Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Faruk Kalleshi: Partizani ishte fakultet mjeshtëror i cilësisë sportive, shtanga ruan ende traditën

Postuar: 24/11/2019 - 07:53

Faruk Kalleshi është një prej emblemave të peshëngritjes shqiptare. Ai ka dominuar këtë sport midis viteve 1964-1984, duke qenë numri një i këtij sporti në rang kombëtar dhe njëherësh një prej sportistëve më të mirë shqiptarë të shekullit XX. Faruk Kalleshi ka qenë vetëm pak kilogramë larg rekordit botëror dhe ndoshta vetëm emocionet e një dite të madhe e lanë pa e realizuar e ky është pengu i vetëm i karrierës së tij mbresëlënëse. Për Farukun janë thurur bejte e vjersha dhe pavarësisht shtatit të tij të vogël, rezultatet e mëdha e kanë shndërruar atë në “gjigant” të sportit tonë, prandaj dhe është vlerësuar me të gjithë titujt e çmimet e mundshme, duke qenë i vlerësuar edhe me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”. Gazeta “SOT” e sjell legjendën e shtangës shqiptare në prag të 74-vjetorit të lindjes, me emocione nga karriera e tij, por pa lënë mënjanë dhe vlerësimet për këtë sport në ditët e sotme, një sport që me rekordet e tij dhe me medaljet e shumta ndërkombëtare vijon të mbajë lart flamurin shqiptar.

-Ju keni marrë shumë vlerësime për karrierën tuaj të spikatur. Së fundmi jeni dekoruar në Shkodër, vendlindjen tuaj, me rastin e 100-vjetorit të klubit Vllaznia. Çfarë do të thotë për ju ky vlerësim?

Në kuadër të 100-vjetorit të klubit Vllaznia, Bashkia e Shkodrës më vlerësoi si “Peshëngritësi më i mirë i shekullit”. Kjo do të thotë ripërtëritje e atyre çmimeve dhe vlerësimeve që unë kam marrë më parë, që i kam fituar falë punës time. Kjo do të thotë që unë ende mbetem i vlerësuar maksimalisht për rezultatet dhe arritjet në sport dhe s’më mbetet veçse të shpreh mirënjohje për vlerësimin që më bënë.

-Të rrallë janë sportistët që kanë dominuar 21 vjet me radhë. Çfarë ju ka bërë kaq të veçantë? Si do ta përshkruani karrierën tuaj?

Unë jam shpallur 21 vjet rresht kampion kombëtar. Në fakt, e kam nisur si kampion dhe e kam mbyllur karrierën si kampion. E nisa i tillë në vitin 1964 dhe e mbylla si kampion në Spartakiadën e 5-të Kombëtare në vitin 1984, në moshën 39-vjeçare. Natyrisht, këto shifra janë për librin e rekordeve “Guinness”.

-Sot ka pak tifozë në pallatet e sportit por në rininë tuaj ishte ndryshe. Cila ishte marrëdhënia juaj me fansat?

Sportistët e brezit tonë, unë në veçanti, kemi pasur tifozë nga mbarë populli shqiptar. Kudo që gjendeshim në Shqipëri ishim popullorë.

-Po, por duhet pranuar që Partizani, ku kanë nisur karrierën shumë sportistë të mëdhenj, ishte klub që kishte privilegje, kishte mbledhur më të mirët...

Partizani nuk ishte klub dosido, por Partizani ka qenë fakultet mjeshtëror për cilësinë sportive. Mundja dhe shtanga kanë pasur në ekip mbi 20 vetë, me një staf të përgatitur dhe me një trajtim ushqimor special.

-Duke qenë klub i ushtrisë, kërkohej disiplinë, apo jo?

Ishte klub i ushtrisë, por disiplina jonë ka qenë sportive, pikërisht brenda sportit ka pasur disiplinë në çdo gjë, pa harruar edhe rivalitetin e madh. Partizani i sotëm nuk është në lartësinë e kërkuar, sepse iu prish “foleja”. Unë tek Partizani kam garuar 3 vjet, ku kam thyer 38 rekorde kombëtare dhe jam përfshirë në anketën “5-sportistët më të mirë”. Jam krenar që kam përfaqësuar një klub me vlera kombëtare e ndërkombëtare. Kanë dalë sportistë të mëdhenj, përfshi dhe nga sportet e forcës, pasi kemi pasur dhe trajnerë të mëdhenj, si Ali Kastrati, Sejdin Gjoni, Luigj Deda etj.

-Ju ishit kampion, pse u nxituat të tërhiqeshit nga sporti aktiv në ato vite. Pse?

Vendimin për t’u tërhequr e kam marrë në vitin 1983. Mora vendim që të tërhiqem një vit më pas, pra më 1984, dhe kisha zgjedhur finalen e Spartakiadës së 5-të kombëtare. Në maj të atij viti unë isha në Europianin e shtangës në Valencia të Spanjës, ku u rendita në vend të 7-të me 92.5 kg në shkëputje dhe 117.5 kg në shtytje (për peshën trupore 52 kg). Isha 39 vjeç, por i përgatitur dhe në formë. Kthehem dhe përgatitem për Spartakiadën. Rivalitetin e kisha me sportistin e 17 Nëntorit, Kujtim Hyka, që atëherë ishte 23 ose 24 vjeç. Në shkëputje unë ngre 2.5 kg më shumë (90 me 92.5 kg), kurse në shtytje ai ngriti 110 kg e unë 117.5 kg. Pra, unë përsërita rezultatin e Europianit dhe ngrita 10 kg më shumë. Fitova 3 medalje ari. Aty hoqa rripin dhe kostumin dhe i hodha në sallë, duke mbajtur fjalën që kisha dhënë se do të tërhiqesha. Po në atë garë, drejtuesit e Shkodrës (Vllaznisë) më përqafonin pasi isha i vetmi që mora 3 medalje ari. Shumë vetë në atë kohë u çuditën sesi unë u tërhoqa, kur isha kampion dhe me rezultate të larta, por fjala duhej mbajtur. Më 1985 federata kërkonte të më grumbullonte, por unë e kisha lënë. Nuk vajta, pasi edhe trajtimin ushqimor ia kisha “deleguar” Genc Barkiçit.

-A keni vepruar drejt?

Besoj se kam vepruar mirë, pasi unë e nisa si kampion dhe e mbylla si kampion. Kjo është e mrekullueshme për një sportist dhe unë jam i kënaqur nga karriera ime.

-Ju keni folur shpesh për historinë e aktivitetit ku ishit fare afër me rekordin botëror. A është realisht ky pengu i karrierës tuaj?

Është me të vërtetë një peng, pasi unë isha përgatitur për këtë, por ma hoqën këtë mundësi organizimi i dobët dhe pompoziteti i madh. Me pak fjalë unë u ngarkova emocionalisht. Ka ndodhur më 8 korrik, nëpërmjet një organizimi të madh në Shkodër, ishte emocion shumë i madh dhe unë nuk ia dola. Më vonë u hoq stili i forcës dhe ndodhën ndryshime, por pengu mbetet.

-Nga kasta e madhe e shtangistëve shqiptarë, kë do të veçonit?

Tek peshat e rënda dua të veçoj Erlind Nikollën, i cili ishte shtangisti që përmbysi rezultatet e Mirjan Hakanit dhe të Aleksandër Kondos. Ka regjistruar rezultate të mëdha dhe më vjen mirë që një nga të vetmit që ai vlerëson për ndihmesën që i kanë dhënë është pikërisht Faruk Kalleshi. Kurse nga brezi i sotëm dua të veçoj Briken Caljen dhe Erkand Qerimajn, të cilët po tregojnë stabilitet në paraqitjen e tyre.

-Kur krahasohen brezat, pyetja lind çfarë ishte mirë e çfarë keq. Cili është mendimi juaj?

Kohët janë të ndryshme sigurisht, por unë dua ta veçoj brezin tim për sportistët e mëdhenj, që nuk patën njollë (dopingu). Madje një nga arritjet e mia, dhe unë e quaj arritje të madhe, është se kam dalë 21 vjet kampion i panjollosur.

-Si paraqiten sot sportet e forcës?

Mundja ka më shumë masivitet, kurse shtanga ka pak kokrra. Megjithatë, peshëngritja nuk e humb traditën. Më vjen keq për garat ndërkombëtare, pasi në kohën tonë aktivitetet ishin me pikatore, kurse këta të sotmit shkojnë kudo, thuajse në çdo veprimtari që ka kalendari i federatës europiane e botërore. Pra këta sportistët e sotëm kanë më shumë mundësi nga sa kishte brezi im.

-Patët një karrierë të mirë si trajner, por u shkëputët shpejt. Pse ndodhi kjo?

Unë do të isha bërë trajner shumë i madh i peshëngritjes, pasi e krijova ekipin, zbulova talente i angazhova ato dhe korra rezultatet e para, por mua ma përçanë ekipin. Këtu luftojnë pas shpine, në mes hyri pazari dhe u prish ëndrra. Kurse tani jam në qetësinë time, pavarësisht se unë vazhdimisht interesohem për ecurinë e peshëngritjes. Nga ana tjetër, dua të falënderoj gazetën tuaj për rëndësinë që u ka kushtuar personaliteteve të sportit, duke nxjerrë në pah punën dhe përkushtimin e shumë figurave të nderuara të sportit tonë.

Intervistoi: Adriatik BALLA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 12/12/2019 - 15:01

Reforma në drejtësi dhe sidomos ngritja e organeve të reja të drejtësisë kanë qenë disa nga temat për të cilat ka folur Ish-Kryetari i Shoqatës së Prokurorëve, njëherësh Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit Qendr

Postuar: 10/12/2019 - 08:12

Reforma në drejtësi, ngritja e SPAK, shkarkimi i presidentit Ilir Meta nga detyra, situata pas të

Postuar: 08/12/2019 - 15:30

Reforma në drejtësi, ngritja e SPAK, raportet Qeveri-Presidencë, situata politike në tërësi dhe t

Postuar: 08/12/2019 - 08:12

Tërmeti solli dhe dëmtime në disa prej monumenteve të kulturës në vend.

Postuar: 08/12/2019 - 08:00

Atletika po kalon orë të vështira, pasi në kryeqytet nuk kemi ende një pistë me tartan dhe të sta

Postuar: 04/12/2019 - 07:38

Simpoziumi i tetë shkencor i polifonisë mblodhi para disa ditësh studiues dhe bartës të saj, duke

Postuar: 01/12/2019 - 07:55

Me një aktivitet të vlerësuar në art, piktori Nikolin Ivanaj me punët e tij është prezantuar këtë