Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Theodhor Masllavica: Prisja më shumë nga Europiani i shtangës, beteja me dopingun nuk ka mbaruar

Postuar: 14/04/2019 - 07:41

Peshëngritja konfirmohet dhe një herë tjetër si sporti më i mirë individual në Shqipëri. Në Kampionatin Europian të Peshëngritjes që u zhvillua në Batumi të Gjeorgjisë, Shqipëria u përfaqësua me 5 sportistë dhe u kthye nga aktiviteti me 5 medalje, një ari, dy argjendi e dy bronzi, duke bërë një paraqitje mjaft të mirë. Natyrisht, medaljet sjellin entuziazëm, por është dikush që mendon ftohtë dhe me këmbë në tokë, presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Theodhor Masllavica. Nuk “fluturon”, siç ndodh shpesh me euforikët e shtangës, përkundrazi, bën një analizë të kujdesshme të paraqitjes së ekipit, rezultateve dhe kujton që duhet të presim edhe analizën e testeve antidoping, për të bërë deduksionet e nevojshme dhe për të mundësuar pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike të Tokios vitin e ardhshëm. Për Masllavicën era e një ndryshimi pozitiv po ndjehet, megjithëse mbetet ende shumë punë për t’u bërë që të zëvendësohen elitarët e tanishëm me emra të rinj.

Shqipëria kthehet nga Europiani i Peshëngritjes që u zhvillua në Gjeorgji me 5 medalje, diçka mjaft pozitive për një ekip kombëtar. A është kjo arritja më e madhe e peshëngritjes shqiptare në rang ndërkombëtar?

Nuk mund të them që është arritja më e madhe. S’më takon mua ta them këtë dhe nuk mendoj se është arritja më e madhe. Ishte një aktivitet i suksesshëm, sigurisht, por nuk duhet të harrojmë se peshëngritësit tanë i kanë sjellë vendit edhe medalje botërore e jo më europiane. Parë në këtë kuadër, parapëlqej ta quaj një prezantim i suksesshëm, megjithëse unë prisja më shumë.

Janë fituar 5 medalje, nuk janë pak, Shqipëria është vend i vogël dhe me probleme në infrastrukturë e financa. Çfarë prisnit më shumë?

Unë e lidh pretendimin tim me rezultatet që vetë këta sportistë patën në Kupën e Shqipërisë, një aktivitet që ishte edhe si provë e fortë për Europianin. Dhe në Kupë kanë ngritur më shumë pesha, patën rezultate më të larta. Plus që unë i kam ndjekur në stërvitje, i kam inspektuar në palestrat e tyre dhe e di që patën rezultate më të larta. Pra, në Kupë ishin më lart se në Europian. Unë prisja 9 medalje në këtë aktivitet, ku Qerimajt i mungojnë dy medalje, një në shtytje e një në dygarësh, pasi ai i ka realizuar në kupë dhe në stërvitje, por edhe Shoraj mund të kishte fituar një medalje tjetër nëse do të realizonte më mirë provat e tij.

Me këto rezultate dhe arritje besohet se peshëngritja shqiptare mund të përfaqësohet në Olimpiadë me disa sportistë, apo jo?

Daniel Godelli “digjet” për në Olimpiadë, fatkeqësisht. Kjo pasi dështoi në garën e Turkmenistanit, dështoi të realizonte provat edhe tani në Europianin e Gjeorgjisë. Në garë për kualifikim në Olimpiadë mbeten Erkand Qerimaj, Briken Calja (i cili pothuajse e ka garantuar) si dhe Krenar Shoraj.

Krenari nuk shkonte si pretendent në këtë aktivitet, por “Krenar” emri “Krenar” në garë...

Unë gjykoj se ai bëri disa gabime, në këtë aktivitet mund të kishte marrë më shumë, jam i bindur për këtë, duke parë edhe ecurinë e rivalëve të tij në garë. E kuptoj, është arritje e madhe të marrësh medalje, qoftë dhe në një stil, por unë personalisht prisja më shumë prej sportistëve. Edhe Endri Karina u paraqit mirë, por kisha shpresë se ai mund ta fitonte një medalje në këtë Europian. Dhe nëse do t’i realizonte provat me sukses do t’ia dilte. E thashë dhe më lart, në Kupën e Shqipërisë kanë shënuar rezultate më të larta dhe në palestra kanë pasur rezultate shumë më të mira, prandaj prisja më shumë dhe në këtë Europian.

Si e shihni të ardhmen? Këtu është fjala për kapjen e normës së kualifikimit në Lojërat Olimpike, por edhe garave të ardhshme si Botërori që ka vlerë kualifikimi. Çfarë masash do të merrni?

Kemi nisur të mendojmë për këtë dhe kemi strategjinë tonë për të arritur më të mirën. Kemi një bashkëpunim me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, i cili do të na mundësojë pjesëmarrjen në mitingjet ndërkombëtare që kanë vlerë kualifikuese. KOKSH do të na mbulojë shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit në mitingjet e Italisë, Perusë dhe Katarit.

Botërori i ardhshëm është përcaktues. Çfarë prisni nga ky aktivitet?

Ka ende kohë për të menduar për Botërorin, por me pak kujdes jam i bindur që do të kthehemi sërish me medalje. Brikeni është në formë dhe një sportist që konkurron me më të mirët në botë dhe nëse do të marrim parasysh rezultatet që janë shënuar në Kupën e Shqipërisë, atëherë mund të shpresojmë medalje dhe në Botëror.

Ju folët për mitingjet ndërkombëtare të shtangës që kanë vlerë kualifikuese? A besoni se mjaftojnë për të çuar më shumë se një sportist në Tokio-2020? Së dyti, a mund të përfitojë FSHP-ja nga ftesat që jep Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, federata Botërore apo vendi organizator i Olimpiadës?

Me ftesat nuk besoj se bëhet gjë dhe me sa jam në dijeni kjo formë e pjesëmarrjes është hequr. Mbeten vetëm mitingjet si mundësi e mirë. Nuk e kemi problemin tek Brikeni (Calja), pasi ai pothuajse e ka garantuar kualifikimin, por duke marrë pjesë në mitingje me Erkand Qerimajn dhe Krenar Shorajn, mund të sigurojmë pikët e mjaftueshme për të çuar tre shtangistë në Olimpiadë. Janë tre peshëngritës elitarë dhe kam shumë besim se do t’ia dalim. Sportistët kanë përvojë, kanë rezultate të mira dhe janë të motivuar për të siguruar maksimumin në garat e ardhshme.

E ndërsa me meshkujt situata paraqitet e mirë, duket se me femrat nuk kemi ende një sportiste elitare. Çfarë po bëhet me shtangën në këtë gjini?

Po, keni të drejtë, me femrat nuk jemi në atë lartësi rezultatesh, megjithëse për garat ndërkombëtare në këtë moment kemi vetëm një sportiste cilësore, Kleopatra Saliaj, që e kemi projektuar të na përfaqësojë në Europianin U-17 dhe prej saj presim medalje, por është me moshë ende e vogël. Natyrisht, ka një përtëritje të shtangës në këtë kategori (femrave), po rritet sasia, e cila shpresojmë të na sjellë edhe cilësi. Ka një përtëritje të shtangës në disa qytete, si në Elbasan, Durrës, Fier etj, por rezultatet në rang ndërkombëtar i bëjmë me sportistët elitarë që i kemi në Tiranë dhe që janë pikërisht emrat që na sollën medalje nga Europiani i Gjeorgjisë.

Folëm për sportistët dhe rezultatet, janë fituar shumë medalje, por kemi frikë të gëzojmë. Ju e dini, ka ndodhur shpesh që pas medaljeve vijnë raportet e dopingut që na nxijnë si mos më keq. Si ta largojmë këtë frikë?

Dopingu ka qenë një njollë e rëndë për peshëngritjen shqiptare. Është e vërtetë që kjo frikë ekziston dhe të gjithë kemi arsye të jemi mosbesues. Natyrisht, për çdo medalje ne do të presim edhe përgjigjet e testeve antidoping, asnjëherë nuk duhet të vëmë dorën në zjarr, por të presim zyrtarisht përgjigjet. Gjithsesi, unë nuk besoj se kemi raste të tilla këtë herë. Sportistët nuk kanë shënuar rezultate që lënë hije dyshimi, janë brenda parametrave dhe rezultateve të tyre normale. Federata jonë ka bashkëpunuar me një sërë institucionesh, kemi bërë teste të vazhdueshme, kontrolle periodike dhe të befasishme etj, dhe besoj se jemi të pastër. Uroj shumë që këto medalje të mos njollosen nga dopingu dhe unë vetë kam besim se rezultatet këtë herë nuk lënë vend për dyshime. Sidoqoftë, duhet të presim përgjigjet zyrtare.

Cili është mendimi juaj për prezantimin teknik të sportistëve? Shumë prej tyre dështuan të realizonin të gjitha provat, ndoshta mangësi teknike, por mund të jetë dhe problem strategjik me peshat. Godelli e shfaqi këtë problem, çfarë nuk shkoi në këtë drejtim?

Me Danielin na ndodhi një problem. Ai deklaroi një peshë të madhe në hyrje, plot 369 kg në dygarësh dhe kjo të penalizon. Ne u përpoqëm ta bindnim që ta ulë peshën, por nuk pranoi. Natyrisht, edhe ne si delegacion, domethënë si staf, patëm mëkatet tona në këtë histori. Por kjo duhet të na shërbejë si mësim për aktivitetet e ardhshme. Caktimi i peshës nuk duhet lënë në dorë të sportistit. Sepse kjo ndikoi në futjen e tij në garë me një peshë 160 kg, kur mund ta niste më poshtë dhe të mundësonte klasifikimin në dygarësh. Siç e dini edhe ju, bëhet një mbledhje teknike para se sportistët të hyjnë në garë, ku caktohen peshat hyrëse të secilit sportist, por kjo duhet të na shërbejë si mësim i mirë në të ardhmen.

Me Godellin, flasim teorikisht nëse ai do të realizonte provat, do të kishim më shumë medalje...

Ai pretendonte të ngrinte 165 kg në shkëputje dhe 195 në shtytje, rezultate që e vinin atë në garë për medalje, por siç thashë dhe më lart, secili nga ne ka mëkatet e veta për këtë rast. Këto pesha sportisti i ka realizuar në stërvitje dhe ne i besuam, por gabuam.

Këta sportistë që i sollën medalje Shqipërisë kanë nevojë për mbështetje. Çfarë keni menduar për t’i inkurajuar dhe motivuar?

Kemi një plan për shpërblimin e tyre dhe në bashkëpunim me MASR-në kemi diskutuar mundësinë e dhënies së një shpërblimi për shtangistët Erkand Qerimaj dhe Krenar Shoraj, që pavarësisht se fituan medalje nuk përfitojnë nga ligji që jep shpërblim vetëm për dygarëshin. Siç e dini, Qerimajt i ka ardhur medalja e bronzit nga federata ndërkombëtare dhe kjo medalje meriton një vëmendje të shtuar, pra po mendojmë që sportistët të marrin diçka në aspektin financiar. Nuk mund të them shumën në këtë moment, pasi është në fazë diskutimi.

Çfarë keni menduar në të ardhmen për të zëvendësuar elitarët që po shkojnë drejt “pensionimit”?

Kemi strategjinë tonë, e cila konsiston në shpërblimet për të rinjtë fitues. Në të vërtetë ne kemi pritshmëri të mira nga të rinjtë, pasi janë disa ekipe si Masglasi, Elbasani, Shtërmeni etj, që kanë disa sportistë mjaft cilësor dhe japin garanci për të ardhmen. Jam optimist për vazhdimësinë dhe brenda disa vitesh do të kemi një plejadë të re shtangistësh elitarë.

Së fundi, duke pasur parasysh disa mangësi mbi kuadrin teknik, ju si federatë, si do ta përkufizonit këtë element jo pak të rëndësishëm në rezultatet e shtangës?

Kemi disa teknikë të rinj që janë mjaft të mirë, por ende nuk i përmbushin të gjitha kriteret e licensimit. Ajo që na jep gëzim është dëshira e shumë të rinjve që duan t’i hyjnë trajningut. Nga ana tjetër, kemi një bashkëpunim me federatën botërore për një kurs trajnerësh, që na shërben për eksperiencë. Edhe në këtë drejtim, pavarësisht mangësive të momentit, siguroj që ka vend për optimizëm. Mbi gjithçka, qofshin këta sportistë e trajnerë, apo zyrtarë të federatës, duhet punë dhe vetëm punë.

Intervistoi: Adriatik BALLA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/10/2019 - 08:18

Deputetja e Partisë Socialiste, Antoneta Dhima ka komentuar aktualitetin politik në vend, duke e ndalur theksin tek nisma e mazhorancës për shkarkimin e presidentit Ilir Meta nga detyra, reforma në drejtësi dhe ajo zg

Postuar: 17/10/2019 - 07:30

Për dramaturgjinë shqiptare pak bëhet në teatro.

Postuar: 15/10/2019 - 08:55

Deputeti Arlind Çaçani, i cili është pjesë e grupit parlamentar demokrat, ka rrëfyer në një inter

Postuar: 13/10/2019 - 14:30

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi ka komentuar aktualitetin politik në vend,

Postuar: 13/10/2019 - 08:02

Dekada me aktivitetin artistik, aktorja Marilda Furxhi ka sjellë personazhe të ndryshme në skenën

Postuar: 09/10/2019 - 08:09

Jeta artistike dhe kulturore në vend përballet me probleme të ndryshme.

Postuar: 06/10/2019 - 07:54

Piktori Skënder Kamberi shprehet se arti në vendin tonë për shkak të problemeve me të cilat përba