BREAKING NEWS

'Iku nga Durrësi se mori vesh se do shkonte Basha', Rama i përgjigjet Sali Berishës

'Iku nga Durrësi se mori vesh se do shkonte Basha', Rama i
x

intervista-sport

Leonard Toska: Sporti shqiptar në vdekje klinike, vetëm shtanga bën diferencë në prezantimet ndërkombëtare

Leonard Toska: Sporti shqiptar në vdekje klinike, vetëm shtanga

Sporti shqiptar po kalon një moment të vështirë, pasi pushteti lokal që ka në administrim klubet është i pafuqishëm për të mbështetur zhvillimin shumëdimensional të sportit, ndërsa kompanitë e mëdha të biznesit nuk afrohen për të financuar, pasi Ligji për Sportin nuk e ka rregulluar ende nenin që ka të bëjë me Sponsorizimet e nuk po gjen zbatim. Disa sporte kolektive qëndrojnë ende si strukturë, por cilësia dhe masiviteti lë për të dëshiruar, kurse në sportet individuale ka rënie të ndjeshme në numër dhe në cilësi, dëshmuar me mungesë të rezultateve të larta. Janë vetëm pak kokrra që shkruajnë histori, si Luiza Gega e Izmir Smajlaj në atletikë, disa boksierë të talentuar e asgjë më shumë. Në këtë mjedis të vështirë sportiv, duket se peshëngritja po mban flamurin e sportit elitar dhe ia ka dalë të përballojë “peshat e rënda” që po rëndojnë mbi sportin shqiptar. Peshëngritja ka kampionë dhe po përgatit të ngjisë në “skenë” kampionët e rinj. Bëhet fjalë për 6-7 sportistë të nivelit të lartë në moshat U-14 deri në U-18, që brenda pak vitesh do të garojnë për “kurorën” europiane. Kështu mendon dhe një prej teknikëve më të mirë, shef i këshillit të trajnerëve të peshëngritjes, Leonard Toska, i cili, në intervistën për gazetën “Sot”, nënvizon se ky grup të rinjsh në peshëngritje do të zëvendësojnë me sukses brezin “e vjetër”, si Qerimajn, Godellin e Caljen.

-Peshëngritja ruan, fatmirësisht, një staturë të fortë ndër sportet individuale në Shqipëri, pasi ka sportistë të nivelit të lartë europian. Kohët e fundit janë ngjitur në pedanë një numër sportistësh të rinj që kanë regjistruar rezultate të mira dhe Europiani i Izraelit e dëshmoi këtë. Çfarë po bëni ju si staf teknik i ekipit përfaqësues për të ngritur këtë grup të rinjsh në nivelin më të lartë?

Para pak ditësh ne, këshilli i trajnerëve, kishim një mbledhje dhe unë e ngrita me të madhe nevojën, apo domosdoshmërinë për t’i kushtuar vëmendje grupit të të rinjve, në mënyrë që të zëvendësojmë brezin e vjetër. Kjo nevojë lind për faktin se kampionët apo sportistët elitarë që kemi po shkojnë në një moshë që nuk kanë më çfarë rezultati më të lartë të japin, pra janë në maksimumin e tyre dhe më pas vjen rënia. Për këtë arsye ne si staf teknik i peshëngritjes po fokusohemi tek një bërthamë e re e moshës nga 14 deri në 19 vjeç, që besojmë se do të jetë e ardhmja e peshëngritjes shqiptare. Dhe ka elementë cilësorë në disa qytete, ku unë mund të përmend Franko Ferrajn në Elbasan, Samuel Bishanakun në Tiranë, Ertian Kofshën në Shtërmen, Kleopatra Saliajn në Fier, Sajmir Lagjja në Shkodër, një djalosh 14-vjeçar me shumë të ardhme në Shtërmen si Renato Boja, por edhe një vajzë nga Teuta e Durrësit, Erjeta Radi.

-Si mund të evidentohet diferenca e këtij grupi nga moshatarët e tyre dhe si do të seleksionohen më të mirët?

Dihet, rezultatet janë ato që e bëjnë diferencën dhe këtë e provojnë garat sportive për këto mosha. Por ne kemi një strategji për këtë grup, sepse do të bëjmë një grumbullim, por këtë herë jo me të rriturit, por vetëm grupi i të rinjve. E bëjmë këtë për të mos krijuar një lëmsh të panevojshëm dhe për të qenë më konkretë në veprimet me të rinjtë, pasi, siç thashë, ky brez i përket të ardhmes.

-Cili është limiti i këtyre sportistëve, dua të them sa janë në gjendje këta elementë që të kapin rezultatet e Qerimajt, Caljes e të tjerëve?

Shenjat e para si sportistë me të ardhme i kanë dhënë në aktivitetet e moshave, si brenda dhe jashtë vendit. Jam i sigurt që ky grup, që janë 6-7 sportistë, kanë një të ardhme të shkëlqyer. Nuk kanë limite, po rriten, na japin shpresë dhe besoj se me këta sportistë jemi në rrugën e duhur. Pretendimet afatshkurtra janë për medalje në grupmoshën U-18. Nuk e fsheh që është punuar fort me këtë grup sportistësh e besoj jemi në rrugë të mbarë.

-Dakord, por koha ka treguar që sportistë të këtij niveli kanë rezultate shumë të larta në moshë të vogël, por pikërisht peshat i kanë vrarë në këtë moshë dhe më pas kanë mbetur në vend-numëro. Edhe ju i dini këto raste. Si do të veproni për të mos i “djegur” në moshë të njomë?

Po, kjo qëndron, ka raste të përsëritura në trajnim me këto raste, por unë gjykoj se ne si kuadër teknik i peshëngritjes e kemi aftësinë e duhur për të mos i “djegur” me pesha të rënda që në fillim, prandaj kemi ndërtuar një strategji të stërvitjes së fortë teknike. Vetëm përgatitja teknike do të na japë rezultatet e duhura në vazhdimësi. Megjithatë, puna duhet të vijojë, si në aspektin fizik, ashtu dhe tekniko-taktik, në mënyrë që sportistët të jenë gati në momentin e duhur të prezantimit ndërkombëtar. Siç thashë më lart, rezultatet e tyre të deritanishme janë të nivelit europian të moshave, por që të jemi në majë të Europës brenda pak vitesh me këtë grup duhet të punojmë fort në planin teknik.

-Sportistët tek ne kanë mangësi të shumta, mbi të gjitha kërkohet stimul financiar. Si duhet vepruar në këtë rast? E shtrojmë këtë pyetje ngaqë bashkitë japin shumë pak për sportin.

Nuk mund të flas për klubet e tjera, por di të them se në Cërrik bashkia jep një stimul modest në vlerë, por domethënës për inkurajimin. Është një mënyrë motivimi, por sportistët dhe trajnerët, jo vetëm në peshëngritje por në sportin shqiptar në tërësi kanë nevojë për shumë më tepër.

-Problemi i kuadrit teknik të sporteve individuale në Shqipëri ka qenë prezent vazhdimisht, paçka se vitet e fundit janë zhvilluar shumë kurse. Një të tillë e patët dhe ju para pak ditësh, në mos gaboj me një trajner hungarez...

E kishim por...,  unë kam një dëshirë tjetër. Kam shprehur dëshirën që të kemi një trajner rus ose kinez, pasi ata e kanë shkollën e peshëngritjes shumë të fortë. Ky që erdhi nga Hungaria solli leksione për fëmijë dhe pavarësisht punës unë vijoj të insistoj që shtangës shqiptare i duhen leksione nga teknikë të shkollës së vjetër, asaj ruse e kineze. Koha ka treguar se ata janë mjeshtërit e vërtetë të këtij sporti.

-Sot sportet vuajnë, pasi ka pak prurje. Të rinjtë nuk e shohin veten në sport në Shqipëri. Si paraqitet gjendja në peshëngritjen shqiptare?

Të gjitha sportet në Shqipëri po vuajnë, janë në një gjendje të vdekjes klinike dhe ajo që bën përjashtim është vetëm shtanga, të cilën e mbajmë ne me punën dhe përkushtimin tonë, por edhe talentet e reja që kemi zbuluar. Është bërë një Ligj Sporti nga qeveria dhe është miratuar, është e vërtetë, por ai nuk po zbatohet dhe më duket habi se si nuk gjen zbatim. Pasi, nëse ligji zbatohet, atëherë ai i zgjidh disa probleme financiare për sportistët cilësorë.

-Në fakt problemi shqetësues lidhet me nenin që ka të bëjë me Sponsorizimet. Ju si komunitet, pse e keni të pamundur të gjeni mbështetës financiarë?

Ne kemi domosdoshmëri për mbështetje, nga çfarëdo drejtimi të vijë ndihma. Asnjë sport nuk mund të zhvillohet pa para, por duket se institucionet nuk kanë mundësi dhe këtë e ka treguar edhe vlera e fondit vjetor që merr peshëngritja, më pak se 100 milionë lekë të vjetra, që nuk mjaftojnë as për udhëtimet e sportistëve në aktivitetet ndërkombëtare. Duhen para që të bëjmë sa më shumë aktivitete, që të kemi më shumë pjesëmarrje ndërkombëtare dhe që të stimulojmë me shuma modeste financiare kampionët e rinj. Ne si komunitet kemi pasur një privilegj, pasi presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Theodhor Masllavica, na ka mbështetur nga xhepi i tij, pa u kursyer.

-Duket se Elbasani po rilind në shtangë dhe rivaliteti me ju është më i madh....

Në trekëndëshin Elbasan-Peqin-Shtërmen punohet dhe nuk është rastësi që ky trekëndësh ka prodhuar sportistë të nivelit të lartë dhe kampionë të mëdhenj në peshëngritje. Ky rajon i ka dhënë provat dhe ajo që kërkojmë është vetëm mbështetje në punën tonë.

-Peshëngritja është një sport që kërkon bazë materiale dhe shtangat kushtojnë. Si paraqitet sot baza materiale e këtij sporti?

Nuk jemi keq, madje do të thosha jemi mirë, por me kalimin e ditëve dhe javëve lind domosdoshmëria për të pasur më shumë. Ne në palestrën tonë në Shtërmen kemi shtanga olimpike, por ka dëmtime dhe shpresojmë që federata të na ndihmojë me ca gjëra. Kjo vjen ngaqë palestra jonë shërben dhe për sportistë që vijnë nga rrethet e tjera. Për më tepër që grumbullimin e skuadrës kombëtare dëshirojmë ta bëjmë pikërisht këtu. Në fakt, baza materiale ka pësuar pak dëmtime, pasi në grumbullimin e mëparshëm të ekipit kombëtar pati dendësi ushtrimesh dhe shumë forca për pak vegla, kështu që duhet parë mundësia e një përtëritje të bazës materiale.

-2020 është vit olimpik dhe shtanga ka të siguruar deri tani një sportist, Briken Caljen. Si peshëngritje çfarë synoni të realizoni?

Po, deri tani kemi të siguruar një sportist në Olimpiadën e Tokios, por dëshira është shumë e madhe të kemi më shumë, paçka se kjo është e vështirë. E.Qerimaj po përpiqet të sigurojë pikët olimpike dhe K.Shoraj po përgatitet gjithashtu. Janë disa aktivitete në muajt e parë të vitit 2020 që do të shfrytëzohen nga federata jonë, por a do t’ia dalim të kapim normë tjetër kualifikimi, këtë s’di ta them. Por besoj se mund të na vijë një ftesë për femrat dhe Kleopatra Saliaj mund të jetë prezente në Tokio-2020. Shpresoj shumë të ndodhë kështu, pasi, edhe tani që flasim, bashkë me trajnerin e saj, I.Kafarani, po stërviten këtu në Shtërmen. Që të jesh sportist i madh kërkohet sakrificë dhe pa punë e përkushtim teknik nuk ia del. Kjo vajzë bëri një Europian fantastik në Izrael, por unë mendoj se mund të shkojë shumë lart dhe i ka mundësitë të kapë majën e Europës.

Intervistoi: Adriatik BALLA