BREAKING NEWS

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në Gërdec, prokurorët pritet të marrin në duar faktet nga Drejtësia Amerikane, nisen letër-porositë në SHBA, informacione do të merren edhe për Patrick Henryn, ja lidhja e tij me Delijorgjin dhe S...

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në
x
BREAKING NEWS

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes së spiunit të Ilir Metajt, presim që ‘shiringa me ujë deti’ që u injektoi zyrtari i lartë i DASH prokurorëve të SPAK të sjellë arrestimin e ‘peshave të rënda’

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes
x
BREAKING NEWS

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për votimin pa kuorum të ligjit për Investimet Strategjike, ja si u shkallmua Kushtetuta nga mazhoranca, zbardhet mashtrimi

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për
x
BREAKING NEWS

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj që sfidon “ujqërit” e vjetër në politikë, banesë 200 mijë euro, 11 llogari bankare, fitime marramendëse nga qeratë, 180 mijë euro shitje pasurish, si i ka justifikuar milionat nga puna si emigrant,...

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj
x
BREAKING NEWS

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian Allajbeut dhe Vilma Nushit, vjedhjet me “Hemodializën”, “Check Up”-in, “Laboratorët” dhe “Sterilizimin” janë të faktuara, priten arrestimet nga SPAK

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian
x
BREAKING NEWS

Rama-Berisha ngrenë komision për të shkatërruar SPAK dhe Reformën në Drejtësi, ja pazaret e reja të “non-gratës” me kryeministrin për të bllokuar arrestimet

Rama-Berisha ngrenë komision për të shkatërruar SPAK dhe
x
BREAKING NEWS

Plas skandali i Portit të Vlorës, ja si iu falën Samir Manes 57 mijë metra katror tokë, të implikuar 2 ministra, SPAK merr në dorëzim padinë për megaoligarkun e qeverisë

Plas skandali i Portit të Vlorës, ja si iu falën Samir Manes 57
x
BREAKING NEWS

Gazetarja e njohur paralajmëron arrestime të bujshme në ditët në vijim, ja disa nga dosjet “përvëluese” që po heton SPAK dhe skema që ndoqën agjentët e BKH për të arrestuar Jorgo Goron, kryebashkiaku në detyrë i Himarës u përgjua 4 muaj rresht me metod...

Gazetarja e njohur paralajmëron arrestime të bujshme në
x

aktualitet-dossier

Hasan Gurabardhi: S’mund të pretendohet volejboll cilësor, kur s’kemi as infrastrukturë e as buxhet për sportin

Hasan Gurabardhi: S’mund të pretendohet volejboll cilësor, kur

Volejbolli shqiptar po përpëlitet prej vitesh në kërkim të një niveli të kënaqshëm sportiv, të krahasueshëm me vendet e rajonit dhe atë europian, por një sërë faktorësh e kanë lënë atë në vend dhe nuk po i japin frymëmarrjen e duhur që të bëjë përpara. Natyrisht, talente ka, kuadri teknik është i mirë dhe vullneti nga sportistë e trajnerë nuk mungon, por volejbolli ynë e ka problemin tek kushtet e dobëta infrastrukturore dhe buxheti i paktë që akordon shteti në tërësi për sportin. Nuk mund të flitet për volejboll cilësor kur kemi një infrastrukturë të tmerrshme dhe një investim në vlera të papërfillshme nga shteti. I këtij mendimi është dhe një prej teknikëve të njohur të volejbollit tonë, Hasan Gurabardhi, i cili dominon në volejbollin e femrave prej disa vitesh me skuadrën e tij Barleti Volej. Gurabardhi e njeh mirë situatën dhe është kritik kur vjen puna për gjendjen infrastrukturore, por në të njëjtën kohë, duke dhënë shifra konkrete për buxhetin e vendeve të rajonit për sportin, ai kujton se sa pak rëndësi ka nga shteti sporti shqiptar, me një buxhet qesharak, tërësisht të pamjaftueshëm për të pasur volejboll cilësor. Barleti Volej doli kampion, por vetëm kaq, pasi pjesëmarrja në kupat e Europës është e pamundur, sepse skuadrat tona nuk kanë buxhet. Lekët që jep sponsori mjaftojnë vetëm për stërvitje dhe për lojtaret, por deri këtu. Duhet një dorë tjetër që ta mundësojë kapërcimin e volejbollit tonë në Europë dhe këtu hyjnë në lojë politikat shtetërore. Por kjo gjë mungon dhe ko e bën volejbollin tonë të lëngojë e të jetë i prapambetur.

 

Në këtë moment është i gjallë debati për pjesëmarrjen e skuadrave tona në kupat europiane. Një volejboll cilësor i një vendi nuk mund të konceptohet pa u ballafaquar dhe ju e dini këtë. Tani që kampionati ka mbaruar dhe ku ju jeni shpallur kampion me Barleti Volej, a do të garoni në ndonjë veprimtari sportive ndërkombëtare?

Jo, nuk do të marrim pjesë dhe shkaku lidhet me mungesën e anës financiare. Kjo është një mangësi e madhe për volejbollin tonë, padiskutim, është një mangësi që e vuajmë, sepse nuk marrim leksionet e duhura, mësimet e nevojshme dhe eksperiencën që i jep dimension tjetër më cilësor volejbollit. Ne kemi marrë pjesë në këto veprimtari me moshat dhe me të rriturat edhe në diktaturë dhe duket paradoksale që nuk arrijmë të përfaqësohemi në kohët e tanishme. Natyrisht, kjo është një mangësi e madhe, një mungesë që ka pasoja për volejbollin. Sa i takon skuadrës tonë, më duhet të them se ne jemi klub privat dhe klubi nuk ka mundësi financiare që të na mundësojë pjesëmarrjen në kupat europiane.

Kjo është e kuptueshme, por pikërisht në këto nivele arrin të futet në lojë shteti. Ka mekanizmat e tij, që janë federata, institucionet sportive dhe MAS, të cilët nëpërmjet hallkave të tyre mund të zgjidhin “qesen” e mjaftueshme që klubet kampione të arrijnë të luajnë në Europë. Kjo është më e pakta që mund të bëjë një shtet për të ardhmen e sportit të tij...

Kjo që ju shtroni është një shqetësim i hershëm dhe jo i ri. Natyrisht, këtë gjë nuk mund ta zgjidh unë, por e di që ana financiare çalon shumë. Faktikisht, me rregull janë klubet që duhet të investojnë në këtë drejtim, ato duhet të paguajnë për të marrë pjesë në veprimtari të tilla. Por pjesëmarrja kushton dhe klubet nuk kanë kapacitete financiare të mjaftueshme. Edhe klubi ynë ka shumë harxhime dhe presidenca na e ka bërë të qartë se nuk ka kapacitet financiar për të na mundësuar pjesëmarrjen në kupat europiane.

Meqë Barleti Volej e fitoi kampionatin dhe në mënyrë bindëse, çfarë do të veçonit nga ky sezon?

Ky sezon për skuadrën tonë ishte i suksesshëm, madje mund të them ndër më të suksesshmit ndër vite. Në fakt, në fillim nuk shiheshim favoritë për titull, pasi na u larguan tre lojtare titullare dhe u duk se ne u dobësuam dhe nuk ishim më pretendentë. Madje nuk na llogaritnin se do të futeshim në katërshe. Por, titullaret i zëvendësuam me lojtare të reja si Picaku, Hasku dhe Bego, të cilat treguan vlerat e tyre. Kishim edhe lojtare të reja në stol dhe kështu që ndërtuam një skuadër interesante. I fituam të gjitha. Pësuam një humbje në kampionat, por pa qeder. E parë në këtë formë, për ne si skuadër ishte arritje dhe besoj një sukses i merituar. Harmonizuam lojtaret e reja me ato me përvojë dhe e dominuam kampionatin për mrekulli, duke marrë trofetë. Madje mund të shtoj se krahasuar me vitet e tjera fituam më lehtë.

Si ishte rivaliteti me skuadrat e tjera?

Rivalitet pati, sigurisht, dhe kjo pritej. Partizani ishte ekipi që rivalizoi me ne, por siç thashë Barleti e dominoi garën dhe i fitoi të gjitha.

Specialistët e basketbollit janë shprehur mjaft entuziast për të ardhmen e këtij sporti, sepse ka një kuadër të ri teknik që përbën një plejadë që do të ketë kontribut. Si qëndron në volejboll kuadri teknik dhe a ka shpresa për të pasur një volejboll më cilësor falë teknikëve të rinj?

Ka të rinj të pasionuar, sigurisht, të cilët nuk i mungojnë as volejbollit. Ka të rinj të talentuar dhe që kanë interes për volejbollin. Brezi im nuk kanë pasur shumë mundësi, por sot ekzistojnë mundësitë dhe teknikët ndjekin kurset brenda e jashtë vendit, por edhe nëpërmjet internetit dhe programeve të ndryshme. Në këndvështrimin tim volejbolli qëndron më lart se sa basketbolli dhe kjo shihet më mirë në ballafaqimet ndërkombëtare. Humbjet e skuadrave të basketbollit janë shpesh me diferenca shumë të mëdha, sidomos tek femrat, kurse në volejboll nuk ndodh kjo dhe ekipet tona madje kanë fituar edhe ndeshje ndërkombëtare. Pra volejbolli, krahasimisht, qëndron me lart se basketbolli. Por problemi i vërtetë në Shqipëri për sportin në tërësi dhe sidomos për volejbollin është infrastruktura. Presidenti ynë i Barleti Volej, Gafurr Dudaj, jep 10 mln lekë në sezon vetëm për stërvitje. Me kaq lekë shkon në Europë dhe merr pjesë në veprimtaritë ndërkombëtare. Jemi në bisedime me një shkollë që të marrim palestrën e saj dhe shpresoj ta marrim, që të shpëtojmë nga kjo marrëzi e stërvitjes me para. Mos harrojmë, ka shumë skuadra që stërviten në një vend dhe jam i sigurt se sezonin tjetër do të kemi probleme të mëdha në këtë drejtim. Ekipe ka, por s’kanë ku të stërviten, kjo është e pafalshme dhe një tmerr i sportit të volejbollit në Shqipëri. Për mua (dhe jo vetëm) ky është një shqetësim mjaft serioz, që ndikon negativisht edhe për të ardhmen e volejbollit.

Ju keni folur për këtë çështje dhe në të shkuarën, por pak është bërë. Infrastruktura e dobët është shndërruar në një “gangrenë” për sportin tonë...

Unë kam folur, kolegët e mi dhe sportistët kanë folur, por asgjë nuk po bëhet. Kemi një pallat sporti që nuk plotëson asnjë standard, japim 40 mijë lekë për dy orë stërvitje te salla nr.2, një turp më vete. Çfarë mund të thuash më shumë për volejbollin dhe si mund të pretendohet për cilësi, kur stërvitja është me lekë?! Infrastruktura e volejbollit tek ne është e tmerrshme. Dikush mund të thotë se volejbolli cilësor kërkon dy seanca stërvitore në ditë. Dakord, por kush është ai që paguan kaq shumë? Se stërvitjet janë me lekë, sepse nuk ka palestra dhe impiante ku mund të ushtrohesh. Ja, tani është verë dhe do të jetë vapë e rrjedhimisht s’mund të stërvitesh jashtë. Prandaj janë të domosdoshme impiantet.

Po bëhet palestra e re te “Parku Olimpik”, ndoshta do të lehtësojë sadopak gjendjen, apo jo?

Një palestër është ajo dhe me sa kam dëgjuar do të përdoret vetëm për ndeshje, por jo për stërvitje. Infrastruktura është pra një tmerr, një mangësi e madhe që kemi. Nga ana tjetër, buxheti i dobët për klubet dhe për sportin në tërësi nuk justifikohet. Çfarë mund të bëhet më shumë në cilësi me një buxhet të tillë? Ekipet që vijnë nga rrethet ndodh që paguajnë nga xhepi i tyre që të vijnë të zhvillojnë ndeshjet në Tiranë. Por çfarë e mban gjallë atëherë? Është pasioni, janë talentet që këtij sporti nuk i mungojnë. Janë pikërisht këto talente dhe shpresa e të rinjve që na mbajnë edhe ne ende në këtë sport. Megjithëse, më duhet ta pranoj, këto kushte të vështira po më largojnë edhe mua nga volejbolli.

A ekzistojnë mundësitë për të pasur sponsorizim?

Kjo është një çështje që ha debat. Është bërë një Ligj për Sportin, por nuk ka një linjë sponsorizimi. Ne kemi vite që e ngremë si çështje, por ende nuk ka marrë zgjidhje ky shqetësim. Në Shqipëri mungon një strategji e qartë për sportin. Pak kohë më parë deputeti Fidel Ylli ngriti shqetësimin që kishte të bënte me buxhetin e vogël që akordohej për sportin në tërësi, diku te 800 mijë euro. Në një kohë kur Kosova e ka 7 herë më shumë, kurse Mali i Zi, një vend pesë herë më i vogël se ne, merr 11 mln euro nga shteti. Shikoni pra çfarë diference domethënëse! Edhe deputeti Ylli e ngriti këtë shqetësim në parlament, çfarë duhet tjetër të ndodhë që të vihet dorë për të pasur sport më cilësor.

Si e shihni të ardhmen e Barleti Volej? Çfarë synoni më tej?

Fatmirësisht ekipi ynë e ka bërthamën dhe grupi mund t’ia dalë sërish sezonin tjetër. Kemi një grup të mirë lojtaresh të reja dhe unë i siguroj edhe kundërshtaret se ne kemi pretendentë për të fituar titull edhe vitin tjetër. Ne si skuadër i duam të gjithë trofetë dhe jemi pretendentë realë. Kemi mbështetjen e presidentit G. Dudaj dhe jam optimist se gjërat do të shkojnë sipas parashikimeve tona.

Si e gjeni talentin?

Ne kemi shumë prurje nga rrethet, janë kryesisht studente te Universiteti Marin Barleti. Janë vajza që vijnë nga Lezha, Dibra, Vlora etj. Është e suksesshme ardhja e tyre. Unë mund të them se 90% e ekipit janë prurje nga rrethet dhe 70% e tyre janë studente.

Është dhe pista kosovare...

Është dhe pista kosovare patjetër, por më duhet të them se volejbolli i tyre nuk është në nivelin që ka volejbolli në Shqipëri, si për meshkuj dhe për femra. Zhvillojmë me ta shpesh aktivitete, i ftojmë, por nuk mund të marrim eksperiencë sepse nuk kanë cilësinë tonë.

Dikur kishte shumë skuadra që rivalizonin, tani ka më pak. Pse kështu?

Jo, jo nuk është kështu. Gara te ne është me dy grupe, njëri me 8 ekipe e tjetri me gjashtë. Në kampionatin e ardhshëm do të kemi gjashtë skuadra që do të rivalizojnë fort. Ekipet e Shkodrës dhe të Krutjes janë ringjallur. Sezonin tjetër na vjen edhe ekipi i Peshkopisë. Pra gara do të jetë interesante.

Infrastruktura e munguar ka qenë për ju një shqetësim në vijimësi. Çfarë propozoni?

Fatkeqësia jonë është se ne nuk kemi asnjë pallat sporti që plotëson kushtet. Pallati që kemi ne nuk plotëson kushtin elementar, atë të temperaturës së sallës që duhet të jetë midis 18 dhe 24 gradë. Ne e kemi këtë një problem të përditshëm dhe mua më dhemb ky fakt. Infrastruktura është çelësi dhe pa infrastrukturë s’kemi për të pasur volejboll cilësor. Adriatik BALLA