SPAK para “provës së zjarrit”, avokat i njohur paralajmëron arrestimin e Edi Ramës, ja aferat ku dyshohet se është përfshirë kryeministri
Idajet Beqiri: Si e ngriti Flamur Noka mini-fabrikën në Greqi me valixhet me euro nëpërmjet dy njerëzve të tij të besuar nga Kukësi dhe Fieri që përfunduan në burg, ja detajet nga afera e madhe që ndodhet në duart e SPAK
Ja pse Grenell është lidhja e dyshes Berisha-Meta me Edi Ramën, si po i varin shpresat tek njeriu i Donald Trump për të shpëtuar nga sanksionet e SHBA duke shitur ishullin e Sazanit, Evi Kokalari nxjerr detajet e forta
Richard Grenell konfirmon pazaret Rama-Berisha për ishullin e Sazanit, ja detajet e marrëveshjes me dhëndrin e Donald Trump
Edi Rama pazare të pista me Vuçiç dhe Grenell për të ringjallur idenë e copëtimit të Kosovës, media gjermane plas “bombën”, ja çfarë fshihet pas investimit të dhëndrit të Donald Trump në ishullin e Sazanit
Gati lirimi i Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit nga burgu, ja çfarë përmban marrëveshja e Edi Ramës me “Rithemelimin”, nga shkatërrimi i SPAK dhe rrëzimi i ligjit të dekriminalizimit, te ngritja e komisionit anti-reformë
Ja çeta e grabitjes së pronave të ushtrisë, nga presidenti Bajram Begaj, te Xhaçka dhe Belinda Balluku, zbardhen shkeljet e rënda penale për interesat e oligarkëve, si u vendos në rrezik siguria kombëtare, operacionaliteti i Forcës Detare dhe detyrimet...
Katër atentate e plagosje në katër ditë ministrit të suksesshëm Taulant Balla, policia mbledh gëzhojat e ekzekutimeve
Arben Milori: Kombëtarja ka nevojë për ndryshime, kampionati nuk ndiqet se është i trukuar
Shkruar nga SOT.COM.AL 23 Prill 2017
Futbolli shqiptar njohu vitin e kaluar një arritje kulmore në përfaqësimin ndërkombëtar, duke marrë pjesë në Kampionatin Europian “Francë-2016”. Por, edhe pse morëm pjesë në Europian, sërish futbolli ynë ka probleme, kryesisht në organizim dhe mungesë përgjegjësie në funksionimin e ekipeve zinxhirë, ndërkohë që rënia e ndjeshme e lojës së përfaqësueses në kualifikueset e tanishme të Botërorit “Rusi-2018” ka nxjerrë në plan të parë domosdoshmërinë për të bërë ndryshime. Kemi të bëjmë me dy drejtime, Superioren dhe Kombëtaren, ku në të dy kampet ka mangësi. Sidomos Superiorja çalon shumë, ku vihet në diskutim rezultati i ndeshjeve dhe një largim i spektatorëve për shkak të trukimit të rezultatit, një “sëmundje” kjo e futbollit tonë në këto 15 vjetët e fundit. Këtë mendim ka dhe një prej ikonave dinamovite, ish-futbollisti i Kombëtares, Arben Milori, i cili mban një qëndrim kritik për këto zhvillime negative, duke shtuar se mungesa e një “dore të fortë” ka sjellë çorganizim total dhe natyrisht rënie të ndjeshmërisë së përgjithshme për futbollin vendas. Milori ka pikëpamjen e tij për cilësinë e garës, të cilën e çmon jo në nivelin e dëshiruar, ndërsa është gati të hedhë “firmën” që disa lojtarë të Kombëtares të hapin “krahun”, për të futur të rinjtë në përfaqësuese. Ai është optimist vetëm për talentin, sepse këtu të rinjtë e talentuar nuk mungojnë, por ka vërejtje për metodikën se si përgatiten futbollistët, gjë që është vërtetuar me mangësinë që ka kampionati për të prodhuar lojtarë cilësorë.
Ndodhemi në fazën e katërt të Superiores, ku tre skuadra luftojnë për titull. Në pamje të parë duket një kampionat i fortë, por në Shqipëri mungon ai “aparati” që mat cilësinë dhe shpesh analizën teknike e bëjnë njerëz jo kompetentë, ku fabrikojnë sipas rrymave i interesave versionin e tyre të garës. Cili është mendimi juaj për Superioren, ecurinë e saj dhe nivelin e lojës në tërësi?
Të them të drejtën nuk është se e ndjek shumë kampionatin shqiptar dhe shkak janë fenomenet negative që e shoqërojnë atë, por edhe një cilësi jo e mirë e garës. Ka ndeshje të mira sporadike, por në tërësi ka mangësi të shumta. Nuk shoh garë të mirëfilltë dhe të ndershme, kjo është çështja. Duke mos qenë e tillë nuk të tërheq, mungon cilësia që dëshirojmë dhe është fakt se kampionati ynë ka pak cilësi. Nuk mund të shkoj të shoh një ndeshje, rezultati i së cilës është përcaktuar që në fillim të javës. Plus kësaj, ka elementë që nuk kanë lidhje me sportin e të krijohen mendime jo pozitive, aq sa pyes shpesh “ku po shkojmë kështu?”
Ju po thoni që kemi një kampionat të përçudnuar, apo një kampionat jo real...
Jo se e them unë, por kampionati ynë i ka këto mangësi e fenomene, të cilat nuk e bëjnë tërheqës. Ka një organizim jo korrekt. Shumë ndeshje nuk vendosen në fushë nëpërmjet lojës dhe ky është fakt. Ka aktrim, ku në mjaft ndeshje klubet “bëjnë sikur...”. Për shembull, u luajt një ndeshje në kupë midis Tiranës e Kukësit, dyshoj që kishte pakt mes tyre. Ndryshe, si mund ta kuptoj që stadiumet në tërësi janë bosh? Mos vallë njerëzit po shkojnë masivisht në kinema, apo kanë dalë për piknik? Futbolli është një fenomen social, madje masiv, por këtu ka rënie. Të paktën kur luaja unë kishte shumë tifozë në stadium, na ndiqnin sepse loja ishte e ndershme dhe futbolli i pastër. Ishte argëtim, jo pazar.
Është dhe ky problemi me dhunën që shfaqet herë pas here, si ai rasti i lojtarit që goditi arbitrin, një ngjarje e rëndë. Çfarë mendimi keni për këtë?
Dhuna është “sëmundje” e rëndë e kampionatit tonë në të gjitha nivelet. Më duket një sëmundje e pashërueshme e futbollit shqiptar. Ndonjëherë nevojiten masa ekstreme, dënime të forta me përjashtim përgjithmonë të sportistëve që bëhen pjesë e dhunës. Në këtë rast lojtarë të tillë e përsërisin, më vjen keq për krahasimin por ngjajnë me atë dhunuesin që sado që del nga burgu, prapë “ritualit” të tij i kthehet. Më vjen keq sepse futbolli ynë nuk ka qenë kështu. Të paktën deri në 97-ën ishte korrekt. Ky fenomeni i dhunës masive është një “sëmundje” e këtyre dy dekadave. Unë nuk mund ta mohoj se kishte dhe ndonjë aleancë e padukshme, por në tërësi luhej futboll i ndershëm, por kurrsesi jo në këtë formë, ku ka trukime në mes të ditës.
Nëse pranojmë se këtu fenomeni i trukimit është bërë “sëmundje”, atëherë vendimi i CAS-it të Lozanës për Skënderbeun është i drejtë. Sigurisht, klubi korçar pretendon të kundërtën, por CAS nuk është një institucion dosido. A është një vendim i drejtë?
Natyrisht që është vendim i drejtë. Pse, çfarë mendoni ju, CAS është ndonjë institucion si këta tanët? Nuk mund të ketë trukime në vendimet e tyre, nuk ndodh. A ishte CAS-i i Lozanës që na dha ne të drejtë për ndeshjen me Serbinë? Dhe ne u gëzuam, sepse ishim të bindur se ishte dhënë një vendim i drejtë. Pse të mos e pranojmë të tillë dhe vendimin për Skënderbeun? CAS është gjykatë sportive me autoritet.
Këtu dalim në qëndrimin jo korrekt të FSHF-së, e cila pas penalizimit nga CAS duhej të jepte një shenjë reflektimi, të respektonte rregulloret e saj për këtë rast, por shpesh këtu fshihen pas mungesës së ligjeve përkatëse, duke ia lënë “topin në derë” institucioneve të tjera. Është dhe Komisioni i Etikës, por...
FSHF e zyrtarizoi fenomenin negativ në momentin kur nuk mori masë penalizuese. Unë jua thashë, nuk mund të ketë vendime me dy standarde dhe interpretime me dy standarde. CAS na dha të drejtë për Kombëtaren, pse atëherë s’paska të drejtë për Skënderbeun? Sa i takon Etikës është organizim farsë. Një organizim brenda institucionit, nuk mund të presësh drejtësi, rrjedhimisht është një komedi e gjallë. Kur sheh funksionimin e këtij komisioni është qëndrim tragjikomik. Unë se di se si do të dalim prej këtu, sepse këto janë gjëra serioze dhe nuk kalojnë me llafe të bukura.
Megjithatë, përtej shumë problemeve që ka në kampionatin tonë, ka dhe sinjale të mira dhe këtu mund të përfshihet përpjekja për të rimëkëmbur infrastrukturën sportive. Kemi në Elbasan dhe Shkodër stadiume të reja, por edhe Parku Olimpik etj. A nuk janë këto shenja të ripërtëritjes së sportit?
Këto që janë bërë janë pjesë e kohës, janë domosdoshmëri dhe sikurse dhe në çdo sektor tjetër shoqëror, edhe në sport kërkohen standarde. Lekë ka, fonde ka, pse të mos bëhen? Madje duhet të ishte bërë më shumë në infrastrukturë. Paratë po vijnë edhe nga UEFA, si pjesë e solidaritetit dhe për këtë çështje me sa di unë ka pasur edhe debat të ndezur. Pra këto zhvillime janë domosdoshmëri por unë kam bindjen se duhet të ishte bërë më shumë dhe janë mundësitë për të pasur më shumë kushte. Mos harrojmë, ka dëmtime masive të fushave, sidomos atyre që ishin brenda lagjeve. Kemi plot fëmijë të talentuar, por nuk kanë ku luajnë. Se jo të gjithë fëmijët kanë kapacitet financiar për të paguar që të aktivizohen. Nuk kanë prindërit lekë të çojnë fëmijët të luajnë futboll me pagesë, ky është turp. Nuk ka mbetur më fushë e vogël nëpër lagje siç kishte dikur, të cilat ishin një mundësi e madhe për fëmijët.
Një tjetër element që është problematik lidhet me ekipet e moshave, ndoshta pjesa më e shkatërruar në futbollin tonë. Po përmend një fakt jo të parëndësishëm. Tirana, një nga klubet e mëdha në vend dhe që dikur ka pasur traditë në nxjerrjen e futbollistëve, nuk prodhon prej të paktën 15 vjetësh një lojtar të ekipit kombëtar. Si është e mundur?
Kjo mund të përkthehet si një mungesë e plotë strategjie jo vetëm e Tiranës, por edhe atyre klubeve që nuk nxjerrin lojtarë cilësorë. Ka mungesë strategjie, por unë do të specifikoja si element që lë për të dëshiruar metodikën e punës me të rinjtë. Është punuar keq, prandaj nuk kemi produkt. Nuk ka trajning bashkëkohor. Ndonjë përjashtim bën Vllaznia, sepse në Shkodër kanë traditë dhe ndoshta puna me moshat ka qenë më e mirë. Sa i takon Tiranës mendoj se duhet të kërkojë llogari si klub tek stafet teknike të skuadrave të moshave. Në veçanti Tirana ka pasur mundësi ta bëjë këtë, sepse nuk i ka munguar elementi. Është nga skuadrat që ka pasur shumë prurje fëmijësh këta vite, por nuk prodhon lojtarë cilësorë. Pra këtu ka diçka që nuk shkon.
Ju keni luajtur për Dinamon. Të flasësh tani për Dinamon, duket qesharake...
Dinamo inekzistente, ia morën të gjitha. S’ka më as ambiente, as identitet, asgjë prej gjëje, ia morën çfarë kishin. Më parë kishte stadiumin, aneksin, terrenet, emrin dhe organizimin, por s’ka mbetur asgjë prej tyre. Ndodhi dhe me Partizanin, por ai u gjallërua, kurse Dinamo po shuhet. Unë habitem se si lihen në mëshirë të fatit emblemat e futbollit shqiptar. Pse nuk ndërhyn shteti për Dinamon? Pse të mos e marrë Ministria e Brendshme që e ka pasur gjithmonë? Kaq e vështirë qenka për ta mbajtur këtë skuadër? Pse duhet të marrë lojtarë nga 30 milionë lekë, merr çuna të rinj me 700 mijë lekë dhe u thuaj “ja ku e ke mundësinë, çaj përpara dhe bëhu dikush”. Dinamo sot ka dy shoqata, pa nam pa nishan, hajde merre vesh çfarë ndodh. Ekipet zinxhirë sot janë domosdoshmëri për të pasur klube të zhvilluara. Por çfarë janë këto ekipe, kush i organizon, pse ka kaq pak pritshmëri? Unë nuk e di a kanë këta ekipe ndonjë kontabël, ndonjë zyrë, ndonjë organizim. Ku po shkohet kështu?!
Për Kombëtaren desha një mendim tuajin teknik. Ndryshe nga një vit më parë, skuadrës i mungojnë rezultatet. Ka dhe zhvillime që kanë vënë nën presion De Biazin. Si e komentoni ju situatën në përfaqësuese?
Për Kombëtaren ishte arritje e madhe por nuk duhet ta ekzagjerojmë sepse nuk ishte ndonjë prezantim kushedi. Dua të them nuk ndriçuam. Thjesht ishte meritë pjesëmarrja e cila merr vlerë sepse ishte për herë të parë. Luajtëm me dinjitet, por ndonjë cilësi të lartë nuk realizuam. Kurse në këto eliminatore kemi shfaqur mangësi, megjithëse jemi brenda rezultateve tona. Përjashtim bën vetëm dueli me Izraelin. Mos harrojmë kemi në grup skuadra si Spanja dhe Italia dhe mundësitë janë të pakta. Sa i takon ekipit, mendoj se ka ardhur koha për ndryshime. Është urgjente të largohen disa lojtarë e të zëvendësohen me të rinjtë. Pa frikë mund të them se sot në përfaqësuese ka lojtarë që nuk i marr as për punëtorë fushe. Ka lojtarë që e kanë mbyllur ciklin, ndërsa mendoj se De Biazit i ka ikur formacioni nga duart. Duhet vizion dhe nëse De Biazi lihet të punojë i qetë e realizon këtë. Por nuk bëhet kombëtarja me klane e kulisa, apo me pseudomenaxherë që qarkullojnë vërdallë. Një tjetër gjë që s’më pëlqen te ekipi është sulmi. Manovra sulmuese e skuadrës është mjaft e dobët, duhet ndryshim, ndoshta duhet aktivizuar të rinjtë si Grezda etj.
Intervistoi: Adriatik BALLA