Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ardian Mema: Ju rrëfej ambiciet e Tiranës B

Ardian Mema: Ju rrëfej ambiciet e Tiranës B

Postuar: 04/03/2013 - 11:45

Kush është Ardian Mema?
Datëlindja:  16.11.1971
Vendlindja:   Tiranë
Arsimi:  I lartë (ILKF “Vojo Kushi”, 1989-1993)
Klubi:  SK Tirana (1989-2003)
Si Kuqezi:   4 vjet
Vlerësimi:  5 vjet rresht në 11-shen e vitit
Aktualisht:  Trajner i Tiranës B

Shumë vende në Europë e kanë organizuar futbollin e tyre në kategori të ndryshme dhe kanë ditur në të njëjtën kohë të riorganizohen sipas nevojave, duke strukturuar ekipet dhe formulat e garës. Në Spanjë klubet e mëdha si Barcelona e Reali kanë nga një ekip në ligën e parë, por kanë nga një skuadër B e cila ka të drejtë të luajë deri në ligën e dytë. Por jo vetëm në Spanjë, pasi në vende të ndryshme ka formula të ndryshme, por ekipet B po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme. Më në fund ka një zhvillim pozitiv dhe në kampionatin tonë, ku, pas një tranzicioni të gjatë të futbollit shqiptar, duket se do të kemi shfaqjen e skuadrave B të klubeve kryesore dhe kjo është padyshim një risi e bukur, një “ilaç” nga i cila mund të gjejë shpëtim futbolli ynë. Tirana është e para që i është futur kësaj nisme dhe ka afro dy muaj që ideja e kahershme e ish-bardhebluve po merr drejtimin e duhur. Sezonin e ardhshëm Tirana B mund të jetë një emër në Kategorinë e Dytë, teksa në intervistën e dhënë për “SOT”, trajneri i këtij ekipi, njëherësh ish-futbollist i Tiranës dhe Kombëtares, Ardian Mema, rrëfen platformën e punës e të funksionimit të këtij ekipi, qëllimin dhe ambiciet, por edhe vështirësitë e fillimit. Natyrisht që Mema është entuziast dhe beson se ekipi B do të sjellë risi pozitive të panjohura më parë, teksa flet me pathos për tregun e futbollit që do të gjallërohet pas krijimit të ekipeve B të klubeve të traditës. Në këtë intervistë nuk mund të anashkaloheshin dhe disa mendime rreth kontributit të familjes Mema në futboll, karrierën e vetë Ardian Memës dhe, kuptohet, mendimet mbi ecurinë e tanishme të Tiranës.

Flitet së fundmi për një Tiranë B që drejtohet nga ju. Çfarë është kjo skuadër dhe çfarë realisht synoni të bëni me këtë ekip?

Të gjithë e dimë që nga 19-vjeçarët jo të gjithë janë të gatshëm të luajnë në ekipin e parë. Prandaj ka lindur dhe ideja që këta elementë të kenë një mundësi më shumë. Projekti ynë fillestar është më o ndërlikuar se kaq, por argumenti që dhashë është më se bindës për të pasur një ekip të dytë te Tirana dhe jo vetëm.

Pse pikërisht në këtë formë? Në cilin model jeni bazuar?

Po sepse këta elementë që përmenda janë në vëzhgim nga klubet. Së dyti, nuk ka një treg të mirëfilltë dhe është afërmendsh e kuptueshme që lojtari s’mund të prezantohet vetë. Atë e prezanton tregu. Duke u bazuar në parimet e tregut të futbollit, ne bëmë këtë lëvizje, që është një nismë e cila do të ketë frytet e saj.

Kur flisni për tregun, çfarë kuptimi duhet të ketë sipas jush?

Tregu është shumë i rëndësishëm, një element thelbësor në botën e futbollit. Në vendet e tjera tregu fillon që në moshën 10-vjeçare të lojtarëve. Madje aktivitetet e kësaj moshe jepen dhe në televizion, në mënyrë që të marrin interesim. Unë jam i sigurt se do të vijë momenti edhe tek ne të ndodhë e njëjta gjë.

Ku konsiston strategjia juaj përveç tregut që përmendët?

Strategjia është e tillë që të kthehen sytë nga të rinjtë. Sot për sot i shohim vetëm ne teknikët, por të rinjtë duhet të shihen nga të gjithë nëpërmjet ndeshjeve, pasi kështu rritet interesimi në treg. Lojtari i ri duhet të jetë si diçka në vitrinë, që të shihet nga të gjithë. Natyrisht që një lojtar i Tiranës, i dalë nga klubi bardheblu, mund të zgjedhë nëpërmjet tregut një skuadër tjetër. Por tregu do të bëjë dallimet në cilësi.

Po flisnim për Tiranën B. Ç’është kjo skuadër? Nga vijnë lojtarët?

Pjesa dërrmuese e Tiranës B vjen nga ekipet zinxhirë të Tiranës. Klubi ka sot për sot rreth 15 ekipe të moshës nga 12 deri në 19 vjeç. Tirana B është një skuadër e re, midis Tiranës së parë dhe ekipeve zinxhir. Lojtarët që ne kemi në dispozicion janë të perspektivës dhe dëshirojmë që ata të kenë një shans për t’u trajnuar dhe për t’u parë nga trajnerët e ekipit të parë. Pra ekipi B i Tiranës duhet parë si një trampolinë për të kaluar në ekipin e parë.

Bëhet fjalë vetëm për lojtarë nga ekipet zinxhirë, apo ka dhe përjashtime?

Një variant është sistemi i ekipeve zinxhirë, por do të shohim mundësinë të afrojmë lojtarë të talentuar dhe jashtë Tiranës, pra nga klubet e tjera. Ne jemi regjistruar dhe po presim garat që të bëhet kalimi në Kategorinë e Dytë. Ndeshjet e kësaj faze zgjasin 1.5 deri në 2 muaj dhe ndeshjet do të zhvillohen në Kamzë. Ka shumë ekipe që janë regjistruar. Natyrisht që ka kritere për regjistrim, pasi kërkohet infrastrukturë, strukturë të formuar klubi etj, por Tirana e ka më të thjeshtë këtë.

Mendoni se do të kaloni dhe do të realizoni objektivin për ligën e dytë?

Kemi shumë besim se do të kalojmë. Megjithatë, edhe sikur të mos i fitojmë ndeshjet e të mos e realizojmë objektivin, ideja për Tiranën B mbetet dhe ajo e ka nisur tashmë rrugën.

I kujt ka qenë mendimi për të krijuar Tiranën B? Pse pikërisht tani kjo nismë?

Mendimi për të pasur një Tiranë B ka qenë i kahershëm. Unë nuk e di mirë, por nga vera që drejtoja U-17, mu propozua nga klubi që të marr këtë ekip në janar, si një strategji e klubit për të pasur e drejtuar Tiranën B. Në ambientin sportiv të Tiranës kjo ide ka kohë që diskutohet dhe nuk është aspak një mendim i ri. Thjesht tani janë ndërmarrë hapat konkretë. Për analogji më parë kanë ekzistuar ekipet shpresa të klubeve dhe kjo formulë ngjan me atë. U la rreth 20 vite në harresë, u stopua e tani ka ardhur koha që të kemi ekipet e dyta të klubeve. Nuk është një nismë vetëm e jona, pasi vende si Turqia etj. e kanë këtë shembull. Po merr udhë kjo platformë dhe kjo është shumë pozitive. Spanja për shembull e quan ekip B, Greqia ka kampionat B. Turqia gjithashtu, por e ka specifike për U-23, njëlloj si Gjermania.

Edhe te ne ka kriter moshe?

Jo, ne nuk kemi limit moshe. Mund të luajë dhe një 29-vjeçar. Gjithsesi, strategjia jonë synon për lojtarët deri në 22-23 vjeç. Një me moshë më të madhe mund të aktivizohet për nevojat e ekipit. Natyrisht mund të bëjmë dhe merkato dhe përfitimet i ka ekipi.. sot në Shqipëri ka shumë gjëra që i dikton media, por trajnerët dhe lojtarët i njeh më mirë se gjithkush tjetër tregu dhe vetëm tregu.

Te Tirana B, çfarë lojtarësh keni konkretisht, në aspektin e moshës?

Ne i kemi kryesisht të moshës së re, mesatarja 19 vjeç. Për ekipet B është prioritet stërvitja e mirë e në parametra modernë dhe jo rezultati, pasi lojtarët janë kontingjent për tregun. Kjo bëhet që këta futbollistë të ishin të vlefshëm e të sillnin përfitime. Strategjia jonë nuk bëhet për 6 muaj apo një vit, por minimalisht nja 10 vjet, duke ndjekur dhe shembujt e disa vendeve të rajonit që kanë prodhuar futbollistë cilësorë, si Mali i Zi e Kroacia.

Megjithatë, në momentin që futesh në garë në kampionat, synimet janë për objektiv, pra trofe, se kështu merr vlerë dhe lojtari apo jo?

Ambicia e Tiranës B është të shkojë deri në Ligën 1. Për këtë edicion është vendi i parë, por kur të arrijmë në Ligën 1, e kemi realizuar qëllimin tonë.

Mundet dhe në Superiore....

Nuk lejohet me rregullore që një klub të ketë dy skuadra në kampionatin elitar. Nuk ndodh, por qëllimi ynë është të kalojmë kategoritë inferiore e të shkojmë siç thashë deri në Ligën 1.

Sa skuadra të tilla janë krijuar në Shqipëri si Tirana B, ose sa klube mund ta bëjnë një gjë të tillë?

Tirana e bëri, por kanë ndërmend të bëjnë skuadrën B edhe klube si Partizani, Dinamo, Vllaznia, por edhe Mjeshtëria Sportive e Kamza. Projekti do të vijë duke u zhvilluar dhe në një të ardhme të afërt të gjitha klubet do të kenë skuadrat e tyre të dyta, pra ekipet B. Kjo do të ndihmojë futbollin shqiptar e do t’i japë shtysë për më shumë cilësi. Kjo është në logjikën e tregut se ndryshe nuk kemi shumë shanse.

Mendoni se lëvizja është në kohën e duhur?

Jemi të vonuar në këtë nismë dhe paksa mbrapa, pasi lëvizje të tilla duhej të ishin bërë më përpara.

I njihni kundërshtarët me të cilët do të luani së shpejti për të kaluar në Ligën e dytë?

Personalisht si trajner i Tiranës B kundërshtarët i njoh deri diku, por shpresojmë që të tregojmë vlerat tona si ekip. Kemi arsye të besojmë, pasi kemi lojtarë të mirë në përbërje.

Na tregoni dy fjalë për Tiranën A. Si e shihni ecurinë e saj?

Skuadra s’ka pasur vazhdimësi, ka luhatje rezultatesh. Presioni te klubi i Tiranës është shumë i madh, pasi aty kërkohet vazhdimisht trofe. Për Tiranën titulli dhe trofetë në tërësi ishin, janë dhe do të jenë objekt i vazhdueshëm. Një njeri që ka jetuar te Tirana e di mirë këtë dhe është e vështirë të pranojë realitetin aktual.

Megjithatë, është një mundësi për Europa League?

Gara në kampionat për pjesëmarrje në Europa League është e hapur dhe unë besoj e shpresoj që klubi im ta sigurojë këtë objektiv. Sot trajner, ish-futbollist i gjeneratës time, Nevil Dede, e di mirë si kalohen këto momente.

Titujt e luftës u diskutuan, por....

Çdo gjë, kur shkon në favor të Tiranës unë jam pro, por në të njëjtën kohë gjykoj se i takon historisë të flasë më mirë dhe si e tillë le të merren me këtë punë kompetentët.

Sa ka ndikuar Ali Mema në karrierën tuaj?

Lidhja jonë si familje me Tiranën është e paimagjinueshme, do të thosha shumë e ortë. Nga familja jonë kanë luajtur me Tiranën Haxhi Mema, Osman Mema, Ali Mema, Sulejman Mema, unë dhe Klevi Mema. Babai ndikoi te fryma dhe pasioni për futbollin dhe për klubin, por pjesa e stërvitjes, angazhimit etj, janë probleme të jetës time si sportist. Mua s’më ka stërvitur babai im. Është klubi i Tirans që na rriti, edukoi dhe na dha frymën e kampionit. Kur flitet për Ali Memën natyrisht kam arsye të ndihem krenar, pasi te Tirana është si legjendë. Nga skenat e bukura të lojës së babait tim mbaj mend atë që luajti në Kavajë edhe si portier, ngjall emocione. E duan dhe sportdashësit dhe kjo mjafton për të gjitha.

Ishit për pak kohë në stafin teknik të Tiranës, por një eksperiencë fare e shkurtër....

Unë sot i falënderoj të katër ish-donatorët e Tiranës. Punova si zv/trajner për një vit. Aty punova me dy emra të njohur si trajnerë, të tillë si Hafizi e Mema. Por eksperienca më e bukur imja është me “Ali Demin” e minifutbollit. Dy vjet e gjysmë vjet në krye të kombëtares U-17 janë gjithashtu të rëndësishme për mua. Ndihem krenar që nga zgjdhjet që kam bërë kur drejtoja U-17 kuqezi, sot luajnë me ekipin Shpresa lojtarë të tillë si Fabio Hoxha, Bruno Dida, Dorian Kërçiku, Peposhi, Deliallisi etj. Intervistoi Adriatik BALLA

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 190

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/11/2018 - 07:49

Artistët nuk kanë deri tani vlerësimin e duhur nga institucionet. Aktiviteti artistik i përball me jo pak probleme dhe shpeshherë ata punojnë dhe në kushte që lënë për të dëshiruar.

Postuar: 18/11/2018 - 07:36

Peshëngritja është sporti që ruan një staturë të fortë elitare ndër të gjitha disiplinat sportive

Postuar: 13/11/2018 - 07:29

Piktorët në aktivitetin e tyre vazhdojnë krijimtarinë, duke u përballur me probleme të cilat prej

Postuar: 09/11/2018 - 10:10

Ish-ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj ka komentuar ditën e djeshme zhvillimet më të fundit polit

Postuar: 09/11/2018 - 07:26

Poeti Bardhyl Londo shprehet se deklarimet që bën ministrja e Kulturës janë dhe si një tallje për

Postuar: 08/11/2018 - 07:32

Teatri shqiptar është i izoluar dhe duhet të prezantohet jashtë në skenat e huaja.

Postuar: 07/11/2018 - 07:29

Artistët pohojnë se në krijimtarinë e tyre nuk kanë përkrahje nga institucionet.