Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Leonard Toska: Politika po e shkatërron sportin, federata e shtangës abuzon me shpërblimet

Postuar: 09/04/2017 - 07:37

Peshëngritja shqiptare solli medaljet e radhës nga aktivitetet ndërkombëtare. Plot katër të tilla nga Kampionati Europian i Kroacisë, një ari, një argjendi e dy bronzi. Në këtë aktivitet shtanga jonë u prezantua me sportistët më të mirë dhe medaljet nuk munguan, por i parë me një sy specialisti, peshëngritja nuk i ka arritur pritshmëritë e saj në Europian, sepse vetëm Erkand Qerimaj është brenda objektivave, kurse Calja e Godelli që synonin titullin europian në dygarësh nuk ia dolën, duke mos e arritur këtë objektiv madhor. Për Leonard Toskën diçka nuk shkon si duhet dhe ai fajëson direkt Federatën Shqiptare të Peshëngritjes për abuzim dhe paaftësi, për përfshirje të trajnerëve të paaftë dhe dhënie shpërblimesh për njerëz që nuk kanë lidhje me sportin. Ai fajëson politikën për ndërhyrjen dhe kujton se shtangën po e shkatërrojnë pikërisht politikanët. Toska ka një këndvështrim teknik kritik për performancën e sportistëve në Europian, duke kujtuar dhe një herë se Briken Calja humbi në aktivitetin e fundit titullin europian vetëm për shkak të hakmarrjes së FSHP-së ndaj tij si trajner, duke ia larguar sportistin. Gjithsesi, Toska është optimist për të ardhmen, ku përmend 13 sportistët e tij të rinj tek Shtërmeni, me të cilët synon të përfaqësohet në Olimpiadën e ardhshme të Tokios me të paktën 3 sportistë. Këndvështrimi i Toskës për disa probleme të mprehta që shqetësojnë sot komunitetin e shtangës është interesant, por njëherësh edhe kambanë alarmi për atë që po ndodh aktualisht me drejtimin e federatës së peshëngritjes.

 

Ju keni mbajtur një qëndrim kritik pas garës së ish-sportistit tuaj Briken Calja, duke thënë se ai nuk doli në rezultatet e tij dhe humbi shansin të ishte kampion i Europës. Çfarë ka ndodhur teknikisht që nuk u arrit maksimumi dhe pse ju dolën në kritika të ashpra pas kësaj gare?

Le ta nisim nga gara e Briken Caljes, i cili pati një problem teknik. Ai është stërvitur prej një kohe të gjatë dhe duhej të dilte kampion Europe. Në këndvështrimin tim Brikeni duhej të dilte kampion i padiskutuar i Europës. Por kjo garë ishte një nga më të dobëtat që ai ka zhvilluar. Fakt është se Calja është peshëngritës i madh, por në dygarësh pretendimet e tij duhej të ishin në 333 kg, gjë që ai e ka realizuar, por në këtë garë mbeti në 320 kg, pra shumë prapa.

Më fal, ai nuk u klasifikua në dygarësh sepse nuk ngriti asnjë provë në shkëputje...

Pikërisht, pati një problem, një ngërç, një bllokim. Kjo ndodhi sepse ai pati afër një trajner pa përvojë dhe e gjitha kjo ndodhi se unë si teknik i tij u lashë jashtë me arsyetime skandaloze dhe për inat të kreut të federatës. Këta drejtues futën sherr midis nesh dhe Caljes i mungoi tekniku i tij. Me mua do të ishte tani kampion i padiskutuar i Europës.

Pse duhej të ishit ju patjetër? Sportisti është me eksperiencë tashmë dhe rregulloret që ka federata janë të qarta. Çfarë do të bënit ju më shumë?

Po kjo është normale që me mua të ketë më shumë rezultate, sepse unë e njoh atë prej kohësh dhe ai më njeh mua. Ai njeh autoritetin tim dhe jam i bindur se me mua do të përfaqësohej ndryshe. Kjo garë në Kroaci për të nuk ishte serioze. Ata të federatës kujtuan se me një provë kalon, por garat e shtangës nuk janë kaq të thjeshta sa duken nga jashtë. Ishin grumbulluar 1.5 muaj në Durrës, por ekipi është drejtuar nga trajnerë të paaftë. Ia kanë varur fare stërvitjes dhe këtë e tregon më së miri edhe prezantimi i Daniel Godellit. Ai doli i pari në shkëputje me 161 kg dhe nuk ngriti dot 190 kg, peshë të cilën ai e “ha me dhëmbë”. Si ka mundësi?

Pra për ju rezultati i Daniel Godellit çalon...?

No coment, seriozisht nuk di çfarë të them. Ky sportist ka aftësi të jashtëzakonshme, por mendoj se diçka ka shkuar keq me këtë staf.

Le të bëjmë një analizë teknike të ecurisë së garës së sportistëve tanë. Pothuajse të gjithë sportistët elitarë kanë realizuar vetëm nga një provë në secilin stil. Mos vallë kjo është një mangësi teknike që vjen nga mungesa e specialistëve të mirëfilltë?

Specialistët e mirëfilltë kanë ikur. Edhe unë dhashë dorëheqjen. Në ekip ishte vetëm Zefi (Kovaçi) dhe fakt është se sportisti i tij Erkand Qerimaj mori medalje në dygarësh. Të tjerët për mua ishin dështim. Nuk mund të kuptohet dot pa medalje në dygarësh Briken Calja dhe Daniel Godelli, prandaj unë fajësoj federatën që ka sponsorizuar specialistë të paaftë dhe ka nxjerrë jashtë loje trajnerët që kanë një jetë që merren me këtë punë.

Cili është ekipi juaj aktualisht?

Unë drejtoj Shtërmenin, kam 13 sportistë. Kam një ekip të ri dhe shpresojmë që në të ardhmen të kemi kampionë të rinj. Po punoj për kampionatin Europian U-17 që do të zhvillohet në Kosovë, por edhe për Europianin e U-20 dhe U-23 që do të zhvillohet në Tiranë gjatë këtij viti. Fatkeqësisht këtu investohet pak për sportistët e rinj. Edhe në Europian dhashë këshillat e mia, por nuk më dëgjuan. I kujtova presidentit të federatës të merrte më shumë nga kategoritë e peshave të lehta, sepse grumbullojnë më shumë pikë për ekipin, por ata çuan peshat e rënda, i çuan kot fare. Për mendimin tim atje duheshin 2 sportistë në 56 kg dhe do të kishim më shumë rezultat.

Pse raportet tuaja me sportistin Briken Calja nuk janë si më parë?

Gjej rastin ta ftoj Briken Caljen të afrohet sërish, sepse unë jam trajneri që e kam stërvitur prej 17 vjetësh. Nuk duhet të bjerë preh e dashakeqësisë së të tjerëve. Ai nuk duhet të largohet nga unë, në të kundërt, nëse këtë herë arriti “diçka”, herë tjetër nuk do të ketë asgjë në terezi. Sportisti gjen maksimumin me trajnerin e vet e jo me lajkatarët. Për inate personale të zyrtarëve të federatës ndaj meje po tentojnë ta largojnë, por ai këtu e ka vendin. Unë jam trajneri i Shtërmenit dhe teknik tjetër këtu nuk ka dhe asnjeri tjetër nuk hyn këtu. Unë e hap dhe e mbyll palestrën. Sa sportistë me medalje kanë nxjerrë “të tjerët”? Asnjë nga askush.

Ju folët për 13 sportistë në ekipin tuaj. Sa prej tyre mund të arrijnë nivele të larta?

Siç thashë unë kam pretendime me këtë grup shtangistësh. Antonio Luli, Roald Kuqja dhe Alent Elezi do të jenë në garë për 17-vjeçarët në Kosovë dhe unë kam bindjen e plotë se ata do të kthehen me medalje nga Europiani i Prishtinës.

Ju keni një moment konflikti me federatën e shtangës. Arsyetimi i tyre që ju lanë jashtë Kombëtares është se nuk jeni me arsim të lartë...

Kjo është një marrëzi e madhe. Unë kam bërë trajnime të shumta në Rusi për shtangën. E vërtetë që s’kam shkollën e lartë të fizkulturës, por kam ndjekur studimet për drejtësi. Nuk jam diplomuar se e lashë shkollën në vit të tretë, por kjo nuk më ka penguar të jem i suksesshëm si trajner i peshëngritjes. Mund të kesh diplomë si trajner, por nuk nxjerr asnjë kampion. Unë jam shembulli i kundërt, sepse nxjerr kampionë të mëdhenj.

Cilat janë shkaqet që kanë sjellë përplasjen tuaj me kreun e federatës, Elez Gjoza?

Kreu i federatës, zoti Gjoza, e ka kapur personalisht me mua. Sportisti im Briken Calja nuk ishte në lartësinë e duhur para se të shkonim në Botëror, por e stërvita unë dhe në Hjuston arriti rezultat shumë të mirë, 145 në shkëputje me 181 në shtytje. Edhe në Olimpiadë bëri performancë cilësore dhe ishte në pesëshen më të mirë në botë. Unë dhashë dorëheqjen nga Kombëtarja, sepse çunat kanë nevojë për trajtim njëvjeçar. Ai nuk i ka dhënë trajtimet, ose i ka shpërndarë ato sipas qejfit. U ka dhënë trajtim (financiar) sportistëve që nuk kanë lidhje me këtë sport. Imagjinojeni vetë: u jepet nga 700 mijë lekë në muaj njerëzve që nuk kanë lidhje me sportin. Këto para duhej t’u jepeshin kampionëve e jo njerëzve pa lidhje, që ngrenë 80 me 90 kg. Ne të tjerët kemi një jetë që merremi me shtangën dhe nuk përfitojmë asgjë. Unë kam 43 vjet që merrem me këtë sport dhe që nga viti 1999 kam qenë pjesë e Kombëtares. Sa ishte president Esat Ademi, për 12 vjet, kam marrë 35 mln lekë, ndërsa ekipi im ka marrë 170 mln lekë trajtime. Nën drejtimin e Elez Gjozës nuk kemi marrë asnjë lek. Kam buletinin e pagesave që vërtetojnë fjalën time. Si është e mundur të mos marrim asgjë? Ku i çon paratë ky njeri?

Ju po flisni për abuzime. Pse nuk e ngrini zërin në institucione për këtë rast?

Unë kam kohë që kam folur, edhe emisione investigative janë bërë për këtë rast.

Kur ka abuzime duhet denoncim, prandaj është Prokuroria...

Më vjen keq, por politika këtu ka hyrë aq thellë sa nuk rregullohet dot. Për çfarë institucionesh flisni ju, kur dy njerëzit që janë marrë me sport, Edi Rama e Ilir Meta, janë ata që nuk e duan sportin. Mua nuk kanë çfarë të më bëjnë, por në këtë mënyrë se si po sillen zyrtarët e peshëngritjes, nuk kanë për ta lënë peshëngritjen shqiptare të gjejë suksesin e duhur e të merituar. Ku hyn politika, merr fund sporti dhe federata e peshëngritjes është shembulli më i qartë. Ku do t’i bësh denoncimet këtu? Në çdo institucion është partia... Edhe peshëngritja është bërë si zyrë partie.

Mund të mos përfitoni nga federata, por zakonisht klubet janë në varësi të bashkisë. A përfitoni ju nga Bashkia?

Unë e falënderoj bashkinë dhe kryetarin e saj, sepse falë saj sportistët marrin trajtim ushqimor dhe jemi të kënaqur. Shyqyr që kemi bashkinë, sepse po të jetë për federatën, me përjashtim të Briken Caljes, asnjë tjetër nuk përfiton asgjë. Trajneri që ka fituar 37 medalje nuk merret fare në konsideratë. Ka një përçmim nga kreu i federatës, gjë që është vajtuese. Unë nuk mund t’i lëpihem dot Elez Gjozës, nuk e kam bërë e s’do ta bëj. Por, nga ana tjetër, unë nuk i kam frikë. Kam sportistët e mi dhe jam trajneri që kam prodhuar gjithnjë sportistë cilësorë.

Cilët janë objektivat tuaja në të ardhmen?

Unë jam duke përgatitur sportistët për aktivitetet e këtij viti, por jam entuziast për cilësinë e tyre dhe shpresoj që në Olimpiadën e Tokios të vitit 2020 të shkoj me tre sportistë. Kam shumë besim dhe do ta tregoj me prova cilësinë time si trajner i shtangës. Kurse FSHP le të vazhdojë të japë shpërblime nga 700 mijë lekë në muaj për njerëz që nuk kanë lidhje me sportin, duke injoruar sportistët e vërtetë dhe trajnerët e vërtetë.

Intervistoi: Adriatik BALLA

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 16

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/11/2017 - 07:53

Specialistë të trashëgimisë kulturore pohojnë se Ministria e Kulturës kryen ndërhyrje minimale te monumentet dhe miraton dhe leje që janë në shkelje me ligjin.

Postuar: 19/11/2017 - 08:01

Gjashtë dekada Ansambli Kombëtar u shënuan përmes koncertit në skenën e Teatrit Kombëtar.

Postuar: 19/11/2017 - 07:20

Ballkani ka një nivel shumë të lartë të basketbollit, që është dhe një nga më të zhvilluarit në botë.

Postuar: 17/11/2017 - 07:49

Jeta artistike për artistët ka probleme, buxhetet e pakta apo dhe dispozitat ligjore po kundërshtohen për artistët.

Postuar: 16/11/2017 - 07:36

Ministria e Kulturës duhet të konsiderojë grupimet e piktorëve dhe të ketë një plan ndihme e inkurajimi pohojnë artistët.

Postuar: 12/11/2017 - 07:57

Pagat dhe buxhetet e teatrit vijojnë të jenë problem për artistët.

Postuar: 10/11/2017 - 07:37

Shkrimtarët shqiptarë nuk vlerëson dhe nuk kujtohen nga Ministria e Kulturës.