Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Faik Nebijaj: Sporti në Shqipëri po shuhet, nuk investohet as 1% e investimit të monizmit

Postuar: 19/08/2018 - 08:05

Sporti në Shqipëri po njeh një periudhë krize, që lidhet me pakësimin e numrit të sportistëve dhe rezultatet e munguara në shumë disiplina. Natyrisht, janë disa komponentë që ndikojnë në këtë situatë të vështirë të sportit dhe pavarësisht investimeve të qeverisë Rama në impiantet e futbollit dhe në Parkun Olimpik, mbetet shumë e shumë për t’u bërë në lidhje me hartimin e rregulloreve të duhura për mirëfunksionimin e sportit, rritjen e domosdoshme të financimit të sporteve individuale dhe përgatitjen e kuadrove të afta për të udhëhequr disiplinat e ndryshme sportive drejt një progresi të qëndrueshëm. Por ka mjaft mangësi që burojnë qoftë nga përplasja e vetë institucioneve, si dhe abuzimet e ndryshme të fondit që jepet për federatat tona sportive, fonde që janë shumë larg nevojave dhe pritshmërive. Ka mjaft specialistë që kanë lëshuar alarmin për atë që po ndodh në sport, sepse të rinjtë gjithnjë e më shumë po largohen nga sporti, duke e braktisur atë në mënyrë fatale. Fondet vidhen ose investohen në rrugë pa krye, ndërsa rezultatet maten me një kohë tjetër, siç është ajo e monizmit, që për hir të së vërtetës kishte sport masiv dhe të privilegjuar. Tekniku i njohur i peshëngritjes, ish-trajneri i parë i Pirro Dhimës, Faik Nebijaj, duke folur për këto zhvillime, apeloi për ndërhyrjen urgjente të kryeministrit Edi Rama, në të kundërt ai paralajmëroi katastrofën e vërtetë të sportit shqiptar.

Keni prej disa muajsh që apeloni fort tek institucionet që të rrisin vëmendjen ndaj sportit, nëse duam që Shqipëria të mos mbetet pa sport. Nuk ka munguar zëri juaj kritik ndaj disa fenomeneve negative që të bëjnë të vësh duart në kokë. Kaq i pashpresë është sot sporti në Shqipëri?

Nuk është se e them unë, por të gjitha analizat të çojnë në faktin e pakundërshtueshëm që sporti sot në Shqipëri rrezikon të zhduket. Faktorët janë shumë, por kryesorët lidhen me mungesën e vëmendjes nga instancat shtetërore, mungesë e patolerueshme investimi financiar, infrastrukturë e degraduar, drejtimi nga njerëz të gabuar dhe mungesë totale vëmendje ndaj brezit të ri. Duken faktorë të përgjithshëm, por, ku veç e veç e ku të gjithë bashkë, kanë sjellë këtë situatë të rënduar, ku sporti jo vetëm është në udhëkryq, por rrezikon të zhduket. Ka arritur puna deri atje sa të rinjtë shtrojnë pyetjen pse të bëjmë gara. Nuk është se mungon talenti, apo nuk ka teknikë, por me kushtet e krijuara, ku fondet (janë totalisht të pamjaftueshme) vidhen e abuzohen. Janë djem e vajza nga mosha 12 deri në 18 vjeç që ushtrojnë sport dhe në moshën 18 vjeç kuptojnë që kanë çuar djersën dëm, sepse nuk mund të ndërtojnë asnjë të ardhme me sportin. A ka tmerr më të madh se sa ky për të rinjtë e apasionuar? Po mirë more, ky kodosh shteti që paguan lloj-lloj hajduti në funksionet shtetërore, që gjen forcë të paguajë dy herë Fullanin me nga 500 apo 700 mln lekë, si nuk paska një fond shumëfish më të vogël për të çuar sportistët e rinj të peshëngritjes në kampionatin europian? Një nga fëmijët që ne patëm në Europianin e Milanos, me lekët e xhepit të presidentit, zuri vendin e tetë në Europë. Është pozicion premtues. Po si nuk kujtohet ky kodosh shtet që të japë një stimul për këta të rinj të talentuar që do të përfaqësojnë ngjyrat e kombit nesër në Botërorë dhe Olimpiada? A e kuptoni se shteti nuk ka një dietë 50 euroshe për të mbuluar shpenzimin për ushqim të këtij sportisti? A e dinë funksionarët e sportit në ministri, KOKSH etj, që një sportist ka nevojë për vitamina, ka nevojë për ushqim, për grumbullim e stërvitje dhe që të bëhen këto duhen krijuar kushte? Ja pra, pse jam i irrituar dhe shpreh zemërim, sepse po shoh sportin të futur në një hulli qorre, pa të ardhme.

Kur flitet për nevojat e sportistit, çfarë duhet kemi parasysh?

Në radhë të parë duhet një grumbullim të paktën tremujor stërvitor, ku sportistit t’i sigurohet fjetja, ushqimi, baza materiale, kushtet stërvitore etj. Unë ju siguroj se shteti shqiptar sot nuk financon asgjë nga këto. Nuk jep as ndihmë ekonomike për sportistin. Po ku është parë e dëgjuar që të bëhet sporti pa lekë? Unë ju siguroj se Shqipëria është vendi i fundit në botë për investime në sport. Këtyre që na drejtojnë nuk u intereson as sporti e as asgjë. Këtyre nuk u interesojnë arritjet e sportistëve tanë, nuk u interesojnë medaljet, imazhi i përmirësuar i vendit prej sportistëve tanë cilësorë etj. Shkurt këta duan vetëm të vjedhin për vete, se për sportin nuk mendojnë asnjë ditë. Kjo klasë politike nuk e do sportin, pikë. Po si nuk e kuptojnë xhanëm se sporti dhe kultura janë avangardë e prezantimit të një vendi, janë imazhi i parë i tij dhe me sport e kulturë njihen ndërkombëtarisht më mirë tiparet e një vendi. Ju duhet ta keni ndjekur ditët e fundit deklaratën e një sportisti kroat që u tërhoq nga ekipi i tij përfaqësues. “Dëgjova himnin tim në Moskë, në finalen e Botërorit dhe për këtë jam krenar. Kjo për mua është arritja më e madhe dhe gëzimi më i madh”, tha ai. Shiko çfarë kënaqësie dhe krenarie të jep sporti dhe rezultatet sportive. Sepse është në garë flamuri kombëtar dhe flamuri respektohet. Kurse këta politikanët tanë janë të poshtër. Shihni MAS-in! Nuk ka kurrfarë vëmendje ndaj sportit, vlerësohen hajdutët dhe jo të ndershmit. Vlerësohen ata që bëjnë hilera e poshtërsi e jo ata që derdhin djersë e ngrenë flamurin kombëtar në skenat dhe kupat e botës. Me këta të liq e të qelbur që kemi në krye do të katandisemi shumë keq. Dhe unë nuk mund të lë pa kritikë dhe vetë kryeministrin.

Ç’lidhje ka kryeministri me gjëra të tilla, sektorët janë të ndarë, sporti ka drejtuesit e tij...

Jo s’jam dakord, ka edhe ai përgjegjësi direkte dhe indirekte. Ai mban përgjegjësi sepse ka toleruar hajdutët në sport. Ai ka qenë vetë sportist, e di mirë ç’do të thotë të ushtrosh sport e të djersish për të kapur rezultate të larta. Ai më shumë se kushdo tjetër e di se sa nevojë ka sporti e sportistët. Teorikisht ne duhet të jemi më mirë se sa në komunizëm, por ju siguroj se nuk jemi as sa 1/100 e monizmit. Ku është ministria e financave? Ku është Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar? Ku është Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve? Ku janë dikasteret e tjera që menaxhojnë dhe kontrollojnë sportin në Shqipëri? A mendojnë ndonjë moment ato për sportin dhe nëse mendojnë, si ka mundësi të jemi zhytur në këtë situatë të pashpresë, ku sporti shqiptar rrezikon të zhduket.

Shteti ka në dorë politikat e zhvillimit të sportit në plan afatgjatë, problemet e financimit dhe funksionimit janë përgjegjësi e klubeve dhe komunitetit të vetë sportit. A ka ky komunitet fajet e tij?

Nuk ka çfarë të bëjë komuniteti, sepse organizimin madhor dhe statutet, si dhe rregulloret e funksionimit i bën shteti. Është pikërisht shteti që ka në dorë edhe investimin strategjik, sidomos në infrastrukturë. Në veçanti sportet individuale janë të varura nga shteti dhe kjo merr vlerë akoma më të madhe në Shqipëri, për kushtet tona të zhvillimit. Nëse shteti nuk investon, atëherë kujt i duhet sporti? Nëse nuk bëjmë sport dhe ta zhvillojmë atë me çfarë do të përfaqësohemi? A e keni pyetur veten ndonjëherë me sa atletë përfaqësohemi në garat e rëndësishme? Vetëm me dy të tillë, një djalë e një vajzë. Gjithë Shqipëria ka vetëm dy atletë cilësorë. A ka më turp se kaq? Puna ka arritur deri atje sa peshëngritja s’ka fonde të bëjë garat dhe presidenti i çon sportistët në aktivitete me paratë e xhepit. Kjo pasi fondi ka mbaruar, ose më saktë u abuzua që në muajin e parë të vitit. Pse duhet shteti? Që të kontrollojë ku shkojnë paratë, të bëjë audite, të shohë rezultatet, të kontrollojë kushtet, të marrë masa, të hartojë raporte dhe buletine për ecurinë e çdo disipline sportive, e në fund të ketë llogaridhënie, në të kundërt ai (shteti) dështon në misionin e tij.

Në fakt, këtë detyrë duhet ta bëjë MAS. Sipas jush, e ka bërë institucioni qeveritar këtë?

MAS më mirë të shkrihet, sepse nuk e bën punën. Funksionarët atje janë turrur pas lekut, kurse ministrja, më vjen keq ta them, as nuk e di ç’është sporti. Nuk ka parë një herë të vetme me sy ndonjë ambient sportiv. A e di ajo që ka sport në Shqipëri? Nga ana tjetër, po t’i drejtohesh për ndihmë MAS-it, për lëvrimin e ndonjë fondi për aktivitete, as të merr fare parasysh.

Shteti akordon fonde për çdo federatë, që ato të organizojnë aktivitetet e tyre sportive vjetore. Ku shkojnë këto para?

Me paratë që akordohen abuzohet në ekstrem. Nuk dua ta teproj, por po e them hapur që fondet vidhen. Ne në federatën e peshëngritjes kur bëmë zgjedhjet (prill) mësuam se nga fondi vjetor kishin mbetur vetëm ca kacidhe që nuk shërbenin për të bërë asgjë. Ishte zhdukur i gjithë fondi. Në federatat sportive më shumë lekë shkojnë për rrogën e sekretarit sesa për të bërë veprimtaritë sportive vjetore. Sikur të imagjinoni një herë të vetme burokratët e ministrisë se me rrogën e një sekretari mund të paguash 3 trajnerë nga 300 mijë lekë në muaj (të vjetra) dhe kështu i kanë bërë nder sportit dhe të rinjve.

Pse, sa marrin trajnerët aktualisht?

Është një shumë qesharake prej 90 mijë lekë të vjetra në muaj, ose 3 mijë lekë në ditë, ky jo vetëm është skandal, por një turp. Për mendimin tim, duhet që të ketë kategorizim të normave që të diferencohen sportistët me arritje, në mënyrë që më të mirët të paguhen. Sportistët me rezultate të larta janë vlerë dhe vlera paguhet. Talentet i kemi, por na mungojnë kushtet, vullneti, organizimi dhe siç thashë vëmendja e vetë shtetit.

Ajo që dimë është se qeveria i ngriti shtangës një palestër të re te Parku Olimpik, duhen pranuar ca gjëra, është punuar apo jo?

Po, e ka bërë, po kujt i duhet? Sepse nuk ka njerëz, s’bëhet sporti pa njerëz. Nuk vijnë fëmijët në palestra sepse nuk fitojnë gjë. Nuk e bind dot që ai mund të ndërtojë një të ardhme në sport. Fëmijët në shumë sporte vijnë me paratë e tyre në aktivitete, po a ka më turp se kaq? Ku i kanë lekët fëmijët shqiptarë të paguajnë për të marrë pjesë në gara apo për t’u stërvitur? Por këta janë të pacipë, njëherësh të pashpirt. Edhe bukë s’të japin dhe sporti me bukë thatë nuk bëhet. Edhe në monizëm ishte shumë herë më lartë, sepse sportistët kishin dietat e tyre, hanin në mensat e klubeve, kishte kushte. Ky kodosh shtet i tanishëm as nuk i afrohet shtetit monist, kjo është e vërteta.

Si e sheh të ardhmen e sportit në tërësi dhe të peshëngritjes në veçanti?

Jo vetëm peshëngritja, por asnjë sport nuk ka të ardhme nëse vazhdohet në këtë mënyrë. Nuk bëhet sepse nuk kemi njerëzit adaptë për fushat përkatëse. Situata duhet kuptuar me urgjencë, ndryshe do të degradojë më tej. Unë e shoh dhe e prek përditë këtë, ka rënë motivimi komplet dhe të rinjtë po na braktisin sepse nuk ofrohet siguri. Prandaj unë insistoj se duhet dora e kryeministrit, që të përcaktojë prioritetet dhe të fusë në rrugë të drejtë zhvillimin e sportit. Ai mund ta bëjë këtë duke u njohur me situatën, çfarë hamë, çfarë pimë, ku stërvitemi, a ka siguracione, a ka vazhdimësi stërvitjeje, a ka ujë e drita në palestra, etj. Shteti është rregullatori dhe vetëm ai mund ta shpëtojë sportin.

Intervistoi: Adriatik BALLA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
You voted 2. Total votes: 8

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/09/2018 - 22:57

Kryetarja e PS Leskovik, Dallëndyshe Kravari ka treguar për gazetën “SOT” detaje nga organizmi i PS për zgjedhjet vendore. Ajo ka dhënë argumente se përse kjo forcë do të dalë fituese.

Postuar: 13/09/2018 - 08:05

 Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, ka komentuar dje zhvillimet më t

Postuar: 12/09/2018 - 10:30

Ditën e sotme mbushen plot 20 vjet nga vrasja e ish-demokratit, Azem Hajdari.

Postuar: 12/09/2018 - 10:20

Vrasja e ish-deputetit Azem Hajdari vijon të jetë në qendër të vëmendjes në Shqipëri dhe jovetëm.

Postuar: 09/09/2018 - 07:52

Shqipëria fitoi ndeshjen e parë në grup me Izraelin në kuadër të Ligës së Kombeve me rezultatin 1

Postuar: 09/09/2018 - 07:46

Sezoni artistik ka nisur me projekte në fushën e teatrit për aktorin dhe regjisorin Bruno Shllaku

Postuar: 07/09/2018 - 08:30

 Avokati Bashkim Nikolla, në një intervistë për gazetën “SOT” ka treguar të gjit