Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Sahit Prizreni: Në Tokio-2020 dështim i garantuar, shkak fondet skandaloze për mundjen

Postuar: 03/02/2019 - 07:46

Adriatik BALLA

Sporti në Shqipëri është në një periudhë tranzicioni dhe në kërkim të stimujve që do t’i krijonin atij hapësira të reja ku do të operonte dhe zhvillohej me sukses në krahasim me vendet e rajonit. Natyrisht, krizat politike, sociale dhe ekonomike kanë ndikim edhe në sport, por duket se shtrëngimi i dorës nga institucionet sa i takon fondit “grant” për federatat sportive, i ka nxjerrë sportistët dhe trajnerët, por edhe zyrtarët e federatave në rrugë, duke mos qenë aspak të kënaqur me shumën që akordohet. Në këtë valë pakënaqësie janë dhe sportistët e trajnerët e mundjes, përfshi dhe sekretarin e njëherësh ish-mundësin e madh Sahit Prizreni. Ky i fundit, duke folur për gazetën “Sot”, kujtoi se fondi nuk ka asnjë ndryshim nga viti i shkuar dhe nëse një vit më parë pati vërejtje për pamjaftueshmërinë e fondit për të organizuar aktivitetet, këtë vit mund të dështojë kualifikimi i sportistëve shqiptarë në Olimpiadën e ardhshme të Tokios (2020). Për Prizrenin, situata duket e vështirë, sepse këtë vit, nisur dhe nga fakti se aktivitetet kanë vlerë kualifikuese, duhej që fondi për federatën e mundjes të ishte më i madh. Problemi nuk është vetëm fondi, por edhe mënyra se si po shihet nga ministria e linjës dhe institucionet e tjera sporti në tërësi, që sipas tij ka nevojë urgjente për mbështetje.

 

- MARS ka ndarë fondet “grant” për federatat e ndryshme sportive, përfshi dhe mundjen. Sa është shuma që ka përfituar mundja shqiptare për këtë vit dhe a jeni të kënaqur nga sasia që do të keni në dispozicion për të zhvilluar garat?

- Fondi nuk ka ndryshim nga viti i kaluar. Është e njëjta shumë, diku tek 80 mln lekë të vjetër, nga të cilat 20 mln lekë do të shkojnë për rrogat e administratës, kurse për aktivitetet do të mbeten 60 milionë lekë. Një shumë e tillë nuk përballon dot aktivitetet kryesore të mundjes në rang kombëtar, e jo më të pretendohet për të marrë pjesë në veprimtaritë e rëndësishme ndërkombëtare, ku këtë vit, i cili ka vlerë kualifikuese në Olimpiadë, ne e kemi të domosdoshme për të qenë pjesëmarrës në veprimtaritë e rëndësishme europiane dhe botërore.

- Situata mund të mos jetë më e mira, por dhënia e fondeve vjen pas një studimi konkret nga dikasteri përkatës dhe parashikohet të mbulojë veprimtaritë sportive në harkun e një viti. I takon federatave të marrin masat për të përballuar veprimtaritë, apo jo?

- Nuk funksionon kështu. Secila federatë bën projektet e veta për aktivitetet sportive brenda një standardi të pranuar dhe për këtë kalendar aktivitetesh duhen fonde që jepen nga shteti. Por fondi i dhënë, konkretisht për mundjen, është totalisht i pamjaftueshëm. Me kaq para, ju siguroj që dështimi është i garantuar. Me këto shifra, maksimumi mund të marrim pjesë në dy veprimtari sportive ndërkombëtare me një numër të kufizuar sportistësh. Jemi ende të shokuar nga shifra, pasi, duke qenë vit që vlen për kualifikim në Olimpiadë prisnim më shumë. Është në interesin e një vendi të çojë sa më shumë sportistë në Lojërat Olimpike, por me shifra të tilla është e pamundur.

- Gjatë vitit 2018 ju bëtë shumë aktivitete me një shumë financiare të përafërt, madje organizuat edhe Kampionatin Ballkanik për të rinj në Tiranë. Si ia dolët?

- Ne Ballkaniadën e bëmë me një vështirësi të jashtëzakonshme. Me një sforco që nuk mund të tregohet, por ka ardhur momenti të thuhet se sporti nuk bëhet me lëmosha. Ne bëmë një aktivitet model dhe të ftuarit mbetën të kënaqur, pati pjesëmarrje të gjerë dhe rezultate të mira, por ju nuk e dini që këtë veprimtari nuk e mbështeti aspak institucioni që i takonte të ishte në krye të vendit, MARS-i. Nuk na dhanë asnjë qindarkë, për të mos shkuar më tej, sepse pati dhe një qëndrim aspak dinjitoz prej tyre, pasi nuk e përshëndetën aktivitetin fare.

- Pse kështu?

Në çdo vend, kur ka aktivitete rajonale të rëndësishme, sikurse ishte Ballkaniada e mundjes, vijnë përfaqësues të ministrisë së linjës, është si një motivim për sportistët, trajnerët, federatën, komunitetin e atij sporti në tërësi. Por nuk erdhën. Ne vetëm fizikisht i donim, por as fizikisht nuk erdhën. Që këtu shihet se sa poshtë ka rënë sporti, askush nuk e ka mendjen tek sporti dhe më shumë se mungesa financiare, është mungesa e vëmendjes ajo që e vret më shumë sportin sot në Shqipëri.

- Ka dhe institucione të tjera që mund të financojnë aktivitetet. Dihet që mundësitë e shtetit tonë janë të kufizuara. Pse ju si komunitet nuk gjeni sponsorë? Pse nuk afroni biznesmenë që t’ju mbështesin në organizimin e veprimtarive?

- Është e lehtë të flasësh nga jashtë, por që të trokasësh diku për të të ndihmuar, duhet që shteti të ketë siguruar me ligj raportet me biznesin sepse askush nuk hedh para në “ajër”. Ne kemi pasur ndihmë dhe dashamirësi, por këto janë të pamjaftueshme, prandaj “shigjetat” shkojnë në adresë të institucioneve. Është e papranueshme që t’i dërgosh ftesë dikasterit që të përshëndesë Kampionatin Ballkanik dhe ai nuk të përfill. Ne patëm një ndihmë modeste nga Bashkia, ca stampime në bluza, por edhe kjo krejt e parëndësishme. Sot në MARS nuk ka një drejtori të mirëfilltë për sportin, edhe nëse ekziston, ajo nuk dihet çfarë bën. Është e pajustifikuar të bësh një Kampionat Ballkanik për katër ditë me radhë e të mos shfaqë asnjë interes ministria e linjës. Zero para, zero moral, zero interesim dhe arrihet deri aty sa të shtrohet pyetja: A ekziston sporti në Shqipëri, apo bëjmë sikur ka sport? Dua të shtoj këtu që ky nuk është problemi vetëm i mundjes, por i sportit kombëtar në tërësi.

- Si kanë qenë raportet financiare në të shkuarën?

- Me kohën gjërat duhet të vijnë duke u përmirësuar, por si duket nuk ia kemi dalë. Para 17 vjetësh, fondi “grant” për federatën e mundjes, ka qenë 200 milionë lekë, pra 3 herë më shumë se aktualisht. Në një kohë që janë rritur shpenzimet, janë rritur kërkesat, janë rritur kuotat dhe pagesat në tërësi për stërvitje e pjesëmarrje, fondi pakësohet. Ky është sa paradoksal, aq dhe i dhimbshëm.

- Ka vende që aplikojnë në organizma ndërkombëtare dhe federata botërore ndihmon në raste të veçanta. Pse nuk i jeni drejtuar?

- Ne nuk kemi bashkëpunim me federatën botërore në aspektin financiar, por kemi një bashkëpunim me federatën europiane të mundjes, e cila na ka mbështetur me dërgimin për stërvitje të disa sportistëve në Bullgari. Në tërësi ata në këtë formë e shprehin ndihmën e tyre, por nuk japin ndihmë në aspektin financiar, pra sigurojnë bazë materiale dhe infrastrukturore për sportistët që kanë premisa të mira si pjesë e politikës së tyre për zhvillimin e sportit. Sidoqoftë, edhe kjo është një ndihmë dhe duhet vlerësuar.

- Nga mënyra si e përshkruat situatën duket se kualifikimi i mundjes në Olimpiadën e Tokios më 2020 duket i vështirë. Çfarë keni planifikuar për t’ia dalë?

- Mundja nuk është sport dosido në Shqipëri. Mundja është sport elitar dhe me traditë të thellë. Ndër vite vendi ynë është përfaqësuar denjësisht në veprimtaritë sportive dhe ne duam që mundja të jetë pjesëmarrëse në “Tokio-2020”. Dhe ne do të bëjmë çmos që të shkojmë të paktën me 1 ose 2 sportistë në Olimpiadë. Pasi dolën shifrat e fondit, ne do të hartojmë një projekt-kalendar të ri, pasi i mëparshmi na bie poshtë për shkak të pamundësisë së financimit. Në kalendarin e ri do të vendosim prioritetet. Do të diskutojmë me kryesinë dhe me komunitetin e mundjes në tërësi dhe do të hartojmë një strategji për të përmbushur objektivin. Por siç thamë, vështirësitë janë të mëdha.

- E si keni menduar ta përballoni?

- Kuptohet, disa veprimtari do të anulohen, i bie që shumë aktivitete të mos zhvillohen dhe kjo është e dhimbshme për mundjen shqiptare. Disa veprimtari kombëtare do t’i reduktojmë, por jo kampionatin se ç’kuptim ka pastaj nëse nuk bëjmë kampionat kombëtar të mundjes.

- Kush janë sportistët që kanë shanse reale për të shkuar në Olimpiadë dhe si keni menduar t’i mbështesni ata?

- Dëshirat janë të mëdha, por të paktën synojmë të arrijmë diçka me dy sportistë cilësorë që kemi, një në mundjen e lirë dhe një në mundjen klasike. Eriglent Prizreni dhe Paris Karepi janë dy sportistë që spikatën në Kampionatin Ballkanik dhe shpresojmë që të arrijnë objektivat e tyre. Kurse disa të rinj të tjerë, të perspektivës, synojmë t’i çojmë në Kampionatin Europian për kadetë. Të shohim nëse do t’ia dalim, por shpresa është e madhe.

- Ka një ligj për sponsorizimet që mund ta ndihmojë sportin, përfshi dhe mundjen, që të marrë më shumë ndihmë nga biznesi. Pse nuk shfrytëzohet?

- Kjo është më shumë një fushatë sesa një rregullator i qartë që i jep ndihmë sportit. Unë do ta quaja një fasadë, sepse është bërë një ligj jo i saktë. Është VKM e jo ligj, ose ca nene e ca nënnene, por nuk i japin sportit dimensionin e duhur në një shoqëri. Më së pari, ne nuk kemi një ministri sporti sikurse e ka e gjithë bota. Ne nuk kapim dot as nivelin e Kosovës, e cila i ka të qarta projektet e saj, sepse Kosova investon në sport.

- Sa investon konkretisht Kosova?

- Nuk mund të them tani shifrën e saktë, por po bëj një krahasim. Aq sa buxhet marrin të gjitha federatat tona sportive për të gjitha sportet në harkun e një viti, në Kosovë i merr vetëm basketbolli. Diferencën mund ta bëni vetë se në çfarë kushtesh operojnë ata e në çfarë kushtesh operojmë ne. Vetëm basketbolli në Kosovë merr sa i gjithë sporti në Shqipëri. Është ndonjëherë dhe ky nivel që tregon për interesin e një shteti në sport.

- A ka vend për optimizëm?

- Sigurisht që ka, megjithëse u lodhëm duke pritur të bëhet më mirë. Unë shumë mirë mund të ndërtoja një karrierë trajningu në Australi, por jam kthyer në vendin tim për të dhënë kontributin tim falë eksperiencës që kam dhe njohjeve në këtë fushë, kam shpresuar që eksperienca ime mund të ndihmojë të përmirësohet sporti i mundjes në Shqipëri. E kush nuk e dëshiron të japë kontribut për vendin e tij? Por sot sporti në Shqipëri ka probleme serioze, sepse njerëzit e sportit nuk mbështeten. Ne nuk kemi kuadro sporti që të orientojnë politikën kombëtare në fushën e sportit, ose më saktë, politikat sportive nuk i bëjnë njerëzit e duhur. Sportistët tanë bëjnë ekstremitete, por nuk motivohen. A ka vend për optimizëm? Sigurisht, sepse Shqipërisë nuk i mungon elementi, por i mungon mbështetja. Unë jam paksa skeptik, sepse po shoh që gjërat nuk po përmirësohen, prandaj kërkoj reflektim dhe nëse nuk do të ketë reflektim, e sigurt që nuk do të bëjmë asgjë.

Intervistoi: Adriatik BALLA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/02/2019 - 07:47

Kompozitori Agim Krajka shprehet se për artin dhe kulturën nuk bëhet sa duhet nga institucionet që janë përgjegjëse për zhvillimin e jetës artistike në vend.

Postuar: 17/02/2019 - 07:35

Basketbolli në Shqipëri shfaq dy pamje të ndryshme.

Postuar: 15/02/2019 - 08:10

 Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi ka komentuar ditën e djeshme zhvillime

Postuar: 14/02/2019 - 07:42

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi ka komentuar ditën e djeshme zhvillimet politike në vend

Postuar: 13/02/2019 - 07:34

Artistët vazhdojnë të shprehen se nga Ministria e Kulturës nuk është treguar interes për probleme

Postuar: 09/02/2019 - 07:45

Studiuesi Behar Gjoka shprehet se problemet me mbështetjen dhe vlerësimin e autorëve shqiptarë vi

Postuar: 07/02/2019 - 23:00

Historia e divorcit të Edi Ramës në vitin 1991 me ish aktoren Matilda Makoçi, duket se nuk ka asn