Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Altin Martiri: Shqipëria vendi i volejbollisteve të talentuara, suksesi kërkon politika efikase sportive

Postuar: 19/05/2019 - 07:57

Volejbolli është një prej sporteve më të dashur në Shqipëri. Edhe pse me probleme, volejbolli vijon të jetë tërheqës, por cilësia lë për të dëshiruar dhe disa probleme në infrastrukturë dhe menaxhim kanë dëmtuar planet afatgjata të volejbollit shqiptar. Duke folur për këto probleme, por edhe për anët pozitive e negative të shfaqura në edicionin që sapo është mbyllur, trajneri i përfaqësueses së femrave, Altin Martiri, vë theksin tek disa elementë që duhet të përmirësohen, si pjesë e një politike sportive të shëndetshme. Ai përmend infrastrukturën, menaxhimin, procesin stërvitor, por edhe tregun si komponentët kryesorë që kërkojnë vëmendjen e instancave. Nuk mungojnë në këtë intervistë mendimet e tij rreth gjendjes së skuadrës kombëtare dhe pritshmërive të saj, prania e lojtareve të huaja dhe impakti i tyre, por edhe shembullin që po jep Erblira Bici, e cila po luan në nivele shumë të larta në Europë.

Kush është Altin Martiri?

Datëlindja:      19.04.1971

Vendlindja:     Tiranë

Punon: Pedagog pranë Universitetit të Sporteve, jep lëndën “Volejbolli”

Karriera: 6 herë kampion kombëtar si sportist me Dinamon dhe Studentin, 5-herë fitues i Kupës së Republikës me Partizanin dhe Studentin.

Si trajner: Kampion me Studentin, fitues i Kupës dhe i Superkupës me Studentin, të gjitha në vitin 2005. Ka drejtuar, gjithashtu, skuadrën e Rrëshenit (Mirdita) dy vjet.

Drejton prej vitit 2016 skuadrën kombëtare

Kampionati u mbyll dhe pati një fitore dyfishe të Partizanit, që rrëmbeu titullin si për femra dhe për meshkuj. Cili është komenti juaj për këtë edicion që lamë pas? Çfarë kishte ai të veçantë dhe si mund ta përshkruajmë në tërësi nivelin e volejbollit tonë, specifikisht atë të femrave?

Volejbollit shqiptar, pra kampionatit, me përjashtim të tri skuadrave që kanë pasur në gjirin e tyre lojtare të huaja, i mungon rivaliteti. Nuk ka një qëndrueshmëri dhe rivaliteti në tërësi nuk është konstant, fazë interesante është vetëm ajo e “play-off”-it. Janë 7-8 ndeshje të luftuara që janë pak për një kampionat të tërë. Pra, me përjashtim të 7-8 ndeshjeve pjesa tjetër e sezonit është e vakët. Tirana, që arriti në finale, e shfaqi veten vetëm në fund të kampionatit, pra në “play-off”, kurse gjatë gjithë edicionit ishte në hije. Për mendimin tim risi janë lojtaret e huaja, pasi një sezon më parë kishte të tilla vetëm Partizani, kurse këtë vit patën edhe skuadrat e tjera.

Meqë përmendëm lojtaret e huaja, cili është mendimi juaj për numrin dhe impaktin e tyre në kampionatin shqiptar të volejbollit?

Gjërat duhen parë të lidhura me kushtet ku operon volejbolli shqiptar. Ne kemi një kontigjent të kufizuar volejbollistesh, kështu që të huajat janë të domosdoshme. Është fakt që ato rrisin nivelin e garës dhe pretendimet e vetë klubeve, kështu që prania e tyre në skuadra të ndryshme rrit njëherësh rivalitetin dhe ky përbën një tjetër element pozitiv. E përsëris, s’kemi kontigjent të madh, pra kemi pak lojtare dhe niveli lë për të dëshiruar, prandaj prania e lojtareve të huaja është pozitive.

Kur flasim për nivelin në tërësi, çfarë note do t’i vinit garës së këtij sezoni?

Kampionati shqiptar ka problemet e tij dhe rrjedhimisht limitet e tij. Që të vëmë një notë duhet të bëjmë një krahasim, pra duhet që volejbollin tonë ta krahasojmë me atë të vendeve të tjera, që kanë cilësi tjetër të kësaj loje. Por ne nuk jemi Italia, e cila ka volejboll të nivelit të lartë. Shqipëria është vend i vogël, me problemet e saj dhe siç thashë me një kontigjent të vogël. Kurse atje (në Itali e gjetkë në Europë) kontigjenti është më i madh dhe mundësitë e përzgjedhjes më të mëdha. Ne nuk mund të krahasohemi me ta për nga cilësia dhe kontigjenti.

Më lejoni t’ju sfidoj me një konstatim të thjeshtë: Dinamo e volejbollit të femrave e vitit 1990 por edhe ekipi kombëtar, kanë arritur nivele shumë të larta europiane...

Edhe një herë, krahasimi bëhet për periudhën e tanishme. Sot që flasim, volejbolli shqiptar është sport amator, ku ekipet stërviten një herë në ditë. Kurse në atë periudhë për të cilën ju flisni, pra midis 1983-1990 volejbolli ynë ishte profesionist. Mos harrojmë, ekipet e moshave kishin shumë elemente cilësore dhe kampionati në tërësi ishte i zgjeruar, me një pjesëmarrje me më shumë skuadra. Kishte rivalitet dhe profesionalizëm, ndërsa tani nuk e kemi atë cilësi, pavarësisht vajzave të talentuara që ka në përbërje ekipi përfaqësues. Janë shumë elementë që kanë ndikuar në performancën e asaj kohe dhe po shumë elementë që ndikojnë negativisht në ecurinë e tanishme.

Ka një risi ky kampionat: Partizani fitoi titullin si për femra dhe për meshkuj. Çfarë e bën të veçantë suksesin e këtij klubi gjatë këtij edicioni?

Ishte një sukses i rëndësishëm. Tek të dyja skuadrat vlen të përmendet menaxhimi i klubit, struktura e ngritur prej tij. Mos harrojmë që të dyja skuadrat ishin me sponsor dhe menaxhimi i sponsorëve ishte mjaft i mirë. Që të kuptohemi, “thembra e Akilit” në volejbollin shqiptar është menaxhimi. Tek Partizani është bërë si duhet, prandaj ka ardhur edhe suksesi i dëshiruar.

Të flasim për përfaqësuesen kuqezi në volejbollin e femrave. Ka bërë paraqitje të mira, ka përpjekje për më mirë, por ekipit i mungojnë rezultatet. Pse ky ngërç me ekipin kombëtar? Pse na mungojnë rezultatet?

Informacionin nuk e keni të mirë (saktë), pasi ekipi kombëtar i volejbollit ka ardhur në progres dhe ka regjistruar suksese, sepse skuadra jonë ka marrë pjesë në Europa League. Mos harrojmë, Kombëtarja e femrave kishte tre vjet pa u grumbulluar. Në vitin e parë ne dolëm të fundit, por patëm rezultate pozitive. Fituam me Bjellorusinë dhe Poloninë. Në vitin e dytë situata shkoi më mirë dhe përmirësimi vazhdoi. Në këtë periudhë fituam me Bjellorusinë dhe Austrinë. Kurse në vitin e tretë të drejtimit tim, pra vjet, ne arritëm të kalonim grupin dhe fituam medaljen e bronztë në Europa League. Në këtë etapë, përveç Shqipërisë, ekipet pjesëmarrëse ishin Suedia, Gjeorgjia, Estonia, Izraeli, Austria, Zvicra, por edhe Kosova. Nuk është e lehtë për volejbollin tonë të përballet sot me ekipet e ndryshme europiane. Suedia kishte në përbërje Isabelle Haak, e cila luan në A1 italiane. Austria ka tre lojtare në A1 italiane, kurse Estonia kishte dy lojtare në A2 italiane që është gjithashtu një kampionat shumë i fortë.

Si e sheh të ardhmen?

Nuk duhet të ngelemi tek historia. Natyrisht, të gjithë duam që të arrijmë atë që arriti Dinamo e madhe e atyre viteve. Megjithatë, jam optimist dhe mund të them se Partizani do të bëjë surprizën. Partizani i femrave është skuadër e veçantë, por të shohim se si do të performojë në vijim.

Keni tre vjet në krye të Kombëtares së volejbollit, çfarë duhet të presim nga kjo skuadër, cilat janë projektet tuaja në vazhdim?

Unë nuk jam i përjetshëm në krye të Kombëtares Shqiptare të Volejbollit, madje dua ndryshime, sepse është një cikël i mbyllur. Mendoj se me përfaqësuesen kulmin e arritëm në Ligën e Europës. Gjithsesi, mund të them se po riorganizohemi, kemi afruar vajza të reja që janë të motivuara dhe do të mundohem të bëjë ripërtëritje, por nga të rejat që grumbulluam vjet ka pasur edhe dëmtime, si Rexhepi etj.

Dy fjalë për Erblira Bicin, ajo po shkruan histori me skuadrën e saj në volejbollin italian. A është ajo modeli i duhur i volejbollit shqiptar, një model inspirues për të rejat që e duan këtë sport?

I uroj vetëm suksese! Ndonjëherë keqinterpretohesh, por realisht nuk ka më lart se niveli i Champions League, për më tepër finalja e këtij aktiviteti. Me sa di unë asnjë sportist tjetër shqiptar në sportet kolektive nuk kishte arritur në finalen e një aktiviteti të tillë, plus që ka fituar Kupën e Italisë. Edhe media duhet të bëjë më shumë për të promovuar modele të tilla nga sporti shqiptar. Është Bici në volejboll, Hysaj në futboll etj, pra modele të spikatur suksesi që shërbejnë si inspirim për të rinjtë. Madje modeli sportiv është më i miri. Unë mund t’u kujtoj këtu se Erblira Bici erdhi nga Gramshi në Tiranë, dhe nga Tirana kaloi në Itali. Një model suksesi mjaft domethënës, i ndërtuar me djersë dhe talent.

Një tjetër çështje që ia vlen të diskutohet është ajo që ka të bëjë me tekniko-taktikën, por edhe përgatitjen fizike. Si qëndrojnë këta elementë në volejbollin tonë? Si paraqitet gjendja e kuadrit teknik në përgjithësi?

Unë për këtë pyetje kam një përgjigje të përmbledhur, e cila merr në konsideratë disa elementë që bëhen pengesë për një sport cilësor dhe konkurrues. Së pari, Shqipëria nuk ka infrastrukturë të mirëfilltë sportive. Siç e dini edhe ju, infrastruktura jonë sportive lë për të dëshiruar. Fëmijët dhe të rinjtë e të rejat nuk futen në ambiente që kanë lagështi, ku ka ndryshime temperaturash ekstreme dhe kushtet infrastrukturore në tërësi bëhen pengesë për të pasur një volejboll cilësor. Së dyti, sot stërvitemi shumë pak dhe sipas një studimi që ka realizuar Universiteti i Sporteve të Tiranës, në Shqipëri zhvillohen 800 orë stërvitje në vit, ndërkohë që profesionistët në Europë e kanë këtë tregues 2000 orë në vit. Edhe kiy element është domethënës për diferencat që krijohen, pasi volejbollit shqiptar i duhen më shumë orë stërvitje për të qenë konkurrues dhe më cilësor edhe në kampionatin e tij. Së treti, ne nuk kemi treg. Një fëmijë këtu vjen të ushtrojë volejbollin për argëtim dhe jo si profesion. Dhe ai, pavarësisht pasionit, largohet në një moshë të caktuar, pasi nuk e gjen veten të plotësuar në sport, sepse ai nuk përfiton mjaftueshëm. Duke pasur rroga mizerabël, ai nuk motivohet për të ndërtuar një karrierë sportive profesioniste. Çfarë duhet të kuptojmë me këtë? Pagesat janë një element i rëndësishëm, duhen rritur medoemos që të sjellin motivim për sportistët cilësorë. Nga studimet tona, rezulton që të rinjtë luajnë deri në 18 vjeç dhe më pas largohen, dikush në shkollë, një tjetër jashtë vendit, një tjetër në punë etj, duke e ndërprerë sportin dhe hedhur pas krahëve mundin e derdhur deri në atë moment. Çfarë kërkohet? Na duhen modelet, të cilat futbolli i ka më shumë. Në futboll prindërit investojnë për fëmijën, duhet që edhe në volejboll të ndërtojmë modele suksesi. Këtu hyn në lojë politika sportive e një vendi, e cila ndihmon me mekanizmat e saj t’i japë impulse zhvillimi sportit në tërësi.

A ka talente Shqipëria dhe si e shihni të ardhmen e volejbollit tonë?

Shqipëria është vendi i volejbollisteve. Ka shumë vajza të talentuara, por duhen politika sportive, që sporti të bëhet pjesë e kënaqësisë shpirtërore dhe Shqipëria të ballafaqohet në aktivitetet ndërkombëtare me dinjitet.

Intervistoi: Adriatik BALLA 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/09/2019 - 14:00

Ish-funksionari i lartë i policisë, koloneli Mit’hat Havari ka hedhur dritë mbi ngjarjet e 14 shtatorit 1998. Dje u shënuan 21 vite nga “grushti i shtetit” dhe Havari ka qenë një ndër protagonistët.

Postuar: 15/09/2019 - 07:57

Dekada në skenë baritoni Ylber Gjni është një nga artistët e vlerësuar me aktivitetin e tij artis

Postuar: 15/09/2019 - 07:46

Gazeta “Sot” sjell për lexuesit këtë fundjavë intervistën me një prej figurave të shq

Postuar: 12/09/2019 - 07:29

Për folklorin në vend sipas artistëve të ndryshëm bëhet shumë pak nga institucionet.

Postuar: 10/09/2019 - 08:55

Lëvizja Socialiste për Integrim ndjehet e frikësuar nga një pakt i ri midis kryeministrit Edi Ram

Postuar: 08/09/2019 - 07:55

Buxhetet e pakta për realizimin e filmave, si dhe mungesa e kinemave shihen me shumë shqetësim ng

Postuar: 08/09/2019 - 07:44

Basketbolli u trondit pak ditë më parë nga një përplasje midis Federatës Shqiptare të Basketbolli