BREAKING NEWS

Romeo Kara trondit Metën e Berishën: Kongresi Amerikan ka marrë në dorë dosjet e aferës së CEZ, janë të tronditur nga heshtja e drejtësisë përballë korrupsionit

Romeo Kara trondit Metën e Berishën: Kongresi Amerikan ka marrë
x

Intervista

Arben Milori: Presidentët e futbollit tonë s’kanë projekte, e dhimbshme çka ndodhur me Dinamon

Arben Milori: Presidentët e futbollit tonë s’kanë projekte,

Futbolli ynë ka ulje-ngritjet e tij, në varësi edhe të situatave ekonomike në vend, por dukshëm disa klube kanë mundur të ruajnë vitet e fundit një ecuri pozitive dhe të funksionojnë në kushte moderne, ku shembull për t’u marrë është Skënderbeu. Por futbolli nuk bëhet vetëm me një skuadër, sepse klubet e tjera lënë për të dëshiruar, nuk kanë qëndrueshmëri dhe zhvillohen vetëm në mënyrë sporadike. Sa i takon kombëtares, ajo mban një profil më të lartë si skuadër sepse mbledh elementë që luajnë në kampionate elitare, por edhe pse ka ndryshuar staf, ku Panuçi ka zëvendësuar De Biazin, ka ende dilema për të ardhmen. Mbi të gjitha, për atë çfarë ka ndodhur me futbollin shqiptar brenda vendit, duhet kujtuar dëmtimi i rëndë i infrastrukturës, por edhe sikleti që provuan mbi kurriz Partizani e Dinamo, klube që humbën “shtëpinë” e tyre dhe dolën në rrugë. E nëse Partizani u kthye falë sponsorizimeve, Dinamo endet rrugëve pa pasur një busull të qartë e pa e ditur as vetë statusin e saj. I intervistuar nga “SOT”, një nga dinamovitët e viteve të arta të bluve, por edhe lojtar i Kombëtares, Arben Milori, riktheu edhe një herë në vëmendje çështjen dinamovite, e cila, e ndarë në dy shoqata, ku njërën e njeh gjykata e tjetrën e njohin federata e MAS-i (rast unikal në botë), vijon të jetë e pazgjidhur. Sa i takon Kombëtares, Milori mendon se Panuçi ka bërë ndryshime për mirë, duke guxuar në fazën sulmuese më shumë, ndërsa përshëndet ardhjet e reja, pa lënë mënjanë skepticizmin e tij për disa lojtarë që vijojnë të ftohen me pa të drejtë (sipas tij) në ekip.

 

Panuçi ka shpallur listën e lojtarëve për ndeshjen miqësore me Turqinë që luhet më 13 nëntor. Ka disa prurje të reja, si Ajdareviç dhe Ramadani, por edhe rikthimi i Sabien Lilajt. Problemi i lindur ka të bëjë me emrat e ftuar, sepse në listë janë disa lojtarë që s’kanë skuadër e mungojnë Balaj e ndonjë tjetër, apo dhe Salihi që po shënon shumë gola në Austri. Si e shihni grupin e ndërtuar nga Panuçi në tërësi?

Unë mendoj se Panuçi nuk duhet paragjykuar, për më tepër që trajneri ka ekskluzivitetin e zgjedhjes. Në ato ndeshje që ekipi ka luajtur nën drejtimin e Panuçit unë kam konstatuar se ai po bën diçka ndryshe nga De Biazi, ai po guxon, është më agresiv në lojë dhe përpiqet më shumë në fazën sulmuese. Panuçi po kërkon të bëjë një lojë më kërkuese. Pra Kombëtarja sulmon më shumë, pavarësisht konkludimit. Efikasiteti, apo konkludimi i sulmit është çështje tjetër.

Luan me një modul tjetër nga De Biazi, se i jep përparësi fazës ofensive...

Jo, nuk ka ndryshuar modul taktik. Luan po si De Biazi, thjesht i ka dhënë prioritet lojës më kërkuese në sulm dhe kjo duket nga agresiviteti i skuadrës në fushë.

Një nga emrat që ka spikatur në drejtimin e Panuçit dhe që ai po i jep besim është Eros Grezda. Mediat italiane shkruan pas ndeshjes me Italinë në Shkodër se ky djalosh mund të luajë me klubet e Serisë A. Ju keni folur herët për të, si është e vërteta?

Grezda është lojtar me vlera, është lojtar që ka forcë, qëndrueshmëri dhe shpejtësi. E veçanta e tij është se luan mirë me të dy këmbët. E kam njohur në Grac (Austri), gjatë një aktiviteti. Menaxher i tij ishte Adrian Aliaj. E solli atje të provohej. Unë atje e pashë për herë të parë dhe kuptova që kishte profilin e një lojtari me të ardhme. Kur erdha në Tiranë u thashë Redi Jupit e Foto Strakoshës që ishin në krye të ekipeve kombëtare ta kishin parasysh, ta merrnin në skuadër sepse ia vlente. Nuk e di pse ata nuk e morën në atë periudhë. Më pas i thashë edhe Skënder Gegës që ishte në krye të U-21, por ai më kujtoi moshën e tij, sepse ende nuk kishte bërë 17 vjeç, pra ishte i vogël për Shpresat. Ironia e solli që ta marrë vetë Jupi kur erdhi në krye të Kombëtares U-21. Sot lojtarë me karakteristika si të Grezdës janë të rrallë. Bota i çmon shumë sepse marrin krahun, janë të shpejtë dhe bëjnë diferencë. Duket që italianët e ndjekin, ia dinë vlerën. Unë gjykoj se Grezdën mund ta shohim më lart se Serie A, varet sa do të punojë. Do të ishte kënaqësi e madhe sikur të kishim më shumë lojtarë të tillë.

Megjithatë, iu larguam grupit, se në Kombëtare ka dhe elementë të tjerë të rinj, por ka dhe nga grupi bërthamë që ishte më parë. Dhe janë shumica sigurisht. Nuk ka ndryshime në portë, as në mbrojtje. Pastaj, janë dhe disa lojtarë që...

Grupi, një pjesë dominuese, është i njëjti që ishte në Europian dhe në “Francë-2016” ekipi u prezantua mirë. Por koha kalon dhe nëse Panuçi synon të lërë gjurmë i duhet të rinovojë vazhdimisht grupin. Mbi të gjitha, ai duhet të ndërthurë dhe harmonizojë si duhet elementin bërthamë që ka eksperiencë me të rinjtë e ardhur së fundmi, që të marrë gjëra pozitive. Kualifikimi në Europianin e ardhshëm varet nga shumë gjëra, kryesisht dhe nga shorti, por shanset janë. Megjithatë, unë i qëndroj mendimit se 2-3 lojtarë nuk duhet të ftohen. Kam folur për këtë çështje dhe më parë, kështu që s’dua të zgjatem.

Një trajner i pikas “dembelët” dhe ata që s’janë për këtë punë. Atëherë pse këta ftohen në skuadër?

Kjo më çudit, këtë pikëpyetje mund ta zgjidhë vetë Panuçi. Urojmë të mos ndikohet nga kulisat, se do të ishte e rëndë shumë. Por as të mos e paragjykojmë trajnerin. Le t’i japim kohë të tregojë vlerat e të përmbushë objektivin e tij.

Ju keni luajtur vetë futboll me Dinamon, në një kohë që kishte më shumë pasion dhe emocion. Por sot Dinamo nuk është gjëkundi. Si ka mundësi, gjithë ju dinamovitët, të mos arrini ta ndryshoni për mirë gjendjen e kësaj ikone të futbollit shqiptar?

Për mua ka qenë pjesa më e bukur e jetës sime. ishin vite të mrekullueshme. Luaja për ekipin tim të zemrës. Sot është kohë tjetër, natyrisht, shumë gjëra kanë ndryshuar dhe ne si dinamovitë, sado të përpiqemi, jemi të pafuqishëm për ta ndryshuar gjendjen. Kjo është një çështje juridike. Ju e dini se ishin dy shoqata që përfaqësonin Dinamon. Shoqata jonë ishte e dinamovitëve, tjetra se di..., me kamarierë e ku di unë, jo e dinamovitëve. Gjykata na dha të drejtë ne, por federata e institucionet njohin shoqatën tjetër. Hajde merre vesh këtë punë është çështje e tmerrshme kur nuk të njeh shteti. Kjo është njëlloj sikur të prishësh amfiteatrin me aq vlera për të ndërtuar diçka tjetër, për të ndryshuar destinacionin. Dhe Dinamo, shkatërrimi i saj, nuk ishte i rastësishëm, por ishte një veprim për të ndryshuar destinacionin e kompleksit, nga fusha në pallate. Dinamo është pjesë e historisë, por këtu kjo vlerë nuk njihet.

Dhe të mendosh që ky veprim nuk ka ndodhur me vendet e tjera të Lindjes që kaluan të njëjtin sistem si ne....

Jo, nuk ka ndodhur. Përkundrazi, atje ruhet infrastruktura. Kjo është një marrëzi që nuk ka ndodhur në asnjë vend. Kam dhimbje kur shoh kështu Dinamon, është një pasion i humbur. Shoqata jonë do ta kishte bërë Dinamon ekip model, na u afrua edhe një izraelit për ta blerë, por u tërhoq sepse kishte këto problemet ligjore që unë përmenda më sipër. Sa i takon kohës që ne luajtëm futboll, ishte padiskutim kohë tjetër, me shumë pasion brenda, kohë e papërsëritshme.

Tani është ky problemi i fëmijëve që pretendohet se kanë trajnerë të mirë, por s’dihet kush i stërvit. A është ky element në përputhje me trendin e zhvillimit bashkëkohor të futbollit?

Ndjesinë më të madhe një lojtar e merr në fëmijëri prandaj kjo punë kërkon seriozitet në trajningun e fëmijëve. Është gjë e tmerrshme të merresh me futboll kur nuk ke prekur top me këmbë e nuk ke luajtur një ndeshje. Dakord, unë e di që ka njerëz që e kanë pasion këtë punë dhe ka trajnerë shumë të mirë që nuk kanë qenë futbollistë, por i kanë dhënë provat ama, kurse këta tanët janë të dobët, nuk lexojnë dhe nuk ndjekin zhvillimet bashkëkohore në futboll. S’mund të jesh trajner i mirë nëse nuk lexon, nëse nuk studion. Problemi i futbollit shqiptar është se presidentët e klubeve janë njerëz pa vizion, janë individë që nuk kanë projekte, as ide. Ne kemi folur dhe herë tjetër për këtë problem, sepse dihet që këtu është thelbi i çështjes, tek futbolli i fëmijëve.

Nga 0 deri në 10, çfarë note do t’i vijë kampionatit shqiptar?

Kjo është e vështirë, sepse duhet një bazë krahasimi. Megjithatë, kampionatit po i vë notën 7.

A nuk po e vlerësoni më shumë se sa duhet?

Të sqarohemi, po e vlerësoj me këtë notë thjesht për rivalitetin brenda garës, për kushtet ku operon, por jo në krahasim me kampionatet elitare europiane, se atëherë do të kishim notë negative. Brenda për brenda garës po i jap këtë notë, le të themi për inkurajim. Skënderbeu është cilësisht më lart, një klub i organizuar dhe e tregon edhe në Europa League me ndeshje të mira, duke dominuar në lojë ndaj kundërshtarëve. Luajti cilësisht shumë mirë ndaj Partizanit të Beogradit. Dakord, nuk është Partizani i dikurshëm, por gjithsesi këta janë kundërshtarë shumë të fortë.

Po kombëtares së Panuçit, çfarë note i vë (për ndeshjet që ka luajtur deri tani)?

Kombëtares do t’i vë notën 6.5-7, kurse kampionatin më duhet ta inkurajoj. Mos harroni, ne na duket kampionati i dobët pasi shohim çdo ditë ndeshjet e kampionateve elitare. Dhe i parë në këtë formë, sigurisht që kampionati ynë duket i dobët. Nëse do të kishim ndjekur vetëm kampionatin tonë atëherë do të na dukej me rivalitet dhe i fortë.

Ju keni prej kohësh që bëni analistin në media për ndeshjet e Champions League. Futbolli po evoluon shumë. Çfarë mendimi keni për këtë trend të ri taktik të futbollit në botë?

Është një ndryshim i madh. Ka një ndryshim sidomos në shpejtësi, sepse futbolli i sotëm është shumë i shpejtë dhe më agresiv se më parë. Punohet në çdo repart dhe me markime. Je gjithë kohës nën presion dhe fazat e lojës, pra mbrojtja dhe sulmi, janë sofistikuar. Ne pamë Totenhem-Real dhe anglezët ishin më agresivë se sa Reali (të mendosh që përballë ishte Reali me sueprlojtarë). Individualitete të spikatura do të ketë në çdo kohë (si Pele, Maradona apo Mesi), por edhe si grup loja po bëhet akoma më e shpejtë.

Në Shqipëri kombëtaren vijojmë ta kemi të lidhur me shkollën italiane. Edhe trajnerët tanë të rinj po ndjekin skemat taktike italiane. Sipas jush, a është zgjedhja e duhur?

Shkolla italiane aplikohet edhe në futbollin tonë, por unë dua të theksoj se ka disa mënyra loje. Sot për sot shkolla latine e futbollit është më tërheqëse dhe më rezultative. Është e vërtetë se shkolla italiane është e njohur me “Corveciano”-n e saj dhe teknikët e kampionatit tonë e kanë aplikuar mirë atë, por kjo shkollë nuk ka fituar trofe të mëdhenj dhe unë po marr shembull dy teknikë përfaqësues, Konten dhe Alegrin. Kanë fituar kampionate por jo Champions. Futbolli latin është i shpejtë, me pasime të shumta dhe gjen shprehjen e vet dhe përfaqësohet me Guardiolën. Futbolli italian është pragmatist, sepse kërkon rezultat, por fitorja nuk vjen nëse nuk sulmon. Dhe shanset për fitore i kanë ata që sulmojnë më shumë. “Coverciano” nuk guxon të sulmon, prandaj futbolli i Guardiolës, që e mora si shembull, është më tërheqës dhe më rezultativ.

Intervistoi: Adriatik BALLA

 

Më të lexuarat