Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Faik Nebijaj: Klubet dhe bashkitë katastrofë, paguajnë mijëra euro për serbë e malazezë dhe lënë në hije sportistët e talentuar shqiptarë

Postuar: 26/05/2019 - 07:48

Peshëngritja vijon të jetë sport elitar dhe t’i sjellë vendit medalje të rëndësishme nga aktivitetet ndërkombëtare, duke mos e ulur “flamurin” e sportit me më shumë arritje në Shqipëri. Por si në çdo fushë tjetër, edhe sporti në përgjithësi dhe peshëngritja në veçanti po kalon vështirësitë e saj, që lidhen me një sërë faktorësh, kryesisht të karakterit financiar, por edhe menaxherial. Nuk janë problemi federatat, por vetë instancat qendrore e lokale të pushtetit që sjellin burokraci, që frenojnë zhvillimin normal dhe për shkak të neglizhencës dhe mosinvestimit detyrojnë të rinjtë ta braktisin sportin. Peshëngritja i ka talentet, por ata duhen stimuluar, duhen kategorizuar ku secili të marrë hakun që meriton, por këtë “skemë” kaq të thjeshtë nuk e kanë kapur ata që janë vënë në krye të punëve, shefat e klubeve dhe bashkitë, që po e përdorin sportin “mish për top”, për të përmbushur dogmat e tyre elektorale, pa asnjë gramë zgjidhjeje afatgjatë. Duke folur për këto probleme, ish-trajneri i parë i Pirro Dhimës, Faik Nebijaj, i cili vijon të jetë ende trajner, në këtë intervistë për gazetën “SOT”, apelon tek institucionet shtetërore të jenë të përgjegjshme në trajtimin e sportistëve, në të kundërt rrezikon të bjerë përdhe i gjithë sporti shqiptar.

Peshëngritja shqiptare e tha fjalën e saj edhe një herë tjetër në Europianin e Gjeorgjisë. Më shumë se rezultatet e sportistëve, fitorja më e madhe duket të jetë fakti që ka një vit që dopingu është zhdukur nga shtanga. A mund të thuhet se sporti i peshëngritjes e kaloi këtë problem?

1 vit pa doping është padyshim sukses, por nuk duhet të gëzohemi, jo vetëm pse këtij fenomeni nuk mund t’i zësh besë, por edhe se kjo është detyrë e të gjithë komunitetit sportiv, që të mbajë sportistët larg medikamenteve stimuluese, që nxisin rezultate të pandershme dhe groposin sportin dhe djersën e sportistëve të ndershëm. Për të mundësuar periudha të gjata pa doping duhet vigjilencë, kontrolle të herëpashershme dhe një ndërgjegjësim në vazhdimësi për pasojat negative që ka përdorimi i dopingut në sport. Kur themi që lufta kundër dopingut vijon, kemi parasysh masat që duhet të merren në vijimësi nga stafet. Në kuadër të këtij zhvillimi, ne si federatë e peshëngritjes do të fusim në rregullore masa të ashpra për përdoruesit, duke i përjashtuar ata nga sporti. Federata botërore e ka përvojën tashmë, sepse kryen teste pa paralajmërim, në qendrat stërvitore, dhe këtë praktikë e ka ndjekur edhe federata jonë e shtangës, e cila, për të evituar ndonjë skandal të rëndë dhe me pasoja për peshëngritjen shqiptare, u bën testin antidoping sportistëve që marrin pjesë në garat ndërkombëtare. Sigurisht që kjo ka një faturë financiare, por ia vlen, pasi kështu ruhet imazhi i sportit shqiptar dhe evitohen dënimet kolektive nga federata botërore. Këtë eksperiencë e kemi edhe ne tashmë, megjithëse ky lloj fenomeni kërkon kontrolle të imtësishme. Duhet që vetë trajnerët të jenë më të përgjegjshëm, pasi ata e shohin dhe e kuptojnë që një sportist ka përdorur doping.

Si ndodh kjo?

Ne kemi ende në qarkullim sportistë që përdorin medikamente të palejuara. Një trajner e kupton jo vetëm në pamjen e jashtme, nga sjellja jo normale e tyre, por edhe nga rezultatet. Rritja e pabesueshme e rezultatit në një kohë fare të shkurtër është e dyshimtë dhe një sportisti të tillë i duhet kërkuar urgjentisht testi antidoping.

Si rregull, një shtet duhet të ketë strukturën e tij antidoping. Nuk e di sa funksionale është në Shqipëri një qendër e tillë...

Sigurisht që lejohet t’u bëhet testi të gjithë atyre sportistëve që shfaqin dyshime për përdorim substancash të palejuara, por ne kemi shtet të dobët që nuk kontrollon dot gjëra më të mëdha e jo më sportistët që përdorin doping. Duhet të kishte një laborator të fuqishëm që të merrej enkas me analizat e sportistëve. Një futbollist vdiq para pak ditësh në Itali. Pati takikardi dhe më në fund humbi jetën. Kjo takikardi ka ardhur nga përdorimi intensiv i medikamenteve të palejuara, substanca që nxisin çlirim energjie të madhe, për të kapur formë maksimale fizike, por që në raste të përsëritura çon në tragjedi, pra në humbjen e jetës.

Si mund të luftohet ky fenomen në Shqipëri?

Është e mundur, kryesisht nëpërmjet trajnerëve, i cili ndjek sportistët dhe e di mirë paraqitjen e tyre. E kupton nga përgatitja, kondicioni fizik i sportistit, rezultatet etj. Për shembull, nëse një sportist ngre “x” kg në stërvitje, kurse në garë ngre 10 kg më shumë, atëherë këtu ka diçka që nuk shkon. Trajneri e kupton menjëherë që sportisti i tij në këtë rast ka përdorur medikament të palejuar, sepse vetëm substanca mund të bëjë “mrekulli” të tilla në pak ditë. Unë kisha një sportist që ngrinte 85 kg, por krejt papritur, për 20 ditë, ngriti 92 kg. E kuptova menjëherë që ka marrë substanca, plus që kanë edhe shenja antisportive në sjellje, prandaj e përzura.

Të flasim pak për rezultatet e shtangës në këtë periudhë. Si u paraqitën në Europian sportistët tanë?

Jam i kënaqur me rezultatet, megjithëse desha më shumë, sepse mundësitë realisht ishin të mëdha. Por, gjykoj se edhe trajnerët gabuan. Nuk kanë program për atë periudhë një mujore grumbullimi. Pyetja që duhet të shtrohet në ambientin stërvitor është: Çfarë duhet të përmirësojmë teknikisht që të kemi rezultat më të mirë? Në tërësi djemtë dhanë rezultat të mirë, por trajneri nuk duhet të pyesë sportistin se me çfarë peshe duhet nisur gara. Është e patolerueshme që sportisti të nisë garën në provën e parë për kampion europe. Gara ka strategji dhe strategjinë e ndjek trajneri. Prandaj unë shoh që disa mangësi erdhën nga menaxhimi i dobët teknik i peshave. Më ka nxitur ky aktivitet (Gjeorgji-2019) që të propozoj ndryshime në statut, që përgjegjësia t’i jepet trajnerit e jo sportistit. Është e patolerueshme që sportisti të digjet në garë për shkak se nuk menaxhohen peshat. Kjo është në dëm të skuadrës përfaqësuese dhe të vetë sportistit.

Sa janë shanset e shtangës shqiptare të marrë pjesë në Olimpiadën e Tokios vitin e ardhshëm?

Janë tre shtangistë që pritet të përfaqësojnë Shqipërinë në Tokio-2020. Briken Calja e ka të garantuar, i dyti është krenar Shoraj dhe i treti Erkand Qerimaj. Kurse të tjerët nuk i kapin dot pikët. Për Godellin kishim shpresë, por ai mund ta kapë Olimpiadën vetëm nëse del kampion bote në vjeshtë, ose në dy vendet e para, pra ka pak shanse. E ndërsa Calja e ka të sigurt, Shoraj dhe Qerimaj duhet të jenë në 10-she që të kapin pikët e mjaftueshme për të shkuar në Olimpiadë.

Po me femrat a ka ndonjë shans që të përfaqësohemi?

Ende nuk kemi ndonjë vajzë që të kapë nivele të tilla të larta. Fatkeqësisht kemi mbetur me një bërthamë të vogël elitare në peshëngritje. Nuk shoh ndonjë të ardhme të ndritur, sepse shoh të çorganizuar institucionet që duhet ta kenë sportin prioritet. Edi Rama ka bërë për sportin, kjo është e pamohueshme. Bëri dhe një ligj për sportistët elitarë. Por në Shqipëri shkaktarët e “sëmundjeve” edhe në sport janë nëpunësit që nuk zbatojnë ligjet. VKM-ja e dalë është e drejtë, e përshtatshme dhe i jep hapësirë sportistit të pretendojë të kapë nivelin e një pagese që shkon në 900 mijë lekë të vjetër. Por nëse letra (ligji) shkruhet lart, nëpunësit poshtë e përdorin si letër higjienike. Kjo shkelje e ligjeve vjen jo vetëm nga nëpunësit qeveritarë dhe drejtoritë e sportit, por edhe nga bashkitë, të cilat kanë në varësi klubet. Edi Rama ka bërë katër stadiume, bëri pallat sporti tek Parku Olimpik, na bëri palestrën e peshëngritjes etj, pra i ka bërë, por shefat e klubeve abuzojnë me financimet. Po ju jap një rast dramatik. Ju i keni parë klubet në shumë sporte se si janë mbushur me lojtarë të huaj, serbë e malazezë. Imagjinoni, paguajnë taksapaguesit mijëra euro për rrogat e lojtarëve serbë e malazezë, ndërkohë që talentet tona rrinë në stol, pa asnjë mbështetje. Shefat e klubeve bëjnë dallavere me sportistët e huaj. Paguajmë serbë e malazezë e shqiptarët rrinë në diell e bëjnë hije. Unë i bëj thirrje kryebashkiakut të Tiranës dhe këshillit bashkiak që të financojnë sportistët shqiptarë, t’i financojnë sipas ligjit. A e di bashkia që lekët që ua jep klubeve përfundojnë në xhepat e serbëve dhe malazezëve? Kam pasur 4 kampionë kombëtarë e s’morëm asnjë kacidhe, përkundrazi, u është dhënë lekë atyre që nuk e meritojnë, që s’kanë rezultate. Vetëm në Shqipëri gjen kryetarë bashkish që e urrejnë sportin. Atyre u interesojnë tenderat e jo sporti. Është pikërisht kjo politikë shkatërrimtare që e ka bërë sportin shqiptar sot të jetë më keq se në kohën e Ahmet Zogut. Nuk flas për kohën e Enverit se atëherë sportistët e kategorisë së parë dhe trajnerët merrnin rrogë e mbanin familjet. Kurse sot jemi katandisur në një derexhe që s’përfytyrohet dot.

Si e shihni të ardhmen e peshëngritjes? A kemi më shans të prodhojmë sportistë të nivelit të Pirro Dhimës?

E shoh të zbehtë të ardhmen, jo vetëm peshëngritjen por të gjithë sportin kombëtar. Dhe kjo vjen ngaqë nuk ka interesim nga strukturat shtetërore. Nuk kemi kushte social-ekonomike për të pasur sport cilësor. Ishte viti 1985 kur u thashë se Pirro Dhima ka premisa për sportist të madh dhe shteti ofroi menjëherë lehtësirat, deri shkollën, shpërblimet etj. Ja pra, ishte Shqipëria që e formoi këtë shtangist të madh. E formoi sepse sporti shihej me prioritet, kurse sot nga halli. Sportistët ngrenë lart flamurin shqiptar, këta nuk dalin as për t’u dhënë dorën. A e kujtoni vjet në Botërorin e Rusisë një lojtar kroat kur tha “unë asgjë nuk dua, shpërblimin do t’ua jap të varfërve, gëzohem që himni i vendit tim u këndua këtu. Për mua kjo është krenaria më e madhe”. Kurse në Shqipëri institucionet i drejtojnë njerëzit anti-sport. Madje dhe Universiteti i Sporteve nuk po nxjerr kuadro të aftë, janë teknikë thjesht me një diplomë, pa njohuritë e duhura. Kam shumë vërejtje për cilësinë e tyre, marrin diploma kot, pasi nuk janë të aftë teknikisht për të drejtuar ekipe e sportistë.

Ju kritikuat bashkinë, por bashkitë nuk financojnë ekipe private...

E keni gabim, ku ka privatë këtu? Kush është rregullatori, sepse nuk ka njeri që hedh paratë kot. Unë drejtoj skuadrën e Masglasit, kam tre sportistë të rinj që i garantoj të shkojnë në Olimpiadën e vitit 2024, por që të mbahet një ekip privat duhet që shteti të lehtësojë nga taksat pronarin, kurse këtu mendojnë si mund ta zhvatin. Unë propozova që Tirana të bëhet me dy ekipe, por nuk ma miratuan, se i duan lekët për vete. Partizanit ia kanë hequr të drejtën të bëjë ekip peshëngritjeje. Çfarë bashkie është kjo? Po vazhduan me këto marifete, ta dinë që do të dalim si komunitet në protesta, rrugë tjetër nuk ka. Ligji është bërë, është i shkruar, kurse këta tallen. Zotërinj, respektoni ligjin!

Intervistoi: Adriatik BALLA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/06/2019 - 07:34

Teatri i Operës dhe Baletit është një nga institucionet e rëndësishme të artit dhe kulturës në vend, por për koreografin e njohur Pullumb Agalliu ai duhet të shfrytëzojë të gjithë forcat krijuese brenda dhe jashtë ven

Postuar: 16/06/2019 - 08:29

Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Gjirokastrës, Flamur Golemi ka komentuar aktualitet

Postuar: 16/06/2019 - 07:53

Futbolli shqiptar ka ulje-ngritjet e tij, natyrisht arritjet dhe mangësitë e veta.

Postuar: 16/06/2019 - 07:44

Teatrot kanë prezantuar premierat e fundit të këtij sezoni artistik në skena.

Postuar: 15/06/2019 - 08:55

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka ka komentuar situatën politike në vend, duke

Postuar: 15/06/2019 - 07:28

Dramaturgu dhe regjisori Naser Shatrolli shprehet se në teatrin shqiptar ka vullnet, ka para, por

Postuar: 13/06/2019 - 07:34

Piktorfilmi në disa prej prodhimeve të Kinostudios Vangjel Gjikondi shprehet se sot niveli artist