Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Taulant Stërmasi: Atletika shqiptare në kushtet e mbijetesës, paradoksale që sportistja më e mirë, Luiza Gega, paguhet më pak

Postuar: 01/09/2019 - 07:43

Atletika po vuan në dy drejtime. Së pari në aspektin infrastrukturor, pasi në Tiranë, e cila mban 1/3 e popullsisë së vendit, nuk ka pistë, ndërsa elementi i dytë është financiar, pasi fondet që merr atletika janë jo vetëm të pamjaftueshme, por nuk i japin kurrfarë frymëmarrje për të organizuar veprimtaritë dhe ndihmuar sadopak “mbretëreshën” e sporteve. E megjithatë, Shqipëria ka disa atletë të nivelit të lartë, të cilët na bëjnë krenarë me rezultatet e tyre dhe me medaljet që i sjellin vendit nga veprimtaritë e rëndësishme europiane. Një ndër ta është dhe Luiza Gega, sportistja që sfidon rivalet, por edhe vitet. Trajneri i saj, Taulant Stërmasi, në këtë intervistë të dhënë për gazetën “SOT”, tregon gjendjen e sportistes në prag të Kampionatit Botëror të Atletikës, përgatitjet për Olimpiadën e ardhshme dhe natyrisht shqetësimet që ka sot “mbretëresha” e sporteve në Shqipëri.

Ju trajnoni atleten më të mirë shqiptare, një nga shanset e pakta të sportit tonë për medalje ndërkombëtare dhe pjesëmarrje në Olimpiadë. Cila është gjendja e Luiza Gegës në prag të Botërorit të Dohas? Cilat janë objektivat tuaja?

Gjithmonë luftojmë për stabilitet në rezultate. Dihet që ky sport ka ulje-ngritjet e tij, por në atletikë kjo është normale. Garat bëhen më të vështira kur futen pengesat. Gjithsesi, ne duam të ruajmë stabilitet të formës dhe të përmirësojmë teknikën. Dihet që rivalet e Luizës e praktikojnë këtë garë në vijimësi, prej shumë vitesh dhe kanë fokus vetëm këtë garë (3000 m me pengesa). Ne e kemi kuptuar vonë kapacitetin e pazakontë të Luizës në këtë disiplinë. Nga viti 2016 ne kemi bërë progres në këtë garë, kemi stabilitet dhe qëndrojmë në kufijtë 9’25’’. Është pikërisht ky rezultat që na jep shpresë për të qenë në finalen e Botërorit dhe në fazën finale të Olimpiadës së Tokios. Dhe nëse pyetja shtrohet për objektivin, atëherë ju them se objektivi ynë është finalja dhe nëse e kapim finalen atëherë kemi arritur një sukses të madh. Nëse arrijmë në finale, atëherë duhet punuar fort për të pasur rezultat.

Duket e habitshme që Luiza po sfidon vitet. Ajo vijon të thyejë rekorde në një moshë relativisht të madhe. Cili është limiti i saj?

Luiza është ndoshta sportistja më e veçantë në Shqipëri, sepse ka rezultate të larta pikërisht në këtë moshë. Janë disa tregues që e bëjnë të justifikuar rezultatin e saj. Është vullneti, është puna, por padyshim dhe talenti i saj në këtë sport. Ajo është gjithë kohën gati për garë, sepse ruan stabilitet në përgatitje dhe rezultate. Sepse Luiza ia kushton gjithë kohën atletikës dhe kjo është e rrallë në Shqipëri. Dhe nëse ka rezultate, kjo vjen ngaqë ajo po merr maksimumin nga puna e saj. Mbi të gjitha, Luiza ka disiplinë në përgatitje dhe në garë. Është ky kujdes ndaj disiplinës që e bën atë të jetë serioze dhe me rezultat të lartë. Ajo jeton me punën dhe ka rregulla strikte. Çdo gjë është e programuar, filluar nga puna, ushqimi, fjetja, mendimi. Është përshtatur mirë me mënyrën e stërvitjes. Ju e dini që ky sport kërkon specifikë të veçantë stërvitore për të pasur rezultat. Sepse duhet të zbresësh nga lartësitë kur ke bërë fazë përgatitore për të bërë garë në një mjedis ultësire. Kjo bëhet ngaqë nevojitet përshtatja dhe ne kemi një moto: “fli lart, stërvitu poshtë”, sepse ndikojnë shumë kushtet atmosferike, sidomos temperatura dhe lagështia e ajrit. Dikujt mund t’i duket e lehtë kjo, por të shkosh nga maja e malit në ultësirë, për të kapur parametrat, është shumë e vështirë. Në prill shkojmë në Korçë, por më pas kthehemi në Tiranë, se duhet stërvitje në parametra të tjerë. Kjo ka kosto dhe shpenzime shumë të mëdha. Këtë të dielë kemi garë në Berlin, përballemi me më të fortat e botës, duhet të jemi vazhdimisht gati, por gara të tilla kërkojnë stërvitje të plotë, gjë që në Shqipëri ne nuk i kemi kushtet, pasi në Ultësirë duhet të shkojmë çdo ditë nga Tirana në Elbasan.

Dalim tani në atë që është çështja më e mprehtë, “thembra e Akilit” e atletikës tonë: Na mungon pista në Tiranë. Sa e ka dëmtuar kjo atletikën?

Kjo është një çështje serioze. Ne nuk kemi qenë kundër ndërtimit të stadiumit të ri kombëtar të futbollit, madje do të gëzoheshim po të ishte olimpik, pasi ne na duhet një stadium olimpik. Por vendimi për stadiumin ishte politik. Politikat shtetërore në sport nuk bëhen me eufori, as me fushata. Nevojiten politika 30-vjeçare. U bë një stadium miliona euro, çfarë e pengonte këtë politikë për 400 mijë euro që duheshin për pistën?! Politika e stadiumit të ri zuri vend pas suksesit të futbollit në eliminatoret e “Francë-2016”, por kanë kaluar disa vite dhe ende nuk na është bërë pista. Iku 2016, iku 2017..., po ju siguroj që do të iki edhe 2020, pasi nuk është në projekt pista as pranverën e ardhshme, atëherë kur do ta kemi pistën? Me pak fjalë, atletikën në Tiranë e shkrimë.

Në fakt, ka një projekt, një qëndrim zyrtar, që vitin e ardhshëm do të bëhet pista nga Bashkia e Tiranës...

Nëse do të ishte kështu duhej të niste puna, pasi, nëse nuk bëhet në prill, atëherë nuk ka kohë tjetër të përshtatshme, kështu që i kalon vitit pasardhës. Kështu është djegur atletika gjithë këto vite.

Infrastruktura është shqetësim kombëtar për sportin tonë. Sa i plotëson ajo nevojat e atletikës?

Kemi dy pista momentalisht. Një në Elbasan, e cila i plotëson parametrat dhe u lumtë atyre që e kanë, sepse është pistë me parametra bashkëkohorë. Megjithatë pista është në një qytet të varfër dhe që nuk e ka popullsinë e Tiranës, sepse në kryeqytet do të ishte shfrytëzuar më shumë, kurse pista në Shkodër është mizerabël, është jashtë parametrave sepse fut ujë dhe merr ajër. Këtë pistë federata botërore nuk e certifikon. Në Korçë ka dy pista, por njëra është jashtë funksionit dhe jashtë standardeve. Tjetra e pacertifikuar, nuk ka vijëzim.

Zyrtarët e federatës, përfshi dhe presidentin Ruli, nuk e shohin gjendjen aq alarmante...

“Ta mbajmë mirë me qeverinë” nuk është zgjidhje. Sporti duhet të jetë jashtë partive sepse s’ka lidhje me partitë. Është prishur pista në kryeqytet dhe Tirana, e cila ka 1/3 e banorëve të vendit, nuk ka pistë. Elbasani, sa 1/10 e popullsisë kryeqytetit, ka pistë. Në Shkodër ka pistë, por është jashtë standardeve, kam tërhequr sportisten nga gara prej frikës së dëmtimit. E përmenda më lart, tartani nuk ka parametrat dhe përbën rrezik për atletët.

Nga zero në dhjetë, çfarë note do t’i vinit atletikës tonë?

Duhen ndarë gjërat. Sa i përket infrastrukturës nuk meriton më shumë se 2, ndërsa sa i përket kualitetit, më duhet të pranoj se kemi disa sportistë të nivelit të lartë, që i sjellin vendit medalje. Pra, nga kualiteti jo keq, sidomos në nivel ballkanik. Kemi pesë sportistë të nivelit europian, prej të cilëve 3 janë produkt shqiptar (Gega, Smajlaj, Burraj). Problemi është tek trajningu.

Pse, konkretisht?

Pyetja shtrohet sa trajnerë kemi? Sepse atletika jonë ka shumë pak trajnerë. E mira do të ishte të kemi më shumë trajnerë, pasi një grup atletësh që merr një teknik, brenda 6-7 vjetësh do të nxjerrë të paktën një që do të na përfaqësojnë denjësisht. Nëse ne do të kishim më shumë trajnerë, do të ngjiteshim nga liga e tretë europiane në ligën e parë, jam i sigurt për këtë. Por që të ndodhë kjo duhet të kesh infrastrukturë, gjë që ne e thamë më lart se nuk kemi pistë në Tiranë. Që të ndodhë kjo duhet më shumë financim dhe trajnerët të paguhen më mirë. Çfarë do të bëjë një trajner me 65 mijë lekë të vjetra në muaj?! Çfarë pret të ndodhë me këtë pagesë?! Së pari respekti nis nga pagesa e trajnerit, në këtë drejtim kërkohet më shumë dinjitet. Nëse plotësohen ca kritere bazë, atëherë edhe niveli do të rritej automatikisht. Do të konkurronim më shumë, pasi unë besoj se Shqipëria i ka kapacitetet. Mungesa e trajnerëve ka sjellë pakësimin e disiplinave, aq sa ne na mungojnë shumë disiplina sot. Garë me shkop nuk bëhet, etj. Pra s’ka sportistë, sepse nuk kemi trajnerë. Nëse do të shtoheshin këto, vetëm me pjesëmarrje në gara do të kishim grumbulluar më shumë pikë

T’i kthehemi Botërorit të Dohas në fund të shtatorit. Çfarë synoni me Luizën? Mund të presim ndonjë rekord të ri kombëtar?

Garat e Botërorit janë më të vështirat. Ne shkojmë për rezultat, por me një strategji për gjysmëfinalen. Dihet, një atlet futet në garë për të fituar. Në veçanti kjo është një garë që kërkon strategji. Mund të luash për rekord, por lejon të tjerët të fitojnë garën. Varet si shkon gara, pasi llogaritë bëhen hap pas hapi. Objektivi ynë është të kapim finalen.

Insistoj për të mësuar më shumë rreth kapaciteteve të sportistes tuaj. Cili është pozicioni i saj?

Aktualisht Luiza Gega është numri 13 në botë në garën e 3000 m me pengesa. Para saj janë 6 keniane, por vetëm tre prej tyre lejohen të garojnë, kështu që Luiza është aktualisht në top-10 të botës. Në finale shkohet me kohën 9’30’’, ndërkohë që ne jemi komod dhe të konfirmuar në 9’25’’.

Desha së fundmi një mendim tuajin për ligjin për sportin, meqë në parlament do të diskutohet në shtator një paketë sponsorizimi që ka lidhje më këtë. Cili është qëndrimi juaj?

Nëse duam të kemi sport, duhen më shumë të ardhura, më shumë investime. Sidomos për mbështetje kanë nevojë sportet individuale që nuk nxjerrin të ardhura. Në Kosovë, Slloveni e gjetkë, kanë bërë një lëvizje domethënëse, një ulje 30% të tatimit mbi fitimin dhe kjo shumë do të shkojë për sportin. Kompanitë dalin të fituara, pasi më parë këtë ia jepnin shtetit, kurse tani ia kalojnë sportit, por përfitojnë nga reklamimi. Në këtë formë fitojnë të gjithë palët, dhe i jepet sportit një frymëmarrje, një shans. Kemi pasur takime, kemi diskutuar, por qeveria shmanget, sepse ekziston frika e evazionit fiskal. Që të mos ndodhë kjo duhet të ketë ca kritere, rrjedhimisht kriteret duhen lidhur me rezultatet. Nuk mund të vlejë paketa për kategoritë e treta e të katërta në futboll, por për Superioren patjetër. Tek sportistët elitarë ekziston një bazë benefitesh, por kërkojnë diçka edhe të tjerët. Që të ndodhë kjo kërkohen rezultatet, por ama ligji u jep mundësinë të shpresojnë të gjithë, kështu që do të rritet niveli. Që të përfshihesh në benefite duhet të rivalizosh, të kapësh rezultate të larta. S’përfiton nga ligji ai që s’ka rezultate, prandaj duhen kriteret. Dihet që bashkitë nuk kanë kapacitete, por mundësitë për progres nëpërmjet paketës ligjore, duke respektuar kriteret, ekzistojnë. Por çfarë ndodh? Fatkeqësisht ne nuk kemi përfaqësim. Në komisionin e sportit janë nga futbolli, basketbolli e volejbolli, por grupet e tjera të interesit nuk janë përfshirë. Luiza Gega ngre në këmbë pallatet e sportit në Europë, por atletika është e papërfaqësuar, ky është problem. Nga ana tjetër, këtu ka paradokse, pasi Luiza është sportistja më e mirë, por është më pak e paguara. Ka sportistë që mbyllin garat dy xhiro pas të parafundit, kjo është turp, dhe nuk vlerësohet “ylli” i atletikës! Prandaj duhen kriteret dhe ligji, kurse shteti sot të thotë “plas trutë, s’dua t’ia di”. Ne nuk jemi Gjermania, që ka 1000 sportistë elitarë, ne vetëm disa kokrra kemi. Luiza sot është krenari e atletikës, rivalizon kenianet që janë të jashtëzakonshme në këtë garë. Sot federata e atletikës merr një fond vjetor 60 mijë euro. Çfarë mund të bëhet me këtë shumë?! Nuk mbahet atletika me kaq para, këtë ta kenë të qartë politikbërësit.

Intervistoi: Adriatik BALLA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/09/2019 - 07:38

Institucionet nuk tregojnë interes për veprat e artistëve të njohur shqiptarë, por kjo situatë sipas tyre vijon prej vitesh.

Postuar: 15/09/2019 - 14:00

Ish-funksionari i lartë i policisë, koloneli Mit’hat Havari ka hedhur dritë mbi ngjarjet e

Postuar: 15/09/2019 - 07:57

Dekada në skenë baritoni Ylber Gjni është një nga artistët e vlerësuar me aktivitetin e tij artis

Postuar: 15/09/2019 - 07:46

Gazeta “Sot” sjell për lexuesit këtë fundjavë intervistën me një prej figurave të shq

Postuar: 12/09/2019 - 07:29

Për folklorin në vend sipas artistëve të ndryshëm bëhet shumë pak nga institucionet.

Postuar: 10/09/2019 - 08:55

Lëvizja Socialiste për Integrim ndjehet e frikësuar nga një pakt i ri midis kryeministrit Edi Ram

Postuar: 08/09/2019 - 07:55

Buxhetet e pakta për realizimin e filmave, si dhe mungesa e kinemave shihen me shumë shqetësim ng