BREAKING NEWS

Pak kohë para zgjedhjeve, vjen një tjetër ‘shuplakë’ e fortë për Monika Kryemadhin / Damian Gjiknuri jep lajmin, ja çfarë ka ndodhur në Vlorë

Pak kohë para zgjedhjeve, vjen një tjetër
x

Intervista

Behar Gjoka: Projektet e Ministrisë së Kulturës jo në shërbim të librit, por të klientëve të Kumbaros

Behar Gjoka:  Projektet e Ministrisë së Kulturës jo në

Në katër vite mungoi vëmendja për autorët dhe librin nga Ministria e Kulturës. Edhe ato projekte apo fonde që jepen për librin sipas studiuesit Behar Gjoka shkojnë më tepër për një rreth të ngushtë njerëzish, që janë afër ministrisë. Studiuesi Behar Gjoka vijon të ketë qëndrim kritik ndaj Ministrisë së Kulturës. Sipas tij deri tani tregoi se nuk arriti dot me politikat e saj të ndihmojë si duhet autorët dhe librin. Në intervistën për “SOT” studiuesi Gjoka tregon se fati e deshi që ministrja e Kulturës të mbetet në histori si njeriu që megjithëse ka bërë pak për kulturën të vazhdojë të quhet titullare në Ministri të Kulturës. Sipas studiuesit nuk bëhet asgjë për të pasur në konsideratë autorin shqiptar dhe librin shqip, me përjashtim të rasteve kur janë klanet e ministrisë. Ministria e Kulturës sipas tij ka krijuar fonde për krijimtarinë letrare, për përkthimin, por nuk janë asgjë tjetër veçse komunikime me klanin e vet. Pjesë e intervistës me studiuesin Behar Gjoka është dhe konferenca “Vlerat gjuhësore dhe letrare të veprës së Martin Camajt-hapësira që zë në letërsinë bashkëkohore”, që bëri bashkë studiues nga Shqipëria dhe Kosova. 

 

-Në Akademinë e Shkencave, Qendra Shqiptare e Studimeve letrare “Pjetër Budi”, organizoi konferencën shkencore “Vlerat gjuhësore dhe letrare të veprës së Martin Camajt-hapësira që zë në letërsinë bashkëkohore”. Për ju sa rëndësi pati për veprën e Martin Camajt?

Me mjeshtra si Martin Camaj nuk ka ditë të veçanta apo të veçanta. Natyrisht që dialogu me të mendoj se duhet thelluar pas botimit, pas përkujtimit në përvjetor ku ka dhe glorifikime e teprime, dhe ka ardhur momenti që të dialogohet për vlerën e teksteve gjuhësore dhe letrare. Natyrisht që diskutimi është një përpjekje për të mbërritur te materia e tij, sepse është rast i veçantë që përmbush dimensionin e shkrimtarit të veçantë, në dimensionin e shkencëtarit të gjuhës. Në këtë kuptim nëse lë njërën pjesë jashtë vëmendjes ndoshta edhe tjetra pëson zbehje dhe anasjelltas. Në këtë kuptim unë do të thosha që janë me dhjetëra kumtesa në këtë konferencë që i qasen problematikave të gjuhës së Martin Camajt, të lëvrimit të gegnishtes, të lëvrimit të arbërishtes, të lëvrimit të gegnishtes bashkohore letrare, e cila vjen në një formë krejt të pazakontë në kuptimin pozitiv të kësaj fjale, po ashtu dhe të një letërsie moderne në thelbin e vet si poezi, si prozë, si dramatikë. Në këtë konferencë merrnin pjesë të gjithë faktorët. Natyrisht  që ka pasur ftesa nominale, i janë përgjigjur ftesave rreth 55 studiues, të cilët në punimet e konferencës u pa se ka një thellim të marrëdhënies së Camajt si tekst, ka një përpjekje për të hyrë në botën e tij, për të hipotekuar atë në vlerat shpirtërore të kombit në këtë moment, në vlerat e kulturës shqipe dhe për të kuptuar një moment ai është në një farë mënyre engjëlli mbrojtës i gjuhës shqipe, sepse ai nuk përjashton asgjë nga toskërishtja apo standardi. Martin Camaj e sheh shqipen si një sistem, i cili ka nevojë të lëvrohet si gjuhë letërsie, por ka nevojë të ligjërohet dhe si gjuhë shkence. Në këtë kuptim kërkesat dhe dimensioni që përmbush vepra gjuhësore dhe letrare e Martin Camajt do të duhet të jetë pjesë e tryezave, leximeve dhe mbi të gjitha do duhet të hiqet dorë nga ajo ideja jo pak absurde që ta përkthejmë Martin Camaj në gjuhë letrare. Por ai ka shkruar në shqip. Jo se ai është i paqartë dhe i pakuptueshëm. Camaj është thellësisht i kuptueshëm, por është shumë modern në abstraksion, shumë modern në figurshmëri dhe për këtë arsye janë disa “vështirësi” në raport me këtë situatë. Është një përpjekje për të çuar lexuesin tek Camaj, jo të zbërthejmë e analizojmë, por të hyjmë në mburojën gjuhësore dhe letrare të Martin Camajt.  Të shikojmë atë magji të teksteve letrare, por dhe këtë vlerë të studimeve gjuhësore që ka bërë ai në jetën e tij.

-A ishin ftuar dhe merrnin pjesë përfaqësues nga Ministria e Kulturës?

Që të gjithë duke filluar që nga presidenti, kryeministri, kryetari i parlamentit, kryetari i opozitës, te Ministria e Kulturës, Ministria e Arsimit, që të gjithë janë ftuar që para 25 ditësh për këtë konferencë. Nga Ministria e Kulturës mori pjesë vetëm një, por ndërkohë që ai kishte kumtesë. Në këtë rast unë do të thosha që është një ardhje, por ka kumtesë sepse është dhe studiuesi, një ardhje që imponon dy përmasa edhe të përfaqësuesit të ministrisë dhe studiuesit. Por unë nuk e mendoj si problem institucionesh. Mendoj se është problem i psikologjisë, që kanë institucionet shqiptare. Institucionet tona nuk janë për të vënë vula, por janë për të krijuar hapësirë mendimi. Fakti që nuk kanë ardhur përfaqësues të tyre është e drejtë e tyre, fakti që mendojnë se e kanë dhënë përgjigjen sërish është e drejta e tyre. Unë mendoj që ka të tjerë që janë prej kohësh që merren me këtë temë dhe modestisht thonë që ne kemi bërë një përpjekje, ka njerëz që shkëlqejnë duke ardhur, ka njerëz që ndrijnë duke mos ardhur. Por kjo është një situatë që secili mban përgjegjësinë e tij qoftë me praninë apo mungesën.

-Keni qenë kritik me Ministrinë e Kulturës. Pse?

 Mendoj që politika shqiptare ka një gabim. Kam vënë re që kryeministrat në përgjithësi ministrat që kritikohen i kanë më shumë afër tyre. Pra me sa duket sa më të paaftë të jenë këta ministra aq më të aftë janë sipas mendimit të kryeministrave. Edhe me ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro nuk prisja, nuk kam besuar, nuk e kam menduar që do të emërohej për herë të dytë. Është një ministre që e ka mbushur kupën me 4 vjet në krye të Ministrisë së Kulturës me atë që bëri, tani që do të vijojë në ministri do të vazhdojë që vetëm ta derdhë kupën që mbushi. Butrinti është një nga rastet që e konfirmon më së miri pikërisht këtë akt. Më tutje ndoshta fati e deshi që ajo të mbetet në histori si njeriu që megjithëse ka bërë pak dhe keq për kulturën të vazhdojë të quhet titullare “mendjendritur” në Ministri të Kulturës.

 

-Jeni shprehur me kritika ndaj ministres së Kulturës për librin dhe politikat në ndihmë të autorëve shqiptare, çfarë do të donit të ndryshonte?

Unë do të thosha që përsëritja e mungesës 4 vjeçare për autorin dhe librin shqip do të vijojë. Ata kanë përcaktuar klanet e tyre se si do të bëhen projektet që mendon Ministria e Kulturës, vijon me Shqipëria lexon apo nuk lexon, etj. Por problemi qëndron, sepse asgjë nuk bëhet për të ndihmuar autorët dhe librin shqip. Problemi është se Ministria e Kulturës nuk ka kohë si duket të merret me ne, sepse kanë punë të tjera. Nuk bëhet asgjë për mendimin tim për të pasur në konsideratë autorin shqiptar dhe librin shqip, me përjashtim të rasteve kur janë klanet e ministrisë. Ministria e Kulturës, ministrja Kumbaro nuk ka kohë të merret me autorët dhe librin shqip. Nuk ka kohë as për veprimtari në nderim të figurave të shquara të letërsisë. E kam pohuar dhe më parë kjo Ministri Kulture pasi shkatërroi drejtorinë e librit, pasi shkatërroi konkursin e çmimeve letrare, për këto do të mbahet mend ministrja Kumbaro që janë pjesë e shkatërrimit. Ministria e Kulturës ka krijuar fonde për krijimtarinë letrare, për përkthimin, por për mua nuk janë asgjë tjetër veçse komunikime me klanin e vet. Pastaj shikoni se çfarë po ndodh dhe me bashkëpunimet Shqipëri-Kosovë në fushën e librit.

-Çfarë po ndodh sipas jush?

Kemi sot një treg të copëtuar të letërsisë shqipe. Tregu duhet të jetë i unifikuar së paku Shqipëri-Kosovë. Së dyti, jo unifikim formal, por unë do të thosha që ato mendime që dalin në Kosovë do të duhet të jenë pjesë dhe këtu si edhe librat, po ashtu dhe ato mendime që dalin në Tiranë si dhe librat po ashtu të jenë dhe në Kosovë. Por këtu nuk është fjala për bashkëpunime klanore që është mësuar Ministria e Kulturës, por për bashkëpunime politikash kulturore për librin që fatkeqësisht vazhdojnë të mungojnë në Shqipëri. E them këtë, sepse jemi në një gjuhë, jemi në një vetëdije gjuhësore dhe kombëtare dhe për këtë arsye unë do të thosha që është absurde që vijojnë deklarata që po unifikohemi dhe në fakt ne vazhdojmë të ç’unifikuar.

Intervistoi: Julia Vrapi

 

 

Më të lexuarat