Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Zef Gjoni: Talente kemi plot dhe po ia japim botës, s’ka progres nëse nuk i sigurojmë sportistët

Postuar: 13/01/2019 - 07:52

Si në çdo fushë të jetës në Shqipëri, edhe sporti po vuan periudhën e gjatë të tranzicionit, e cila ka sjellë dëmtim të rëndë në infrastrukturë dhe në bazë materiale, si dhe një çorganizim me pasoja për rezultatet sportive. Në këtë sistem ku merr prioritet ekonomia, investimi në sport lë për të dëshiruar dhe kjo ka sjellë braktisjen e ambienteve dhe terreneve sportive nga të rinjtë, të cilët, duke mos gjetur zgjidhje në vendin e tyre, preferojnë ta ushtrojnë sportin jashtë Shqipërisë. Të tillë zgjidhje kanë bërë edhe të rinjtë e sporteve të forcës dhe kryesisht atyre individuale, siç është boksi. Ka plot talente, kjo nuk vihet në diskutim, por talentet po shkojnë dëm sepse Shqipëria ka qenë e pazonja deri tani të mbështesë me ligj sportistët e saj, duke mos u dhënë as minimumin, që është siguracioni shëndetësor. Duke folur për këto probleme, por edhe ambiciet që ka boksi në Shqipëri, trajneri i njohur e veteran i Vllaznisë dhe Kombëtares, një nga personalitetet e këtij sporti në Shqipëri, Zef Gjoni, thotë se është detyrë e shtetit të gjejë mekanizmat dhe rrugët e financimit të sportit në tërësi, por njëherësh të krijojë një klimë besimi dhe të frytshme për sportistët që ata të ushtrojnë sport në vendin e tyre dhe të përfaqësojnë vendin e tyre, Shqipërinë.

Cila është gjendja e boksit sot në Shqipëri dhe çfarë pritshmërish keni nga ky vit?

Nuk mund ta fsheh që na mungon entuziazmi. Kjo nuk lidhet me punën që bëhet në palestra apo me sportistët në tërësi, por me mungesën e financimit. Natyrisht, një sport që nuk investohet shkon drejt shuarjes. Ne përpiqemi ta mbajmë gjallë këtë traditë të bukur sportive dhe të shpalosim cilësitë tona në sportin e boksit në arenën ndërkombëtare, por vështirësitë janë mjaft të mëdha. Dhe këto vështirësi lidhen drejtpërdrejt me financat.

Shteti akordon një fond për secilën federatë sportive që të bëjë aktivitetet, sa ndikon kjo në projektet tuaja?

Është detyrë e shtetit të investojë dhe të ndjekë zhvillimin e sportit, por nuk i bie përgjegjësia federatës, sepse vetë federata varet nga fondet që akordon shteti. Pra federata thjesht menaxhon aq para sa shteti i lë në arkë, duke u përpjekur që të mbulojë veprimtaritë sportive. Por paratë që akordohen nuk mjaftojnë, nuk i përmbushin kërkesat tona në planin e pjesëmarrjeve ndërkombëtare, ky është fakt. Gjithsesi, ne shpresojmë që shteti të na japë diçka më shumë. Tani jemi në pritje dhe të shohim sa do të kemi. Nuk di të them më shumë për momentin rreth kësaj çështjeje.

Si po shkon stërvitja aktualisht?

Kemi pasur një dashamirësi nga një miku jonë që na ka krijuar kushtet në Divjakë për një stërvitje disa-ditore, me 4-5 sportistë cilësorë. Janë kushte optimale, si për stërvitje dhe në akomodim dhe do ta shfrytëzojmë këtë moment që të stërvitemi sa më mirë. Qëllimi ynë dihet: të marrim pjesë në aktivitetet e rëndësishme europiane, e sidomos në Botërorin e këtij viti, me shpresën që mund të sigurojmë normë olimpike, domethënë kualifikim në Olimpiadën “Tokio-2020”.

Thuajse të gjitha federatat janë të pakënaqura me fondin, sepse është i pamjaftueshëm. Sa ndikoi për boksin gjatë vitit 2018? A keni një bilanc të veprimtarisë tuaj si ekip kombëtar në rrafsh ndërkombëtar?

Edhe pse ne si sport shqiptar operojmë në kushtet e mbijetesës, ia kemi dalë falë mbështetësve dhe dashamirësve të ndryshëm që të mbyllim një vit të suksesshëm. Gjatë 2018-s fituam tri medalje ndërkombëtare, që nuk janë pak për boksin shqiptar.

Kur flasim për medaljet shqiptarët duan medalje “të rënda”...

Pretendimet nuk duhet të kapërcejnë limitet tona. E vërteta është se ne kemi sportistë shumë të mirë, por krahasimi me botën kur është fjala për kushtet lë shumë për të dëshiruar, jemi shumë keq. Dhe ne sërish ia dalim të fitojmë medalje, ja pra që edhe ky është një fakt i pamohueshëm.

Në Shqipëri aktualisht ka një problem serioz: pakësim të numrit të sportistëve. Edhe ju e dini, më parë kishte shumë boksierë. Pra ka rënë numri, por është dhe problemi i shtrirjes gjeografike. Vetëm katër qytete prodhojnë boksierë: Tirana, Shkodra, Vlora dhe Durrësi. Si ia bëni që të gjeni elementë edhe jashtë tyre?

Rikthehemi sërish tek financat, sepse kur nuk ka fonde sportistët ikin. Ata nuk shohin këtu “dritë jeshile” për karrierën e tyre, sepse në sfond u del vetëm “e kuqja”, pra pengesa. Çfarë po bëjmë ne? Nëpërmjet shoqërisë, nëpërmjet dashamirësve etj, gjejmë ndonjë sponsor që të na mbulojë stërvitjen, grumbullimet apo aktivitetet. Nuk bëhet sporti për lëmoshë, prandaj unë shpresoj që ministria e linjës të tregohet më bujare me sportin në tërësi dhe boksin në veçanti. Dëshira është e madhe të organizojmë si duhet Memorialin që e kemi bërë traditë tashmë. Ka shumë rëndësi që jo vetëm të performojmë mirë, por edhe të kemi pjesëmarrje të gjerë. Aktivitete të tilla u japin shtysë sportistëve dhe boksierët kanë mundësinë të ballafaqohen dhe të provojnë kapacitetet e tyre në ring. Ky sport është burrëror, luhet për dinjitet, për famë, për flamur. Megjithatë, kushtet na pengojnë të dalim tek më e mira jonë dhe, siç thamë, kushtet nuk janë në dorën tonë, por të vetë shtetit. Në vendet e tjera as nuk vihen në diskutim këto gjëra. Ka një kalendar që propozohet dhe shteti mbulon shpenzimet në varësi të projektit që bën çdo federatë. Kurse këtu as guxojmë të hartojmë projekt, pasi nuk dimë sa para do të kemi në dispozicion dhe cilën veprimtari do të bëjmë më përpara.

Me pak fjalë gjithçka rrotullohet rreth financave...

Kjo duket një shprehje e vjetër dhe e dalë boje, por fatkeqësisht është e vërtetë. Boksi shqiptar sot që flasim ka nevojë urgjente për mbështetje dhe pa para nuk bëhen veprimtaritë sportive. Si mund të shkojmë ne në Europianë e botërorë pa para? E kush tjetër veç shtetit është i interesuar që të ketë pjesëmarrje ndërkombëtare? A nuk është detyrë e shtetit të krijojë kushtet për pjesëmarrjen e ekipit përfaqësues në aktivitete të tilla? Sportistët nuk kanë lekë për të nxjerrë nga xhepi i tyre, kështu nuk bëhet sport. Ne këtë vit duam ta shfrytëzojmë për kualifikim në Olimpiadë, pasi vitin tjetër do të luhen Lojërat Olimpike të Tokios, por situata nuk duket premtuese. Prandaj unë insistoj dhe i bëj thirrje institucioneve të na ndihmojnë sa të mundin në mënyrë që edhe boksi shqiptar të përfaqësohet në “Tokio-2020”.

A ka talente të boksit në Shqipëri?

Pyetja më korrekte do të ishte “çfarë po bëhet me talentet e shumta të boksit”? Ne kemi në skuadrën përfaqësuese 21-vjeçarë mjaft të talentuar si Culhaj, Zeneli etj. Nuk na kanë munguar asnjëherë talentet, Shqipëria e ka në “gjak” këtë sport, problemi është pamundësia që këtyre talenteve t’u krijojmë hapësirën dhe kushtet e duhura që të shpalosin cilësitë e tyre dhe kjo lidhet me kushtet që përmendëm më sipër.

Duket e habitshme, por shumë shqiptarë po e gjejnë veten e tyre në këtë sport jo në Shqipëri, por në ringun profesionist europian e botëror, si në Greqi, Itali, Gjermani, SHBA e deri në Kanada. Sa prej tyre kanë dalë si prodhim shqiptar?

Unë dua t’u përmend vetëm një rast që e kemi të freskët. Jurgen Uldedaj, i cili doli kampion bote me ndeshjen që zhvilloi në Tiranë, është një prodhim i boksit shqiptar. Ai tani është superprofesionist, por ka dalë nga Tirana dhe e ka përgatitur fillimisht S.Bushati. Ka qenë pjesë e Kombëtares tonë dhe arriti të dalë kampion bote. Por jo vetëm Uldedaj, ka plot elementë që kanë qenë pjesë e ekipit tonë përfaqësues që kanë arritur të rivalizojnë për titull botëror në vendet e tjera. Një pjesë e madhe e këtyre sportistëve i kanë marrë bazat e boksit dhe janë rritur në palestrat e Vllaznisë, Tiranës, Durrësit, Vlorës etj.

Cila është gjendja e bazës materiale të boksit aktualisht? A i përmbush nevojat për stërvitje normale?

Në Shkodër, Vllaznia i ka kushtet e mira. Prej vitesh klubi jonë e ka palestrën e vet të boksit. Ç’është e vërteta ne nuk vuajmë për bazë materiale, por për financim të aktiviteteve. Palestrat janë, punë bëhet, vullnet dhe pasion ka, por nuk sponsorizohen veprimtaritë dhe sportistët humbasin dëshirën duke pritur që të jenë pjesëmarrës në garat ndërkombëtare.

Ju jeni specialist me përvojë të gjatë në boks. Duke pasur parasysh këtë nivel që kemi aktualisht, si dhe duke e krahasuar në kohë, çfarë note do t’i vinit boksit shqiptar?

Do të ishte e padenjë për mua të hedh poshtë djersën e sportistëve dhe të ul vlerat e boksit shqiptar, të cilat qëndrojnë lart pavarësisht vështirësive të mëdha. Nëse kemi parasysh kushtet dhe financimin, boksi do të ishte shuar, por është puna dhe pasioni, si dhe talentet që kemi, që e mbajnë gjallë boksin shqiptar. Unë nuk do të vija notë, por do t’ju tregoj disa fakte për të dalë në një vlerësim objektiv. Në Lojërat Mesdhetare që u zhvilluan në Spanjë në gusht të vitit 2018, vetëm dy sporte siguruan medalje për Shqipërinë, atletika dhe boksi. Atletika ka në gjirin e vet dy sportistë të nivelit të lartë si Izmir Smajlaj dhe Luiza Gega, por ishte edhe boksi që i dha medalje Shqipërisë. Do të kishim fituar më shumë nëse nuk do të dëmtohej Kajoshi. Pra boksi bën diferencë me sportet e tjera dhe kjo nuk është se e them unë, por e thonë faktet, e thonë medaljet. Për krahasim, Kosova nuk ka kampionë e medalje sikurse kemi ne, por fonde marrin disafish më shumë. Kurse ne...

Ky është vit i vlefshëm për kualifikim në Olimpiadë. Çfarë keni menduar për këtë objektiv?

Ne do ta kapim me patjetër Olimpiadën dhe ju siguroj që nëse lëvrohen fondet e dëshiruara dhe të nevojshme për boksin, ne do të shkojmë në Olimpiadë me disa sportistë. Ndoshta me sportet kolektive mund të mos çajmë sa duhet, por në sporte të tilla si boksi e peshëngritja kemi mundësi të rivalizojmë me të tjerët.

A keni menduar të tërhiqeni nga trajningu? Mosha juaj...

Jo, nuk kam ndërmend të tërhiqem. Sapo mbusha 72 vjeç, por deri sa të shkoj 80 do të jem në ring duke stërvitur sportistët. Ky është pasioni im, të stërvis talentet është përkushtim, detyrë dhe pasion dhe nuk do të heq dorë lehtë.

Së fundi, nëse do të kishe gjë në dorë, çfarë do të ndryshoje për boksin?

Shumë gjëra, nuk di nga ta filloj më parë. Por kam një që mund të jetë përfaqësues edhe për sportet e tjera. Duhet që sportistët cilësorë të boksit dhe jo vetëm, të paguhen me rrogë dhe të sigurohen. Sidomos i domosdoshëm është sigurimi shëndetësor, sepse ky sport ka dëmtime, ka rrezik të lartë dhe sportistët duhet të jenë të siguruar. Është bërë ligji për sportin dhe shpresojmë të krijojë hapësirë për përmirësim në këtë drejtim. Nëse duam të kemi rezultate dhe vazhdimësi në sport, duhet që më të mirët të paguhen me rrogë, në të kundërt sportistët elitarë do të vijojnë të largohen nga Shqipëria.

Intervistoi: Adriatik BALLA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/08/2019 - 07:35

Artistët shprehen se sot ndihen të pavlerësuar nga institucionet dhe sipas tyre trajtimi nuk është ai që duhet.

Postuar: 15/08/2019 - 07:26

Sporti në Shqipëri po kalon një krizë, e shfaqur në forma dhe përmasa të ndryshme, por është fakt

Postuar: 11/08/2019 - 08:01

 Saimir Strati është një artist i rekordeve Guinnes.

Postuar: 11/08/2019 - 07:52

Volejbolli në Shqipëri ka ulje-ngritjet e tij.

Postuar: 04/08/2019 - 08:17

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi ka komentuar situatën politike në vend dhe aksi

Postuar: 03/08/2019 - 07:30

Atletika është një prej sporteve më të vjetra, por edhe më jetëgjata e padyshim sporti më i ndjek

Postuar: 02/08/2019 - 07:24

Problematikat në jetën artistike nuk janë të pakta, por për skulptorin Bujar Vani shqetësues ësht