Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Eljaz Ahmeti: Ju tregoj Partizanin e lavdishëm dhe krijimin e Vllaznisë së frikshme të mundjes

Postuar: 27/11/2019 - 07:32

Partizani është padyshim klubi më famoz në sportin shqiptar dhe prej tij kanë dalë sportistë e trajnerë të shquar në rang kombëtar. Ka qenë meritë e drejtuesve të tij ndër vite dhe njëherësh e sportistëve që kanë mbajtur veshur fanellën e kuqe, që i kanë dhënë sportit shqiptar një krenari të madhe, por njëherësh kanë nderuar veten dhe vendin në arenën ndërkombëtare. Në këtë histori suksesi, mundja është jo vetëm sport tradite, por tek Partizani ka gjetur shprehjen e vet më të arrirë në aspektin cilësor. Në vitet 60-të të shekullit të kaluar, një djalosh nga Malësia e Madhe, Eljaz Ahmeti, do të shndërrohej në “yllin” e padiskutuar të mundjes, duke fituar plot 8 tituj kampionë dhe 9 Kupa të Shqipërisë. Ahmeti më pas kthehet në Shkodër, për të vijuar punën e trajnerit tek Vllaznia, fillimisht me të rinjtë e më pas me të rriturit, ku fiton 7 tituj kampionë e 6 kupa të Shqipërisë, një sukses ky i rrallë në dy fronte (si sportist e trajner). Në këtë intervistë të dhënë për gazetën “SOT”, Ahmeti rrëfen ecurinë e karrierës së tij, duke kujtuar jo vetëm rivalitetin, por edhe mundësit e mëdhenj që dolën nga duart e tij.

-Keni një jetë me sportin, i njohur në rininë tuaj, padyshim, por për të rinjtë ka interes të dinë kush është Eljaz Ahmeti?

Kam lindur më 14.06.1939 në Aliaj të Malësisë së Madhe. Kam bërë shkollën fillore në Bajzë, ku pata mësues të edukimit fizik ish-trajnerin dhe atletin e shquar, Syri Hotin. Që në vogëli ra në sy konstrukti im fizik dhe shkathtësia. Me kalimin e viteve jam aktivizuar në disiplinat sportive që luheshin në atë kohë në fshatin tonë dhe ku spikata ndër të rinjtë e brezit tim. Kështu, në aktivitetet e ndryshme që organizoheshin, fillimisht nga kooperativat bujqësore, spikata në disa disiplina, si në futboll, basketboll, tërheqje litari dhe atletikë.

-Në fakt, ju keni spikatur si sportist tek Partizani, a mund të na thoni si ndodhi që përfunduat tek klubi elitë i të gjitha sporteve në atë kohë?

Në vitin 1958 aktivizohem në shërbimin ushtarak, në repartin 915 në Durrës. Pas pak muajsh zhvillohen garat mes reparteve për t’u përfaqësuar në Spartakiadën Kombëtare të Ushtrisë, ku unë u zgjodha nga më të mirët. Në finalet e këtij aktiviteti kam konkurruar në mundje, në peshën e rëndë, duke i fituar të gjitha ndeshjet dhe duke u shpallur kampion (1958). Me këtë sukses, u përzgjodha nga trajnerët e mëdhenj të klubit Partizani, Ali Kastrati dhe Luigj Deda. Dhe teknikët më cilësuan talent dhe nuk gabuan, duke më futur në stërvitjen e Partizanit, me mjeshtrit e mëdhenj si Mirash Vuksanin, Islam Balijën, Mark Vatën etj. Pikërisht tek Partizani nisa të rris kondicionin fizik, duke rivalizuar dhe duke fituar me meritë një vend në formacionin bazë të ekipit të Partizanit.

-Partizani i atyre viteve kishte shumë konkurrencë dhe nuk ishte e lehtë. Si e fituat aq shpejt besimin e klubit dhe si vijoi karriera juaj me ekipin e kuq?

Në kampionatin kombëtar të vitit 1961, trajneri Luigj Deda më beson mua dhe më vendos në peshën e rëndë, duke i fituar të gjitha ndeshjet dhe u shpalla kampion kombëtar. Kuptohet, kënaqësia ishte shumë e madhe, por edhe përgjegjësia për të mbajtur titullin u shtua. Puna nisi të shtohej, prandaj trajneri im më qëndronte pranë që të rrisja nivelin fiziko-teknik. Kjo solli rritjen e cilësisë dhe këtë e tregojnë fitimet e titujve kampion dhe fitues i Kupës së Shqipërisë, gjatë 5 viteve radhazi (1961-1965). Në vitin 1966, ndeshem në peshën gjysmë të rëndë me shokun tim të skuadrës, Islam Balija, ku pati një rivalitet shumë të fortë dhe me 1 pikë më shumë kampion u shpall Islami, kurse unë nënkampion. Pas 2-3 muajsh ndeshemi sërish me Islam Balijën, në një takim kombëtar, kësaj here dolëm barazim. Më pas, në vitet 1967, 1968 dhe 1969 i fitova të gjitha ndeshjet, duke u shpallur kampion, kështu që në total fitova 8 herë titullin kampion kombëtar në peshën e rëndë e gjysmë të rëndë.

-Ju keni pasur një karrierë të vrullshme sportive në ato vite. Cilët kanë qenë konkurrentët tuaj më të fortë dhe si qëndronte raporti i përballjeve me ta?

Në karrierën time, mundësi rival më i vështirë dhe më i fortë (e me të drejtë quhej kështu) ka qenë Mirash Vuksani (Mjeshtër i Merituar), mundës i jashtëzakonshëm. Gjatë karrierës time, kam fituar me të gjithë konkurrentët në peshën e rëndë e gjysmë të rëndë, ku midis të cilëve veçoj Beqir Ademin, Ymer Grudën, Avni Halilin, Eljaz Gurin, Mark Vatën etj.

-Pas sukseseve me Partizanin ju vendosët të tërhiqeshit dhe u kthyet në Shkodër. Pse e ndërmorët këtë hap dhe si u prit nga drejtuesit e Partizanit kjo tërheqje?

Pas kampionatit të vitit 1969, për arsye familjare vendosa të kthehem pranë familjes. Hasa në shumë vështirësi, pasi nuk më lejonte Partizani, por unë pranova ndëshkimin dhe vendosa të kthehem në Shkodër. Në Shkodër më pritën me shumë dashamirësi, siç i karakterizon mikpritja, në veçanti kryetari i fizkulturës, Bahri Axhemi, po ashtu dhe trajneri i Vllaznisë, Qazim Elbasani. Për të më nderuar mua vendosën që të mbaj flamurin e Vllaznisë në finalet e Spartakiadës II Kombëtare, që ishte një nder shumë i madh për mua. Kjo dhe për faktin se unë kisha fituar eksperiencë në klubin Partizani si trajner i të rinjve, pasi atje zbulova vocërrakun Faruk Kalleshi, i cili siç dihet arriti të bëhet kampion i mundjes, por nuk mund të mbante dy shalqi në një dorë e në fund iu përkushtua peshëngritjes, ku njohu suksese të mëdha.

-Ishte eksperienca me të rinjtë tek Partizani që ndikoi edhe tek Vllaznia, por të rinjtë në Shkodër sot pak e dinë që ju krijuat një skuadër të frikshme të mundjes, një Vllazni me mundës të mëdhenj. Çfarë mund të kujtojmë për lexuesit në lidhje me këtë sukses?

Në Shkodër fillova të stërvis ekipin e të rinjve që mbahej nga Hamza Çela, i cili më pas kaloi tek peshëngritja. Me përkushtim të madh fillova punën dhe arrita ta shpall ekipin kampion, madje duke nxjerrë disa kampionë. Falë kësaj arritje më kaluan tek ekipi i të rriturve, ku unë mora me vete 50% të ekipit të të rinjve. U bëmë të frikshëm për ekipet kundërshtare dhe gjatë periudhës si trajner kam fituar 7 tituj kampionë dhe plot 8 herë fitues i Kupës së Shqipërisë. Kam fituar, gjithashtu, një herë Spartakiadën e 5-të Kombëtare (Medalje e Artë). Kam qenë për shumë kohë edhe trajner i skuadrës kombëtare të mundjes.

-Historinë në sport e shkruajnë sportistët dhe Vllaznia juaj pati emrat e saj. Kë do të veçonit nga mundësit që keni stërvitur?

Nga ekipi im kanë dalë kampionë të mëdhenj kombëtar si Rrok Bardeli, Tonin Dema, Alfred Bardeli, Agustin Mhilli, Tasim Rexha, Sebaudin Rexha, Deal Bregu, Fran Topalli, Isa Vejuka, Luigj Zefi etj.

Intervistoi: Adriatik BALLA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 12/12/2019 - 09:10

Reforma në drejtësi dhe sidomos ngritja e organeve të reja të drejtësisë kanë qenë disa nga temat për të cilat ka folur Ish-Kryetari i Shoqatës së Prokurorëve, njëherësh Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit Qendr

Postuar: 10/12/2019 - 08:12

Reforma në drejtësi, ngritja e SPAK, shkarkimi i presidentit Ilir Meta nga detyra, situata pas të

Postuar: 08/12/2019 - 15:30

Reforma në drejtësi, ngritja e SPAK, raportet Qeveri-Presidencë, situata politike në tërësi dhe t

Postuar: 08/12/2019 - 08:12

Tërmeti solli dhe dëmtime në disa prej monumenteve të kulturës në vend.

Postuar: 08/12/2019 - 08:00

Atletika po kalon orë të vështira, pasi në kryeqytet nuk kemi ende një pistë me tartan dhe të sta

Postuar: 04/12/2019 - 07:38

Simpoziumi i tetë shkencor i polifonisë mblodhi para disa ditësh studiues dhe bartës të saj, duke

Postuar: 01/12/2019 - 07:55

Me një aktivitet të vlerësuar në art, piktori Nikolin Ivanaj me punët e tij është prezantuar këtë