BREAKING NEWS

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në Gërdec, prokurorët pritet të marrin në duar faktet nga Drejtësia Amerikane, nisen letër-porositë në SHBA, informacione do të merren edhe për Patrick Henryn, ja lidhja e tij me Delijorgjin dhe S...

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në
x
BREAKING NEWS

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes së spiunit të Ilir Metajt, presim që ‘shiringa me ujë deti’ që u injektoi zyrtari i lartë i DASH prokurorëve të SPAK të sjellë arrestimin e ‘peshave të rënda’

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes
x
BREAKING NEWS

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për votimin pa kuorum të ligjit për Investimet Strategjike, ja si u shkallmua Kushtetuta nga mazhoranca, zbardhet mashtrimi

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për
x
BREAKING NEWS

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj që sfidon “ujqërit” e vjetër në politikë, banesë 200 mijë euro, 11 llogari bankare, fitime marramendëse nga qeratë, 180 mijë euro shitje pasurish, si i ka justifikuar milionat nga puna si emigrant,...

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj
x
BREAKING NEWS

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian Allajbeut dhe Vilma Nushit, vjedhjet me “Hemodializën”, “Check Up”-in, “Laboratorët” dhe “Sterilizimin” janë të faktuara, priten arrestimet nga SPAK

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian
x
BREAKING NEWS

Rama-Berisha ngrenë komision për të shkatërruar SPAK dhe Reformën në Drejtësi, ja pazaret e reja të “non-gratës” me kryeministrin për të bllokuar arrestimet

Rama-Berisha ngrenë komision për të shkatërruar SPAK dhe
x
BREAKING NEWS

Plas skandali i Portit të Vlorës, ja si iu falën Samir Manes 57 mijë metra katror tokë, të implikuar 2 ministra, SPAK merr në dorëzim padinë për megaoligarkun e qeverisë

Plas skandali i Portit të Vlorës, ja si iu falën Samir Manes 57
x
BREAKING NEWS

Gazetarja e njohur paralajmëron arrestime të bujshme në ditët në vijim, ja disa nga dosjet “përvëluese” që po heton SPAK dhe skema që ndoqën agjentët e BKH për të arrestuar Jorgo Goron, kryebashkiaku në detyrë i Himarës u përgjua 4 muaj rresht me metod...

Gazetarja e njohur paralajmëron arrestime të bujshme në
x

aktualitet-dossier

Henri Moja: Talentet po emigrojnë, prandaj basketbolli ynë mbetet i fundit në rajon

Henri Moja: Talentet po emigrojnë, prandaj basketbolli ynë mbetet i

Mbeten pak ditë që të startojë kampionati kombëtar i basketbollit, ku klubet po përkujdesen të formatojnë skuadra të afta për një performancë cilësore, si dhe me objektiva për trofe. Por basketbolli ynë elitar ka pak skuadra që bëjnë garë të denjë dhe mungesa e skuadrave ka sjellë dhe një kalendar të ngushtë ndeshjesh që nuk i lejon ekipet dhe lojtarët e tyre që të gjejnë një ritëm të njëjtë me basketbollistët e vendeve të tjera. Nuk është vetëm kjo, por emigrimi i elementit cilësor, për studime ose stërvitshmëri dhe angazhim jashtë vendit, ka sjellë mbetjen në vend të basketbollit tonë në raport me fqinjët dhe më gjerë. Eurobasket që u mbyll pak ditë më parë njohu kampionen e re, një vend i vogël ballkanik me dy milionë banorë, Sllovenia. Por ajo ka lojtarë që luajnë në NBA amerikane, kurse ne nuk kemi basketbollistë të nivelit shumë të lartë, sepse kushtet ku operon basketbolli ynë nuk japin shumë mundësi. Natyrisht, specialistët e zyrtarët e basketbollit në vend duhet të jenë ndjerë të turpëruar kur kanë parë arritjet e shumë vendeve të vogla në Europian, si Sllovenia, Finlanda etj, ndërsa ne as nuk kaluam dot fazën paraeliminatore ku pësuam katër humbje në katër ndeshje, një krahasim që na nxjerr shumë të vegjël krahasuar me rajonin dhe Europën. Duke folur për këto raporte, por edhe pritshmëritë e sezonit basketbollistik në vendin tonë, tekniku Henri Moja, thotë se e ardhmja do të jetë e mirë, por për të arritur në nivelet e larta na duhet krahas investimeve në infrastrukturë, edhe një strategji për të zëvendësuar brezat. Nga ana tjetër, Moja mbështet projektin e hershëm të krijimit të një lige mbarëkombëtare që do të rriste shumë nivelin e kampionatit elitar.

-S’ka pak ditë që është mbyllur Eurobasket, ku fitoi një vend i vogël ballkanik, Sllovenia. Ju e keni ndjekur këtë veprimtari, prandaj duam një mendim teknik për risitë në planin tekniko-taktik të këtij aktiviteti, pa harruar të bëhet një krahasim me basketbollin shqiptar. Cila është përshtypja juaj?

-Basketbolli europian po rritet nga viti në vit dhe po shndërrohet në mjaft aspekte sikurse dhe basketbolli amerikan, NBA. Kjo ndodhe dhe për faktin se mjaft basketbollistë cilësorë të kombëtareve të ndryshme europiane po luajnë në SHBA. Madje kjo ishte dhe risia e madhe e këtij kampionati europian, sepse çdo skuadër kishte në përbërjen e vet 4-5 lojtarë që luanin në NBA. Në këtë pikëpamje, Eurobasket ngjante fort këtë edicion me basketbollin amerikan. Ku është ndryshimi? Është risi në interpretimin e lojës. Më parë Europa kishte basketboll klasik taktik, kurse në këtë Europian skuadrat luajtën si në NBA, duke pasur shumë teknikë, shpejtësi dhe spektakël. Kishte sportistë që kishin prej dhjetë vjetësh që luanin në SHBA dhe teknikën e basketbollit amerikan e kishin sjellë në ekipet e tyre europiane. Diferencat tashmë midis basketbollit europian dhe amerikan janë të vogla. Kishte një ndryshim, sepse në fazën në grupe kishte më shumë lojë tradicionale europiane, pra taktike, por në fazën finale ishin ndeshje të nivelit shumë të lartë teknik dhe ngjasonte identik me NBA, ku ka mbulim një për një, një qendërmbrojtës dhe katër shuterë dhe tek Sllovenia kjo mori formë ekzemplare, sidomos me një basketbollist fenomenal si Dragiç që luan në NBA.

-Duket e habitshme se si vende të vogla si Sllovenia, e cila fitoi edhe Europianin, apo dhe Finlanda, Mali i Zi etj, bënë një performancë po aq cilësore sa edhe Spanja e Serbia që janë gjigantët e basketbollit europian. Pse ne, pra Shqipëria, nuk arrijmë dot në këtë nivel? Çfarë i bën të veçanta këto vende në basketboll dhe pse ne jemi në vendnumëro?

-Janë vende që kanë investuar në basketboll, por e kanë edhe traditë. Megjithatë, unë këtu po përmend një vend që në vitin 2012 ishte në Divizionin B së bashku me Shqipërinë, Finlanda, e cila e kishte sport të katërt apo të pestë, por me punë dhe investime arrin të kualifikohet në Europianë e Botërorë. Ky është shembulli që duhet ndjekur. Pse? Ajo e kishte basketbollin sport të katërt, por investoi dhe shkoi lart, kurse ne e kemi sport të dytë, por mbetemi prapa.

-Është dhe çështje lojtarësh. Ne kemi pak lojtarë që luajnë jashtë. Këtë e treguan edhe ndeshjet e Kombëtares tonë, megjithëse më shumë se rezultatet duket se këtë herë folën raportet e brendshme mes ekipit dhe trajnerit.

-Jo, ne kemi lojtarë të mirë që luajnë me ekipe të mira në Europë, si në Itali etj. Nuk kemi lojtarë që luajnë në NBA amerikane, por lojtarë të mirë kemi plot. Por lojtarët tanë cilësorë zgjodhën të mos vijnë këtë herë në grumbullimin e Kombëtares. Prandaj dhe niveli i performancës ishte ky që pamë. Shqipëria ka probleme, sigurisht, që nuk lidhen vetëm me basketbollin apo sportin në tërësi, sepse janë çështje sociale të vendit. Talentet largohen dhe ne mbetemi në vendnumëro. Largohen çdo vit 4-5 talente nga U-18 dhe U-20. Një pjesë e konsiderueshme shkojnë për studime në SHBA ose vende europiane, ku pjesa dërrmuese e braktisin sportin dhe u kushtohen studimeve në fusha të tjera. Kjo krijon boshllëk në Kombëtare, pasi nuk zëvendësohen brezat. Në ekipin kombëtar kemi 30-vjeçarë, por nuk ka të rinj. Ata që ikin nuk kthehen, por siç thashë ky përbën një shqetësim social në Shqipëri dhe nuk vlen vetëm për sportin. Duke ikur çdo vit nga 4-5 lojtarë të rinj cilësorë, nuk bëhet zëvendësimi i veteranëve në Kombëtare dhe ky përbën problem serioz.

Të flasim për kampionatin, sepse jemi në prag të nisjes së aktiviteteve, cilat janë pritshmëritë e garës sipas jush?

Tek meshkujt besoj se fiton Tirana. E kam këtë bindje pasi është skuadër më cilësore, ka dhjetëfish buxhet krahasuar me ekipet e tjera. Përveç kësaj, do të luajë në Ballkan League. Kjo skuadër ka 5-6 lojtarë të ekipit kombëtar, katër lojtarë amerikanë dhe të gjitha këto jo vetëm e bëjnë pretendente, por favorite kryesore për titull.

Nuk duhen marrë shumë për bazë këto, pasi edhe skuadrat e tjera rivalizojnë dhe duan të jenë lart. Vjet për shembull, Vllaznia rivalizoi fort, plus që përplasja e tifozerive e bëri më tërheqëse garën. Pse nuk u jep shanse ekipeve të tjera?

Ekipet e tjera do të rivalizojnë, por nuk kanë buxhet. Vllaznia është vërtet një skuadër rivale, por ka pasur probleme me buxhetin. Partizani është një skuadër që është rikthyer, por ka shumë të rinj në përbërje, duke qenë një ekip i së ardhmes. Prandaj shoh Tiranën favorite. Kurse tek femrat shoh, sikurse sezonin e kaluar, tre ekipe në garë: Flamurtarin, Tiranën dhe Goga Basket. Pra tek femrat është e njëjta linjë që do të vazhdojë edhe këtë sezon.

Kanë ardhur shumë lojtarë të huaj në basketbollin tonë. Ka mendime të kundërta për këtë, sepse një pjesë mendojnë se ata lënë në stol të rinjtë tanë. Sipas jush, çfarë roli kanë ata në kampionatin tonë?

Roli i të huajve është pozitiv, pasi sjellin profesionalizëm. Nuk duhet parë si mangësi, apo si dështim, përkundrazi, ata sjellin metoda të reja në stërvitje, dinë të punojnë në kushte profesioniste dhe japin eksperiencë. Duke rivalizuar për një vend në formacion ata rrisin edhe përkushtimin e të rinjve tanë, kështu që prania e tyre është vetëm pozitive.

Më duhet t’ju kujtoj se ne jemi ndoshta i vetmi vend në botë ku 6 muaj bëhet garë e 6 muaj pushim. Si mund të pretendohet të kemi të ardhme kur ne nuk kemi një stërvitshmëri të shpërndarë gjatë vitit?

Ky është shqetësim serioz. Kampionat që zgjat vetëm 6-7 muaj kanë vetëm vendet shumë të nxehta. Tek ne kjo ndodh ngaqë kemi pak ekipe basketbolli. Duke pasur në garë pak skuadra rrjedhimisht edhe numri i ndeshjeve është i paktë. Sa për statistikë, Kombëtarja jonë, pra kuqezinjtë, zhvillon 30 ndeshje, kurse rivalët e tyre deri në 60-70 ndeshje në vit. Ne kemi pak skuadra në garë dhe nuk bëjmë dot ndryshe.

Është formula e garës që duhet korrigjuar, sepse me ndryshimin e formulës mund të rritet ose numri i skuadrave pjesëmarrëse, ose të shtohet numri i ndeshjeve direkte me një modalitet të posaçëm. Pse nuk ndodh kjo?

Kjo është e pamundur për shumë shkaqe. Shtimi i numrit të skuadrave do të sillte diferenca të mëdha midis ekipeve të elitës, pra atyre më të forta, me skuadrat e tjera. Diferencat tek ne ju siguroj janë shumë të mëdha. Pra edhe po ta ndryshojmë formulën nuk e zgjidhim problemin. Por unë personalisht kujtoj këtu një projekt që nuk është i tanishëm, ka kohë që është hedhur si mundësi, për krijimin e një lige Shqipëri-Kosovë, ose të një lige mbarëkombëtare me skuadrat më të mira nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi, pra me ekipet shqiptare nga të gjitha trevat. Përveç ekipeve tona dhe atyre të Kosovës, mund të vinin nga një ose dy skuadra prej Shkupit e Tetovës apo dhe Ulqinit e Tuzit. Kjo do të ishte një ligë mbarëkombëtare që mund të rriste ndjeshëm nivelin e kampionatit.

Një tjetër problem ka të bëjë me kuadrin teknik. Për krahasim, në futboll është krijuar një plejadë teknikësh që po korrin sukses, si Josa, Daja, Gjoka, Cungu etj dhe teknikët e huaj nuk kanë fituar gjë, por tanët po shkojnë deri në fazën e grupeve të Ligës së Europës. Pse trajnerët e basketbollit janë në hije?

Edhe në basketboll kemi teknikë të aftë, trajnerë të rinj shumë të mirë. Është një brez i mirë trajnerësh të rinj, ka bërë specializime dhe është gati të drejtojë me sukses në parkete. Por këta trajnerë nuk kanë ekip ku të shprehen. Ku janë skuadrat që do të drejtojnë? Për më tepër, ekziston edhe ajo që unë e kam përmendur shpesh, i duhet dhënë mundësia brezit të ri, por ka përplasje me brezin e vjetër që është bërë pengesë për këtë çlirim energjie moderniteti.

Dy fjalë për infrastrukturën. I plotëson ajo nevojat e koshit tonë?

Lëviz ngadalë, duhet më shumë dhe kemi nevojë për shumë më tepër se një palestër tek Parku Olimpik. Unë mendoj se me më pak para mund të ndërtohen në Tiranë 4-5 palestra basketbolli ku mund të ushtrohen të rinjtë dhe do të ishte diçka e madhe për basketbollin në kryeqytet. Dhe ç’është e vërteta Tirana ka nevojë për shumë palestra.

Desha t’ju sfidoj me një pyetje, me një fakt, që duhet t’i “djegë” kujtdo që merret me basketbollin në Shqipëri. Si është e mundur që ne, në një rajon ku basketbolli është majë e botës, ndodhemi kaq prapa?

Ky është një problem që duhet kërkuar tek kushtet dhe prapambetja e trashëguar në shumë drejtime. Por unë dua të vë theksin edhe tek përçarja e komunitetit të basketbollit, i cili nuk bëhet bashkë dhe është paksa i vështirë. Kur nuk biem dakord as për Kombëtaren, çfarë presim atëherë? Sot basketboll bëhet vetëm në ¼ e Shqipërisë. Ka qytete që s’kanë asnjë lloj sporti dhe kjo është e paperceptueshme në Europë.

Nisur nga të gjitha këto, si e shihni të ardhmen?

Unë jam optimist, madje shumë optimist, dhe jam i bindur se pas pak vitesh do të kemi një rrotacion të brezave dhe Shqipëria do të përmirësohet shpejt dhe ndjeshëm dhe për basketbollin shqiptar do të vijnë ditë të bardha.

Intervistoi: Adriatik BALLA