Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Geri Çipi: Kombëtarja mbetet dashuri në çdo kohë, na duhet një trajner si Besnik Hasi

Postuar: 06/10/2019 - 07:44

Përfaqësuesja kuqezi është bërë më profesioniste ndër vite, me lojtarë që përgatiten jashtë, me teknikë të huaj që kanë strategjinë e tyre tekniko-taktike, por është fakt që shpirti i grupit dhe emocionet skuadra i ka pasur më të forta vite më parë, kur jo vetëm stadiumi mbushej, por njëherësh kishte në organikë lojtarë që kishin cilësi të admirueshme teknike, me impakt tek tifozeria dhe që lanë mbresa në fushën e gjelbër. Një ndër ta, Geri Çipi, pati një karrierë të spikatur futbollistike, ku ka luajtur në Bundesligë, por edhe në kampionatin shqiptar, e më pas pak kohë edhe në rol drejtuesi në klub (Flamurtari), për t’u tërhequr më pas përfundimisht nga topi. E megjithatë, Çipi nuk i ndahet futbollit, e ndjek atë, por tashmë si spektator dhe pasionant. Prej një kohe të gjatë ai nuk bëhej i “gjallë” në media, por gazeta “SOT” e sjell këtë fundjavë në një intervistë, ku Geri Çipi tregon arsyet e këtij distancimi, por bën, gjithashtu, edhe një analizë të kujdesshme të ecurisë së kampionatit e veçmas të skuadrës përfaqësuese, e cila do të ketë pas pak ditësh dy duele mjaft të rëndësishme në kuadër të eliminatoreve të Euro-2020.

Ka prej kohësh që nuk dëgjohet asgjë rreth Geri Çipit. Ju keni një histori në futboll, një karrierë të spikatur edhe në Kombëtare. Çfarë bëni aktualisht dhe a keni ndonjë lidhje me futbollin?

Momentalisht jo, e ndjek sigurisht, por nuk jam i angazhuar vetë. Madje as kam tentuar të kthehem që të angazhohem në ndonjë klub në ndonjë rol drejtuesi apo në staf teknik. Ka qenë një zgjedhje imja, nuk e di, por bëra ca kohë që jam vërtet i shkëputur.

Pse kështu?

Po ja, e provova edhe pasi lashë futbollin, nuk fitova gjë dhe hoqa dorë. Natyrisht, nuk jam i angazhuar drejtpërdrejt, por e ndjek futbollin, interesohem për ecurinë e klubeve, lexoj rreth zhvillimeve futbollistike etj. Nuk jam krejt i shkëputur, por kam preferuar, ta themi kështu, të qëndroj paksa i tërhequr.

Së pari deshëm një mendim tuajin për Kombëtaren, nisur dhe nga fakti se përfaqësuesja është një dashuri për të gjithë. Jemi në prag të dy ndeshjeve shumë të rëndësishme. Tani, këta (ekipi, federata etj) janë përgatitur për kualifikim, por ju keni qenë vetë protagonist në fushë dhe e dini sesa i vështirë është një objektiv i tillë. Çfarë mendimi keni për skuadrën dhe trajnerin?

Është shpejt të flasim për objektivin, duhet të presim ndeshjet. Por është fakt që ndeshja e fundit dhe rezultati i saj ka sjellë një farë atmosfere pozitive, gjë që preket. Në të vërtetë ka një përmirësim në lojë dhe në rezultate krahasuar me teknikun paraardhës (Panuçin). Në lidhje me objektivin, do të thosha që është i vështirë. Kërkohet përkushtim, kërkohet saktësi dhe rezultat maksimal, por shpresa nuk duhet humbur sa kohë topi është i rrumbullakët. S’i dihet si shkojnë gjërat, por ecuria varet nga ndeshja e radhës, që është e vështirë. Sidoqoftë, skuadra probleme ka dhe pavarësisht se morëm një fitore si ajo ndaj Islandës, nuk mund të themi se ia dolëm. Që të realizohet objektivi për kualifikim, nevojitet shumë punë e përkushtim, por edhe perfeksion në çdo aspekt.

Skuadra e tanishme, ndryshe nga e juaja, duket se ka më pak kualitet por më shumë frymë grupi. Sa qëndron kjo?

Jo, mendoj se është e kundërta. Unë besoj se në kohën kur kam qenë unë në fushë Kombëtarja kishte një grup më të lidhur krahasuar me të tanishmin. Problemi ynë ishte në mentalitet dhe në objektiva, e thënë shqip në atë kohë ishte e vështirë të kapje rezultatin sepse edhe koha ishte e tillë. Kurse tani lojtarët rriten jashtë, kanë kushte shumë më të mira dhe janë më afër me përgatitjet moderne në klubet elitare. Ndërsa ne vijmë nga një periudhë më e vështirë. Sidoqoftë, ne ishim një grup më i bashkuar dhe këtë e tregon koha. Ne si lojtarë të asaj periudhe vijojmë të kemi kontakte dhe lidhje të forta me njëri-tjetrin. Ky është një fakt i fortë dhe i vërtetë.

Si e sheh fundin e eliminatoreve?

Fola paksa për vështirësinë, por unë mund të flas nga pozita të ndryshme tani, thjesht si dashamirës. Dëshira është e madhe që të kualifikohemi, të bëhet më e mira, pasi është skuadra përfaqësuese e vendit tonë. Futbolli nuk është sport dosido, nëpërmjet tij vendi përmirëson imazhin dhe falë futbollit mund të bëhen hapa viganë në këtë drejtim (imazhit), por gjërat varen nga ecuria e skuadrës në terren. Gjë tjetër është dëshira jonë e gjë tjetër kapaciteti i skuadrës për të marrë më të mirën në fushë.

Duket se tradita me trajnerë të huaj ka krijuar një varësi në ekip kombëtar. Edhe Reja është pjesë e këtij koncepti. A besoni se kjo është zgjedhje e duhur?

Kjo është një çështje që kërkon debat më të hapur dhe natyrisht tejkalon opinionet tona. Po të ishte për mua, ne na duhet një trajner si Besnik Hasi, ose ndonjë djalë tjetër që të ketë dalë nga ekipi përfaqësues.

Pse pikërisht Hasi?

Sepse Besnik Hasi është teknik me aftësi dhe mentalitet fituesi. E njeh ekipin, njeh mentalitetin tonë, është shpirt i kësaj skuadre, motivues dhe shumë tregues të tjerë që do ta bënin të suksesshëm. Ai ka një histori në ekip, si të gjithë ne, dhe është sprovuar në rrethana të ndryshme.

Ndërkohë, futbolli brenda vendit ka ende problemet e vjetra. Derbi në kryeqytet, Tirana-Partizani na tregoi se sa larg mentalitetit europian jemi. E dyta, segmente të caktuara të tifozerisë së Tiranës shfaqën shenja radikale e naziskine, paçka se edhe ata të Partizanit kanë “mëkatet” e tyre. Sa ka ndikuar kjo në imazhin e futbollit tonë?

Unë nuk e shoh në këtë prizëm, pavarësisht se dhuna, e çfarëdo forme qoftë, nuk është e denjë në sport. Derbi gjithmonë ka pasur e do të ketë ngjarje të kësaj natyre, pasi e tillë është atmosfera që krijohet kur dy skuadra të qytetit vihen përballë njëra-tjetrës. Unë besoj se Tirana e dëshironte fort fitoren në këtë ndeshje, për disa arsye, por kryesorja është se ka disa vite që nuk po e mund dot Partizanin. Pra në këtë përballje i duhej një fitore me çdo kusht. Kishte vite pa fituar prandaj dhe tifozët vinin në ndeshje me pritshmëri të mëdha, gjë që i ndizte ata. Pavarësisht asaj që ndodhi dhe individëve të caktuar, unë nuk besoj se tifozeria e Tiranës ka prirje naziskine. Derbi gjithmonë kështu ka qenë, me rivalitet në fushë e jashtë saj. Tifozët s’arrijnë të shkojnë më tej, paçka se edhe në këtë formë i bëjnë dëm skuadrës së zemrës. Duhet ta pranojmë që Tirana vjen nga një periudhë e vështirë e po tenton të ripërtërihet, e kërkonte me çdo kusht fitoren në derbi dhe sjellja e tifozëve të saj duhet parë e lidhur pikërisht me këtë frymë të krijuar si pasojë e një kohe të gjatë pa fituar derbin.

Nuk mund t’i shmangemi Flamurtarit, skuadrës së qytetit tuaj. Ju jeni vlonjat, e vuani këtë, por skuadra ka probleme të mprehta. Çfarë prisni nga ky Flamurtar?

Nuk mund të them shumë, përveçse të uroj që gjërat të përmirësohen e të shkojnë në logjikën e duhur. Nga ana tjetër, ju e dini, në futboll jo gjithmonë ka kulminacione. Klubet në tërësinë e tyre kanë ulje-ngritje, janë oshilacione që njihen, por dëshira ime është e madhe që situata të përmirësohet.

Shpesh pyes specialistët për vlerësimin e kampionatit shqiptar. Nuk e di sa i ndiqni ndeshjet, por desha një notë për garën në Kategorinë Superiore...

Nga 0-10 unë prirem t’i jap kampionatit një notë mesatare. Ndoshta kështu do të ishim më korrekt dhe në këtë formë inkurajojmë protagonistët në garë.

A ka sot në ekipin kombëtar të Shqipërisë ndonjë lojtar të tipit “Geri Çipi”. Për kë do të votonit?

Nuk i shoh ndeshjet dhe lojtarët me këtë sy. Nuk di të them ndonjë emër, pasi për mua paraqesin interes zgjedhjet taktike të grupit, jo cilësitë individuale. Prandaj s’kam ndonjë emër që më vjen ndër mendje.

Është folur shumë për ndeshjen e 4 shtatorit të vitit 2004 ndaj Greqisë. Në atë periudhë ju keni qenë pjesë e ekipit të Brigelit dhe protagonist në fitore. Si është përjetuar ky emocion?

Dueli me Greqinë i vitit 2004 ka qenë ndeshje emocionuese, nga më emocionueset, por akoma më jehonë ishte rezultati. Sepse nuk ndodh shpesh të mundësh kampionen në fuqi të Europës, por këto suksese tani i përkasin të kaluarës dhe Kombëtarja duhet të jetë e përgatitur në çdo kohë pasi ka sfida të vazhdueshme. Natyrisht, ndeshja me Greqinë e vitit 2004 ka lënë mbresa, sepse entuziazmi ishte shumë i madh dhe ajo fitore nuk ishte vetëm sportive, por edhe nacionale. Atmosfera e krijuar ishte e tillë, por mund t’ju them se në fushë gjithçka ka qenë sportive dhe brenda kontureve të sportit. Dhe nga ana sportive rezultati ynë në atë ndeshje ishte mjaft i mirë.

Si e sheh të ardhmen e futbollit vendas, por edhe Kombëtaren kuqezi?

Unë jam një dashamirës i madh dhe, paçka se nuk jam aktor në fushë, me zemër jam në Kombëtare, të cilën e dua ta shoh sa më lart dhe me objektiva të mëdha. Natyrisht, ka momente kur gjërat nuk shkojnë si duhet, apo dhe prishen disa ekuilibra, sikurse ishte rasti i dënimit të Skënderbeut të Korçës dhe kjo nuk është shenjë e mirë, sepse përfundimi nuk ishte i mirë, por ka plot momente kur mund të bëhesh krenar për lojën dhe për arritjet e klubeve shqiptare e të skuadrës kombëtare. Çunat që veshin fanellën kuqezi duhen mbështetur dhe vlerësuar. Unë dua që të ecë sa më shumë futbolli, kuptohet, ka gjëra që çalojnë, por ka vend për të arritur edhe objektiva të lartë. Shumë gjëra nuk mund t’i kapim, pasi futbolli është pjesë e jetës, i lidhur fort me ekonominë, e që të arrish objektiva të duhet strategji afatgjatë dhe kjo kërkon kohën e vet për ta rregulluar deri në atë nivel që të pretendohet më e mira. Megjithatë, prirem të shoh përpara, në të mirë të futbollit dhe duke punuar së bashku mund të arrijmë maksimumin. Kombëtarja është dashuri në çdo kohë dhe shpresoj që në duelet e radhës të bëhet më e mira nga lojtarët dhe stafi.

Adriatik BALLA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 13/10/2019 - 14:30

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi ka komentuar aktualitetin politik në vend, duke e ndalur theksin tek raporti përfundimtar i Komisionit të Venecias për çështjen “Meta”, reforma në dre

Postuar: 13/10/2019 - 08:02

Dekada me aktivitetin artistik, aktorja Marilda Furxhi ka sjellë personazhe të ndryshme në skenën

Postuar: 09/10/2019 - 08:09

Jeta artistike dhe kulturore në vend përballet me probleme të ndryshme.

Postuar: 06/10/2019 - 07:54

Piktori Skënder Kamberi shprehet se arti në vendin tonë për shkak të problemeve me të cilat përba

Postuar: 04/10/2019 - 09:20

Ilir Meta duket se ka nisur luftë me të gjithë.

Postuar: 04/10/2019 - 07:24

 Artistët shqiptarë jashtë vendit gjejnë vlerësime, por kjo duket se mungon në vendin tonë.

Postuar: 03/10/2019 - 07:32

Gjendja e objekteve të trashëgimisë kulturore në vend është me jo pak probleme, por dhe për trash