Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dhimitraq Xhambazi: Kampionati shqiptar duhet me 12 ekipe, Skënderbeun e çuan 20 vjet prapa

Postuar: 28/07/2019 - 07:47

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) la në fuqi vendimin e UEFA-s për penalizimin me 10 vjet në aktivitetet ndërkombëtare të skuadrës së Skënderbeut, si dhe gjobën 1 milion euroshe, një penalizim ekstrem për një klub futbolli, ndoshta më i rëndi i marrë për një klub europian që nga themelimi i UEFA-s si federatë e përgjithshme e futbollit të kontinentit europian. Tashmë situata për skuadrën korçare duket e pashpresë, megjithëse presidenti Ardian Takaj ka deklaruar se nuk do ta braktisë ekipin. Por penalizimi i Skënderbeut ka nxjerrë në pah disa gjëra negative. Së pari asnjë skuadër tjetër e kampionatit nuk e ka staturën e Skënderbeut, qoftë për nga menaxhimi, ashtu dhe rezultatet. Kampionatit i ka rënë cilësia dhe disa gjëra që ishin arritur, në kuptimin e mirë të fjalës, u shkërmoqën. Performanca e dobët e skuadrave tona në kompeticionet e UEFA-s këtë sezon, na tregoi se Skënderbeu ishte nga “planet” tjetër, luante si i barabartë me rivalët në fazën e grupeve dhe padyshim ishte një prej skuadrave më të mira në historinë e kampionatit shqiptar. Pikërisht kështu mendon dhe një prej specialistëve të njohur të futbollit në vend, Dhimitraq Xhambazi, personalitet i futbollit korçar dhe atij kombëtar. Në intervistën e dhënë për gazetën “SOT” , Xhambazi jep edhe këshilla se si duhet vepruar me garën në vazhdim.

- Nga zhvillimet e fundit në lidhje me Skënderbeun, pas vendimit që mori Gjykata Sportive e Lozanës (CAS), ka dalë në dritë që penalizimi i Skënderbeut është “fryrë” nga Shqipëria. Është e vjetër shprehja që “armiku më i madh i shqiptarëve janë vetë shqiptarët” dhe duket se kjo u përsërit në rastin e Skënderbeut. Presidenti Takaj ka pasur një adresim të problemit tek një ish-funksionar i federatës, por, i parë me gjakftohtësi nga jashtë, a besoni se Skënderbeu u bë “kurban” nga “brenda” dhe cilat janë pasojat me të cilat do të përballet skuadra korçare në veçanti dhe futbolli ynë në përgjithësi tani e tutje?

Nuk është një problem i ri në Shqipëri debati për trukimet. Kështu që nuk ka surpriza. Është folur dhe për Skënderbeun, por ajo që dimë dhe kemi prekur është se Skënderbeu ishte skuadër që luajti në nivel të lartë. Tani kanë dalë dhe fjalët, që unë do t’i quaja të tepërta, ku ka dhe një përplasje në distancë të drejtuesve të klubit me ish-sekretarin e FSHF-së, Dervishi. Ky lloj debati mund të vazhdojë, por unë mendoj se ky president (Takaj) e njeh situatën, është ai që ka investuar dhe që ka ngritur një Skënderbe mjaft cilësor, skuadër me të cilën jemi krenuar. Në këtë histori përplasjesh unë mbaj anën e Takajt, sepse, siç thashë, ai e njeh situatën.

- Cilat janë pasojat e këtij penalizimi 10-vjeçar?

Në radhë të parë unë mendoj se u penalizua qyteti i Korçës, por edhe futbolli ynë në tërësi. Pse? Sepse Skënderbeu ishte ekipi që e përfaqësoi më mirë kampionatin shqiptar në Europë, ky është fakt. Falë kësaj paraqitjeje kampionati ynë mori vlerë të lartë. U gjallëruan klubet, vetë kampionati ishte më cilësor dhe më i ndjekur. Pati rritje të vlerës së lojtarëve në treg, u bënë pagesa profesionistësh dhe realisht Skënderbeu u ngjit shumë lart. Ky nuk ka qenë vetëm sukses i Skënderbeut, por edhe i kampionatit tonë. Shikoni sa dobët u paraqitën skuadrat e tjera këtë edicion në aktivitetet e UEFA-s. Flas në aspektin e lojës dhe të rezultateve. Skënderbeu luante si skuadër e konsoliduar, me reparte të mirëorganizuara dhe me një lojë mjaft tërheqëse. Ne sot nuk kemi humbur vetëm një ekip elitar, por pa një Skënderbe cilësor do të kemi një kampionat më të dobët.

- A besoni se Gjykata Federale e Zvicrës mund të mendojë ndryshe nga UEFA dhe CAS-i?

E vërteta është se ne menduam se gjithçka do të shkonte mirë në Lozanë. Sigurisht që ka shpresë, por unë kam pak besim. Na ka humbur besimi dhe jam i frikësuar. Një dënim 10-vjeçar që na ka dhënë UEFA dhe që e la në fuqi CAS-i i Lozanës është një vendim i tmerrshëm. Duhen 20-30 vjet të kalojë kjo situatë e vështirë dhe për qytetin tonë, futbollin korçar dhe jo vetëm, kjo është humbje e madhe. Ishte bërë një punë kolosale, ishte ndërtuar një skuadër model dhe kampionati me Skënderbeun ishte më i fortë dhe më i bukur. Tani ka kthim prapa dhe ky penalizim ka pasoja të rënda.

- Deshëm një mendim tuajin për performancën e skuadrave tona në kompeticionet europiane. Janë shumë larg nivelit me të cilin prezantohej Skënderbeu, apo jo?

Nuk dua ta shaj kampionatin tonë, por niveli nuk është ai që kërkojmë, apo që dëshirojmë të kemi. Jemi larg pritshmërive dhe sidomos kur e krahason me Skënderbeun kjo bëhet e dukshme. Duhet ta pranojmë, Skënderbeu është shfaqur në nivel tjetër. Asnjëra prej skuadrave tona nuk e dha në fushë atë nivel që ka dhënë Skënderbeu vitet e fundit, ku unë u kujtoj që ka luajtur si i barabartë me Partizanin e Beogradit, Jang Bojsin, Dinamon e Zagrebit etj, skuadra që shkojnë në fazën e grupeve të Champions apo Europa League. Ja, shihni Partizanin, nuk është në atë nivel. Partizani bën lojë force, por nuk ka organizimin që kishte Skënderbeu. Repartet e lojës së Skënderbeut lidheshin më mirë dhe kishin harmoni që e bënin ekipin funksional në dimensionin maksimal të tij. Pse? Sepse Skënderbeu kishte kualitet. Skuadrat tona u eliminuan shpejt nga garat europiane të këtij sezoni, gjë që tregon se nuk kanë nivel. Si Karabagu, ashtu dhe Sherif Tiraspoli, treguan në fushë se ishin më cilësorë se Partizani ynë. Edhe këtu del në pah krahasimi me Skënderbeun, i cili veçanërisht në fushën tonë ka qenë dominues ndaj rivalëve, duke thithur në stadium një numër të madh fansash. Sepse, e thamë, Skënderbeu ishte nivel tjetër. Partizani ka forcë si skuadër, por i mungon koordinimi, ka mangësi në lidhjen e reparteve dhe nuk prodhon futboll në nivelet që ka prodhuar Skënderbeu. Edhe ky është një fakt domethënës.

- Ju nuk e mohoni, besoj, që skuadrave tona u mungon sulmi. Partizani është ekipi tipik që s’ka lojtar goli. Sa ka ndikuar kjo?

Është mangësia e ekipit në tërësi, por edhe kjo që thoni ju qëndron. Nuk ka lojtarë të spikatur goli dhe kjo është mangësi. Edhe në këtë pikë unë dua të veçoj Skënderbeun në Europë, i cili ka pasur në përbërje sulmues shumë cilësor, si Pejiç, Salihi, Soue etj, pra “bombera” të mirëfilltë, që vinin në harmoni me pjesën tjetër të grupit dhe të përshtatshëm për nivelin e skuadrës në tërësi.

- E keni ndjekur, besoj, debatin e ditëve të fundit për licencimin e klubeve. Rrezikon të shtyhet kampionati pasi gjysma e skuadrave janë në krizë të thellë financiare. Si ndodhi që futbolli ynë u “zhyt” në këtë formë?

Kjo është çështje organizimi dhe menaxhimi i klubeve. Është organizimi, infrastruktura, pagesat, përgatitjet jo në nivelin e duhur etj. Janë këto elementë, që kanë sjellë këtë situatë të vështirë për kampionatin. Dhe “gropa” është bërë e madhe tashmë. Kërkohet ndryshim thelbësor, mjaft i fortë, duhen sheshuar mjaft gjëra, sepse ka plot klube që nuk kanë as kushtet për të luajtur normalisht në garë. Shihni Kukësin sa vuan për fushë, ka provuar të luajë vazhdimisht jashtë qytetit të tij. Por edhe skuadrat e tjera kanë probleme. Mendoj se ky është momenti i duhur që punëve t’u jepet drejtim dhe kjo kërkon angazhimin e të gjithë aktorëve të futbollit dhe padyshim edhe vetë shtetit.

- Nuk mund të anashkalojmë Përfaqësuesen në këtë intervistë. Nëse në shumë gjëra ndahemi, të paktën për Kombëtaren bashkohemi. Pas një vështirësie jo të vogël nën drejtimin e Panuçit, por pa iu larguar shkollës italiane, duket se ka një stabilitet me trajnerin veteran Edi Reja. Një humbje e një fitore, por loja duket se tani është më në kontroll. A kemi të drejtë të shpresojmë për objektiva?

Eksperienca e trajnerit Reja është gjë e mirë, sigurisht, dhe kjo nuk ndikon vetëm tek loja, por edhe në marrëdhëniet që krijohen. Unë mendoj se është shpejt të flasim për rezultate dhe objektiva. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, pasi dihet niveli ynë dhe vështirësia që paraqesin rivalët në grup. Në këndvështrimin tim, për cilësinë e lojtarëve që kemi, niveli i performancës duhet të ishte më i mirë, më i lartë. Nga ana tjetër, mendoj se niveli i kampionatit tonë duhet të rritet dhe të përafrohet me nivelin e skuadrës kombëtare, që të mos ketë dallime të mëdha siç ndodh aktualisht. Për t’u kthyer tek trajneri Reja, unë shoh që ai përçon besim dhe do të dijë të marrë më të mirën. Lojtarët i kemi të mirë dhe të shpresojmë që do të marrin rezultatet e duhura në ndeshjet e mbetura eliminatore.

- Së fundi, nëse do të kishit rol vendimmarrës, çfarë do të bënit për të ndryshuar për mirë situatën në futbollin shqiptar?

Askush nuk ka shkop magjik e të bëjë çudira. Gjithçka lidhet me punën, organizimin dhe kriteret profesioniste në veprimtarinë e klubeve. Aktualisht ne kemi një kampionat paksa të hallakatur. Kemi klube me probleme të mprehta organizimi, me mungesë fushash dhe çështje vështirësish në pagesa. Organizimi është kryesorja, gjë që nuk e kanë në lartësinë e duhur shumë klube. Unë mendoj se ka ardhur koha që të rritet numri i pjesëmarrësve në garë, pra të ndryshojë formula, dhe gjykoj se për momentin duhet një kampionat të paktën me 12 ekipe. Por kjo edhe në varësi të buxhetit që kanë klubet dhe këto gjëra duhet të kalojnë në “filtrin” e federatës. Do të duhej që të kishim një Ligj Sporti efikas, të zbatueshëm dhe të aksesueshëm nga klubet, që të shërbente si shtysë zhvillimi. Kjo është domosdoshmëri për kushtet ku ndodhet sot futbolli ynë dhe ndërhyrja e shtetit është e domosdoshme. Elementi tjetër me rëndësi është menaxhimi dhe këtu kam parasysh menaxhimin e ekipeve të moshave si në rang klubesh, ashtu dhe të moshave të kombëtares. Që të ndodhë kjo duhet investim dhe për këtë nevojitet sërish një ndihmë nga shteti.

Intervistoi: Adriatik BALLA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 08/12/2019 - 15:30

Reforma në drejtësi, ngritja e SPAK, raportet Qeveri-Presidencë, situata politike në tërësi dhe tërmeti i 26 nëntorit që la pas një tragjedi të madhe, kanë qenë disa nga temat, për të cilat foli ish-kreu i Shërbimit I

Postuar: 08/12/2019 - 08:12

Tërmeti solli dhe dëmtime në disa prej monumenteve të kulturës në vend.

Postuar: 08/12/2019 - 08:00

Atletika po kalon orë të vështira, pasi në kryeqytet nuk kemi ende një pistë me tartan dhe të sta

Postuar: 04/12/2019 - 07:38

Simpoziumi i tetë shkencor i polifonisë mblodhi para disa ditësh studiues dhe bartës të saj, duke

Postuar: 01/12/2019 - 07:55

Me një aktivitet të vlerësuar në art, piktori Nikolin Ivanaj me punët e tij është prezantuar këtë

Postuar: 01/12/2019 - 07:45

Futbolli në këtë edicion nuk e ka nivelin e viteve të shkuara, ky është të paktën mendimi i shumi

Postuar: 27/11/2019 - 07:32

Partizani është padyshim klubi më famoz në sportin shqiptar dhe prej tij kanë dalë sportistë e tr