet moderne e profesioniste. Nuk bëhet futbolli me ndihma, apo që kemi ende klube të paorganizuara. Që të funksionojë duhen klube me parime profesionale, nevojitet bashkëpunim, sepse sporti nuk është më një lojë, por një profesion. Për krahasim, mund të jap një shembull të thjeshtë: Kukësi nuk është një klub me traditë, por investimi e ka sjellë në majën e futbollit tonë, aq sa po dominon prej disa vitesh futbollin në Superiore. Skënderbeu, ekip që në të shkuarën endej herë në elitë e herë në inferiore, prej shtatë vjetësh ka dominuar futbollin tonë dhe ne jemi krenuar me lojërat që ka bërë skuadra korçare. Kurse Dinamo, shkolla e futbollit shqiptar dhe klubi me shumë traditë, po zhduket sepse nuk merr investime.

Në kampionatin e sivjetëm ka një veçanti, sepse janë 6 ekipe që garojnë për titullin, ku diferenca mes vendit të parë nga Partizani dhe vendit të gjashtë nga Flamurtari është 9 pikë. Veçantia tjetër lidhet me trajnerët, pasi përveç Ilir Dajës që e njeh “shijen” e titullit kampion, të tjerët nuk e kanë provuar ende. Si e sheh këtë rivalitet mes “fillestarësh”?

Në ecurinë e një skuadre nuk është vendimtar vetëm trajneri, por ekipi në tërësi. Dhe kur flitet për rivalitetin dhe pritshmëritë duhet dalë tek emrat konkretë. Kukësi ka shfaqur shenja të një organizimi më të mirë se rivalët, në shumë aspekte. Ata (verilindorët) bënë përforcime të shpejta dhe atje ku duhet, prandaj e shoh Kukësin favorit për titull. Partizani ka pasur një ecuri shumë të mirë, ka gabuar pak, bën lojë mbrojtëse dhe këtu e bazon suksesin. Shënon pak gola, por është i fortë. Megjithatë, në 3 ndeshjet e fundit ka çeduar dhe kjo mangësi është shfaqur në të tre repartet. Duke parë lëvizjet dhe grupet, mendoj se gjendja në renditje mund të përmbyset dhe shumë ekipe do të ndryshojnë pozicionet. Askush nuk do ta ketë të lehtë dhe grupit të pretendentëve u shtohen edhe ekipet e mbijetesës që do të rivalizojnë fort në objektivat e tyre. Në vijim duhen sa më shumë lojtarë në gjendje të mirë, pasi gara është e gjatë dhe e fortë. Do të ketë dëmtime, kartonë etj, kështu që kërkohen përforcime dhe qëndrueshmëri.

Kemi folur shpesh për “armën” e munguar të këtij kampionati, sulmin. Asnjë skuadër nuk shënon mjaftueshëm. Të gjitha, përfshi dhe ekipet kryesuese, mendojnë vetëm për mbrojtjen. Pse kështu?

E drejtë, reparti më i fortë duket të jetë mbrojtja. Sepse falë lojës mbrojtëse e kundërsulmit ekipet kanë arritur të marrin maksimumin. Ndërkohë, nuk duhet të harrojmë faktin se më parë në kampionat kemi pasur lojtarë si Cikalleshi, Salihi, Ekuban, Pejiç, Soue, Abazaj, Guri etj, por që tani nuk janë më pjesë e Superioresë. Që të kesh sulm të fuqishëm duhet të kesh bombera të fuqishëm. Por lojtarët e golit janë shumë të kërkuar, ikin jashtë, për pasojë kampionati shqiptar se ka shansin të ketë lojtarë të mirë goli. Finalizimi i skuadrave lë për të dëshiruar, prandaj trajnerët vendosin t’i kushtohen lojës mbrojtëse. Shumica kështu i kanë marrë pikët, por ky është një problem i madh për vazhdimësinë e garës. Kukësi që ndërhyri duke marrë Shkurtajn ka tani një shans më shumë sesa Partizani, të cilin e shoh me probleme në këtë drejtim.

Dy fjalë për trajnerin e Kombëtares, Kristian Panuçi. FSHF vendosi ta mbajë në krye të kuqezinjve, ishte vendim i mirë apo i keq?

Zgjedhja e trajnerit të Kombëtares është atribut i presidentit të federatës, pra i Dukës. Shumë gjëra varen nga kontrata. Në rastin e De Biazit, edhe pse në fillim kishte goxha skepticizëm, rezultoi kontratë e suksesshme, pasi ne arritëm në Europian. Kurse me Panuçin situata paraqitet ndryshe. Si lojtar, Panuçi padyshim ka qenë ndër më të mëdhenjtë, por si trajner nuk ka dhënë shenja të tilla. Rezultatet nuk i dhanë të drejtë dhe ky është fakt. Por kjo është si thika me dy presa, pasi ne nuk mund të sigurohemi që një tjetër do të bënte më mirë. Mendoj se u veprua mirë, sepse atij iu dha besim, grupi po përmirësohet dhe shumë lojtarë që ishin të dëmtuar do të kthehen. Një farë stabilizimi në lojë dhe në formacion pritet të ndodhë, kështu që Panuçi këtë herë nuk do të ketë më justifikime, as të “qara”, atij do t’i kërkohen rezultate konkrete. Nga ana tjetër, u bë mirë sepse vetë trajnerit dhe skuadrës iu hoq stresi dhe, me sa di unë, kanë qenë vetë futbollistët që e kanë kërkuar qëndrimin e tij. Problemi i Panuçit është krahasimi me De Biazin, kjo pasi ne kemi arritur një majë në vitin 2016, madje në një grup më të vështirë. Dhe Panuçi e di që tani ne kemi pretendime të rritura, atij i duhet të kualifikohet në Europian dhe unë besoj se, pavarësisht se grupi është i vështirë, kemi shanset për të shkuar në Euro-2020.

Intervistoi: Adriatik BALLA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/03/2019 - 09:20

Në një kohë kur Gjykata e Apelit të Tiranës vendosi të rihapë dosjen e vrasjes së Azem Hajdarit, Fatos Klosi shprehet i gatshëm për të dhënë dëshminë e tij për ngjarjen në fjalë.

Postuar: 19/03/2019 - 07:31

 Ndërhyrjet që bëhen me dije nga institucionet, duket se janë shumë të pakta për qendrën his

Postuar: 17/03/2019 - 07:47

Futbolli shqiptar përjetoi ditët e fundit një dramë të vërtetë si pasojë e dhunës në stadiume e k

Postuar: 17/03/2019 - 07:42

Tregu muzikor në vend ka sjellë probleme për krijuesit e muzikës.

Postuar: 16/03/2019 - 07:14

Cirku Kombëtar po vijon sezonin artistik me shfaqjet.

Postuar: 15/03/2019 - 07:31

Studiuesi Moikom Zeqo shprehet se problemet që janë në trashëgiminë kulturore kanë treguar që ins

Postuar: 09/03/2019 - 08:07

Pronarët kanë dalë kundër vendimit të Agjencisë së Trajtimit të Pronave.