Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Fatmir Cuka: Me trajnerët e lojtarët e huaj u bë propagandë, basketbolli ynë ka mbetur në vendnumëro

Postuar: 10/12/2017 - 09:29

Basketbolli shqiptar nuk është në ditën e tij më të mirë, natyrisht, dhe s’ka si të jetë sepse strategjitë që e nxjerrin atë nga “errësira” dhe e fusin në rrugën e drejtë të zhvillimit e të suksesit mungojnë. Ide dhe nisma hidhen dhe ndërmerren shpesh, por prapë basketbolli mbetet në vendnumëro. Shkaqet duhen kërkuar në mungesën e një organizimi serioz, që lidhet me mungesën e një projekti të qartë zhvillimi, i cili duhet të nisë me moshat e vogla dhe nga shkollat për të përfunduar në ekipin kombëtar. Nisur nga disa problematika që janë shfaqur në basketbollin tonë gjatë viteve të fundit dhe rezultateve të dobëta të ekipeve kombëtare në aktivitetet ndërkombëtare, “SOT” intervistoi ish-basketbollistin dhe ish-trajnerin e ekipit kombëtar të basketbollit të meshkujve, Fatmir Cuka, i cili bëri një pasqyrim teknik bazë, duke vënë theksin në disa elementë thelbësorë që kërkojnë vëmendje të shtuar. Natyrisht, Cuka e njeh mirë problemin, pasi e ka prekur atë, por në të njëjtën kohë është personi adapt për të thënë fjalën e duhur, pasi ka eksperiencë të gjatë në trajnim edhe jashtë vendit, me njohje të disa shkollave të basketbollit, duke nisur nga Turqia e deri në SHBA. Cuka thotë se infrastruktura është e rëndësishme dhe në Shqipëri ka nevojë të rritet kapaciteti infrastrukturor në sport. Ai mendon se lojtarët e huaj lënë në stol lojtarët vendas dhe duke qenë se lojtarët e kampionatit janë dhe baza e Kombëtares, atëherë ekipi përfaqësues nuk prodhon lojë cilësore e nuk merr dot rezultate. Cuka i mëshon faktit se duhet të rikthehet në rregullore aktivizimi i të rinjve në formacionin bazë, në mënyrë që basketbolli të ketë vazhdimësi dhe jep shembuj konkretë për këtë. Mbi të gjitha ai, propozon që të ketë më shumë aktivitete shkollash dhe të krijohet madje një kampionat kombëtar i shkollave, gjë që do të rriste mjaft interesimin e të rinjve.

Shumë vende të vogla, madje më të vogla se Shqipëria, kanë arritur sukses të rëndësishëm ndërkombëtar. Po basketbolli ynë ku radhitet?

-Vitet e fundit, po të vesh re në shume vende të Europës loja e basketbollit ka marrë një zhvillim të madh. Kjo si rezultat i një investimi dhe organizimi, ku në fund patjetër vjen dhe suksesi. Disa vende te cilat kërkush më parë nuk i ka llogaritur si kundërshtar, sot janë në kampionate botërore apo europiane. Nuk po flas për klube te cilat çdo vit sheh ndryshime të mëdha. Po basketbolli ynë ku mund të radhitet? Kjo është një çështje që shtrohet sot. A jemi ne atje ku duhet të jemi me mundësitë tona? A kemi mundësi dhe ne të jemi diku më lart, qoftë në nivel klubi apo ekipi kombëtar? E them përpara në nivel klubesh sepse  këtu është edhe baza e ekipit kombëtar. Pa nje infrastrukturë solide dhe suksese me ekipet e moshave vështirë të bëhet diçka pozitive.

Ju keni drejtuar ekipin kombëtar para pak vitesh dhe nuk është se nuk e ndiqni basketbollin tonë përfaqësues. Cili është mendimi juaj për ecurinë e ekipit kombëtar të basketbollit?

-U bënë gati 4 vjet që jam larguar nga drejtimi i ekipit kombëtar. Kjo nuk do te thotë se jam larg dhe nuk e ndjek basketbollin shqiptar, përkundrazi, rrugët e te ndjekurit janë te thjeshta, falë teknologjisë së internetit. U bë goxha propagandë se do të jemi të suksesshëm e me lojtare të huaj e me trajnerë të huaj. Dhe kjo ishte dhe një nga arsyet qe thashë me vete një shyqyr që ja mbërritëm kësaj dite. Por fatkeqësisht po në vendnumëro mbetëm. Çdokush mund të më kundërshtojë dhe të thotë “kemi bërë këtë e kemi bërë atë”, por në fund të fundit sporti matet me rezultate dhe këto janë të dobëta.

Federata mori një iniciativë për të marrë pjesë me të gjitha kategoritë e moshave në aktivitetet ndërkombëtare. A ka pasur rezultat kjo nismë?

-Duket sikur pati një lëvizje siç është rasti pjesëmarrjeve me të gjitha kategoritë e moshave. Është një iniciativë që duhet përkrahur dhe sinqerisht është për tu përgëzuar. Por pyetja shtrohet a është kjo pjesëmarrje e domosdoshme për momentin që kalon basketbolli shqiptar? Me gjithë atë shpenzim dhe buxhet të harxhuar për rrugë, hotele etj etj, kur niveli ynë është i dobët, më e mira do të ishte të harxhojmë në ndërtime fushash apo infrastrukturë. Kur gjërat të piqen le të marrim pjesë siç duhet. Ka plot mënyra të tjera ku mund të bëjmë gjëra më të mira. Siç e thashë dhe me lart, ky është thjesht opinioni im.

Atëherë këtu lind domosdoshmëria e shqyrtimit të alternativave. Ju vetë jeni specialist me përvojë, çfarë propozoni?

-Nga përvoja që kam, duke parë dhe buxhetin e dobët të federatës, do të sugjeroja që të bënim aktivitete me vende të ndryshme qe i kemi afër. Të mos mjaftohemi vetëm në periudhën e verës, por dhe gjatë vitit ekipet të bëjnë ndeshje miqësore me vendet afër. Kështu fitojnë përvojë dhe kur kushtet të jenë të pjekura të marrim pjesë në aktivitete më të rëndësishme. Ideja është të zhvillohen sa më shumë ndeshje për këto mosha. Sepse të gjithë lojtarët kanë mundësi të luajnë dhe gjithashtu trajneri eksperimenton atë çfarë dëshiron. Po të shikosh vende si Sllovenia, Turqia, Greqia etj, përpara se të marrin pjesë në aktivitete, lojtarët e këtyre moshave kanë gati 20-30 ndeshje të luajtura.

Cila është përshtypja juaj për basketbollin shqiptar, pra kampionatin aktual? Në fakt, si i shihni lëvizjet e fundit të basketbollit në Shqipëri?

-Ne jemi një popull qe e duam sportin dhe ne veçanti basketbollin. Po shikojmë Tiranën që po bën investim të mirë, “Goga Basket” gjithashtu, u krijua shoqata “Dinamo”. Pra gjërat lëvizin. U duhet kushtuar vëmendje aktiviteteve të basketbollit nëpër shkolla. Të ketë kampionate qoftë kjo dhe në nivel kombëtar. Pra theksi është kryesisht në infrastrukturë.

Po, dakord, por këtu të rinjtë pak aktivizohen me ekipet e para, aq më pak në formacionin titullar. A ka ndonjë mënyrë për t’u dhënë impuls këtyre të rinjve në lojën e basketbollit?

-Sigurisht që ka. Diku nga vitet 85-88 federata mori një vendim për t’u dhënë mundësi lojtarëve të rinj. Dhe vendosën një rregull ku në çdo ekip të luante një lojtar 18-vjeçar. Padyshim ky ishte një hap shumë pozitiv. Kjo dha rezultatet dhe në ekipin kombëtar ku lojtarë si Damo, Kuqo, Papa, Zaganjori etj, i dhanë tonin basketbollit shqiptar për vite me radhë. Pra shembulli është i qartë dhe frytdhënës.

Një element i rëndësishëm në zhvillimet e fundit në basketbollin shqiptar është prania e lojtarëve të huaj. Kjo është një temë diskutimi që ha debat të gjerë. Cili është mendimi juaj për praninë e tyre dhe a është kjo një zgjidhje?

-Janë afruar lojtarë të huaj dhe kjo padyshim ka anët e veta pozitive, por ka dhe anët negative, sepse lojtarët vendas nuk luajnë fare. Sot me mënyrën se si funksionon ekonomia private, klubet nuk janë shumë të interesuara  se ç’bëhet me zhvillimin e basketbollit. Ato mendojnë suksesin e tyre në bazë të një buxheti që vjen nga sponsorozimi. Por, federata është rregullatori dhe duhet të vërë një numër të caktuar se sa të huaj mund të luajnë. Fakti është që vendet si niveli ynë që e kanë aplikuar kanë dështuar. Ne nuk jemi në një nivel me Fenerbaçen, Panathinaikos etj, ku ata luajnë me 8-10 lojtarë të huaj. Një shembull i thjeshtë. Vjet pata fatin të shoh 3 ndeshjet finale të “play-off” shqiptar. Dy skuadrat më të mira të vendit luajtën ndërmjet tyre, ku dhe baza e ekipit kombëtar është nga këto ekipe. Në fushë sheh 7 lojtarë të huaj, atëherë si mund të jetë ekipi kombëtar i suksesshëm kur lojtarët tanë nuk luajnë?! Dhe rezultatet dihen: dy muaj me mbrapa rrihemi si mos me keq në aktivitete ndërkombëtare.

Kjo ka të bëjë me strategjinë e zhvillimit të basketbollit, sepse nuk mund t’u imponohet klubeve çfarë të bëjnë e kë aktivizojnë...

-Unë nuk po analizoj punën e klubeve, ajo është e drejta e tyre dhe i vendosin rregullat e tyre, por kjo nuk i shërben ekipit kombëtar. Prandaj them, dhe e cilësova më lart, që federata është rregullatori.

Ju analizuat disa elementë deri më tani, duke nisur nga infrastruktura, angazhimi i të rinjve, prania e lojtarëve të huaj në kampionat etj, por ka dhe një problem tjetër jo të vogël që ka peshë në zhvillimin e basketbollit. Është fjala për kuadrin teknik, që nuk mund të shmanget për nga përgjegjësia dhe pesha që ka. Cili është mendimi juaj për teknikët dhe përzgjedhjen e tyre?

E gjithë kjo veprimtari apo objektiva nuk mund te realizohen pa kuadrin e duhur teknik. Duhet të ketë një përzgjedhje trajnerësh. Federata duhet të ketë kushtet që të plotësohen për t’u bërë trajner në kategori të ndryshme dhe jo më të zgjidhesh trajner i ekipit kombëtar. Të krijohen seminare dhe kurse sportive në bazë të kategorive të trajnerëve që duan të drejtojnë. Gjithmonë jam i mendimit që të gjithë bëhen trajnerë basketbolli dhe specialistë të këtij sporti duke qenë nga fusha të tjera të jetës. Kurse specialistët e basketbollit nuk kanë të drejtë të drejtojnë apo të japin mendimin për probleme të tjera. Çdo punë bëhet nga specialistët dhe si çdo punë e profesion, edhe basketbolli kërkon specialistin e tij.

Intervistoi: Adriatik BALLA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 33

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/09/2018 - 22:57

Kryetarja e PS Leskovik, Dallëndyshe Kravari ka treguar për gazetën “SOT” detaje nga organizmi i PS për zgjedhjet vendore. Ajo ka dhënë argumente se përse kjo forcë do të dalë fituese.

Postuar: 13/09/2018 - 08:05

 Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, ka komentuar dje zhvillimet më t

Postuar: 12/09/2018 - 10:30

Ditën e sotme mbushen plot 20 vjet nga vrasja e ish-demokratit, Azem Hajdari.

Postuar: 12/09/2018 - 10:20

Vrasja e ish-deputetit Azem Hajdari vijon të jetë në qendër të vëmendjes në Shqipëri dhe jovetëm.

Postuar: 09/09/2018 - 07:52

Shqipëria fitoi ndeshjen e parë në grup me Izraelin në kuadër të Ligës së Kombeve me rezultatin 1

Postuar: 09/09/2018 - 07:46

Sezoni artistik ka nisur me projekte në fushën e teatrit për aktorin dhe regjisorin Bruno Shllaku

Postuar: 07/09/2018 - 08:30

 Avokati Bashkim Nikolla, në një intervistë për gazetën “SOT” ka treguar të gjit