Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Sabri Bejleri: Atletika në Tiranë për “Guinness”, po prodhojmë kampionë me bazë materiale primitive

Postuar: 30/06/2019 - 07:25

Atletika nuk e mban kot nofkën “mbretëresha e sporteve”. Sepse ajo është në bazën e çdo disipline sportive. Por atletika në Shqipëri ka pësuar një traumë të madhe, sidomos në kryeqytetin e vendit, Tiranë, i cili është shndërruar në kryeqytetin e vetëm në botë pa pistë atletike dhe pa një stadium për garat e atletikës. E megjithatë, ajo që e mban gjallë atletikën në Shqipëri është pasioni i disa kuadrove të vjetër, përgatitës të zotë atletike, si dhe disa sportistë me rezultate të larta sikurse janë Izmir Smajlaj dhe Luiza Gega. Në tërësi Shkodra, Durrësi, Elbasani dhe Korça e kanë infrastrukturën e atletikës, por Tirana me 1 milion banorë nuk e ka dhe specialistët kanë prej kohësh që ngrenë alarmin. Madje dhe pista e kërcimit që është bërë pranë kodrave të Liqenit në Tiranë nuk i përmbush standardet. Kështu shprehet një prej specialistëve të njohur të atletikës, Sabri Bejleri, i cili, edhe pse 76-vjeçar, vijon të stërvisë një numër të konsiderueshëm djemsh e vajzash pranë Parkut të Liqenit, duke nxjerrë kampionë të rinj të atletikës. Në intervistën e dhënë për gazetën “SOT”, Bejleri thekson se sot atletikës i mungojnë stimujt e dikurshëm dhe kjo është mangësia më e madhe.

Kush është Sabri Bejleri?

Datëlindja: 25.12.1942

Vendlindja: Fier

Ushtroi sportin e atletikës midis viteve 1964-1971, në garat e mesme e të gjata të vrapimit, nga 1500 m deri në maratonë.

Si trajner nisi karrierën në vitin 1971 dhe po bën gati gjysmëshekulli që trajnon sportistët.

E nisi karrierën e trajnerit me vajzat e datëlindjes 1959 dhe drejtoni aktualisht ato të datëlindjes 2002-2007.

Dy kulme të karrierës teknike: 1-Me Adriana Vojkollarin kampione në 400 e 800 metra në mesin e viteve 80-të, si dhe 2- Me Klodiana Shalën, e cila mban ende 5 rekorde kombëtare në 60 m, 100 m, 200 m, 400 m dhe 400 m me pengesa.

Sabri Bejleri mban titujt: “Mjeshtër Sporti” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”

- Keni një karrierë të gjatë si teknik në atletikë. Në fakt, po bëni gati një gjysmëshekulli trajner, pse nuk hiqni dorë?

Kjo është njëlloj sikur t’i thuash një duhanxhiu pse nuk e heq cigaren. Më shumë sesa ves, ky është pasion, një pasion që na mban të lidhur me punën, na sjell çdo ditë këtu në kodrat e Liqenit për të stërvitur fëmijët që kanë “brumë” dhe të dhëna të mira për rezultate të spikatura në atletikë. Arsyeja e dytë që jam këtu është vazhdimësia. Vërtet është larguar Klodiana Shala, por unë pata më pas 6 vajza të tjera kampione dhe pjesëtare të ekipit kombëtar. Kampionet zëvendësojnë njëra-tjetrën dhe unë jam i ftuari i nderit, le të themi “krushku”, në dasmat e tyre. Kam qenë prezent në 59 dasma dhe kjo më jep krenari, pasi ruaj me sportistet marrëdhënie të mira dhe ftesat që më bëjnë dëshmojnë se unë kam punuar mirë profesionalisht në përgatitjen e tyre atletike.

- Keni jetuar dy kohë të atletikës, atë para vitit 1990 dhe atë pas vitit 1990, gjë që lidhet me sistemet e ndryshme politike dhe rrjedhimisht organizimin e ndryshëm të sportit. Cila është periudhë më e mirë për atletikën?

Para vitit 1990, sigurisht, dhe unë mund të radhis këtu disa arsye pse ishte më mirë sporti i asaj kohe. Së pari ka të bëjë me motivet. Atëherë njihej 5-orëshi, domethënë konsideroheshe i punësuar dhe njiheshin orët e punës, vetë puna ishte e siguruar dhe sportisti kishte lehtësira të tjera që kishte të bënin me shkollën, trajtimin ushqimor në mensë, dalja jashtë shtetit, vlerësimi me stimuj të ndryshëm. Sot këto motive nuk janë, ose janë të pamjaftueshëm. Së dyti, baza materiale ishte e garantuar, nuk mungonin pajisjet, ndërsa klubet kishin ambientet e tyre të zhveshjeve, bazën materiale e metodike etj. Së treti, të paktën në qytetet e mëdha kishte stadiume ku ushtrohej atletika. Tirana, kryeqyteti (pa periferinë), kishte tre stadiume ku zhvilloheshin garat e atletikës, kurse sot nuk ka asnjë. Së katërti, vetë klubet ishin më të organizuara dhe kjo ishte sipas modelit të Lindjes, ku sporti ishte në funksion të politikës. Që të dominonte ndaj rivalëve perëndimorë, në Lindje i kushtohej rëndësi e veçantë investimit në sport dhe Shqipëria ka qenë pjesë e këtij zinxhiri. Mbi të gjitha, unë dua të veçoj pikën e parë, atë të motivimit, gjë që nuk mohohet.

- Të flasim për infrastrukturën sportive dhe këtu është fjala drejtpërdrejt për terrenet. Si paraqitet gjendja e infrastrukturës sportive në tërësi dhe e kryeqytetit në veçanti?

Infrastruktura në kryeqytet nuk ka nevojë për koment, është diçka që duket. Shikoni ambientin përreth, nuk ka as pistë, as gropë rëre, asgjë serioze për të bërë atletikë profesioniste. Këtu bëjmë stërvitje, po këtu zhvishemi, po këtu është banjo, e po këtu na i vjedhin veglat. Rrimë duke fshehur nëpër shkurre bazën materiale, diçka që tregon anomalinë dhe mjerimin e atletikës tonë. Veglat që kemi për stërvitje janë primitive. Por, pavarësisht të gjitha vështirësive, me këto vegla primitive dhe kushte krejt rrethanore, ne vijojmë të nxjerrim kampionë të rinj dhe kjo më motivon e më jep energji të shtuara.

- Cili është ekipi juaj, nga çfarë sportistësh përbëhet? A jeni të kënaqur me klubin tuaj?

Unë trajnoj një grup sportistësh që i përkasim klubit të Partizanit. Jemi të kënaqur për mënyrën si na trajton klubi, por bazë materiale dhe infrastrukturë nuk kemi, pasi këto gjëra nuk varen as nga klubi. Siç e dini edhe ju, Partizani si klub nuk ka ambiente as për vete. Megjithatë, dashamirësia e shefit të klubit shumësportësh Sh. Muça na motivon. Sa i takon ekipit, Partizani ka sot një kampione kombëtare me të rriturat, Melisa Sina, që është vetëm 17 vjeçe. Rezultati i saj prej 15 sekondash në 100 m me pengesa është më i miri i 20 vjetëve të fundit dhe është rezultat premtues. Në total trajnoj 4 vajza që garojnë me të rriturat dhe 2 djem, njëri prej të cilëve është kampion kombëtar i të rinjve. Klubi është përpjekur të bëjë më të mirën, duke i stimuluar me një pagesë mujore modeste, por motivuese. Përveç tyre, në ekip kemi edhe 6 vajza të moshës deri në 13 vjeç, ku spikat Figalie Gjati, që është kampione kombëtare e kësaj moshe në 50 m, 50 m/p dhe 100 m. Po ashtu, kemi një kampion kombëtar në 600 metra për moshën deri në 13 vjeç. Raportet e klubit me klubet e tjera në garat sportive janë të mira, pasi Partizani renditet direkt pas Tiranës, Vllaznisë dhe Skënderbeut, që kanë kushte shumë herë më të mira sesa ne në atletikë.

- Ju keni vetëm atletë të garave të shpejtësisë, por mungojnë hedhësit apo kërcyesit. Pse nuk keni sportistë të këtyre disiplinave?

Sepse mungojnë kushtet. Duhet të kishim të paktën gropën e rërës, gjë që nuk është. Nuk varen rezultatet e atletikës vetëm nga trajnerët, duhen gërshetuar elementët dhe infrastruktura është “A”-ja. Unë dhe ime shoqe kemi një jetë si trajnerë të atletikës. Kemi qenë pjesë e Tiranës dhe për 20 vjet Tirana ka dominuar. Tani po ringremë Partizanin. Ndryshe nga Tirana që ka kushte më të mira dhe sponsorizohet nga Bashkia, duke mbledhur sportistët më të mirë, Partizanit i mungojnë kushtet. E ndërsa Tirana është e privilegjuar në pagesa nga institucionet, Partizani nuk merr as 1/10 e shumës që përfiton Tirana. Ju më pyetët për gjendjen e infrastrukturës në tërësi në atletikë dhe unë mund të them se Korça e ka stadiumin e atletikës, Vllaznia e ka pistën me tartan në stadiumin e saj, edhe Elbasani gjithashtu. Por problemi themelor është kryeqyteti.

- Në tërësi atletika në Shqipëri ka një përhapje gjeografike të kufizuar, kryesisht në qytetet e mëdha...

Jo, nuk qëndron kjo, atletika ka mjedisin e duhur në shumë qytete të vendit. Natyrisht, dominon Shkodra, Korça, Durrësi dhe Tirana, por atletika ka shumë sportistë në Laç, Lezhë, Vlorë etj. Atletikë ka edhe Dinamo, por edhe dy skuadrat e Durrësit: Teuta dhe Mjeshtëria Sportive. Megjithatë, ne kemi marrë vendin e katërt në renditjen ekipore me rezultatin e mirë të një sportisteje.

- Çfarë mund të bëhet të përmirësohet situata. Për çfarë ka nevojë atletika shqiptare?

Po jap në mënyrë të përmbledhur thelbin e një artikulli shkencor për efektet e investimit në sport të bërë në Zvicër. Nga analizat e të dhënave rezultonte se miliarda euro në vit shpenzoheshin për antibiotikë dhe kjo rriti shqetësimin e autoriteteve, që nisën të bënin hulumtime. Dhe pasi u këshilluan me specialistët vendosën të mbushin Lozanën dhe qytetet e tjera të mëdha në Zvicër me pista vrapimi, duke ofruar falas trajnimet. Në pak vite Zvicra u mbush me pista atletike të të gjitha llojeve dhe, pavarësisht se u investua si fillim një shumë e madhe miliarda euro për sportin, fitimet në 10 vjet ishin të jashtëzakonshme. Kishte rënë me 3 herë shpenzimi për antibiotikët dhe falë angazhimit në sport, Zvicra kishte një popullatë më aktive e më të shëndetshme. Përfitimi ishte shëndetësor dhe financiar dhe kjo gjë duhet të ndodhë edhe në Shqipëri. Sa më shumë terrene sportive, më shumë shëndet, më pak shpenzime në medikamente. Çfarë i duhet Tiranës? Kemi nevojë urgjente për një stadium. Në fakt e kemi, por duhet përshtatur për atletikën. Është fjala për stadiumin “Selman Stërmasi”, i cili i plotëson standardet për një pistë tartani me 8 korsi, ose më e pakta 6 korsi. Ka përmasa olimpike dhe i plotëson nevojat, madje mund të bëhet impiant modern që nuk i shërben vetëm futbollit dhe atletikës, pasi aty mund të sistemohej edhe baza materiale.

- Si do ta përkufizonit infrastrukturën e atletikës sot në Tiranë?

Atletika shqiptare në kryeqytet nuk përmbush sot asnjë standard. Ju kujtoj këtu që në vitin 2015 mbërriti në Tiranë kreu i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (CIO-s), Sebastian Kohu, ish-atlet, i cili në takimin me kryeministrin mori premtimin se pa u prishur ende “Qemal Stafa”, do të ndërtohet stadiumi i atletikës. Kjo nuk ndodhi, pasi “Qemal Stafa” u shemb, po mbaron së ndërtuari stadiumi i ri, kurse atletika ka mbetur rrugëve.

- Ju folët më sipër për “Selman Stërmasin” që plotëson kushtet, por, përveç tij, a ka ndonjë impiant tjetër që mund t’i shërbejë atletikës?

Sigurisht, janë ambientet e klubit “Studenti”, por e keqja është se nuk ka vullnet për zgjidhje.

- Si paraqitet sot investimi financiar në atletikën shqiptare?

Ana financiare çalon shumë, sepse mungojnë stimujt. Fondi që akordon shteti për atletikën shërben vetëm për transportin e gjyqtarëve dhe të bazës materiale. Pra ky fond shkon rrugëve, prandaj dhe investimi është i vogël.

- Pretendimet e federatës janë ndryshe. Ajo mburret me pistën e kërcimit që është bërë këtu afër...

Pista e kërcimit është e mangët, nuk zgjidh as “A”-në e nevojave që ka atletika shqiptare në kryeqytet. Pesë stadiume kishte atletika para vitit 1990 në Tiranë, dy prej të cilëve ishin cilësorë, e një pistë me tartan që patëm ca kohë (pas vitit 2005) edhe ajo na u prish. Nuk mund të them shumë, sepse faktet flasin vetë, por mund të pranoj se jemi për rekord “Guinness”, si i vetmi kryeqytet në botë pa pistë atletike.

Intervistoi: Adriatik BALLA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 09/11/2019 - 13:40

Profesori dhe historiani Bernard Zotaj, ka hedhur dje dritë mbi të vërtetën e luftës partizane.

Postuar: 07/11/2019 - 13:00

Bashkia e Kamzës pritet të rilindë dhe të jetë në shërbimit të qytetarëve të saj, tanimë që është

Postuar: 01/11/2019 - 07:39

Në ekranin e kinemasë aktori Kristaq Pilo së fundmi erdhi me rolin e hetuesit në filmin “In

Postuar: 31/10/2019 - 08:17

Deputetja e pavarur, Elena Xhina ka komentuar aktualitetin politik në vend, duke e ndalur theksin

Postuar: 27/10/2019 - 15:15

Ish-ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj ka komentuar aktualitetin politik në vend.

Postuar: 27/10/2019 - 07:56

Piktori Anastas Kostandini është i vlerësuar me aktivitetin e tij.