Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dritan Bardhi: Volejbollit i ka mbetur vetëm pasioni, talentet po e braktisin Shqipërinë

Postuar: 04/11/2018 - 07:31

Volejbolli shqiptar ka një të shkuar të lavdishme, dëshmuar me arritjet e mëdha të ekipeve kombëtare në aktivitetet ndërkombëtare, por edhe në rang klubesh, ku vlen të përmendet Dinamo e famshme, e cila shkroi një faqe të ndritur në historinë e sportit shqiptar. Kuptohet, këto arritje i përkasin tashmë arkivave dhe historisë së këtij sporti, ndërsa e sotmja paraqet mjaft rreziqe, ku ka rënie të ndjeshme të pjesëmarrjes, cilësi që lë për të dëshiruar, mangësi në bazën materiale, mangësi në infrastrukturë dhe një punë e dobët organizative sidomos me brezin e ri. Këto fenomene nuk janë karakteristikë vetëm për volejbollin, sepse të gjitha disiplinat sportive, qofshin ato kolektive, apo dhe individuale, vuajnë nga të njëjtat “simptoma”. Sezoni i ri në volejboll ka nisur dhe tek meshkujt Erzeni duket në pozita më të forta dhe një pretendent, por sezoni është i gjatë dhe nuk përjashtohet të ketë surpriza. I këtij mendimi është dhe trajneri i Farka Volej, Dritan Bardhi, i cili, në intervistën e dhënë për gazetën “SOT”, bëri një analizë të situatës në kampionat, pozicionimin e forcave etj

Ju keni qenë një zë kritik në media në lidhje me mungesën e një pike në rregulloret e federatës mbi njohjen e klubit të origjinës për lojtarët që lëvizin në merkato. Ka pasur një reagim të presidentit të federatës për këtë problem, por në terren situata është ndryshe. Pse këmbëngulni në ndryshimin e rregulloreve dhe a mund ta ezauroni propozimin tuaj?

Është e vërtetë që unë kam folur për këtë çështje, kam ngritur zërin në media dhe kam kërkuar vendosjen e një rregulli që njeh të drejtën e klubit të origjinës për lojtarët që lëvizin në merkato. Dikujt mund t’i duket si gjëja e fundit që duhet rregulluar, por edhe kjo çështje përbën sot një ngërç në volejboll, një padrejtësi do ta quaja unë, e cila duhet të marrë një zgjidhje. Në fakt, më parë ky rregull ka ekzistuar dhe deri në vitin 2008 kur unë kam qenë volejbollist aktiv, njihej origjina e lojtarit, pra klubi mëmë. Largime të lojtarëve kanë ndodhur dhe më përpara, por kishte një klauzolë ku klubi i origjinës paguhej 2 milionë lekë të vjetra dhe në dokumente ishte e detyruar të shkruhej klubi i origjinës. Ndryshimi në rregullore u bë në vitin 2009, për interesa të caktuara të një grupi të caktuar, që nuk është nevoja të përmenden këtu. Unë gjykoj se ka lindur si domosdoshmëri rikthimi në rregullore i këtij neni, në mënyrë që lojtarët të mos largohen nga klubet që i formësojnë pa u marrë një përqindje të transferimit, si shpërblim për punën që është bërë në përgatitjen e tij.

Ky mund të jetë një shqetësim personal, apo i një klubi të caktuar. Të ndërhysh në rregullore kërkohet diskutim dhe miratim në asamble. A mendoni se i jep shtysë zhvillimit të volejbollit një lëvizje e tillë?

Të kuptohemi, ky nuk është vetëm shqetësim imi, por i të gjitha klubeve. Për lojtarët e huaj paguajnë trefish, pse të mos paguajnë dhe për transferimet e lojtarëve vendas? Askush nuk po e merr për bazë që të prodhosh një lojtar cilësor, që ta përgatisësh atë, duke shpenzuar në bazë materiale, në stërvitje, në transport etj, kërkohen miliona lekë dhe në fund, vjen dikush tjetër dhe ta merr pa paguar asgjë. Po ku është parë kjo? A është e drejtë kjo? Prandaj insistojmë që të njihet me rregullore klubi i origjinës, në mënyrë që taksa që rrjedh nga rregullorja të shkojë për të mirën e klubit që ka investuar për të nxjerrë një lojtar cilësor.

A keni ju lojtarë të rinj që premtojnë për të ardhmen dhe a mund të përfitoni nëse sanksionohet në rregullore njohja e klubit të origjinës?

Farkës i kanë ikur tre lojtarë dhe, më besoni, ne nuk fituam asgjë. Prej tyre federata mori 1500 euro për secilin, kurse ne si klub e unë si trajner nuk përfituam asgjë, asnjë qindarkë. Tani, më thoni mua, a është e drejtë kjo? Si ka mundësi të përfitojë federata dhe të mos përfitojë klubi që ka shpenzuar për rritjen e tyre kualitative?

Duhet marrë shembull futbolli, që e njeh të drejtën e klubit të origjinës dhe 2% të transferimit shkon gjithmonë për klubin e parë të lojtarit. Ndoshta dhe ju si komunitet i volejbollit mund të propozoni një përqindje që të kënaqë palët. Është e mundur kjo?

Në futboll flitet për shifra të frikshme, ne nuk afrohemi në atë nivel, por po flasim për një faturë që i jep moralin klubit dhe trajnerit të punojë me elementin e ri. Duhet një motivim, në të kundërt humbet dhe pasioni, i vetmi deri tani që na mban gjallë në këtë sport. Më përpara për lëvizjen e një lojtari klubi i origjinës përfitonte një shumë 2 milionë lekë. Por ky rregull ekzistonte afro 20 vjet më parë. Tani gjërat kanë ndryshuar dhe një lëvizje duhet të ishte të paktën 3-4 milionë lekë të vjetër, si një masë financiare për të motivuar klubin që e ka prodhuar lojtarin. Të hiqet ky rregulli i tanishëm që lojtari është i lirë. Si mund të jetë i lirë, kur për të është derdhur djersë, është shpenzuar kohë dhe para? Kjo faturë duhet të jetë e domosdoshme, sepse vjen si motivim për stafet teknike dhe klubet në tërësi. Nëse nuk bëhet, atëherë me të drejtë shtrohet pyetja: Po ne pse po punojmë, kujt po i duhet puna jonë? Kur lojtari bëhet 18 vjeç vjen një klub tjetër e ta merr, po ku shkoi puna katërvjeçare që ti ke bërë me këtë sportist? Ka probleme shumë dhe duhet të ndërhyjë shteti, por edhe ky është një shqetësim të cilin mund ta zgjidhë fare mirë federata.

Ju e njihni terrenin dhe vështirësitë. Sa i duhet të shpenzojë një klubi për të përgatitur një volejbollist?

Minimalisht 1 milion lekë të vjetër në vit, më e pakta. Në këtë shifër përfshihet uniforma, transporti, baza materiale, përgatitjet që kërkojnë shpenzime ekstra etj, deri tek faturat e dritave dhe të ujit. Një klub sakrifikon për të rritur cilësisht një sportist nga mosha fare e njomë deri në volejbollist profesionist dhe vjen tjetri ta merr për asgjë. Atëherë të rroftë mundi që ke derdhur, sepse asgjë nuk ia ka vlejtur.

Të flasim pak për ekipin tuaj dhe kampionatin. Si paraqitet gjendja?

Farka lufton më fort me të rinjtë në Superiore. Objektivat tona si skuadër në kampionatin elitar të volejbollit janë për të fituar eksperiencë dhe na gëzon pjesëmarrja sepse kështu ballafaqojmë forcën tonë me atë të kundërshtarëve. Por siç thashë vëmendja është tek të rinjtë.

Kë shihni pretendent për titullin?

Ka disa skuadra që lakmojnë titullin, por unë dua të veçoj në këtë moment për performancën Erzenin, një skuadër padyshim favorite, por pretendentë mund të konsiderohen edhe Vllaznia, Tirana, Partizani dhe Skënderbeu.

Shpesh volejbolli i meshkujve është lidhur vitet e fundit me trajnerin Ylli Tomori, sidomos me sukseset që arriti me Studentin. Për këtë arsye u besua që edhe Partizani mund të përsërisë të njëjtën histori...

Gjërat evoluojnë dhe në sport, e aq më tepër në volejboll. Edhe Partizanit i kanë ikur shumë lojtarë. Në kushtet ku operon volejbolli ynë paqëndrueshmëria është e shprehur. Gjithsesi, stafet teknike po punojnë me elementin, ka përpjekje, ka pasion dhe dëshirë për të fituar dhe kjo e mban gjallë volejbollin në Shqipëri.

Ju përmendët Erzenin si një skuadër favorite, por koha ka treguar se kampionati ka surpriza. A mund të ndodhin surpriza edhe këtë edicion?

Po, e vërtetë, kampionati ka dhuruar surpriza në pjesën e dytë të tij. Siç thashë, nuk është vetëm Erzeni, pasi edhe skuadrat e tjera kanë potencialin e duhur për të rivalizuar. Jemi ende në fillim të garës, gjërat edhe mund të ndryshojnë me kalimin e javëve.

Cili është mendimi juaj për nivelin e volejbollit të meshkujve në Shqipëri. Nëse do të mundeshit të vinit një notë për cilësinë, çfarë note do t’i jepnit?

Që të ndodhë kjo duhet bërë një krahasim, por volejbolli ynë është shumë larg të krahasohet me volejbollin europian. Jemi ende larg asaj që dëshirojmë por i kemi mundësitë të arrijmë nëse investohet në këtë sport.

Kur flasim për nivelin nuk duhet domosdoshmërisht të krahasohemi me Italinë apo SHBA-në, sepse ne jemi një vend i vogël. Këtu është fjala për ta krahasuar volejbollin shqiptar me atë rajonal, pra ballkanik.

Ne as i afrohemi nivelit të volejbollit në Itali dhe SHBA, ata janë “planet tjetër”, por në rang ballkanik jemi mirë. Edhe në aktivitetet rajonale kur jemi përplasur kemi bërë paraqitje të mira. Por volejbolli ynë ka nevojë imediate të ndërhyhet në aspekte të tjera, të investohet, të ketë infrastrukturë të zhvilluar. Kemi shumë pak palestra për volejbollin dhe kjo është shqetësuese. Niveli i volejbollit tonë për hir të së vërtetës lë për të dëshiruar.

Prezenca e lojtarëve të huaj i bën mirë apo keq kampionatit tonë? Kjo pasi rritja e numrit të të huajve shpie në dëmtimin e të rinjve vendas, apo jo?

Rregullorja është e qartë në këtë drejtim, lejohen deri në dy lojtarë të huaj për skuadër. Por ne mund të kishim në rregullore një pikë që i jep mundësinë të rinjve. P.sh., aktivizimi me detyrim i një sportisti të ri në ekipin kryesor. Në Kosovë madje kanë përfshirë në rregullore një kusht që për mendimin tim është interesant, ata nuk të pranojnë në garë nëse nuk ke ndërtuar ekipe zinxhirë si klub. Niveli mund të mos jetë ai që kërkohet, por ama strukturën e kanë ngritur.

A ka Shqipëria lojtarë me peshë që arrijnë të çajnë dhe në rang ndërkombëtar?

Sigurisht që ka, kemi lojtarë të mëdhenj, si Koçi, Qafarena, Deliu etj, të cilët kanë mundur të angazhohen me klubet e tyre në kampionate elitare. Shqipërisë nuk i kanë munguar kurrë talentet. Imagjinoni! Ne jemi një fshat dhe kemi prodhuar shumë lojtarë të volejbollit. Nëse do të ishte punuar mirë, kushedi sa sportistë cilësorë do të nxirrnin Korça, Durrësi dhe Tirana. Por nëse nuk i motivon klubet dhe trajnerët, atëherë bie dëshira.

Kishim një Dinamo në të shkuarën që ishte krenari e sportit shqiptar, me shumë suksese. Sa larg dukemi sot nga ai kulminacion?

Më qan zemra për atë kohë. Unë jam i Farkës, por në rrethana të tjera do të zgjidhja të isha pjesë e Dinamos. Asnjë skuadër nuk i afrohet Dinamos së atyre viteve. Por të paktën më ngushëllon ideja që në Farkë po na bëhet një pallat sporti modern dhe për këtë duhet përshëndetur Bashkia e Tiranës.

Cili është mendimi juaj për nivelin e trajningut?

Për trajnerët e volejbollit në Shqipëri ka mbetur vetëm pasioni, sepse nuk ka kurrfarë fitimi. E them këtë dhe nga eksperienca ime personale, pasi kam 10 vjet që investoj, përfshi dhe rrogën time si mësues, e nuk kam përfituar asnjë qindarkë nga puna ime me ekipin e volejbollit. Duket e pabesueshme, por ne dalim duke lypur lëmoshë që të na financojnë ekipin.

Duhej një ligj sporti për këtë punë, por këta që e bënë ligjin thuhet me ironi në komunitetin sportiv se gënjejnë edhe Zotin...

Ligji i Sportit që hartuan këta nuk e zgjidh ngërçin dhe mjerimin që ka sot sporti. Duhet një vëmendje shtetërore për sportin e volejbollin në veçanti. Ligjet janë të bukura e frytdhënëse kur zgjidhin problemet dhe i japin impuls zhvillimit të sportit, jo ligje që u japin përfitime atyre që i hartojnë. Sot të rinjtë po emigrojnë, po largohen dhe nuk ushtrojnë sport dhe kjo për të gjithë ne duhet të jetë shqetësuese. Një situatë aspak e këndshme.

Intervistoi: Adriatik BALLA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 1

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 09/11/2018 - 10:10

Ish-ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj ka komentuar ditën e djeshme zhvillimet më të fundit politike në vend.

Postuar: 09/11/2018 - 07:26

Poeti Bardhyl Londo shprehet se deklarimet që bën ministrja e Kulturës janë dhe si një tallje për

Postuar: 08/11/2018 - 07:32

Teatri shqiptar është i izoluar dhe duhet të prezantohet jashtë në skenat e huaja.

Postuar: 07/11/2018 - 07:29

Artistët pohojnë se në krijimtarinë e tyre nuk kanë përkrahje nga institucionet.

Postuar: 06/11/2018 - 08:07

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka ka komentuar ditën e djeshme zhvillimet polit

Postuar: 04/11/2018 - 07:41

Artistët e brezit të vjetër janë të harruar.

Postuar: 31/10/2018 - 10:00

Ish-ministri i Mbrojtjes Sabit Brokaj ka deklaruar dje se policia zbatoi ligjin në ekzekutimin e