Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Henri Moja: Basketbolli shqiptar po “ringjallet”, e mrekullueshme që po mbushen sallat e sportit

Postuar: 08/09/2019 - 07:44

Basketbolli u trondit pak ditë më parë nga një përplasje midis Federatës Shqiptare të Basketbollit dhe Bashkisë së Tiranës, pasi Agjencia e Rekreacionit dhe Parqeve e bashkisë nuk lejoi të stërvitej në Parkun Olimpik ekipin kombëtar të basketbollit, duke shkaktuar një precedent të rrezikshëm dhe me pasoja për sportin në nivel përfaqësues. Gjithsesi, pavarësisht rezultateve negative të skuadrës kombëtare, është fakt që prania shqiptare në Europë po rritet dhe këtë e dëshmon suksesi që pati federata e koshit me prezantimin e të gjitha ekipeve kombëtare të moshave në ligat europiane, rezultatet e mira të skuadrave dhe një ndjesi pozitive që karakterizon basketbollin e meshkujve aktualisht. Ka një rikthim të spektatorëve dhe një nivel në rritje të kampionatit, dëshmuar me rivalitetin e fortë për titull dhe daljen për herë të parë në një finale të Ballkan Ligës, copëza suksesi që janë skalitur në sezonin që lamë pas dhe japin shtysë për vazhdimësinë. Kështu mendon dhe ish-basketbollisti Henri Moja, aktualisht trajner tek Kombëtarja U-20 dhe njëherësh komentator i ndeshjeve të basketbollit. Në intervistën e dhënë për “SOT”, ai thotë se brenda pak vitesh do të kemi një hop cilësor, pasi është hedhur “fara” e suksesit.

Keni qenë pjesë e stafit të Kombëtares U-20 në Divizionin C të Ligës europiane. Çfarë eksperience keni nga pjesëmarrja, rezultatet dhe performanca e ekipit në tërësi?

Para se të dal tek aktiviteti dua të kujtoj fillimisht se kemi bërë një program stërvitor të vështirë, sepse jemi stërvitor në temperatura deri në 400C në pallatin “Asllan Rusi”. Dy herë në ditë stërvitje në kushte të tilla është shumë e vështirë dhe kjo ndodhi pasi nuk u lejuam të stëviteshim tek salla sportive “Feti Borova”, e cila, siç e dini dhe ju, ka kushte shumë më të mira. Pasojë e kushteve ishte dhe mungesa e ndeshjeve të mjaftueshme miqësore, gjë që u reflektua në ndeshjet e para të Europianit të kësaj moshe. Nuk mjaftoi vetëm kjo, por patëm një udhëtim të gjatë e të lodhshëm. I them këto jo për të justifikuar ekipin dhe rezultatet, por se janë fakte të pamohueshme që ndikojnë në ritëm dhe performancë. Sidoqoftë, ne e kapëm shpejt ritmin dhe duelet më të mira i zhvilluam në mesin e turneut. Dua të veçoj fitoret me Rumaninë, e cila është një skuadër shumë e fortë, por domethënëse për ne ishte sidomos fitorja me Bjellorusinë, skuadër të cilën nuk e kishte mundur askush më parë dhe në klasifikim të U-20 ka mbajtur pozicion shumë të lartë. Kjo fitore na mundësoi të shkojmë pastaj më tutje, duke bërë një prezantim të mirë. Dua të shtoj këtu se nga të gjitha ekipet kombëtare të moshave, U-20 është e vetmja që luan në Divizionin B, pasi skuadrat e tjera luajnë në Divizionin C. Zumë vendin e 12-të nga 21 pjesëmarrës, një përmirësim në tregues krahasuar me paraqitjet e mëparshme.

Po flitet shumë për lojtarët e rinj shtatlartë. Ky parametër fizik në të shkuarën ka qenë inferior në ballafaqimet ndërkombëtare. Si qëndron ky tregues aktualisht?

Ky është një element fizik që po përmirësohet vit pas viti dhe ne kemi edhe në radhët e Kombëtares U-20, lojtarin më të gjatë të basketbollit shqiptar, Eraldo Nikoçin, 216 cm dhe që luan në Itali. Meqë po flasim për grupin dhe cilësitë e tij kujtoj këtu, gjithashtu, se 9 nga 12 lojtarët e përfaqësueses U-20 të Shqipërisë luajnë jashtë vendit, kryesisht në Itali, Belgjikë, etj. Vetëm tre lojtarë luajnë në Shqipëri dhe për ironi lojtari me statistikat më të mira nga skuadra jonë e U-20 është pikërisht nga kampionati shqiptar dhe luan me Tiranën.

Sa prej këtyre lojtarëve luajnë apo janë në gjendje të aktivizohen në ekipin përfaqësues?

Kombëtarja e moshës U-20 në basketbollin e meshkujve i ka çuar ekipit përfaqësues kryesor plot 6 lojtarë, prej të cilëve 4 i kemi çuar vitin e kaluar dhe 2 këtë vit. Ky është një projekt që ka nisur prej kohësh dhe shihet qartë se po jep produktin e vet dhe i parë në këtë formë është gjë shumë pozitive, sepse ka një kalim të natyrshëm të elementëve cilësorë nga skuadrat kombëtare të moshave në ekipin përfaqësues të të rriturve. Sa i takon nivelit që ka kjo grupmoshë në kampionatin shqiptar të basketbollit, ua cilësova dhe pak më lart, elementi me statistikat më të mira nga U-20 e Shqipërisë në Europian (B) luan me Tiranën, është Eldi Hysa dhe kjo ka domethënie dhe për vetë kampionatin shqiptar.

Kur flasim për ekipet e moshave në basketbollin tonë, jo vetëm ato të skuadrave kombëtare, cili është niveli i tyre?

Ajo që të gëzon është numri i madh i skuadrave të basketbollit, veçanërisht tek meshkujt. Sidomos në Tiranë gjendja është mjaft pozitive, pasi ka shumë ekipe fëmijësh dhe po shtohen vazhdimisht. Nuk është ende niveli i duhur apo i pretenduar, pasi kërkohet një punë më e madhe edhe në selektim, por postulati “ku ka masivitet do të ketë edhe cilësi” mund të gjejë shprehjen e duhur në këtë situatë që po kalon basketbolli ynë. Shpresojmë shumë që ky masivitet të na sjellë në vitet në vijim cilësinë e duhur që të na krahasojë me rajonin.

Cilat janë ambiciet tuaja në planin teknik?

Vijoj të jem pjesë e stafit të Kombëtares U-20 dhe dëshiroj që vitin e ardhshëm të pozicionohemi më mirë. Madje ekipi ka një progres të dukshëm pasi nga vendi i 16-të tani është në vend të 12-të. Nëse na vijnë lojtarët që luajnë jashtë, domethënë ata që kanë cilësi dhe luajnë në kampionatet europiane, atëherë mund të kapim 8-shen më të mirë. Sidoqoftë, unë besoj se në 3-4 vitet e ardhshme do të kemi një prezantim më të mirë ndërkombëtar në të gjitha grupmoshat, sepse basketbolli ynë po përtërihet në aspektin pozitiv.

Kur flasim për përfaqësimin nuk mund të lëmë jashtë diskutimit Kombëtaren, e cila, përtej angazhimeve në duelet ndërkombëtare, shkaktoi bujë se u la jashtë dyerve të Parkut Olimpik. Ishte një skandal i madh t’i bëhej kjo ekipit përfaqësues. Cili është mendimi juaj?

Kjo ishte një ngjarje që shkaktoi debat të fortë dhe për basketbollin ishte e rëndë. E vërteta është se salla “Feti Borova” u bë për ekipet kombëtare, qoftë për stërvitje, qoftë për gara. Atëherë ç’kuptim ka dhe kujt i vlen nëse nuk lejohet të stërvitet e të luajë ekipi përfaqësues? Unë mendoj se kjo çështje mund të zgjidhet vetëm nëse krijohet një drejtori e posaçme e sportit, ndoshta në varësi të ministrisë së linjës, që të merret me administrimin e impiantit. Madje, më e drejta do të ishte që “Feti Borova” t’i kalonte për administrim federatës së basketbollit dhe asaj të volejbollit, dy sportet e lojërave me dorë, pasi edhe salla këtë funksion ka, pra salla e lojërave me dorë. Në këtë formë shmangeshin jo vetëm keqkuptimet, por do të rritej edhe efikasiteti i sallës, por edhe niveli sportiv.

Sidoqoftë, Kombëtarja Shqiptare e Basketbollit pati rezultate të dobëta ndaj Bjellorusisë dhe Danimarkës...

Kombëtarja e basketbollit po përjeton një fazë transformimi. Në ekip po bëhet një rotacion i nevojshëm brezash dhe çmimi është ky që patëm këtë edicion, pra mungesë rezultatesh. Nuk është momenti për të paragjykuar ekipin përfaqësues, i cili ka fazën e vet të përtëritjes dhe unë ju siguroj se pas 2-3 vjetësh do të kemi një kombëtare basketbolli shumë më cilësore. Një nga arsyet që nuk patëm rezultat ishte dhe mungesa e disa titullarëve, të cilët luajnë në Serie A apo B dhe që kanë peshë në skuadër, por për arsyet të tyre personale munguan në këtë edicion. Sidoqoftë, unë kam shumë besim se do të kemi një kombëtare cilësore brenda pak vitesh.

Edicionin që lamë pas pati shumë zhvillime interesante në basketboll. Titulli shkoi në Durrës, madje dhe epiqendra e suksesit ishte buzë detit. Teuta arriti në finalen e Balkan League, pati rivalitet në fazën e “play-off”-it që dhuruan mjaft emocione. Kishte surpriza dhe tifozeri, diçka e mirë për sportin e koshit. Ja, pra, që FSHB-ja ka arsye të krenohet me arritjet, pasi faktet flasin krah saj. Nga zero në dhjetë, çfarë note i vini basketbollit shqiptar?

Për momentin i vë një 8+, pasi që të shkojmë tek 10-ta duhet të kemi më shumë rivalitet dhe më shumë lojtarë shqiptarë cilësorë në garë. Në këndvështrimin tim, sezoni i fundit ishte mjaft i bukur, me cilësi, impiantet ishin plot me tifozë dhe për mua e arriti objektivin. Kishim vite që nuk e shihnim këtë publik në sallat e sportit dhe për mua kjo vlen shumë. Për më tepër, ishin disa skuadra që rivalizonin për titull dhe finalja ishte mjaft emocionuese. Pra, po shkohet drejt një profesionalizmi të cilin e dëshirojmë fort.

Arbitrimi ishte një nga hallkat që shkaktoi jo pak debate sezonin e shkuar. Megjithatë, duket se edhe në këtë pikë federata e arriti maksimumin, pasi një gjyqtar shqiptar (Cici) u përzgjodh në top-20 të Europës dhe arbitron në Kupën e Botës. A nuk është kjo arritje?

Janë hapa të mëdha përpara, pasi ne kemi gjyqtarë shumë të mirë dhe përveç Cicit është dhe Koçi, të cilët arbitrojnë në nivelet më të larta të FIBA-s. Janë 3-4 arbitra të tjerë që gjykojnë në ndeshjet ndërkombëtare të moshave etj. Për mendimin tim kemi një kastë gjyqtarësh basketbolli të nivelit të lartë dhe kjo është pozitive për një sport që kërkon të bëjë “boom” në Shqipëri në 3-4 vitet e ardhshme.

Ju keni luajtur basketboll dhe jeni angazhuar edhe si trajner. Cila është gjendja fizike dhe veçanërisht e taktikës në basketbollin shqiptar?

Ekipet kryesore të kampionatit fizikisht janë mirë dhe kanë parametra profesionistësh pasi stërviten rregullisht. Në aspektin taktik, ardhja e amerikanëve ka futur në basketbollin tonë elementët e spektaklit, rivalitetit një për një dhe në një farë mase një taktikë që ngjan me atë amerikane, duke iu larguar paksa traditës europiane.

Së fundmi, po shtrohet në vijimësi nevoja, apo domosdoshmëria, për një Ligj Sponsorizimesh, që vendet e rajonit e kanë. Sa punë zgjidh ky ligj në basketboll?

Me përjashtim të futbollit, i cili gjeneron para, sportet e tjera kolektive dhe individuale e kanë domosdoshmëri një Ligj për Sponsorizimet, në mënyrë që biznesi të afrohet dhe sponsorizojë ekipet sportive. Po ju jap një rast: SHKBF Tirana, e cila fitoi titullin sezonin e kaluar tek femrat, rrezikon të mos regjistrohet këtë edicion, pasi sponsori është tërhequr, duke thënë “unë vetëm humbas dhe nuk fitoj asgjë nga kjo nismë”. Unë shoh me keqardhje që ligji mund të vonojë dhe sporti do të humbiste shumë. Vendet e rajonit e miratuan këtë ligj dhe e futën sportin në “hullinë” e duhur, kurse ne ende vuajmë. Kosova ka një buxhet 9 mln euro, kurse ne më pak se 1 mln euro. Prandaj kemi nevojë për një ligj sponsorizimesh, për t’i dhënë sportit një dimension të ri në shoqëri. Nëse realizohet ky ligj, atëherë sporti ynë do t’i afrohet nivelit të rajonit, në të kundërt do të mbetemi prapa.

Intervistoi: Adriatik BALLA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 04/12/2019 - 07:38

Simpoziumi i tetë shkencor i polifonisë mblodhi para disa ditësh studiues dhe bartës të saj, duke pasur në vëmendje mbrojtjen e kësaj trashëgimie shpirtërore.

Postuar: 01/12/2019 - 07:55

Me një aktivitet të vlerësuar në art, piktori Nikolin Ivanaj me punët e tij është prezantuar këtë

Postuar: 01/12/2019 - 07:45

Futbolli në këtë edicion nuk e ka nivelin e viteve të shkuara, ky është të paktën mendimi i shumi

Postuar: 27/11/2019 - 07:32

Partizani është padyshim klubi më famoz në sportin shqiptar dhe prej tij kanë dalë sportistë e tr

Postuar: 26/11/2019 - 08:28

Arkeologu i njohur Moikom Zeqo shprehet se Ministria e Kulturës ka një qëndrim antishkencor nda

Postuar: 24/11/2019 - 08:01

Teatri në vend kërkon më shumë mbështetje nga institucionet për zhvillimin e jetës artistike.

Postuar: 24/11/2019 - 07:53

Faruk Kalleshi është një prej emblemave të peshëngritjes shqiptare.