Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dhimitraq Xhambazi: Panuçit i mbaroi ora, Kombëtares i duhet një trajner shqiptar

Postuar: 24/03/2019 - 07:40

Kombëtarja u mposht nga Turqia mbrëmjen e së premtes në Shkodër me rezultatin 2-0, duke i nisur mjaft keq eliminatoret e Euro-2020. Krejt ndryshe nga kualifikueset e shkuara, ku kuqezinjtë shkruan sukses në rang ndërkombëtar me pjesëmarrjen në Francë-2016, këtë herë Kombëtarja është një skuadër pa identitet, pa kualitet dhe e paaftë të kuptojë dobësitë e saj. Trajneri Kristian Panuçi u shkarkua dje nga kreu i FSHF-së Armand Duka dhe pritet emërimi i teknikut të ri, me shpresën që do të tejkalohet kjo gjendje katastrofë e ekipit. Për të analizuar këto zhvillime dhe për të marrë ide rreth tejkalimit të krizës, gazeta “SOT” intervistoi ish-futbollistin e shquar korçar, Dhimitraq Xhambazi, një nga specialistët e njohur të futbollit në vend, i cili, me argumente sportive, por edhe psikologjike, arrin në konkluzionin se largimi i Panuçit erdhi në momentin e duhur dhe tashmë skuadrës i duhet një frymë e re, për të cilën Xhambazi thotë se mund t’ia japë edhe një trajner shqiptar. Ish-futbollisti i Skënderbeut dhe Kombëtares, beson se skuadra do të gjejë forca të reagojë, por për të është e rëndësishme që ca gjëra të sheshohen mirë e të vihen në vijë dhe këtu është fjala për strategjinë e së ardhmes.

Kombëtarja humbi në Shkodër përballë Turqisë, duke i nisur keq eliminatoret e Euro-2020. Pas këtij zhgënjimi Panuçi shkarkohet. Çfarë shkoi keq, apo më saktë çfarë nuk shkoi që Panuçi nuk pati sukses me Kombëtaren Shqiptare të Futbollit?

Ky është një moment i vështirë për ekipin kombëtar. Në ndeshjen ndaj Turqisë skuadra nuk shfaqi ato vlerat e veta që mendonim se ky grup i ka. Kjo skuadër pati probleme të vazhdueshme, në të gjitha format. Pësonte shumë gola dhe shënonte shumë pak, ose më saktë nuk shënonte. Për mendimin tim ky ekip shfaqi mangësi në të gjitha repartet, sulmi ishte mjaft i vaktë, ndërkohë që pësojmë gola me një thjeshtësi të habitshme dhe gola të rëndë. Nga ana tjetër, nën drejtimin e Panuçit nuk pamë asnjëherë një formacion të stabilizuar. Ishte një grup i luhatur, ku sot vinin dy e iknin dy të tjerë, pra ishte një grup i paqëndrueshëm dhe me kohezion të dobët. Natyrisht, nuk mund të pritet shumë nga një skuadër që ka grup jo stabël. Mendoj, gjithashtu, që ana fizike dhe taktike la për të dëshiruar. Ekipi nuk u shfaq në maksimumin e tij dhe në këndvështrimin tim dha 70-80% të kapaciteteve të saj. Të gjitha këto ndikojnë në një paraqitje të dobët dhe jo të qëndrueshme dhe pasoja është edhe disfata e fundit ndaj Turqisë.

Siç dihet Panuçi kishte bërë mjaft lëvizje, por grupi i tij asnjëherë nuk dha shenja të një funksionimi normal. Cili është mendimi juaj për grupin që ai kishte dhe paraqitjen e fundit?

E përmendëm pak më lart që grupi ka pasur luhatje dhe nuk kishte stabilitetin e nevojshëm për të prodhuar lojëra të mira dhe me rezultate pozitive. Unë dua të pyes ku shkoi ai grup që kishim tri vite më parë në Euro-2016? Madje ne nuk e kemi grupin e mëparshëm, sepse mungojnë disa elementë që bëjnë diferencë. Ku është Roshi? Madje grupi i tanishëm ka dobësi në të gjitha nivelet. Pëson gola me lehtësi, gjë që nuk ndodhte më parë. Rezultatet e muajve të fundit nuk shpalosin vlera, prandaj unë mendoj se Panuçi gjeti kohën e duhur për t’u larguar. Turqia ishte një rival direkt në grup të cilën nuk e mundëm dot, përkundrazi, humbëm përballë saj dhe, në objektivat sezonale, kur humbet me një skuadër që është kundërshtar direkt situata bëhet më e rëndë. Lëvizja e Panuçit ishte një zgjedhje me vend dhe skuadrës i duhet alternativë e re, ku shpresoj të bëhet më e mira.

Në fillim të ndeshjes skuadra ishte agresive, pati disa momente për të shënuar dhe u duk se diçka kishte ndryshuar nga Liga e Kombeve. Por pësimi i golit të parë, na kujtoi se vijojmë të bëjmë gabime foshnjarake në mbrojtje...

Golat në ndeshjen e luajtur në Shkodër ishin me lehtësi të madhe. Kur kishim Canën lider të grupit në këtë repart nuk pësonim gola të tillë. Skuadra ishte më e vendosur dhe më e përkushtuar. Tani pësojmë gola me lehtësi të pabesueshme. Ne duhet të themi realitetin dhe realiteti është se ne nuk kemi një skuadër si duhet dhe që të plotësojë shijet tona. Ky ekip është pa grintë, plus ato probleme që përmendëm më sipër. Formacioni ka qenë me probleme gjatë gjithë kohës, kishte pasiguri dhe ndonjëherë lëvizje që nuk kuptohen. Më parë ftonte Sabien Lilajn dhe e fuste në fushë, kurse tani së fundmi as e fton fare. Ca iknin e ca vinin, unë s’e kuptova këtë filozofi.

Ndikuan dhe ca zhvillime në momentin e grumbullimit, sikurse ishte rasti i Strakoshës. Ajo historia e avionit të humbur duket se nuk bindi askënd. Cili është mendimi juaj?

Puna me futbollistët është shumëplanëshe, ajo është edhe e karakterit psikologjik, por edhe në disiplinim. Kur është fjala për disiplinën duhet me patjetër të respektohet. Megjithatë, unë nuk e di të vërtetën dhe rezervohem të flas për këtë çështje, por di këtë tjetrën që kur është fjala për disiplinën të gjithë duhet të këmbëngulim që ajo të jetë maksimale. Rregullat dhe disiplina në një skuadër janë të domosdoshme, kjo është alfa e çdo grupi. Unë dua të shtoj se performanca e dobët dhe rezultatet e dobëta vijnë nga gjendja e dobët e grupit, i cili ishte pa grintë, i pastabilizuar etj. Madje, ndryshe nga ekipi i De Biazit, skuadra e tanishme duket e pamotivuar, lojtarët duken të heshtur dhe të mërzitur. Duhet një frymë e re optimiste brenda grupit.

Tani që Panuçi iku, Shqipërisë i duhet një trajner i huaj apo shqiptar?

Kjo është një temë e rëndësishme në këtë moment dhe pyetja shtrohet me vend. Kjo historia me trajnerë të huaj nuk është vetëm shqiptare. Në tërësi skuadrat kombëtare edhe në vendet e tjera zgjedhin trajnerë të huaj dhe kjo bëhet jo pa qëllim dhe është si një mënyrë për të evituar ndërhyrjet dhe për të sjellë impulse të reja nga një shkollë e caktuar futbolli. Duke marrë një trajner të huaj eviton fenomenin e futjes së hundëve nga vendasit dhe impaktet që mund të lindin. Megjithatë, unë nuk do të isha kundër një trajneri shqiptar për Kombëtaren. Pse të mos e provojmë? Unë vetë jam i këtij mendimi. Pastaj, edhe në lidhje me lojtarët, unë do të dëshiroja më shumë vëmendje për lojtarët shqiptarë. Sigurisht, edhe kosovarët shqiptarë janë, por Kosova ka krijuar ekipin e vet tashmë dhe po investon për të, madje kanë një trend në rritje në lojë e në rezultate. Pra ata po shohin drejtimin e tyre. Pse të mos e shohim edhe ne drejtimin tonë, duke u kushtuar rëndësi lojtarëve që janë nga Shqipëria? Kosova e krijoi Kombëtaren e saj dhe nuk ka brenda lojtarë nga Shqipëria, atëherë pse ne duhet të mos investojmë tek elementët tanë? Kjo nuk është për ndarje, por për të ndërtuar strategji efikase loje dhe rezultati.

Pas kësaj humbjeje, çfarë prisni nga ky sezon kualifikues. A ka shanse Shqipëria të arrijë objektivat e saj në këto eliminatore?

Me këtë humbje gjërat vështirësohen. Megjithatë, ka ende kohë për të rikuperuar pavarësisht vështirësisë së grupit. Natyrisht, djemtë duhet së pari të kalojnë me sukses Andorrën. Për mendimin tim mund të lakmojnë një vend të tretë në grup, ndoshta nuk do të jetë keq, përkundrazi. Me rëndësi për mua është të mos zhytemi keq e më keq ndër vendet e fundit në grup, këtë duhet ta evitojmë patjetër. Sidoqoftë, tani që Panuçit i mbaroi koha dhe u largua, me një trajner tjetër 20% e kapaciteteve të grupit do të rikuperohen dhe skuadra do të vijë duke u përmirësuar. Nuk bëhet më keq se kaq, përkundrazi, mund të jetë një moment i madh reflektimi dhe rikthimi tek loja e qartë dhe rezultatet bindëse.

Desha një mendim nga ju edhe për situatën më të fundit të krijuar në kampionatin kombëtar të futbollit, pra në Superiore. Si korçar duhet t’ju ketë shijuar mjaft fitorja e fundit e Skënderbeut përballë një rivali pretendent për titull si Kukësi. Një fitore e “çuditshme”, kur mendon rezultatet e javëve të fundit. Si e parashikoni garën në këtë fund të edicionit?

Kampionati ynë dihet çfarë niveli ka dhe skuadrat tona në tërësi janë aty-aty, flas për ekipet e kreut. Skënderbeu ka pasur problemet e veta këtë sezon, për shumë arsye që s’është nevoja të ndalemi këtë herë në detaje, pasi i kemi analizuar dhe më parë. Ka mungesë lojtarësh nga edicioni i kaluar, plus që u dëmtua edhe sulmuesi Bregu. Por pak nga pak ia doli të përmirësohet dhe fitorja e fundit me Kukësin nuk është rastësi. Mos harrojmë që Skënderbeu ka disa vite që dominon skenën futbollistike në Shqipëri dhe e ka ende “nuhatjen” apo dhe sharmin e një skuadre të suksesshme.

Megjithatë, titulli këtë vit duket se po ngjyroset me të kuqe dhe po kthehet në kryeqytet...

Partizani është skuadër që ka punuar mirë këtë sezon, ky është një realitet i pamohueshëm. Në këndvështrimin tim, me 80-90% mundësi titullin do ta fitojë Partizani, nisur dhe nga shkëputja që ka krijuar në renditje me ndjekësit. Sidoqoftë, duhet pritur dhe një ndeshje direkte për të parë më mirë si do të shkojnë gjërat. Luhet Kukësi-Partizani dhe një fitore e të kuqve, por edhe barazimi, do të afronte skuadrën e Gegës me titullin, në të kundërt mund të rihapet çështja e trofeut. Do të jetë një duel vendimtar, por unë sidoqoftë shoh Partizanin skuadër favorite për të fituar titullin kampion këtë sezon.

Kampionati shqiptar në nivel, por edhe përfaqësimi me Kombëtaren në aktivitetet e rëndësishme, nuk është se i plotëson shijet dhe pritshmëritë e sportdashësve apo jo?

Kjo është temë e gjerë diskutimi. Natyrisht, futbolli shqiptar nuk mund të krahasohet me nivelin e kampionateve elitare europiane, por kjo nuk na pengon të ëndërrojmë që edhe ne të shkojmë drejt këtij niveli. Me punë dhe investime mund t’ia dalim, shembuj ka plot për këtë. Kuptohet, kur gjërat nuk shkojnë mirë ka rezultate negative dhe humbja e fundit e Kombëtares na mërziti shumë. Atje ku ka humbje ka mërzitje, kurse entuziazëm dhe gëzim sjellin fitoret. Kjo vlen dhe për ne në Korçë, që ishim mësuar me triumfet e Skënderbeut gjatë këtyre viteve. Fundja këto janë emocionet që të dhuron futbolli, prandaj është loja më e bukur në botë.

Intervistoi: Adriatik BALLA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 24/04/2019 - 07:49

Regjisorja Eliona Thomaraj shprehet se te “arTurbina” nuk do të pranojë kurrë të shkojë me një projekt teatri, sepse sipas saj në atë vend nuk mund të çohen aktorët që janë profesionistë.

Postuar: 19/04/2019 - 21:55

Ish-pjesëtari i Forcave Speciale të Ushtrisë Shqiptare, njëherësh juristi i njohur në Londër, Kel

Postuar: 19/04/2019 - 07:24

Piktori Arben Basha shprehet se në gjendjen që është sot në Galerinë Kombëtare të Arteve piktorët

Postuar: 16/04/2019 - 07:28

Mungesa e veprave të mëdha muzikore që duhet të shkruhen nga autorët shqiptarë është një problem

Postuar: 14/04/2019 - 07:51

Shteti duhet të krijojë një fond për krijimtarinë muzikore shqiptare, një kërkesë e bërë prej vit

Postuar: 14/04/2019 - 07:41

Peshëngritja konfirmohet dhe një herë tjetër si sporti më i mirë individual në Shqipëri.

Postuar: 12/04/2019 - 07:25

Piktori Xhevdet Dada shprehet se në GKA është shuar jeta artistike.