Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Rrapo Taho: Kampionatit shqiptar nuk i funksionojnë akademitë, në fuqi është ende “ligji i miqësive”

Postuar: 16/06/2019 - 07:53

Futbolli shqiptar ka ulje-ngritjet e tij, natyrisht arritjet dhe mangësitë e veta. Ka një rënie të nivelit të kampionatit, sidomos kur e krahason me fundvitet 80-të, kur stadiumet ishin plot dhe rivaliteti përfshinte në garën për titull të paktën 5-6 skuadra. Por nga ana tjetër është Kombëtarja, e cila, pavarësisht se nuk po kalon momentin më të mirë, e ruan staturën e një skuadre rivalizuese, por kjo ndodh ngaqë shumica e futbollistëve luajnë jashtë vendit dhe në formacionin titullar nuk ka asnjë element që luan në kampionatin shqiptar. Duke analizuar ecurinë e Kombëtares kuqezi, si dhe nivelin e kampionatit shqiptar në tërësi, në një intervistë për gazetën “SOT”, ikona e futbollit vlonjat dhe atij kombëtar, Rrapo Taho, thotë se nën drejtimin e trajnerit Edi Reja janë parë gjëra pozitive, sidomos në aspektin e organizimit të lojës, por ai është skeptik që Kombëtarja mund të arrijë kualifikimin, pavarësisht shanseve teorike që ka për të shkuar në Euro-2020. Me interes është analiza e kampionatit shqiptar, ku legjenda e futbollit shqiptar thotë se kampionati nuk prodhon shumë lojtarë cilësorë sepse akademitë e klubeve kanë vetëm emrin të tilla.

Ju jeni shprehur më parë se Kombëtares i duhet një “diktator” si Panuçi, por duket se diktatorët nuk pëlqehen më në këtë vend. Tashmë në krye të Kombëtares është Edi Reja, një teknik veteran. Ka ndryshim në skemën taktike, madje ka kthim në filozofinë e De Biazit. Cili është mendimi juaj për ecurinë e Kombëtares nën drejtimin e Rejës?

Trajneri Edi Reja nuk pati shumë kohë në dispozicion për të ndërtuar një skuadër të studiuar mirë. Kjo kushtëzon trajnerin të bëjë projekte afatgjata sepse koha ishte e limituar. Nga ana tjetër, dihet që ne nuk kemi një skuadër të nivelit të lartë, pra nuk kemi futbollistë shumë cilësorë, sidomos prej atyre që luajnë në Serinë A italiane. Një skuadër është e madhe kur ka lojtarë të nivelit të lartë në gjirin e saj dhe që aktivizohen rregullisht me ekipet e tyre. Sidoqoftë, mua skuadra më ka pëlqyer me lojën që bëri kundër Islandës. Kuptohet, u bënë disa gabime në mbrojtje dhe kundërsulmi nuk funksionoi, megjithatë, loja ishte e mirë dhe sipas meje kishte ndryshime për mirë. Kurse në ndeshjen ndaj Moldavisë ishte një konceptim tjetër, sepse kërkohej rezultat. Ndryshimi kryesor ishte se hoqi Xhakën, një lojtar i domosdoshëm në Kombëtaren tonë, por siç thashë loja ishte konceptuar ndryshe. Në këtë ndeshje nuk më pëlqeu sulmi, nuk u arrit të dilej me forca të shumta në ofensivë, siç duhej të ndodhte në fakt. Golat erdhën për meritë të Roshit e jo nga ndonjë skemë e caktuar apo efikasitet i skemës. Por shpejtësia e Roshit dhe kualiteti i tij treguan se është lojtar që i duhet Kombëtares. Sidoqoftë, fitorja me dy gola që nuk erdhën nga rrjedhshmëria e aksioneve tregon se sulmi çalon dhe kjo nuk më pëlqen tek ekipi. I mëshoj faktit që grupi ky është, këta janë lojtarët që kemi, nuk jemi më ajo skuadër që shkoi në Europianin e Francës.

Atë që nuk e bën Shqipëria në këto eliminatore duket se po e bën Kosova. Atje ka shumë entuziazëm, cila është përshtypja juaj për ekipin e Kosovës?

Kosova ka një skuadër simpatike, ku të gjithë lojtarët luajnë në skuadra të njohura dhe janë në formë, sepse kanë minutazh të mirë me ekipet e tyre respektive. Krejt ndryshe prej tyre, lojtarët e Shqipërisë, vetëm 30% luajnë rregullisht me ekipet e tyre në Europë, të tjerët janë rezervë, apo me minutazh të reduktuar. Sidoqoftë, unë i mëshoj faktit që Reja ka punuar mirë, sepse edhe kohën në dispozicion e pati të paktë. Mos harrojmë, shqiptarët duan të jenë kudo të parët, përfshi dhe formacionin, por kjo gjë nuk duhet të ndodhë në sport e veçmas në futboll. E drejta e hartimit të formacionit është ekskluzivitet i trajnerit. Kjo është ego e kotë e atyre futbollistëve që pretendojnë të kundërtën, kush është profesionist e di mirë këtë pjesë.

Po flisnim për Kosovën, çfarë ju pëlqen tek skuadra “tjetër” kombëtare e shqiptarëve?

Është vërtet një skuadër që më pëlqen. E kam ndjekur në të dyja ndeshjet e fundit dhe kam konstatuar se ata kanë karakter të fortë, ndjenjë të fortë patriotike, lojtarë me sedër të lartë dhe mjaft të disiplinuar taktikisht. Në veçanti duhet evidentuar morali shumë i lartë i grupit dhe besimi në vetvete. Unë uroj shumë që Kosova të kualifikohet, sepse është skuadër shqiptare. Trajneri Shalond ka bërë një punë mjaft të mirë. Kosova ka shumë lojtarë në dispozicion dhe kjo krijon një konkurrencë të fortë, duke bërë që edhe cilësia e grupit të rritet shumë. Do të ishte diçka mjaft e bukur dhe domethënëse për futbollin shqiptar që të dy ekipet, pra si Shqipëria dhe Kosova, të kualifikohen në Europian. Por është e dukshme diferenca midis dy skuadrave në këtë moment. Kosova ka grup më të mirë dhe lojtarët e saj japin maksimumin.

Duke pasur parasysh kundërshtarët tanë në grupin H, pozitat aktuale të skuadrave dhe nivelin e tyre, por edhe ecurinë e deritanishme të përfaqësueses tonë, a kanë shanse kuqezinjtë të kualifikohen në Europian?

Do të dëshiroja të thoja që jemi shumë mirë, që kualifikohemi etj, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Nuk kemi shumë shpresa për kualifikim, edhe pse grupi është ende i hapur. Realisht ne kemi pak shanse të shkojmë në Europian, sepse Franca dhe kundërshtarët e tjerë si Islanda dhe Turqia paraqiten më lart se ne në grup dhe kjo jo vetëm nga pozitat aktuale dhe diferenca me pikë, por kryesisht për shkak të grupit më cilësor që kanë. Për mendimin tim, për një kualifikim të mundshëm në Europian, shansetr janë fare të pakta. Ka shanse teorike, sigurisht, sepse ka ende shumë ndeshje, por në realitet nuk kemi një skuadër kaq të fortë sa të mund të kualifikohemi në Euro-2020.

Të flasim pak për Flamurtarin, kjo skuadër ka disa vite që bën të njëjtin “ritual”: E nis mirë sezonin dhe e mbyll si mos më keq. Së fundmi konstatohen largime të shumta dhe një pasiguri rreth të ardhmes. Çfarë po ndodh me këtë skuadër?

Nuk e di aq mirë situatën nga brenda dhe nuk mund të flas për ngjarjet brenda klubit, por mund të bëj një analizë duke parë situatën nga jashtë. Dhe, me sa kam dëgjuar, drejtuesit kërkojnë ligj sporti, që të njihet investimi e besoj se në këtë pikë janë në të drejtën e tyre. Nga ana tjetër, unë jam i interesuar që lojtarët të paguhen. Është e papranueshme që futbollistët të mos marrin rrogat, sepse edhe ata janë njerëz, mbajnë familjet me punën dhe djersin e tyre. Pjesa tjetër, është e gjitha e karakterit administrativ dhe ligjor mbi klubin. Ky nuk është vetëm një problem i Flamurtarit, por i shumë klubeve në Shqipëri.

E të imagjinosh që Vlorës nuk i kanë munguar asnjëherë talentet në futboll...

Është e vërtetë, Vlora ka elementë cilësorë, edhe skuadra e këtij sezoni ishte mjaft e mirë. E mbylli garën në vend të pestë, por mund të ishte edhe pjesëmarrëse në Ligën e Europës, por siç e dini dhe ju nuk u licencua nga UEFA. Ekipi ra moralisht kur u kuptua që nuk shkonte dot në kompeticionet europiane. Megjithatë, është për t’u përshëndetur puna që ka bërë trajneri Daja me skuadrën dhe unë dua të përgëzoj edhe lojtarët që e respektuan fanellën e Flamurtarit deri në fund.

Cili është mendimi juaj për nivelin e kampionatit shqiptar në tërësi, veçmas të këtij edicioni?

Është e vështirë të jepet një analizë e saktë sepse tani bëhen shumë shit-blerje në treg. Një pjesë e futbollistëve vijnë nga jashtë, por kjo është sa ndihmuese por edhe problematike. Sidoqoftë, për mendimin tim niveli i kampionatit tonë nuk është i duhuri. Nuk ka ndeshje që të kënaqin, që ta shijosh lojën. Ishte Skënderbeu i vetmi që bënte pak spektakël, kurse këtë sezon nuk pati ndonjë ekip me lojë që të shijonte. Partizani doli kampion, por pa shkëlqim. Kur zbret në fushë një skuadër si Partizani, Tirana apo ndonjë tjetër, nuk ndryshon nga Laçi që luan në të njëjtin nivel (pak a shumë). Prandaj them që nuk kemi atë nivel që duhet. Natyrisht, do të bëhet merkato dhe shumë gjëra mund të ndryshojnë dhe është e drejtë e trajnerëve të bëjnë lëvizjet e dëshiruara, por në kampionatin shqiptar të këtij edicioni që lamë pas pati një garë me pak pasime, pak driblime, pak emocion, pak cilësi. Nëse loja nuk ka elementët e spektaklit dhe cilësinë ajo nuk shijon dhe shumica e ndeshjeve të kampionatit tonë nuk prodhojnë cilësi dhe spektakël.

Çudi, sepse 30 e kusur vite më parë, Flamurtari luante si i barabartë me ekipet e njohura të Europës në atë kohë, përfshi Partizanin e Beogradit dhe Barcelonën. Ju vetë keni qenë protagonist në fushë në ndeshjet epokale, që kanë mbetur në histori. Ekipet tona të tanishme duken krejt të papërgatitura krahasuar me ato nivele, apo jo?

Flamurtari i atyre viteve ishte një skuadër shumë e bukur, ky është fakt evident në të gjitha analizat sportive që janë bërë në më shumë se tre dekada. Ne luanim si të barabartë me skuadrat e nivelit të lartë europian dhe kemi prodhuar futboll të bukur. Por nuk ka qenë vetëm Flamurtari. Kampionati kishte shumë skuadra që rivalizonin për titullin. Përveç Flamurtarit ishin tre “gjigandët” e kryeqytetit (Partizani, Dinamo, Tirana), por edhe Vllaznia, apo Elbasani, që e bënin kampionatin të rivalizuar dhe mjaft cilësor. Futbolli i tanishëm është i mbushur me dhunë. Ju i keni parë ngjarjet në Kamzë, në Laç e në shumë stadiume të tjera. Nuk të merr malli të shkosh në stadium për shkak të dhunës. Nuk bëhet futbolli kështu dhe unë vazhdimisht kam qenë për masa të rënda penalizuese.

Duket se nuk ka vend për optimizëm, edhe pse kampionati është ndryshe nga Kombëtarja, për shkak të kontigjentit të ndryshëm dhe vendit të ndryshëm të formimit të lojtarëve. Si e shihni të ardhmen?

Për Kombëtaren kam shpresë, madje teorikisht kemi ende shanse të mira për kualifikim, edhe pse unë e di që kjo është mjaft e vështirë. Kemi në grup Francën që është kampione në fuqi e botës. Duhen parë si shkojnë ndeshjet e ardhshme, janë sfida të vështira, por futbolli ka dhe surpriza. Le të shpresojmë që të jetë Kombëtarja jonë surpriza e bukur. Kurse për kampionatin shqiptar kam rezerva, ka shumë defekte dhe mjaft gjëra negative që ta largojnë optimizmin.

Problemi më i madh duken akademitë, që prodhojnë pak cilësi. A nuk është ky shqetësimi më i madh?

“Akademi” është fjalë shumë e madhe, në Shqipëri në këtë moment këto janë vetëm emërtime sepse duket qesharake kur e krahason, fjala vjen me akademinë e Ajaksit. Kemi akademi, por përgatitja, seleksionimi e angazhimi shpesh nuk ndodh sipas meritës. Unë e pranoj dhe e di mirë që punohet, ka vend për të besuar në të ardhmen, ka pasionantë që e duan futbollin, por në Shqipëri funksionon ende “ligji i miqësive”. Futet në fushë “djali i drejtorit”, “çuni i presidentit”, “kushëriri i ministrit” e kështu me radhë, fenomene që e dëmtojnë futbollin dhe dekurajojnë talentet e vërteta. Sidoqoftë, ka vend për shpresë sepse puna nuk mungon dhe shumë elementë ia dalin të shkojnë të luajnë jashtë vendit dhe kjo është pozitive.

Intervistoi: Adriatik BALLA

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 22/09/2019 - 09:27

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka ka komentuar zhvillimet më të fundit politike në vend, duke e ndalur theksin tek kriza politike, nisma e mazhorancës për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta nga detyr

Postuar: 22/09/2019 - 08:40

Me një aktivitet të suksesshëm muzikor, këngëtari Bujar Qamili është nga këngëtarët që vlerësohet

Postuar: 22/09/2019 - 08:23

Futbolli shqiptar ka ulje-ngritjet e tij, arritjet por edhe problemet, ndërkohë që prezantimi në

Postuar: 20/09/2019 - 07:36

Në skenën e teatrit Edmond Budina erdhi me një rrëfim për rrugëtimin e tij artistik.

Postuar: 18/09/2019 - 07:38

Institucionet nuk tregojnë interes për veprat e artistëve të njohur shqiptarë, por kjo situatë si

Postuar: 15/09/2019 - 14:00

Ish-funksionari i lartë i policisë, koloneli Mit’hat Havari ka hedhur dritë mbi ngjarjet e

Postuar: 15/09/2019 - 07:57

Dekada në skenë baritoni Ylber Gjni është një nga artistët e vlerësuar me aktivitetin e tij artis