Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Bledar Gjeçaj: S’mund të kemi basketboll cilësor, na mungojnë tërësisht kushtet

Postuar: 10/09/2017 - 07:24

Basketbolli shqiptar bën përpjekje herë pas here të lërë pas problemet e shumta që e kanë shoqëruar në më shumë se dy dekada, me shpresën se do të krijojë kushte më të mira dhe më shumë cilësi në kampionat, që të jetë i aftë të konkurrojë denjësisht në rang ballkanik dhe europian. Por, ndërsa ka copëza suksesi në disa drejtime, shtrembërohet e prishet në drejtime të tjera, duke bërë që ai të mbetet në vend dhe të përjetojë si asnjë sport tjetër tranzicionin e gjatë e të vështirë shqiptar. Humbjet e ekipit kombëtar në duelet paraeliminatore në grup përballë Austrisë dhe Holandës, madje me pikavarazh të thellë, dëshmojnë se sa larg Europës është basketbolli shqiptar. I këtij mendimi është dhe tekniku i njohur shkodran, Bledar Gjeçaj, i cili ka një eksperiencë të gjatë si lojtar e së fundmi edhe si trajner dhe e njeh mirë problematikën e basketbollit tonë. Gjeçaj vazhdimisht ka ngritur shqetësimin e tij për kushtet e dobëta infrastrukturore dhe investimet e mangëta. Krahasimet që ai sjell midis buxhetit që merr një klub futbolli me një klub basketbolli janë alarmante dhe kërkojnë që për lojërat me dorë në Shqipëri të ketë një studim të thelluar dhe përkushtim të institucioneve. Gjeçaj çmon se basketbolli në Europë po ecën me ritme shumë të larta dhe për këtë mori shembull “Eurobasket”-in, kurse në Shqipëri ky sport ka ritmin e breshkës. Tekniku shkodran është kritik, gjithashtu, dhe për standardin e munguar të pallateve tona të sportit, të cilat e vërteta është se nuk plotësojnë as kushtet e ajrimit, gjë që në Europë as nuk mund të konceptohet.

Po luhen ndeshjet e Kampionatit Europian, Eurobasket. Si teknik, çfarë keni konstatuar nga ky aktivitet? Çfarë risish ofroi kjo veprimtari e madhe e basketbollit europian? A mund të fitojë Shqipëria në aspektin sportiv nga Europiani, në planin tekniko-taktik, apo të marrë mësime për lojën, menaxhimin, reklamimin etj?

Ne jemi shumë larg atij niveli basketbolli. Janë dy gjëra të pakrahasueshme. Atje basketbolli është i një niveli shumë të lartë dhe ecën me ritëm të shpejtë, kurse tek ne niveli është i dobët dhe kemi ritëm breshke. Nuk është vetëm diferenca në nivele, por mbi të gjitha në investime, në infrastrukturë etj, por edhe në konceptim. Si mund të flasim ne për të pasur një nivel basketbolli europian kur në 27 vjet nuk kemi ndërtuar një pallat sporti me standarde. Bota ka rregulla për impiantet dhe janë pikërisht standardet ato që e bëjnë një sport të krahasohet, ndryshe e kotë të flasësh. Dhe rregullorja thotë që një pallat sporti duhet të jetë minimalisht 3 mijë vende, gjë që ne nuk e kemi. Sepse edhe salla e re e basketbollit në Tiranë nuk e ka këtë kapacitet.

Më falni, por Shqipëria është vend i vogël dhe jo i zhvilluar, është çështje mundësish....

Është tjetër gjë vogëlsia dhe niveli i zhvillimit me standardin si rregull. Pra ne na mungojnë standardet, këtu është çështja. Dhe standardi nuk ka të bëjë vetëm me kapacitetin e pallatit të sportit, por me kushtet që ofron. Ne kemi një sallë të re sportive, por në ndeshjet që zhvilluam në verë në temperatura 40 gradë celcius, pa ajrim, kjo është e papranueshme. Krijimi i kushteve është minimumi për të bërë një ndeshje basketbolli çfarëdo, e jo më një ndeshje ndërkombëtare. Mos harrojmë, në dimër temperaturat shkojnë minus dhe lojtarët e kanë të pamundur të zhvillojnë ndeshje në këto impiante. Nuk mundesh kurrsesi, sepse rrezikohet jeta e sportistëve. Janë standardet ato që e bëjnë sportin e një vendi të futet në hullinë e duhur të funksionimit profesionist.

Shkodra ka një impiant të mirë, për rikonstruksionin e tij edhe u investua, duhet të jeni të kënaqur apo jo?

Shkodra ka një ndërtesë të vjetër, ku u bënë ndërhyrje. Por kjo nuk mjaftoi, pasi impianti që në fillimet e tij, pra që në themelet e tij është nisur për palestër, prandaj është ndryshe të kesh këtë që kemi aktualisht e ndryshe një impiant me standarde enkas për basketbollin.

Po flisnim për Europianin, cilat janë sipas jush risitë e tij?

Ndeshjet janë të një niveli shumë të lartë. Bëhet fjalë për një basketboll ajkë, ne jemi shumë larg tij, të jemi të sinqertë. Sa për risi mund të them loja dhe rezultatet surprizuese të disa vendeve të vogla, si Letonia, por edhe Finlanda. Më parë nuk kanë pasur ndonjë basketboll kushedi, por kanë avancuar shumë, ishin vërtet risi në këtë aktivitet.

Nga vendet balltike Lituania duket se ka më shumë cilësi...

Sigurisht, Lituania ka traditë në basketboll dhe ka fituar edhe Europian. Lojtarët e saj luajnë në NBA dhe kanë shumë cilësi, por edhe këto vende që unë përmenda, përfshi dhe Islandën kanë bërë progres të madh. Këtu është ai ndryshimi që ne kërkojmë, por ndryshimi që bëjmë ne, pra progresi, është me hapin e breshkës, nuk ndihet, sepse më së pari ne na mungojnë kushtet për të pasur basketboll cilësor. Është dhe organizimi i klubeve, funksionimi i keq me varësi nga bashkitë e sponsorët, hajde merre vesh, për të mos thënë se në Shqipëri vetëm gjashtë muaj bëhet garë, kurse gjashtë të tjera nuk punohet.

Pra, ju po thoni se është edhe çështje mentaliteti...

Klubet nuk kanë qëndrueshmëri, presin të shpërndajë bashkia fondet dhe të sigurohet ndonjë sponsor. Por gjërat nuk janë të qarta dhe kjo nuk i jep zgjidhje problemit. Duhet një Ligj Sporti, në fakt ka një ligj, por se si funksionon ai dhe çfarë zgjidh ai kjo s’merret vesh.

Problemi i shumë skuadrave tek ne është mungesa e qëndrueshmërisë në vite. Ka një hop cilësor pastaj një rënie të pashpjegueshme. Kur do të marrë fund kjo?

 Unë shpesh kam përmendur infrastrukturën si problem serioz, por padyshim edhe organizimin që kanë klubet. Nuk mund të pretendohet të kemi basketboll cilësor kur punohet pak gjatë ditës dhe gjatë vitit. Bëjmë shumë pak stërvitje. Me dy orë në ditë nuk rivalizon dot, duhet më shumë, ndërsa përgatitja duhet të jetë gjithëvjetore. Ja, ne jemi në prag të kampionatit dhe ende nuk kemi një stërvitje të stabilizuar, përkundrazi, presim nga klubi e bashkia direktiva. Kemi mangësi në çdo gjë, duke nisur që nga moshat. Tek ekipet e moshave duhet të shkojnë specialistët më të mirë, se aty varet fort e ardhmja, por ekipet e moshave nuk kanë ku të bëjnë stërvitje, këtu hyn në lojë infrastruktura që është element thelbësor. Më pas vjen organizimi i klubit dhe natyrisht financimi. Këta elementë çalojnë në basketbollin tonë, prandaj jemi shumë prapa. Bota e rrit vazhdimisht nivelin e basketbollit, ajo përmirësohet, kurse ne rrimë në vendnumëro.

Dhe në këtë pikë nuk marrim mësime as nga kampionati kosovar. Atje të paktën pallati i sportit është plot. A mund të na ndihmojë ky fakt?

Për këtë çështje kemi folur, ata e kanë më prioritet se ne basketbollin, por edhe atje ka pasur probleme. Gjithsesi, ne duhet të fokusohemi tek kampionati shqiptar, se këtu operojmë dhe i kemi problemet më të mëdha.

Dalja në skenën ndërkombëtare e U-16 dhe U-18 ngjalli një interes jo të vogël. Diferencat ishin të mëdha, sigurisht, por të paktën po ballafaqohemi. Sa do të ndikojë ky fakt në të ardhmen?

Kjo është nga ato pak gjëra pozitive që janë bërë. Ishte një hap i mirë, i domosdoshëm. Por që të kemi rezultate kërkohen grumbullime më të gjata, më shumë punë. Duhen grumbullime të herëpashershme dhe seleksionime në vazhdimësi. Duhet që grumbullimet të shoqërohen me kushte cilësore, se nuk bëhet më basketboll në kushte mjerane. Kur krijohen kushtet dhe është rritur puna, atëherë evidentohen edhe lojtarët dhe seleksionimi jep fryte.

Është një çështje që na shqetëson herë pas here në basketboll: talenti. A ka basketbolli ynë talente mjaftueshëm?

Talente ka sigurisht, nuk na mungojnë talentet, por e gjithë puna është tek sistemi. Varet se si klubet paguajnë, si i krijojnë kushtet dhe sa të afta janë të ofrojnë qëndrueshmëri. Talenti kërkon kushte në të kundërt shkon dëm. Ne kemi kaq kohë që i kërkojmë këto, por nuk janë krijuar. Pa kushte nuk bëhet asgjë, nuk ka ç’bën as talenti. Shpenzimet financiare janë gjithashtu të rëndësishme. U mor një hap fillimisht me Vllazninë, Tiranën, Teutën, por ka mjaft probleme që na frenojnë. Ja për shembull, kur sezoni i ri është në prag, Vllaznia ende ka probleme dhe ne në vend që të ishim duke punuar në parket jemi në dyert e institucioneve.

Situata, e parë në këtë prizëm, nuk duket aq premtuese. Pse kështu?

Kjo situatë mund të përkufizohet si “as mish, as peshk”. Një pjesë e ka bashkia, një pjesë e ka sponsori, hajde gjeje se si ndahen përgjegjësitë.

Dua t’ju bëj një pyetje të drejtpërdrejtë. Sa paguhet gjatë sezonit një basketbollist i mirë? E shtroj këtë pyetje se tek klubet e futbollit ka lojtar që merr edhe 50 mijë euro në vit. Financat janë të rëndësishme në sport...

Një basketbollist cilësor merr deri në 15 mijë euro në sezon. por buxhetet e klubeve të basketbollit tek ne lënë shumë për të dëshiruar. Buxheti ynë si klub kampion ishte sezonin e shkuar 33 mln lekë të vjetër, kurse ekipi i futbollit mori 700 milionë. Pra një diferencë e madhe, ata morën 20-25 herë më shumë. Reali i Madridit në futboll ka një buxhet 230 mln euro, kurse Reali i basketbollit ka një buxhet diku te 65 mln euro. Pra diferenca është rreth katër herë, por jo 25 herë. Është dhe ky një tregues mjaft domethënës që tregon se basketbolli paguhet pak tek ne.

Si e sheh Vllazninë?

Jemi ende jashtë, sepse po diskutohet ligji, por çdo skuadër do të dëshironte më të mirën në një sezon. Ne nuk po na lënë problemet. Tani duhej të ishim në parket duke u përgatitur, por jo, jemi në pritje të vendimeve dhe interpretimeve ligjore. Në kampionatin e ri vështirë se do të ketë skuadra të mjaftueshme në garë, pasi po tërhiqen për shkak të vështirësive që kanë. Ky është problem serioz për basketbollin e një vendi.

Sezonin e kaluar midis Vllaznisë e Tiranës kishte mjaft rivalitet. Nuk munguan as përplasjet e tifozerive. E parë nga një këndvështrim ngjyrash e fansash, kjo duket bukur, se spektatorët e duan basketbollin dhe mbushin pallatet e sportit. Besoni se do të kemi nivel cilësor që të kthejë spektatorin në pallatin e sportit?

Nuk na mungojnë mbështetësit, njerëzit e duan basketbollin, por gjithçka është tek kushtet dhe niveli. Bota ecën dhe pallatet e sportit janë plot, kurse ne kemi ende probleme dhe që të kesh mbështetje në çdo ndeshje duhet të ofrosh kushte dhe cilësi, gjë që ne i kemi vetëm në raste sporadike.

Intervistoi: Adriatik BALLA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 12

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/11/2017 - 08:01

Gjashtë dekada Ansambli Kombëtar u shënuan përmes koncertit në skenën e Teatrit Kombëtar. Artistët ishin pjesë e tij, por për emra që prej dekadash kanë dhënë një kontribut të madh në skenën e tij nuk ishte një përvjetor ashtu si e meritonte AKKVP.

Postuar: 19/11/2017 - 07:20

Ballkani ka një nivel shumë të lartë të basketbollit, që është dhe një nga më të zhvilluarit në botë.

Postuar: 17/11/2017 - 07:49

Jeta artistike për artistët ka probleme, buxhetet e pakta apo dhe dispozitat ligjore po kundërshtohen për artistët.

Postuar: 16/11/2017 - 07:36

Ministria e Kulturës duhet të konsiderojë grupimet e piktorëve dhe të ketë një plan ndihme e inkurajimi pohojnë artistët.

Postuar: 12/11/2017 - 07:57

Pagat dhe buxhetet e teatrit vijojnë të jenë problem për artistët.

Postuar: 10/11/2017 - 07:37

Shkrimtarët shqiptarë nuk vlerëson dhe nuk kujtohen nga Ministria e Kulturës.

Postuar: 09/11/2017 - 07:30

Tirana International Film Festival (TIFF) është event i rëndësishëm kinematografik, që zhvillohet në Shqipëri jo vetëm për nga vjetërsia dhe eksperienca, por edhe për numrin e m