Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Viron Bezhani: Qendra Olimpike është kthyer në qendër biznesi, gjendja në sport alarmante, do të nisim protesta masive

Postuar: 15/08/2019 - 07:26

Sporti në Shqipëri po kalon një krizë, e shfaqur në forma dhe përmasa të ndryshme, por është fakt evident që ka një braktisje të vendit nga rinia, të cilën nuk e josh më as sporti. Dhe s’ka si ta joshë, përderisa dyert e palestrave dhe të pallateve të sportit qëndrojnë të kyçura dhe lejohen të shfrytëzohen për stërvitje dhe aktivitete vetëm kundrejt pagesës. Marrëzia arriti kulmin kur u la jashtë dyerve të pallatit të sportit ekipi kombëtar i basketbollit, një skandal që tregon qartë se në çfarë derexheje është katandisur sporti shqiptar. I kontaktuar nga gazeta “SOT”, presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, theksoi se ajo që ngjau me ekipin kombëtar të koshit është dëshmi e një keqtrajtimi që i bëhet sportit kombëtar. Ai nuk i kurseu kritikat ndaj Bashkisë së Tiranës dhe institucioneve përgjegjëse, duke thënë se qendra që ka emrin “olimpike” në Tiranë po kthehet në qendër biznesi. Bezhani apelon që kjo çështje të marrë zgjidhje, në të kundërt komuniteti sportiv do të ngrihet në protesta.

Ka ndodhur një skandal me ekipin përfqësues të basketbollit që është lënë jashtë dyerve të Parkut Olimpik. Ju keni mbajtur një qëndrim për këtë çështje edhe në rrjetet sociale dhe i keni shkruar edhe Ministrisë së Sportit. Çfarë i keni kërkuar?

Më lejoni para se të dal në çështjen konkrete t’ju them paraprakisht se sporti në Shqipëri në këtë moment është në situatë shumë të vështirë. Gjendja e sportit është mizerabël, madje është në momentin më të vështirë të të gjithë historisë së tij në Shqipëri. Në këto momente, kur sporti në Shqipëri është në ditët e tij më të vështira, vjen lajmi i çuditshëm që kombëtarja e basketbollit nuk mund të stërvitet në sallën sportive që mban emrin e një prej ikonave të këtij sporti (salla e lojërave “Feti Borova”, pranë Tirana Olimpik Park). E pabesueshme por e vërtetë. Një skuadër kombëtare, që përfaqëson ngjyrat kuqezi në arenën ndërkombëtare, nuk lejohet të stërvitet në kushte normale!!! Shteti shpenzon miliona për të krijuar një sallë moderne sporti, e para dhe e vetmja në vendin tonë pas gati 30 vitesh demokraci, dhe po vetë shteti është ai që i mbyll dyert. Absurde! Zonja Ministre e Sportit dhe zoti kryetar i Bashkisë së Tiranës, ju duhet ta ndihmojnë sportin dhe jo t’i mbyllin atij dyert. Shteti duhet të përkrahë sportin dhe jo ta përbuzë atë. Por, për fat të keq, kjo gjë po ndodh shpesh. E çuditshme kjo që ndodh tek ne, kur vetëm pak vite më parë u vendos që palestrat e shkollave t’i jepen komunitetit dhe nuk ia japim dot atë, falas, një ekipi kombëtar. Të gjithë e dimë se mbështetja financiare që merr sporti në vendin tonë është qesharake. Dhe, për fat të keq, ato pak para ne duhet t’i harxhojmë për të paguar qiranë e një salle sporti në vend që ta zhvillojmë sportin. Ky investim që shteti ka bërë për sportin i është mohuar sportit, madje i është grabitur sportit. Bashkia nuk e ka pronën e saj, por e ka në ruajtje atë objekt dhe nuk mund të bëhet taksambledhëse.

Duket qesharake që ekipeve kombëtare dhe federatave u kërkohet para, në një kohë që shteti vetë u ka akorduar një fond grant qesharak....

Pikërisht, fondet e dhëna për sportin në Shqipëri janë ku thërret qameti. Ju nuk e dini, por ka federata që s’kanë fond fare. Kam folur dhe me zyrtarët e ministrisë për këtë çështje, u kam thënë se gjendja është alarmante.

Cila është zgjidhja?

Shteti nuk ka bërë zgjidhje normale, sepse qendra nuk është funksionale, pasi ajo nuk është hapur për t’i shërbyer federatave. Kur federatat ishin bashkë qendra (e shërbimit të sportit) kishte një fond të vetin, që vinte në ndihmë. Unë nuk e kuptoj se ku po e çojnë këta sportin? Nuk arrijmë të marrim shembull as Kosovën, e cila investon 12 herë më shumë për sportin. Kosova ka bërë ligj për sponsorizimet dhe e ka futur sportin në rrugën e duhur, kurse këta e mbajnë peng. Kështu nuk shkon më.

Interpretimet shpesh janë të kundërta, cili është argumenti juaj mbrojtës?

 Çfarë argumenti duhet të thuash kur edhe i verbri e sheh se në çfarë gjendje është sporti sot? Kjo është pika më negative, momenti më i keq për sportin tonë dhe më keq nuk ka ku shkon më. Ajo që po ndodh me sportin sot është turp për shtetin shqiptar. Bota e ka sportin prioritet, investon shuma kolosale sepse nuk është vetëm imazh, por investimi në sport është shëndet për popullatën. Shikoni vende të vogla si Sllovenia e ndonjë tjetër çfarë investimi kanë bërë, madje duke ngritur shkolla sportive.

Ku qëndron KOKSH-i në këto raporte? Në çfarë forme mund të ndihmoni në zgjidhjen e ngërçit?

Ne kemi pasur kontakte me zyrtarët e ministrisë, sepse këto probleme ne i kishim edhe kur organizuam Botërorin e Dansit Sportiv. Një tjetër problem është se kemi në të njëjtën zyrë katër federata bashkë. Dhe kulmi arrin sa edhe vetë Komiteti Olimpik nuk ka zyrë në qendrën e ngritur me këtë emër. Çfarë absurdi! Këta duan ta bëjnë mbrapsht dhe kështu si e kanë katandisur nuk i shërben sportit. Kryeministri Rama tha që parku duhet të shndërrohet në një qendër të madhe stërvitore, pra qendër olimpike. Këtë e tha Rama, por në praktikë gjejmë një koncept krejt ndryshe. Ne ishim në takim me kryeministrin dhe dolëm të gëzuar kur na i tha këto fjalë, por këta po i shërbejnë biznesit, pasi qendra nuk po i vjen në ndihmë sportit. Atëherë ç’kuptim kanë rrathët olimpikë në stemë, duhet të vihen rrathët e biznesit, se të tillë po e bëjnë. Privatët paguajnë, por nuk është e drejtë të paguajnë ekipet kombëtare. Pra garancinë për qendrën na e dha Rama, por na doli ndryshe. Ne na premtoi zyrë e nuk na e dha? Kemi paguar miliona lekë për ditët që pritëm Kampionatin Botëror të Dansit Sportiv. Erdhën 550 çifte, u bë një aktivitet i madh, është imazh për vendin. Por problem janë pagesat pa arsye. Epo, kështu nuk shkon!

Shoh që nuk jeni aspak optimist për të ardhmen...

Sportin e bën rinia, por rinia po largohet sepse kjo rini s’ka arsye të rrijë. Kur edhe sportin ia bëjnë me lekë, kur i kyçin dyert e palestrave dhe nuk i japin stimuj, atëherë pse të rrijë? Kam pasur rastin të jap mësim në një shkollë në Tiranë, jam tronditur, pasi të rinjtë e kishim mendjen vetëm tek droga. Kjo nuk është Shqipëria, nuk mund të ecë kështu. Nëse nuk na japin zgjidhje jemi të detyruar si komunitet sportiv të dalim në protesta masive që do të jenë më të mëdha se të studentëve.

Intervistoi: Adriatik BALLA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 22/10/2019 - 07:28

Mungesa e infrastrukturës ligjore në institucionet tona të artit, ka bërë që sot artistët të përb

Postuar: 20/10/2019 - 07:59

Në festivale të ndryshme poeti i njohur Jorgo Papingji është vlerësuar me krijimtarinë e tij.

Postuar: 20/10/2019 - 07:50

Shqipëria ka ende dy ndeshje për të luajtur në grupin H eliminator për Euro-2020, por nuk ka asnj

Postuar: 17/10/2019 - 08:18

Deputetja e Partisë Socialiste, Antoneta Dhima ka komentuar aktualitetin politik në vend, duke e

Postuar: 17/10/2019 - 07:30

Për dramaturgjinë shqiptare pak bëhet në teatro.

Postuar: 15/10/2019 - 08:55

Deputeti Arlind Çaçani, i cili është pjesë e grupit parlamentar demokrat, ka rrëfyer në një inter