Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Arben Milori: Kombëtarja me lojtarë listash, kampionati regres me futbollistë të huaj

Postuar: 17/03/2019 - 07:47

Futbolli shqiptar përjetoi ditët e fundit një dramë të vërtetë si pasojë e dhunës në stadiume e ku viktimë e dhunës ishin gjyqtarët, ndërkohë që sistemi duket të ketë degraduar në një pikë ku i gjithë ingranazhi i funksionimit është me probleme. Që ky sistem nuk është korrekt e tregon edhe lista e lojtarëve të Kombëtares e hartuar nga trajneri Kristian Panuçi, një listë që ngjall debat dhe që ka brenda saj prurje që nuk e meritojnë dhe nuk ka brenda saj të rinj që mund të ishin të perspektivës. E sado që mediat flasin, sado që specialistët vënë gishtin mbi “plagë”, sado që njerëzit e futbollit e thonë fjalën e tyre, duket se të gjithë rrahin “ujë në hava”, sepse njerëzit që duhet ta bëjnë këtë, kryesisht në FSHF dhe në institucionet sportive shtetërore, “ngrohin” kolltuqet dhe ngrenë dorën sa herë ka zgjedhje të presidentit e komitetit, pa e vrarë mendjen asnjë minutë se në çfarë gjendje të rëndë ndodhet sporti në Shqipëri, përfshi dhe futbollin. Për të gjitha zhvillimet e fundit, Gazeta “SOT” intervistoi ish-lojtarin e Dinamos dhe Kombëtares Arben Milori, i cili prej kohësh fajëson sistemin e ngritur keq dhe “shinat” e gabuara ku operon futbolli shqiptar, sidomos me akademitë, infrastrukturën, trajningun, etj.

Ju, në një formë apo tjetër, keni rrahur një sërë çështjesh që nuk shkojnë si duhet në futbollin shqiptar, por me sa duket askush atje “lart” nuk duket i interesuar që këto çështje të marrin vëmendjen e duhur dhe futbolli vijon të ketë ato probleme që e brejnë nga brenda e ku një ndër to është dhuna. Së fundmi publikohet lista e Kombëtares dhe në të sheh lojtarë që ju vetë keni deklaruar se nuk i përfshini as për punëtorë fushe. Kur do të marrë fund ky makth?

Ne flasim, por askush nuk na dëgjon, ju shkruani, por askush nuk u lexon, duket tamam sikur rrahim ujë në hava. Si shumë gjëra të tjera në këtë vend, edhe futbolli është pjesë e një sistemi fals, një demokracie false. Unë e pashë listën e futbollistëve dhe u çudita, me të vërtetë. Duheshin ftuar të rinj të perspektivës, ata që kanë formë të mirë dhe janë në proces rritjeje, por me këtë listë që pashë unë ka diçka që nuk shkon. Duket sikur listën e bën dikush tjetër dhe ia jep gati trajnerit, ndryshe nuk konceptohet. Ftesat janë jo të duhura, por edhe grupi që njohim nuk është solid. Shumë prej këtyre futbollistëve nuk kanë intelektin e mjaftueshëm futbollistik për të bërë grup cilësor. Ajo që unë shoh është se trajneri nuk e ka kristalizuar bazën e ekipit, i cili tani duhej të ishte gati për eliminatoret.

Çfarë ju shqetëson më shumë, emrat apo mungesa e frymës së grupit?

Këto gjëra shkojnë bashkë, janë të ndërvarura, megjithatë, unë pashë listën dhe konstatova se disa elementë nuk janë të perspektivës, nuk e kuptoj pse i ka ftuar në Kombëtare. Është ndryshe kur fton të rinjtë, u jep një shans, por edhe i motivon për të dhënë maksimumin. Një i ri krijon vetëbesim, i hapet rruga të luajë dhe kjo është inspiruese, kurse në listën e këtij ka futbollistë që kanë kaluar 33 vjeç dhe janë në stol me skuadrat e tyre.

Durmishaj zgjodhi Greqinë...

Edhe Durmishaj do të kishte luajtur me ne nëse do t’i jepej mundësia më herët. E dogjën vetë Durmishajn dhe kjo besoj vjen nga mungesa e koordinimit në FSHF. Si duket zyra menaxheriale e elementëve të Kombëtares nuk koordinohet si duhet. Nuk e di gjendjen e tyre, por shoh që ka mangësi. Ky është një proces, sepse nuk shkon ftesa pse një lojtar po paraqitet mirë në një ndeshje. Lojtarët shihen në vijimësi, ka një grafik të ecurisë së tyre dhe shihet gjendja në vazhdimësi. Ky është një proces i gjatë dhe monitorimi është i vazhdueshëm.

Gjithë problemi në Shqipëri, jo vetëm me futbollin apo sportin në tërësi, por në të gjithë jetën shoqërore është mungesa e kontrollorëve dhe mungesa e marrjes së përgjegjësive. Pse është kaq e vështirë të funksionojë kjo hallkë?

Ju flisni për kontrollin, por vetë kontrollin kush do ta bëjë? Themi ka punë me përgjegjësi, por përgjegjësi nuk mban askush. Fundja në Shqipëri jemi dhe këtu çudia më e madhe tre ditë zgjat. Megjithatë, unë insistoj që nuk është vetëm një hallkë që çalon, këtu është faji i sistemit. Kur themi mangësia e gjyqtarëve apo e presidentëve të klubeve, atëherë duhet të kuptojmë se si drejtuesit e skuadrave ashtu dhe arbitrat janë hallka të këtij sistemi. Dhe sistemi sportiv jo vetëm ka mangësi, por ka degraduar.

Të mos i ikim Kombëtares, sepse së shpejti nisin eliminatoret e Euro-2020. Panuçi nuk dha shenja të mira në Ligën e Kombeve. Është thënë vazhdimisht që jo çdo lojtar i madh bëhet dhe trajner i madh. Përtej kësaj, çfarë prisni nga eliminatoret e radhës? A mendoni se mund të shkojmë në Europian?

Ky (Panuçi) erdhi pas De Biazit dhe kur merr një skuadër që ka qenë pjesëmarrëse në fazën finale të një Europiani, duhet të paktën, minimumi, të ruash të njëjtin nivel. Por unë dua ta mirëkuptoj, pasi ai nuk ka nga grupi i Europianit të shkuar gati 50% të skuadrës. Dua të them se De Biazi pati një grup më të konsoliduar, kurse sot Kombëtarja është një skuadër dhe lojtarë listash. Kjo gjë prodhon mungesë vazhdimësie dhe kjo është evidente. Panuçi erdhi me plane për të ndërtuar skuadër sulmuese dhe tani ka ndryshuar strategji, pasi dështoi me projektin e parë. Ideja për të pasur skuadër sulmuese i ra poshtë, sepse nuk iu përgjigj grupi. Panuçi nuk pati në dispozicion lojtarë që mund ta realizonin idenë e tij dhe tani ka kuptuar që duhet t’i kthehet mbrojtjes. De Biazi ishte i suksesshëm sepse ndërtoi një skuadër me mbrojtje solide, ndërsa Panuçit i duhet të ndërtojë një skuadër miks, gjë që kërkon kohë dhe shumë punë.

Çfarë kërkon ky projekt, konkretisht?

Projekti që një skuadër të funksionojë mirë në mbrojtje dhe në sulm kërkon me patjetër kohën e vet dhe natyrisht shumë punë. Nuk mjafton një grumbullim disaditor, sikurse ndodh sa herë vijnë ndeshjet e përfaqësueses. Duhet punuar më fortë me lojtarët, duhen ndjekur në rrugëtimin e tyre në skuadrat ku aktivizohen. Rezultatet nuk vijnë rastësisht, ato kërkojnë punë të madhe, rezultatet e Kombëtares kërkojnë strategji. Minimalisht një strategji që të mos turpërohemi me rezultate të thella e të rënda. Ju e dini, ne si skuadër përfaqësuese në tërësi nuk është se kemi pasur ndonjë kulminacion përveç Euro-2016 në Francë. Në të shkuarën s’na është ndarë vendi i parafundit apo i fundit. Kështu që suksesi kërkon punë të madhe dhe strategji. Mund t’ia dalim edhe në këto eliminatore, sigurisht, nëse trajneri krijon një grup solid, me lojë të kujdesshme e rezultatet e duhura.

Është përjashtuar Kamza nga gara dhe ky është një prej vendimeve më të forta të dhëna kundër dhunës. Sipas jush, u bë mirë apo keq që u përjashtua një skuadër nga gara? Kam parasysh këtu lojtarët që u penalizuan pa të drejtë, ata nuk ishin pjesë e dhunës....

Mendoj se u bë mirë, e them këtë të bazuar në disa principe. Në Kamzë ndodhi një krim (le të themi kështu) dhe krimi ndëshkohet. Kur një fenomen si dhuna pushton kampionatin, atëherë duhen marrë masa të rrepta dhe kur kemi parasysh masat e rrepta përjashtimi i skuadrës futet në këtë kategori ndëshkimi. Gjithmonë sipas mendimit tim, jeta e arbitrit u vu në rrezik dhe kjo është shqetësuese, ekstreme, prandaj dhe ndëshkimi duhet të jetë ekstrem.

Dakord, por nuk duhet të harrojmë problemin e arbitrimit në futbollin shqiptar...

E drejtë, pasi edhe arbitrimi është pjesë e sistemit për të cilin folëm, por dhuna, në çfarëdo forme qoftë, është e papranueshme. Çfarë kuptimi do të kishte gara nëse do të kishim të dëmtuar nga dhuna. Parë në këtë formë, në këndvështrimin tim masa e marrë ishte korrekte. Nisem nga ajo që pashë dhe natyrisht nga shembulli që duhet të merrte ky fenomen. Jam kundër dhunës dhe për një garë të drejtë, edhe pse fenomeni është i vështirë të luftohet në Shqipëri, pasi shqiptarët janë gjaknxehtë, nuk janë pjekur si shoqëri për të pasur një futboll ku të gjithë argëtohen dhe shijojnë emocionet e garës. Natyrisht, asgjë nuk është perfekte, as arbitrat, të cilët kanë mëkatet e tyre. Dihet që edhe ata janë pjesë e sistemit. Dhe në këtë sistem më e keqja janë presidentët e klubeve që nxisin dhunë dhe bëjnë pazare. Ndodh që tifozi të ndihet i tradhtuar dhe i fyer, por dhuna, në çfarëdolloj forme qoftë, është e papranueshme. Siç thamë, arbitrat janë pjesë e këtij ingranazhi të shëmtuar ku operon futbolli në Shqipëri, por nëse duam të japim shembuj të luftës kundër fenomeneve negative, dhënia e një maste ekstreme për Kamzën është korrekte. Nga ana tjetër, krahasimi se dhuna këtu ndodh si në botë, në Itali e gjetkë, është e gabuar, pasi dhuna atje është mes tifozëve por nuk ka dhunë ndaj lojtarëve dhe arbitrave. Dhe, e dyta, meqë flasim për tifozët, atje stadiumet janë plot, kurse këtu stadiumet janë bosh.

Kur flasim për kampionatin vëmendja shkon tek një skuadër, Partizani, i cili pas 26 vjetësh “shterpësi” synon titullin kampion. Kjo skuadër nuk prodhon lojë të bukur kjo është evidente, por është në krye të renditjes dhe ka shanse. A do t’ia dalë Partizani të fitojë titullin?

Nëse nuk ndodh ndonjë çudi në këtë kampionat, nga ato që jemi mësuar ndër vite të dëgjojmë e shohim në javët e fundit, dhe nëse nuk do të ketë ndonjë kulisë, besoj se do t’ia dalë. Duhet të themi nja dy gjëra për Partizanin e këtij sezoni: trajneri dhe ekipi kanë punuar mirë, stafi ka qenë në lartësinë e duhur, për më tepër Partizani nuk është përmendur këtë sezon për kulisa, pazare e gjëra të tilla, çdo gjë e ka me meritë. Ndoshta është në vend të parë sepse Skënderbeu që ka dominuar garën vitet e fundit nuk është më i mëparshmi, por unë do të isha i gëzuar për Partizanin ta fitonte titullin. Kam luajtur dy vite me këtë skuadër dhe me trajnerin aktual Gega kam luajtur gjashtë muaj tek Partizani. Është serioz, punëtor dhe po i merr më të mirën këtij ekipi. Ndoshta nuk prodhon spektakël, apo lojë të bukur, por është funksional dhe falë punës e strategjisë së trajnerit po shkon drejt suksesit.

Në të gjitha sportet kolektive në Shqipëri gëlojnë sportistët e huaj, përfshi dhe futbollin. Madje presidentët e klubeve synojnë të rrisin numrin nga 4 në 6. Kështu humbasin të rinjtë vendas dhe vihet në dyshim progresi. Cili është mendimi juaj?

Prania e të huajve duhej të sillte cilësi dhe spektakël, gjë që mungon, prandaj prania e të huajve në sportin tonë po kthehet në regresive. Në vend që të bëjmë hapa para, bëjmë hapa prapa. Të bësh propozime për rritjen e numrit të të huajve është si të legjitimosh regresin, sepse kështu redukton numrin e të rinjve vendas, të cilëve u heq një mundësi. Nëse të huajt paguhen, atëherë pse këto para të mos shkojnë për të rinjtë tanë? Sporti jep shëndet, është investim në edukim, në shëndetësi dhe në fusha të tjera të jetës. Unë jam vetëm për dy futbollistë të huaj në fushë, maksimumi, koordinuar me futjen e 2 ose 3 futbollistëve 18-vjeçarë nga ekipet e të rinjve.

Adriatik BALLA

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/07/2019 - 08:55

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi ka komentuar zhvillimet politike në vend, duke e ndalur theksin tek zgjedhjet vendore dhe aksioni i ardhshëm opozitar.

Postuar: 17/07/2019 - 07:27

Studiuesi i artit Agim Janina shprehet se artistët nuk kanë ende vendin që meritojnë dhe nga inst

Postuar: 14/07/2019 - 08:55

Kreu i PAA, Agron Duka ka komentuar zhvillimet politike në vend, duke e ndalur theksin tek zgjedh

Postuar: 14/07/2019 - 07:50

Artistët shqiptarë po marrin vlerësime në botë, por nuk gjejnë mbështetjen për aktivitetin e tyre

Postuar: 10/07/2019 - 09:54

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Shqipërisë Reshat Ibrahimi shprehet se është e d

Postuar: 07/07/2019 - 07:38

Kinematografia në vend ka probleme jo vetëm me buxhetet e pakta për filmat, por dhe punës që bëhe

Postuar: 06/07/2019 - 09:20

Ish-ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj ka komentuar aktualitetin politik në vend, duke e ndalur t