Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dhimtraq Xhambazi: Të ndryshojë organizimi në futbollin e moshave, t’u japim fund rezultateve 3:0 në tavolinë

Postuar: 01/07/2018 - 07:26

Futbolli shqiptar ka arritjet dhe mangësitë e tij. Ai përpiqet të përshtatet me zhvillimet moderne dhe fakti është se me Skënderbeun, kampionati ynë është përfaqësuar me dinjitet në Europa League, pasi skuadra korçare dy herë arriti të jetë pjesë e fazës së grupeve. Megjithatë, ende dhe sot kampionati ynë ka mangësi që nuk e lejojnë të ngrihet në nivel europian, për shkak të mungesës së infrastrukturës, problemeve të tjera që lidhen me organizimin dhe natyrisht me mungesën e financave. Skënderbeu ka bërë dallim gjatë këtyre viteve sepse ka investuar. Kështu mendon dhe një prej figurave të njohura të futbollit korçar, Dhimitraq Xhambazi, i cili kujton se në këta vitet e fundit ishte pikërisht Skënderbeu shembull i mirë frymëzimi për të rinjtë, por edhe i lojës së bukur. Madje Xhambazi ka ende shpresë te CAS që mund të jepet një vendim në favor të Skënderbeut, teksa shton domosdoshmërinë e vëmendjes së shtuar ndaj ekipeve zinxhirë të klubeve, që të rritet interesi dhe të bëhen aktivitete serioze. Për Xhambazin, Kupa e Botës që po zhvillohet në Rusi ka plot risi që mund t’i shërbejnë në të ardhmen futbollit tonë.

Kupa e Botës mbylli fazën e grupeve dhe tani po luhen ndeshjet me eliminim direkt. Ka plot surpriza dhe momente që ia vlen të diskutohen. Dikur ishte Brazili i padiskutueshëm si favorit, por ky Botëror konfirmoi se nuk ka ekipe të vogla. Po ju, si po e përjetoni këtë Botëror?

Kam 50 vjet që jam tifoz i Gjermanisë, por ekipi për të cilin bëja tifozllëk u eliminua. Duhet thënë se në të shkuarën, Brazili, Italia, Holanda dhe Gjermania ishin dominueset e padiskutueshme të Botërorëve. Fakti që në Shqipëri ka shumë tifozë me Brazilin tregon se janë formësuar që në atë periudhë. Për të përshkruar Brazilin si skuadër po ju jap një thënie të një tekniku gjerman që ka qenë herët këtu në Shqipëri. Ai tha: “topi i futbollit në këmbët e futbollistëve brazilianë është më i sigurt se paratë në bankat e Zvicrës”. Megjithatë, sot në Botëror ka skuadra që funksionojnë si grup dhe pavarësisht kualitetit të lartë që mund të kenë ekipet e mëdha, edhe skuadrat që në letër quhen të vogla mund të kenë sukses për shkak të lojës së fortë në grup, disiplinimit taktik etj. Brazili është ekip i madh, por kundërshtarët po i bëjnë presing dhe një formë e tillë presingu nuk të lejon të shpalosësh në maksimum cilësitë sportive.

Gjermania e la herët Botërorin. A ishte ajo dështimi më i madh i këtij Botërori?

Skuadra e Gjermanisë nuk u paraqit mirë që në fillim. Grupi nuk kishte aspak freski, organizimi linte për të dëshiruar dhe për mendimin tim Gjermanisë i mungoi një sulmues i mirë në këtë Botëror. Gjermania nuk u shfaq si skuadër dhe ishte e tulatur, prandaj dhe eliminimi është i pashmangshëm. Megjithatë, unë dua të shtoj këtu se nuk pati as fat, sikurse pati me Suedinë, pasi në ndeshjen e fundit me Korenë do të mjaftonte një gol të ndryshonte rrjedhën e takimit. Dalim te konstatimi i parë që nuk ka ekipe të vogla. Kjo filloi që me moskualifikimin e Italisë në Botëror. Ka skuadra në dukje të vogla që janë të etura për të bërë gjëra të mëdha. Natyrisht, ekipet e mëdha lëshojnë disi, pasi bëjnë lojë të hapur e të japin mundësi të shprehesh. Nga ana tjetër, vërtet skuadrat afrikane dhe ato aziatike janë në letër më të dobëta, por edhe këto skuadra bëjnë lojë të mirë pasi lojtarët e tyre luajnë në kampionate cilësore në Europë. Kjo tregojnë se shtetet, të gjitha, investojnë në futboll dhe kanë cilësi.

Kë shihni favorite për të fituar Kupën e Botës?

Është pak herët, pasi duhen parë tetë më të mirat, pra duhet të mbyllet dhe kjo fazë. Dëshira me është që ta fitojë Botërorin një skuadër europiane. Jam kurioz të di si do të shprehen në fushë tani e tutje skuadra si Belgjika, Anglia dhe Kroacia. Sidomos kroatët kanë shfaqur që në fillim cilësi të lartë dhe po tregojnë se janë skuadër e frikshme. Këto ekipe janë shumë të etura për të fituar dhe mund të dhurojnë surpriza.

Një element i spikatur i këtij Botërori është VAR. Cili është mendimi juaj për aplikimin e teknologjisë?

Unë nuk jam oportunist, por drejtësia në futboll duhet të dominojë. VAR i ka zgjidhur mirë dilemat dhe ka dhënë drejtësi kur është ftuar të japë vlerësimin e tij. Por duhet të shohim dhe anën tjetër të medaljes, pasi përdorimi i teknologjisë zbeh emocionin, vonon lojën dhe humbet ngarkesat emocionuese të aksioneve. Mbi 90% të vendimeve të VAR kanë qenë të drejta dhe ia ka vlejtur përdorimi i teknologjisë. Megjithatë, mund të përmirësohet situata në të ardhmen duke shkurtuar kohën e interpretimit, pasi humbet kohë e vlefshme aktive për skuadrat dhe zbeh emocionin.

Çdo Botëror ka risitë dhe emocionet e tij. Edhe ky Botëror ka surpriza. Cilat janë sipas jush këto risi?

Ka plot surpriza, sigurisht. Për mendimin tim Botërori është i bukur në tërësi. Ka skuadra të quajtura të vogla që rriten, me kualitete të spikatur dhe natyrisht risi pozitive. Mendoj se ndeshjet e ardhshme e deri në fund do të pasurohen më tej. Sepse edhe skuadrat që kalojnë janë më të fortat dhe bukuria apo rivaliteti i ndeshjeve nuk vihet në diskutim.

Të flasim pak për Skënderbeun. Ende nuk është dhënë vendimi i CAS-it, por skuadrës kanë nisur t’i ikin elementët. Çfarë po ndodh me Skënderbeun?

Deri tani, kjo periudhë s’ka lëvizje dhe kjo është jo e mirë. Kemi të bëjmë me një gjendje që duhet të ndryshojë dhe duhen marrë masa që skuadra të jetë sërish kompetitive. Brenda 10 korrikut ekipi duhet formatuar dhe të marrë udhë edicioni i ri, sepse nevojitet koha e përgatitjes. Nuk e kemi grupin e vjetshëm, disa lojtarë janë larguar tashmë, kështu që nevojitet marrja e masave të shpejta. Të shpresojmë se do të bëhet më e mira dhe unë besoj se drejtuesit do ta zgjidhin situatën në favor dhe në të mirë të ekipit. Nuk e dimë cili do të jetë vendimi i CAS, por gjendja nuk duhet lënë kështu. Nga ana tjetër, kjo gjendje në fakt është tipike shqiptare, këtu dihet si funksionojnë klubet dhe organizimi është i tillë.

Nëse CAS jep vendim negativ, domethënë nëse lë në fuqi ndëshkimin e UEFA-s, atëherë rrezikon që Skënderbeu të humbasë atë që kishte më parë dhe mund edhe të bjerë nga kategoria...

Nuk mendoj se do të shkojë puna deri aty. Ky variant as na shkon në mendje, përkundrazi, do të vijnë lojtarë dhe skuadra do të formatohet. Skënderbeu ka eksperiencë dhe do të dijë ta menaxhojë situatën si duhet. Unë besoj se kjo skuadër do të jetë në gjendje vazhdimisht të qëndrojë në katër vendet e para. Me sa di, edhe presidenca është shfaqur e gatshme dhe nuk do ta braktisë Skënderbeun.

Sezoni që lamë pas na mësoi diçka që përflitej dhe më parë: klubet që drejtohen nga bashkitë janë të destinuara të dështojnë. Nuk është vetëm Vllaznia shembulli më i qartë, por edhe klube të tjera. A besoni se kjo është “taksative” në futbollin tonë?

Fakti është që klubet që drejtohen nga presidentët janë më të suksesshëm se sa klubet që drejtohen e varen nga bashkitë. Klubet e bashkive kanë probleme në shumë aspekte dhe nuk japin maksimumin e tyre. Gjysma e buxhetit të tyre nuk shkon për lojtarët dhe ekipin, por për burokracira. Këtu dalim në një aspekt tjetër, që është ai i futbollit të fëmijëve, ku kërkohet ndërhyrje dhe investim afatgjatë. Ju po e shikoni se si lojtarë shqiptarë që luajnë në këtë Botëror po spikasin me kualitetin e tyre. Januzaj është një shembull i qartë i këtij investimi nga vendet atje ku kanë lindur e janë formuar si futbollistë. Pse të mos prodhojmë dhe ne lojtarë të tillë?

Atëherë pse nuk kemi, pse nuk prodhon kampionati ynë?

Sepse kërkohet investim i fuqishëm për moshat. Ky investim nuk duhet bërë vetëm nga klubet, por edhe në forma të tjera nga federata, me stimuj, aktivitete të shtrira e të shumëllojshme dhe me seriozitet në të gjitha aktivitetet. Të përmirësohet organizimi i aktiviteteve të moshave, të përdoren ato formula apo strukturime që i japin dimension pozitiv aktiviteteve. Të mos ndahen veprimtaritë sportive por të ketë kampionate që tërheqin vëmendjen, që i motivojnë të rinjtë. Që të ndodhë kjo duhet që ndeshjet të marrin vëmendje maksimale. Në kuadër të kampionatit të moshave ka ndeshje që nuk luhen, pasi klubet nuk kanë aftësi financiare të çojnë ekipin të luajë në një qytet tjetër dhe duke munguar në ndeshje humbasin 3-0 në tavolinë. Ndodh me shumë skuadra të ndryshme rrethesh ky fenomen dhe kjo është e dëmshme. Bashkitë dhe klubet duhet të investojnë në infrastrukturë, por edhe në këtë aspekt, pasi të rinjve u duhet dhënë mundësia të luajnë. Dakord, thonë që s’ka buxhet, po atëherë çfarë vlere ka që merr pjesë në garë? Dua të them që duhet gjetur një zgjidhje për këtë. Nëse ne flasim për Superioren që ta kemi me 10 apo 12 skuadra, atëherë pse të mos diskutojmë dhe për formulën në kampionatin e moshave? Ka ardhur momenti të shihet fort cilësia dhe jo vetëm pjesëmarrja. Kjo gjë kërkon dhënie stimujsh dhe unë besoj fort se federata është e gatshme të japë stimuj për cilësinë. Nëse nuk kthejmë sytë nga të rinjtë e paratërinjtë nuk do të kemi kampionat cilësor dhe talente. Sepse me fëmijët nis seleksionimi dhe atje gjenden vlerat.

Ju keni folur dhe më parë për Kombëtaren dhe ndryshimet që kanë ndodhur. Dihet që skemat e Panuçit nuk funksionuan në miqësoret e fundit. A besoni se në ndeshjet zyrtare të Ligës së Kombeve Shqipëria e Panuçit do të jetë ndryshe, domethënë më efikase?

Me De Biazin ne arritëm nivel shumë të lartë dhe morëm pjesë në Europian. Dhe tani krahasimin e bëjmë me këtë nivel. Në fakt, Panuçi ka strategjinë e tij, ai ka provuar shumë të rinj gjatë këtyre muajve dhe ka idetë e tij rreth skuadrës. Unë besoj se ai ngjan me De Biazin, qoftë dhe nga fakti se janë nga e njëjta shkollë futbollistike (italiane). Besoj se ai do të ndryshojë gjërat pozitivisht në ndeshjet zyrtare dhe prirem të besoj se do të ketë sukses.

Lojtarët e mirë po na ikin nga kampionati,s i Guri, Abazaj e ndonjë tjetër. Si ndikon kjo, mirë apo keq?

Këta që po largohen janë prodhim i vendit tonë. Ka plot elementë të mirë që kanë ditur të bëjnë diferencë dhe meritonin të luanin jashtë, në një kampionat më cilësor. Kjo është gjë pozitive, pasi ata rriten në karrierën e tyre. E keqja është se na largohen elementët e mirë dhe kampionatit i bie cilësia, por ne duhet ta shohim pozitivisht dhe për faktin se atje ku shkojnë paguhen më mirë dhe shërbejnë si shembull për të rinjtë e tjerë këtu, që do të rrisin motivimin dhe pretendimet e tyre. Që të kesh futboll cilësor duhet investim i madh. UEFA shtoi së fundmi 3 miliard euro për të rritur cilësinë dhe pjesëmarrjen në rang europian. Po dëgjojmë që në Rusi një stadium ka kushtuar 400 mln euro, ndërsa ne duam stadium kombëtar me vetëm 50 mln euro. E thënë shkurt: pa para nuk bëhen gjërat e mëdha.

Intervistoi: Adriatik BALLA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 19

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/09/2018 - 10:00

Zëvendësministrja e Jashtme, Artemis Malo (Dralo) ka sqaruar për gazetën “SOT” ecurinë mbi ligjin për minoritetet në vendin tonë, duke qenë se është përgjegjëse për këtë sektor.

Postuar: 18/09/2018 - 22:57

Kryetarja e PS Leskovik, Dallëndyshe Kravari ka treguar për gazetën “SOT” detaje nga

Postuar: 13/09/2018 - 08:05

 Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, ka komentuar dje zhvillimet më t

Postuar: 12/09/2018 - 10:30

Ditën e sotme mbushen plot 20 vjet nga vrasja e ish-demokratit, Azem Hajdari.

Postuar: 12/09/2018 - 10:20

Vrasja e ish-deputetit Azem Hajdari vijon të jetë në qendër të vëmendjes në Shqipëri dhe jovetëm.

Postuar: 09/09/2018 - 07:52

Shqipëria fitoi ndeshjen e parë në grup me Izraelin në kuadër të Ligës së Kombeve me rezultatin 1

Postuar: 09/09/2018 - 07:46

Sezoni artistik ka nisur me projekte në fushën e teatrit për aktorin dhe regjisorin Bruno Shllaku