Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Gjergj Ruli: Futbolli s’na çon në Olimpiadë, atletika është “mbretëresha” prandaj duam trajtim elitar

Postuar: 03/08/2019 - 07:30

Atletika është një prej sporteve më të vjetra, por edhe më jetëgjata e padyshim sporti më i ndjekur në histori. Në shumë vende të botës, atletika është ende sport primar, por edhe në Europë, ajo ka rezultate shumë të larta dhe në tërësinë e saj është në bazën e çdo sporti. Kjo e bën atë të ketë avantazhe të pakrahasueshme. Por në Shqipëri atletika, pavarësisht arritjeve, ka dobësi infrastrukturore, por edhe financiare. Buxheti për atletikën, ta themi hapur, është totalisht i pamjaftueshëm. E megjithatë, atletika ka disa prej elementëve më cilësorë të sportit shqiptar, që kanë sjellë medalje dhe dinjitet nga veprimtaritë ndërkombëtare. Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj janë dëshmia më e fortë për këtë. Ditët e fundit është diskutuar shumë për Ligjin e Sportit. Madje qeveria pati para pak muajsh një takim me krerët e futbollit, që kërkuan vëmendjen e shtetit, për të shpëtuar këtë sport nga falimentimi. Madje së fundmi futbolli krijoi edhe sindikatën e vet dhe duket se ka marrë “stafetën” e përfaqësimit të sportit. Por “rebelohet” atletika, e cila kërkon të trajtohet si “mbretëreshë”, siç është në fakt, në respekt të sportistëve elitarë që ka në gjirin e saj.

Krerët e futbollit, përfshi drejtues klubesh dhe të federatës, patën para pak muajsh një takim me kryeministrin Rama, ku kërkuan mbështetje nëpërmjet Ligjit të Sportit, qoftë në aspektin financiar, ashtu dhe në atë infrastrukturor. Edhe ju si federatë e atletikës keni kërkuar bisedime me qeverinë. Për çfarë është fjala?

Dimë që ka shumë ligje dhe ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë. Unë nuk jam pjesë e sindikatave të sportit, por është detyrim i qeverisë të orientojë politikat sportive dhe ta mbështesë sportin. Natyrisht, sporti nuk është detyrim, por pasion dhe krenari. Megjithatë, njerëzit që merren me sport harxhojnë mund, harxhojnë kohë nga rinia dhe jeta e tyre, por harxhojnë edhe para. Një sportist bën 1200 orë punë në vit, më e pakta, dhe kjo punë duhet vlerësuar. Ai kërkon një mundësi, sepse harxhon kohë nga jeta e tij. Pra një sportist bën punë dhe puna duhet paguar. Buxheti që na akordohet ne si federatë është krejtësisht i pamjaftueshëm. Sportistët duhet të kenë partnership dhe jo vetëm rroga që nuk mjaftojnë për asgjë. Kjo kërkon që financimet të jenë edhe të natyrave të tjera. Këto gjëra duhet të funksionojnë me ligj e me rregulla të veçanta dhe i takon shtetit ta njohë këtë marrëdhënie (partnershipi). Unë kam goxha eksperiencë edhe si mësues në San Marino. Çdo vit, më 1 janar, bizneset e regjistruara atje, në varësi të të ardhurave derdhnin një përqindje për sportin. Aktualisht, ky vend i vogël me 20 mijë banorë nuk është aq mirë ekonomikisht, por sportit nuk i mungon “kuota” e vet dhe nuk i janë mbyllur “rubinetat” që e ushqejnë financiarisht. Futbolli bëri mirë që kërkoi nga qeveria ndihmë, por mos harrojmë se futbollistët kanë rroga shumë të larta për kushtet ku operon sporti ynë dhe shoqëria jonë. Dhe ndoshta nuk i meritojnë këto rroga të larta. E them këtë kur i krahasoj me Izmir Smajlajn dhe Luiza Gegën. A ka ndonjë futbollist nga kampionati shqiptar që merr 3-4 mijë euro në muaj që të ketë arritur në rang ndërkombëtar suksesin e Luiza Gegës dhe Izmir Smajlajt? Unë nuk jam xheloz për futbollistët që marrin kaq shumë para, por nuk mund të rri e të mos ngre zërin për sportistët elitarë të atletikës, që kanë kualitet më të lartë dhe përfaqësojnë vendin e ngrenë flamurin shqiptar në botë.

Çfarë kërkoni, konkretisht?

Ligjet dhe rregulloret nuk bëhen për hatër të njërit e të tjetrit, por që të përfitojë i gjithë sporti, veçanërisht sportistët elitarë dhe këtu atletika bën diferencë me shumicën e disiplinave sportive në Shqipëri. Prandaj kërkoj që të ketë një kuvend më të madh për sportin, ku të diskutohen edhe detajet, por mbi të gjitha të ketë barazi dhe drejtësi në trajtim. Të flasin aktorët e sportit dhe të vijnë të gjithë specialistët dhe dashamirësit të japin idetë e tyre në të mirë të sportit kombëtar. Unë kam qenë vetë sportist dhe merrem ende me sport (tashmë si trajner) dhe jeta ime është e lidhur me atletikën. Kontribuoj tek një disiplinë që merret me metër e kilometër, por të jep krenari, burrëri, forcë, karakter etj. Qeveria duhet të mendojë më së pari për ne, sepse ne jemi baza e të gjitha sporteve. Kërkoj edhe nga shtypi të mbështesë atletikën. Futbolli e arriti sindikatën, ne ende jo, por po përpiqemi të krijojmë një sindikatë të sportit elitar, që të mbrojë më së pari të drejtat e sportistëve të nivelit të lartë. T’u shërbejë sportistëve aktivë, por edhe atyre që sakrifikuan ditë nga rinia dhe jeta e tyre e që në fakt nuk morën asgjë, duke dalë “zhveshur”, sepse ne nuk mundëm t’u ofrojmë as sigurinë minimale. Ata na dhanë rezultate të larta, na takon ne të bëjmë rregullore që u vijnë atyre në ndihmë.

Shpesh rezultatet janë të njollosura...

E kuptoj, por dopingu është një njollë për sportin kudo në botë, unë e dënoj rreptë atë dhe jemi përpjekur edhe si federatë që t’i mbajmë sa më larg sportistët nga ky fenomen shqetësues. Megjithatë, insistoj që të jemi të barabartë me të tjerët në tavolinën e bisedimeve me qeverinë. “Mbretëresha e sporteve” e meriton këtë. Nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje pa praninë e atletikës dhe nga marrëveshjet na takon ne të përfitojmë të parët, pasi ne i kemi sportistët elitarë, së bashku me disa sportistë të federatave të tjera, kryesisht nga peshëngritja.

Së shpejti vjen Botërori i Dohas. Çfarë pritshmërish kanë sportistët tanë? Duke qenë në rolin edhe të trajnerit të Izmir Smajlajt, çfarë ambiciesh keni në këtë aktivitet?

Ne patëm një gëzim të madh për rekordin kombëtar të Izmirit para pak javësh, por në të njëjtën kohë patëm edhe hidhërim, pasi sportisti ka pak probleme me “tendinën e Akilit”. Bëjmë terapi intensive, madje deri në Itali, e me këtë rast dua të falënderoj “ushtrinë” e mjekëve që i kanë shërbyer atletit për të pasur një rikuperim të shpejtë. Mbeten afro 60 ditë deri në Botëror, kohë që do ta shfrytëzojmë maksimalisht për të arritur në objektivat tona. Mendoj se e kemi kaluar fazën e krizës dhe unë shpresoj të mos kemi ndonjë dëmtim tjetër. Të hënën vjen tartani nga Italia për pistën e kërcimit dhe për këtë duhen falënderuar Bashkia e Tiranës dhe KOKSH-i. Kemi një kastë atletësh shumë të mirë, do të thosha të nivelit të lartë, të cilët mund të kapin normën e pjesëmarrjes.

Sa janë të konfirmuar deri tani dhe a ka ndonjë aktivitet së afërmi që i teston rezultatet e sportistëve?

Deri tani të deklaruar janë Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj, por ne kemi edhe atletë të fuqishëm si Franko Burraj dhe David Nikolli, por edhe ndonjë tjetër, që kanë shanse. Të martën, në Shkup, do të zhvillohet Liga e Europës dhe ne marrim pjesë në grupin B. Është një shans për ne, për më tepër që ky aktivitet ka vlerë ekipore. Më pas do të jetë Kampionati Ballkanik, pikërisht në javën e parë të shtatorit, pra dy aktivitete që mund të shërbejnë si teste të mirëfillta para Kampionatit Botëror të Dohas. Për Luiza Gegën shpresojmë rekord të ri kombëtar në 3000 metra me pengesa, pse jo edhe zonën e medaljeve.

Është e vërtetë që atletika ka sportistë të nivelit të lartë, por ata janë vetëm disa kokrra. Për më tepër, me rregullin e ri të IAAF-it, normat olimpike janë rritur dhe vështirësia e pjesëmarrjes në Olimpiadë është evidente. Cili është mendimi juaj?

Atëherë më lejoni t’ju sqaroj se Luiza Gega e ka kapur normën olimpike, ndërsa Izmir Smajlaj është vetëm 2 cm larg normës olimpike. Duke qenë edhe trajner i Izmirit, ju informoj se kemi marrë një ftesë nga federata kubaneze, me të cilën kemi një marrëdhënie shumë të mirë. Izmiri do të stërvitet në nëntor e në vijim me kampionin në fuqi të botës. Sa më takon mua si trajner, dua të them që: nëse Izmiri do të verë në efiçencë kapacitetet e tij si atlet dhe nëse stërvitja në Kubë do të shkojë sipas parashikimeve, atëherë ju siguroj që do të jetë një medalist olimpik. Unë nuk ndodh shpesh të jap deklarata të tilla pompoze, por kur i kam dhënë më ka dalë fjala. Unë kisha deklaruar në media se Izmir Smajlaj del kampion Europe dhe doli i tillë në Europianin e Beogradit. Unë i njoh kapacitetet e tij si atlet fenomenal në kërcimin së gjati prandaj edhe kam besim se mund të regjistrojmë një rezultat historik.

Kam një sfidë për ju: jemi i vetmi kryeqytet në botë që nuk kemi pistë atletike. Sa e vret kjo “mbretëreshën e sporteve” në Shqipëri? FSHF dhe qeveria nuk e mbajtën fjalën për të zëvendësuar pistën që ishte tek “Qemal Stafa”, apo jo?

Së pari, më lejoni të qartësoj publikun, ne jemi kryeqyteti i vetëm pa pistë sintetike, por jo pa pistë vrapimi. Kushdo që dëshiron të ushtrojë atletikën e gjen mënyrën, por për rastin në fjalë duhet ndërgjegjësim, sepse “mbretëresha e sporteve” e meriton “kurorën”. U prish stadiumi “Qemal Stafa”, por kryeministri Rama ndërtoi pistë me tartan në stadiumet e Elbasanit dhe të Shkodrës. E premtoi dhe e bëri, pra ne nuk jemi pa pistë. Unë ju siguroj se kam marrë mbështetje nga kryebashkiaku Erion Veliaj se pista sintetike do të jetë gati 100% në vitin 2020.

Është problem terreni, ku do të bëhet?

Ka disa alternativa, ose tek poligoni i qitjes në Qytetin Studenti, ose në ambientet e Institutit të Fizkulturës (sot UST), ose brenda stadiumit “Selman Stërmasi”. Për nga parametrat, ky i fundit është më i miri për atletikën, sepse mund të kthehet në stadium olimpik dhe harkimi i pistës i plotëson kriteret për 8 korsi dhe në kushte optimale. Pra në aspektin teknik është më i miri për pistën me tartan. Mos harrojmë, shumë atletë të mëdhenj shqiptarë janë stërvitur dhe kanë bërë gara në këtë stadium. Kjo alternativë duhet me patjetër të merret parasysh nga bashkia dhe qeveria.

E megjithatë, vëmendjen shtetërore në këtë periudhë tranzitore në sport duket se po e merr vetëm futbolli...

Siç thashë më sipër, unë nuk xhelozoj askënd. Të gjithë jemi për më të mirën, madje e përshëndesim edhe formimin e sindikatës së futbollit. Por unë jam për sport olimpik dhe futbolli ynë nuk merr pjesë në Olimpiadë, është cilësisht i pamjaftueshëm për të shkuar deri atje, kurse atletika ka sportistë elitarë që lakmojnë edhe medalje. Luiza Gega ka fituar mbi 200 medalje në karrierën e saj, ka thyer dhjetëra rekorde kombëtare dhe është krenari e atletikës dhe sportit shqiptar. Izmir Smajlaj është atlet fenomenal, me rezultate të kalibrit botëror, është kampion Ballkani dhe kampion Europe. Më thoni, a ka ndonjë futbollist të kampionatit shqiptar që të ketë staturën e Izmir Smajlajt dhe Luiza Gegës? Pikërisht se jemi elitarë kërkojmë dhe trajtim elitar.

Intervistoi: Adriatik BALLA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/11/2019 - 07:58

Artistët  të ndryshëm në vend shprehen se janë të përbuzur nga institucionet. Sipas tyre, sot vëmendja mungon, si dhe aktivitetet artistike zhvillohen me jo pak probleme.

Postuar: 17/11/2019 - 07:49

Futbolli shqiptar mori një lajm të mirë këtë muaj, në prag të festave të Nëntorit, pasi ekipi kom

Postuar: 15/11/2019 - 07:27

 Festivali i filmit “Anifest Rozafa” përfundoi edicionin e dhjetë në qytetin e S

Postuar: 09/11/2019 - 13:40

Profesori dhe historiani Bernard Zotaj, ka hedhur dje dritë mbi të vërtetën e luftës partizane.

Postuar: 07/11/2019 - 13:00

Bashkia e Kamzës pritet të rilindë dhe të jetë në shërbimit të qytetarëve të saj, tanimë që është

Postuar: 01/11/2019 - 07:39

Në ekranin e kinemasë aktori Kristaq Pilo së fundmi erdhi me rolin e hetuesit në filmin “In