Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dhimitraq Xhambazi: Skënderbeu dhe Shqipëria do t’u tregojë serbëve se ç’janë vlerat sportive

Postuar: 01/10/2017 - 07:29

Të enjten në mbrëmje Skënderbeu u përball me dinjitet dhe barazoi me Jang Bojs në kuadër të xhiros së dytë të Ligës së Europës në grupin B, duke marrë vetëm një pikë në një ndeshje ku korçarët realisht meritonin fitoren. Më shumë se rezultati, Skënderbeu bindi në lojë dhe kjo e bën atë të ketë rezultate edhe për vazhdimësinë, pa e humbur shpresën se mund të kalojë turin dhe shanset nuk janë vetëm matematike. Mbi të gjitha Skënderbeu po bën krenarë sportdashësit shqiptarë, si e vetmja skuadër shqiptare që luan në nivele të tilla. Duke folur për ndeshjen, lojën në tërësi dhe elementët tekniko-taktikë në veçanti, por edhe për performancën në kampionat në këto javë të para, ish-futbollisti korçar Dhimitraq Xhambazi, thotë se Skënderbeu tregoi në fushën e lojës se ka staturë europiane dhe përbën një shembull pozitiv e orientues për klubet e tjera në Shqipëri. Xhambazi nuk e sheh suksesin të shkëputur nga përpjekjet që ka bërë klubi për përmirësimin e kushteve prej disa vitesh, madje ai beson se Skënderbeu është një ndër ekipet më të mira të historisë së futbollit shqiptar, të paktën për këto dhjetë vjetët e fundit. Natyrisht, e mira s’ka fund, por Xhambazi mendon se hap pas hapi edhe klubet e tjera mund të ndjekin këtë model për të pasur një garë më cilësore edhe në kampionat. Ai nuk mund t’i shmangej edhe dy ndeshjeve me Partizanin e Beogradit që Skënderbeu do të luajë në javët e ardhshme, duke besuar se Skënderbeu dhe Shqipëria do t’u tregojnë serbëve se ç’janë vlerat sportive dhe ato të mikpritjes, krejt të ndryshme me ato ngjarje që ndodhën në stadiumin e Partizanit të Beogradit 3 vjet më parë.

-Skënderbeu barazoi me Jang Bojs në një ndeshje ku, falë lojës së mirë dhe asaj që dha në fushë, mund të kishte fituar. Përtej rezultatit, duke qenë specialist me eksperiencë dhe ish-futbollist, cila ishte sipas jush risia e kësaj ndeshjeje dhe a ka mundësi ky Skënderbe të shkojë më tej? Dhe, lidhur me cilësinë e këtij grupi, a është ky Skënderbeu ekipi më i mirë shqiptar i të gjitha kohërave?

-Së pari duhet ta nisim nga loja e Skënderbeut, që për mendimin tim tregoi vlerat që ka ky ekip në të gjitha drejtimet. Skënderbeu ka lojtarë shumë cilësorë, si Soue, Lilaj, Vangjeli e të gjithë të tjerët. Pra mbi të gjitha nga kualitetet ky ekip është i denjë dhe prezantohet në nivel të lartë edhe në Europë. Këtë nivel të lartë e tregon fakti se Skënderbeu luan si i barabartë me ekipe të tilla si Jang Bojs që udhëheq ligën e parë zvicerane, apo dhe Dinamo e Kievit, të cilët janë ekipe të njohura e me shumë cilësi. Pra, me këto skuadra cilësore, Skënderbeu po luan si i barabartë dhe po tenton të marrë edhe rezultate pozitive e maksimale.

-Ishte shumë pranë fitores, por një pasiguri në rreshtim dhe një dobësi e momentit bëri që zviceranët të barazojnë e Skënderbeu të kënaqej me një pikë.

-Janë momentet e lojës. Në një ndeshje ka komente shumë të mira, por ka dhe momente të vështira. Kjo ndodh sepse e tillë është loja, dinamika e saj dhe natyra e saj. Momentet janë në varësi të rasteve, skemave, gjendjes shpirtërore etj. Por në përgjithësi loja e Skënderbeut ishte cilësore dhe mund të them më e mirë se sa e kundërshtarit.

-Është dhe elementi tekniko-taktik, të cilin Skënderbeu e disponon për hir të së vërtetës. Si u paraqit ky element në këtë ndeshje në krahasim me kundërshtarin, pra Jang Bojs?

-Para ndeshjes nuk mund ta përkufizosh, sepse mendon se kundërshtari ka një emër dhe vjen si favorit, por tani që ndeshja ka përfunduar unë konstatova se Skënderbeu ishte po aq lart, madje në aspektin tekniko-taktik qëndron më lart edhe se kundërshtari. Kjo ndodh ngaqë Skënderbeu ka cilësi në grup, vrapon shumë, pason saktë dhe shpejt. Që të përballosh këto skuadra duhet të kesh cilësi dhe Skënderbeu tregon se po konkurron si i barabartë. Kjo vjen dhe nga dëshira e grupit për të marrë maksimumin, angazhimi maksimal dhe njëherësh saktësia në veprime. Kur ka dëshirë, ka dhe rezultate. Të gjitha këto koordinohen me cilësinë e lojtarëve dhe Skënderbeu i pati këto prandaj luajti më mirë edhe se kundërshtari zviceran.

-Cila është, sipas jush, pritshmëria e kësaj skuadre? A mund ta kalojë Skënderbeu grupin?

-Ne duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, pra Skënderbeu nuk duhet të tregohet euforik. Kjo lojë që po bën jep rezultate. Unë nuk di të them nëse do të kualifikohemi, por, nëse Dinamo e Kievit e ktheu Partizanin brenda në Beograd nga 2-0 në 2-3, atëherë pse të mos fitojë edhe Skënderbeu? Llogaritë bëhen ndeshje pas ndeshjeje. Nëse Skënderbeu do ta fitonte ndeshjen me Jang Bojs, tani do të flisnim ndryshe dhe me siguri që do të ishim pretendent për të kaluar turin. Por ka ende ndeshje dhe shpresa nuk duhet humbur. Duke u nisur nga loja dhe kualiteti i grupit, mendoj se mundësitë janë për më shumë se sa pozita aktuale.

-Meqë po flasim për Skënderbeun në Europë, nuk duhet lënë mënjanë edhe fakti se do të kemi dy ndeshje me serbët. Sigurisht sporti është jashtë politikës, por koha ka treguar, sikurse me ngjarjet e vitit 2014, që në duele të tilla është e vështirë të shmangesh nga ndikimi politik dhe rivaliteti mes fqinjësh. Si e parashikoni duelin me Partizanin e Beogradit?

-Ndeshjen e parë e luajmë në Elbasan dhe kjo është një mundësi që ne t’u tregojmë serbëve se dimë të organizojmë ndeshje model, se dimë të sillemi si të qytetëruar, se dimë se çfarë vlerash përfaqëson dhe përçon sporti, se dimë ç’është mikpritja dhe respektimi i kundërshtarit, me pak fjalë Skënderbeu dhe Shqipëria në këtë ndeshje duhet të tregojnë “fair-play” në fushë e jashtë saj, për t’u dhënë serbëve një “leksion” vlerash sportive dhe jo vetëm, gjë që ata nuk na e dhanë në tetorin e vitit 2014. Ne duhet t’u tregojmë se nuk jemi vend sherresh dhe tifozësh huliganë etj. Mendoj se ekzistojnë mundësitë që ne të marrim rezultatet e duhura përballë Partizanit të Beogradit dhe mund ta bëjmë këtë edhe në ndeshjen e kthimit në Beograd. Lojtarët do të jenë të motivuar, ekipi është në gjendje të mirë dhe në shumë aspekte të lojës ky Skënderbe është i nivelit europian.

-Shtruam një pyetje në fillim, të cilës duhet t’i japim një përgjigje. A është Skënderbeu i tanishëm ekipi më i mirë shqiptar i të gjitha kohërave? Dakord, krahasimi nuk vlen për periudha të gjata kohe, por ju e dini, futbolli në fundvitet 80-të të shekullit të kaluar është konsideruar si më i arriri tek ne dhe përveç ekipeve të kryeqytetit, që ishin vazhdimisht dominuese, në skenë doli dhe Flamurtari i atyre viteve që u ndesh me Partizanin e Beogradit e madje me Barcelonën. Ishte diçka e madhe për atë kohë. Cili është mendimi juaj?

-Ne nuk mund t’i mohojmë vlerat e skuadrave të ndryshme në kohë të ndryshme. Partizani, Tirana, Dinamo e Flamurtari kanë qenë dominues në një kohë tjetër, në rrethana të tjera. A është ky Skënderbe më i miri? Mendimi mund të jetë i ndarë, por unë jam i sigurt se për dhjetë vjetët e fundit Skënderbeu është ekipi më i mirë shqiptar. Absolutisht! Dhe nuk e ka treguar në një ndeshje, por në dhjetëra ndeshje në fazën kualifikuese të Europa League apo Champions League dhe sidomos në fazën e grupeve të Ligës së Europës. Nga ana tjetër, nuk mund të mos përmendim faktin se për kushtet që janë krijuar, futbolli tani është një nivel më i lartë. Në kampionat vijnë lojtarë të huaj cilësorë që rrisin pretendimet e ekipeve dhe rrisin cilësinë. Unë nuk mund t’i mohoj vlerat e ekipeve të asaj kohe, janë piketa padyshim, por futbolli nuk bëhet me një gol të bukur, e me një ndeshje të madhe. Futbolli kërkon vazhdimësi dhe niveli i tanishëm është më i lartë.

-Ka pak javë që ka nisur kampionati. Ka shumë ekipe që kanë rritur pretendimet, por edhe pse janë luajtur vetëm disa javë, Skënderbeu, Kukësi dhe Partizani shihen pretendentë sërish. Si i sheh këto raporte rivaliteti të krijuara në sezonin e ri?

-Unë nuk i mohoj vlerat e Partizanit dhe Kukësit si rivalë për titull, por, duke parë edhe kushtet që ka klubi i Skënderbeut, organizimi i tij dhe lojërat që po zhvillon në Europë, mendoj se Skënderbeu do të jetë pretendenti kryesor dhe gjykoj se do të dalë kampion. Sa i takon Partizanit unë shoh një ekip të rëndë, i cili nuk luan mirë teknikisht. Partizani mbështetet në lojën fizike, por i mungon pasimi i saktë dhe i shpejtë që ka Skënderbeu. Edhe Kukësi bën një lojë më teknike se Partizani dhe e shoh një rival më të fortë për Skënderbeun. Partizani ka të metë dhe faktin se i mungon një sulmues si Ekuban, ndërsa tani ka mangësi në këtë repart, e tregojnë edhe shifrat. Një ekip e mban sulmi dhe Partizani nuk e ka këtë.

-Megjithatë, është herët për të folur për titullin apo jo?

-Po, sigurisht, është herët akoma. Kampionati ndryshon gjatë javëve, në varësi të kundërshtarëve, gjendjes fizike, prurjeve në merkaton e dimrit etj. Për më tepër që edhe formula e garës ofron ndeshje të shumta direkte dhe deri në fund nuk i dihet. Por, siç thashë, Skënderbeun e shoh kandidaturë kryesore për titull.

-Cili është mendimi juaj për garën e Superiores në tërësi, për nivelin e saj?

-Në këto 7-8 vitet e fundit, për shkak dhe të përmirësimit të kushteve në disa klube, rikonstruksionit të disa impianteve, një organizim më cilësor të klubeve etj, shohim një cilësi të rritur të garës dhe ndryshimet kanë qenë cilësore e në drejtim pozitiv. Siç thotë populli e mira s’ka fund, por një ndryshim për mirë ka ndodhur. A ka probleme? Siç janë për shembull arbitrat..., sigurisht që ka dhe do të ketë, por përmirësimi cilësor i lojës është evident.

-Epo arbitrimi është element i rëndësishëm se marrim shembull fundin e sezonit të shkuar, ku Jorgji e teproi me vendimet e tij...

-Unë uroj që edhe arbitrimi t’i përgjigjet cilësisë së garës dhe investimeve që janë bërë në futbollin tonë.

-Desha një mendim tuajin dhe për Kombëtaren, meqë jemi në prag të dy ndeshjeve me kundërshtarë mjaft të fortë si Spanja dhe Italia. Si e sheh gjendjen e ekipit dhe zgjedhjet që ka bërë Panuçi?

-Kombëtarja është krenaria jonë sportive. Mos harrojmë një vit më parë luajtëm në Kampionatin Europian dhe jemi të kënaqur nga performanca e skuadrës. Një ekip me personalitet, që luante mirë dhe me cilësi. Bëri një progres cilësor në rang ndërkombëtar dhe puna e De Biazit ka qenë mjaft e mirë. Shpresojmë që edhe me Panuçin të kemi suksese. Sigurisht që ai ekipin do ta ndërtojë për eliminatoret e ardhshme dhe unë vetëm dua t’i uroj sukses. Nga ana tjetër, dua t’u uroj sukses edhe skuadrave në kampionat dhe lojtarëve që të kenë një sezon me objektiva të realizuara.

-Jeni pyetur shpesh për lojtarë të preferuar, nga Kombëtarja dhe nga kampionati, por i shmangeni. Ndoshta një trajner e ka të vështirë të dallojë brenda ekipit...

Është dhe kjo padyshim, sepse ekipet funksionojnë si grup dhe duhen trajtuar të gjithë njëlloj. Por unë nuk mund të lë pa përmendur dy portierët Berishën e Strakoshën, që luajnë në nivel të lartë dhe janë pikë e fortë e Kombëtares, sikurse dhe Hysajn me aq potencial dhe Sadikun energjik. Do dëshiroja shumë që edhe Sabien Lilaj të ishte në Kombëtare. Në 26 emra në listë mendoj se edhe ai e meritonte një ftesë, për atë lojë të bukur e nivel të lartë që po shfaq tek Skënderbeu. Por kjo është kompetencë e trajnerit dhe tekniku i Kombëtares ka bërë zgjedhjet e tij.

Intervistoi: Adriatik BALLA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 11

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/10/2017 - 08:53

Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, në një intervistë për gazetën “Sot”, ka folur rreth Reformës Zgjedhore.

Postuar: 15/10/2017 - 08:52

Juristi Sokol Hazizaj në një intervistë për gazetën “Sot”, u shpreh se gjykatat dhe prokuroritë po zvarrisin çështjet për shkak të vetingut.

Postuar: 15/10/2017 - 07:58

Festivali “Butrinti 2000” edicionin e tij të 15 e zhvilloi në teatrin antik të Butrintit.

Postuar: 15/10/2017 - 07:47

Kampionati shqiptar ka një plejadë të mirë trajnerësh që kanë dhënë prova se janë të aftë ta drejtojnë futbollin tonë në drejtimin e duhur dhe t’i përballin klubet tona me

Postuar: 10/10/2017 - 08:55

Kreu i LZHK Dashamir Shehi në një intervistë për gazetën “Sot” u shpreh se Berisha është po aq përgjegjës sa Basha për situatën në PD.

Postuar: 10/10/2017 - 07:49

Teatri shqiptar është lënë pa vëmendje, jo vetëm Ministria e Kulturës, por dhe bashkitë nuk kanë treguar interesin që duhet.

Postuar: 08/10/2017 - 07:21

Peshëngritja është sport elitar në Shqipëri.