Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ernest Gjoka: Shifrat janë kokëforta, trajnerët e huaj kanë dështuar në kampionatin shqiptar

Postuar: 17/09/2017 - 07:47

Futbolli shqiptar po përjeton një moment ridimensionimi, që kulmon me dy arritje themelore: së pari pjesëmarrja e Shqipërisë në Europianin e Francës dhe së dyti pjesëmarrja dyfishe e Skënderbeut në fazën e grupeve të Ligës së Europës. Këto sjellin imazh më të mirë dhe përfitime më të mëdha financiare, që do të thotë se futbolli ynë po futet në rrugën e profesionalizmit. Megjithatë, sjellje shpesh herë anakronike të presidentëve të klubeve, egërsia e garës në kampionat apo dhe infrastruktura ende larg standardeve europiane (në përgjithësi) frenojnë futbollin tonë të kapë nivelin e kërkuar të modernitetit. Për të gjitha këto zhvillime, njëherësh dhe për “revolucionin” që po ndodh aktualisht në futbollin tonë, “SOT” intervistoi njërin prej teknikëve të njohur të kampionatit, Ernest Gjoka. Ish-tekniku i Kukësit nuk ka nevojë për elozhe, sepse rolin e fitimtarit e meritoi në fushën e gjelbërt me skuadrën e Kukësit edicionin e shkuar, duke u shpallur kampion, ndërsa është në pritje të një drejtimi në një stad më të lartë të karrierës së tij. Gjoka është optimist për ecurinë e futbollit tonë dhe këtë e bazon në kriteret standarde sportive, pa lënë mënjanë përpjekjen që po bëhet vazhdimisht për të reformuar mënyrën e lojës, në një sens të thelluar taktik. Dhe kur është fjala tek taktika Ernest Gjoka është padyshim simboli më kuptimplotë i trajnerëve tanë, gjë që e dëshmojnë rezultatet e tij tek Kukësi, me 35 ndeshje radhazi pa humbje, një arritje e paprecedentë. Në këtë intervistë nuk mungojnë mendimet e tij për ecurinë e Skënderbeut në Europa League, rivalitetin në Superiore dhe pritshmëritë e klubeve për titullin kampion, ndërsa në fund, pyetjes për një oferte për të drejtuar Kosovën, trajneri iu shmang, me arsyetimin se ishte e padrejtë të flitej për këtë sa kohë Kosova e ka ende në detyrë trajnerin e saj (Albert Bunjaki).

Deshëm një mendim tuajin teknik për startin e këtij sezoni të ri futbollistik. Si qëndrojnë raportet e forcave në Superiore dhe, meqë jemi në prag të javës së dytë që kulmon me duelin Partizani Kukësi, cilat janë pritshmëritë e të dy ekipeve?

Ky kampionat pritet të jetë më i fortë se ai i vjetshëm. Të gjitha skuadrat kanë bërë merkato të fuqishme dhe kanë shfaqur ambiciet e tyre. Skënderbeu bëri merkato, Partizani gjithashtu, Kukësi bëri shumë lëvizje, madje dhe ekipe si Flamurtari, Teuta, Vllaznia apo Kamza bënë shumë ndryshime. Janë afruar shumë lojtarë dhe unë jam i sigurt se do të ketë një rivalitet akoma më të madh. Besoj se do të kemi më shumë se tre konkurrentë për titullin kampion. Kjo do të thotë se kampionati në Superiore është bërë serioz në maksimum dhe kjo është shenjë e mirë, sepse suksesi shndërrohet në para. Rritet niveli i garës, i futbollit tonë në tërësi, dhe këto zhvillime i paraprijnë një rivaliteti të fortë në vazhdim. Sa i takon ndeshjes Partizani-Kukësi, mendoj se do të jetë vitrinë e futbollit tonë, luan një skuadër që ka pretendime për titullin me një kundërshtar që është kampion në fuqi. Kanë ndodhur ndryshime nga sezoni i shkuar, sigurisht, sepse të dy ekipet kanë bërë lëvizje të shumta. Kanë ndryshuar stafet teknike, kanë ndryshuar shumë lojtarë, pra kanë ndryshuar edhe filozofitë e lojës. Te Kukësi është larguar gati 50% e grupit të vjetshëm dhe ajo që shoh krejt ndryshe është sulmi, sepse janë larguar të dy sulmuesit që vjet kishin peshën në kampionat me mbi 30 gola. Kukësi i ri është diçka që duhet pritur çfarë do të japë, sepse ai i vjetshmi ishte një ekip i madh, një ekip kampion. Gjërat nuk bëhen në një ditë, duhet parë me kujdes forca e secilës skuadër.

Ju thatë pak më lart që në garën për titull do të ketë më shumë se tre skuadra. Skënderbeu, Partizani e Kukësi janë rivalët që njihen, por, më falni, cilat skuadra mund të rivalizojnë këtë treshe? Të tjerët duken larg dhe Kamza nuk mund të pretendojë titullin...

Unë bazohem në cilësinë e grupeve dhe në merkaton që kanë zhvilluar. Ndoshta emri nuk të tremb aq, por Kamza ka ndërtuar një skuadër shumë të mirë, ka bërë bujë në merkato dhe ka formatuar një skuadër cilësore, sepse ka mbledhur lojtarë me eksperiencë që kanë luajtur në Superiore. Dhe ka një ndryshim, nëse ekipet që vijnë nga kategoritë inferiore përpiqen të sigurojnë thjesht mbijetesën, pra këtë kanë objektiv, Kamza është më shumë se kaq, ju siguroj për këtë.

Futbolli shqiptar ka pësuar transformim të thellë në aspektin taktik gjatë viteve të fundit. Ju vetë jeni shprehur pas Europianit të Francës se kishte ndodhur një revolucion në funksionimin taktik të ekipeve. Por në pjesën dërrmuese vëmendjen e merr mbrojtja. Kjo po ndodh edhe këtu tek ne dhe ju nuk keni bërë përjashtim tek Kukësi. A nuk e dëmton kjo anën e spektaklit në futboll?

Ka apo jo spektakël kjo është çështje tjetër, por taktika është themeli në futboll. Sigurisht, nuk mund të lihen mënjanë elementi teknik dhe përgatitja fizike e shumë kushte të tjera. Por, duke i parë në krahasim me kampionatin shqiptar, disa gjëra kanë përparuar edhe këtu dhe ne nuk jemi larg arritjeve taktike që ka futbolli modern. Natyrisht, një stil loje si ai i Barcelonës (tiki-taka) i praktikuar nga Guardiola është i veçantë dhe duket i pamundur në kushtet e kampionatit tonë ku zhvillohet, le ta themi, një kampionat i “egër”. Megjithatë, edhe në këtë aspekt (taktikës), trajnerët tanë e kanë rritur shumë nivelin. Ata i njohin mirë fazat e lojës si në mbrojtje dhe në sulm. Ne kemi sot një plejadë trajnerësh cilësorë, që e njohin mjaft mirë taktikën e futbollit modern. Pse nuk ka spektakël? Kjo është çështje objektivash. Klubet duan trofe dhe sa kohë nevojitet rezultati do të ketë vazhdimisht përsosmëri taktike në futboll. “Qëllimi justifikon mjetin” dhe qëllimi janë rezultatet, pra marrja e titullit. Kjo të privon pak nga spektakli, por unë mendoj se falë këtyre arritjeve taktike futbolli ynë është sot më cilësor. Kemi trajnerë si Josa e Daja që kanë shkuar në fazën e grupeve të Ligës së Europës, apo dhe trajnerë të rinj si Cungu etj, që janë shumë të mirë. Ky është një realitet sot në futbollin shqiptar. Mangësia e trajnerëve tanë sot është vetëm pasaporta, nëse më lejoni të shprehem kështu.

Në Shqipëri kanë ardhur plot trajnerë të huaj. Edhe këtë sezon tre klube drejtohen nga të huajt. Ata sjellin eksperiencë dhe janë të lakmuar, por lënë në stol teknikët shqiptarë. Cili është mendimi juaj për teknikët e huaj në kampionatin tonë?

Nuk dua t’i paragjykoj, sepse unë kam respekt për punën e secilit, por trajnerët shqiptarë nuk janë inferiorë nëse i marrim në krahasim me të huajt. Më falni, por statistikat flasin më mirë dhe statistikat favorizojnë teknikët shqiptarë. Kush trajner i huaj ka fituar titull kampion? Kush ka kapur fazën e grupeve të Europa League si Josa e Daja? Shifrat janë kokëforte, padyshim, dhe në këtë rast shifrat flasin vetë.

Pse të huajt dështojnë në kampionatin tonë?

Nuk përshtaten me filozofinë e futbollit shqiptar, nuk e njohin mentalitetin tonë. Unë do të isha i kënaqur po të punoja me një trajner të huaj, pse jo edhe të mësoja, por ne duhet të nisemi nga faktet. Unë shoh se s’po na japin vlerë shtesë. Dua të them nuk bëjnë diferencë dhe statistikat flasin vetë. Futbolli matet me rezultate, me trofe, por asnjëri prej tyre s’ka fituar gjë.

E megjithatë, fatet e futbollit janë në duart e presidentëve. Ju vetë ishit “viktimë” e sjelljes së tyre. Trajner kampion, me 35 ndeshje pa humbje, fiton edhe një ndeshje në Champions, por s’mjafton...

Nuk jam as i pari e s’do të jem as i fundit. Shiko! Ne jemi ballkanas dhe i kemi këto mangësi. Është çështje mentaliteti, sepse kërkojmë shpejtësi maksimale. Tokën e punon, e mbjell dhe duhet të presësh deri sa të piqet prodhimi. Dhe prodhimi korret atëherë kur është pjekur mirë, pra kur t’i ketë ardhur koha, ndryshe, nëse e këput pa i ardhur koha, rrezikon shumë. Gjithsesi, ne jemi miq me Gjicin, e megjithatë deri këtu ishte. Rëndësi ka fakti se ajo që bëmë ne ishte një arritje historike.

Është përmendur emri juaj në disa media online por edhe më gjerë si një kandidat i mundshëm për trajner i përfaqësueses së Kosovës. Si është e vërteta? Keni kontakte?

Unë jam trajner që nga viti 1999. E kam nisur nga poshtë dhe po bëj gati dy dekada që trajnoj. Dhe vijoj të përmirësohem në punën time. Sa i takon pyetjes tuaj, nuk kam koment për të dhënë. Do të ishte e padrejtë nga ana ime që të flisja për një çështje sa kohë në krye të ekipit atje është një koleg imi, si Bunjaki. Sigurisht, është kënaqësi të drejtosh një skuadër kombëtare, por siç thashë nuk kam koment për këtë.

Keni luajtur futboll e më vonë i keni hyrë trajningut. Në Europë futbolli po bëhet gjithnjë e më i sofistikuar, taktikisht po flasim. Ju e ndiqni si profesion, po si tifoz kë pëlqeni?

Unë jam tifoz i Brazilit sa i përket ekipeve nacionale, por si klub jam prej një kohe shumë të gjatë fans i Realit të Madridit. Ishte një kohë kur pëlqeja shumë sulmin e Realit me Butragenjon, më vonë edhe me Romario-Bebeto.

Meqë flasim për Realin, vitet e fundit në dy vjet që ka në krye Zidanin, nuk njeh pengesa. Askujt s’i shkoi mendja që Zidane do ta transformonte Realin në një makineri suksesi.

Zidane, edhe si lojtar ka qenë mjaft inteligjent. Sigurisht, jo të gjithë yjet e futbollit bëhen trajnerë të zotë, pra ky fakt nuk vlen, por Reali i Zidanit është funksional. Për mendimin tim, Zidane zgjodhi ekipin e duhur në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Ai është inteligjent, krijon ura lidhëse me ekipin dhe çdo futbollist ndihet i lumtur e i vlerësuar që punon me të. Ky është çelës suksesi, sepse ai i çmon futbollistët brenda e jashtë fushës.

Nuk mund të lëmë jashtë kësaj interviste performancën e Skënderbeut në Europa League përballë Dinamos së Kievit. Përtej rezultatit, si e sheh ecurinë e Skënderbeut?

Skënderbeu zhvilloi një 45-minutësh të parë të jashtëzakonshëm, por nuk arritën ta mbanin epërsinë e krijuar sepse u pësuan dy gola të shpejtë. Për mendimin tim penalltia ishte e paqenë. Rezultati më pas mori atë rrjedhë që dimë, por unë jam krenar për ecurinë e Skënderbeut në Europa League dhe veçanërisht për suksesin e kolegut e mikut tim Ilir Daja.

Kështu si e paraqitët ju futbollin shqiptar nuk ka fare mangësi, gjithçka shkon vaj. Në fakt, futbolli ynë ka probleme plot dhe jo vetëm taktike. Kë shihni si mangësi?

E them me bindje se ne po ecim, por duhet të ecim më shumë. Nuk është çdo gjë perfekte, natyrisht, por ato që janë arritur nuk mund të mohohen. Mangësi ka sigurisht dhe mua nuk më pëlqen p.sh. një fakt se disa skuadra stërviten në bar artificial e më pas luajnë ndeshjen në fushë me bar natyral, kjo është dëmtuese për lojtarët. Por, përtej mangësive, mos harrojmë ku ishim. Zhvillimi kërkon që çdo ditë të vendoset nga një tullë, për të arritur sa më lart.

Intervistoi: Adriatik BALLA

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 12

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/10/2017 - 08:53

Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, në një intervistë për gazetën “Sot”, ka folur rreth Reformës Zgjedhore.

Postuar: 15/10/2017 - 08:52

Juristi Sokol Hazizaj në një intervistë për gazetën “Sot”, u shpreh se gjykatat dhe prokuroritë po zvarrisin çështjet për shkak të vetingut.

Postuar: 15/10/2017 - 07:58

Festivali “Butrinti 2000” edicionin e tij të 15 e zhvilloi në teatrin antik të Butrintit.

Postuar: 15/10/2017 - 07:47

Kampionati shqiptar ka një plejadë të mirë trajnerësh që kanë dhënë prova se janë të aftë ta drejtojnë futbollin tonë në drejtimin e duhur dhe t’i përballin klubet tona me

Postuar: 10/10/2017 - 08:55

Kreu i LZHK Dashamir Shehi në një intervistë për gazetën “Sot” u shpreh se Berisha është po aq përgjegjës sa Basha për situatën në PD.

Postuar: 10/10/2017 - 07:49

Teatri shqiptar është lënë pa vëmendje, jo vetëm Ministria e Kulturës, por dhe bashkitë nuk kanë treguar interesin që duhet.

Postuar: 08/10/2017 - 07:21

Peshëngritja është sport elitar në Shqipëri.