Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Bledar Gjeçaj: Pa infrastrukturë e pa investime s’do të kemi kurrë basketboll cilësor

Bledar Gjeçaj: Pa infrastrukturë e pa investime s’do të kemi kurrë basketboll cilësor

Postuar: 21/09/2014 - 13:16

Basketbolli në Shqipëri po kalon një moment delikat, si pasojë e degradimit të ambienteve sportive apo vjetrimit të pallateve të sportit e ndryshimi i destinacionit të tyre, shprehur me rënien e cilësisë së lojës së basketbollit si te meshkujt dhe te femrat, pakësimin e numrit të ekipeve dhe natyrisht braktisjen e kësaj loje të bukur nga të rinjtë. Infrastruktura mbetet çelësi i zgjidhjes, diçka që kërkohet me ngulm nga teknikët e sportistët dhe që apelohet nga kuadrot e njohur të sportit.
 
Përveç kësaj kërkohet një organizim më cilësor, më serioz e natyrisht investime për rritjen e numrit të aktiviteteve dhe kujdesit ndaj elementëve të rinj. Në këtë linjë qëndron dhe trajneri i Vllaznisë së Shkodrës, ish-basketbollisti i Kombëtares Bledar Gjeçaj, i cili, në intervistën e dhënë për “SOT” radhit disa nga problemet e mprehta që shqetësojnë basketbollin tonë në tërësi, pa harruar pjesëmarrjen e Vllaznisë në Balkan League, pjesëmarrje për herë të parë nga një skuadër shqiptare e që natyrisht pritet me interes jo vetëm në Shkodër por nga i tërë komuniteti i basketbollit shqiptar.
 
Gjeçaj është me këmbë në tokë dhe i di mirë kapacitetet e skuadrës së tij. Ai ka rezerva për gjendjen e skuadrës në prag të startit të Balkan League, por është optimist për vazhdimësinë, duke besuar se kampionati shqiptar në dy vitet e fundit po njeh më shumë rivalitet, shprehur me numrin më të madh të skuadrave që pretendojnë trofe. Balkan League e vlerëson pozitivisht, teksa shton se do të ishte i kënaqur sikur skuadra e tij të surprizonte të paktën në ndeshjet brenda fushës. Mospjesëmarrjen e Kombëtares së koshit në veprimtaritë e rëndësishme ndërkombëtare Gjeçaj e justifikon me rënien drastike të cilësisë në konkurrimin ndërkombëtar, duke këshilluar që të kontribuohet më shumë tek të rinjtë që të rritet një brez i aftë të rivalizojë. 
 
Vllaznia që ju drejtoni do të luajë këtë edicion në Balkan League. Në kushtet e mjerimit të sportit tonë (nëse më lejoni të shprehem kështu), një pjesëmarrje e tillë shihet si shkëndijë për të pasur një ndryshim që do t’u vlente juve por edhe koshit tonë në tërësi. Cila është gjendja e skuadrës në prag të këtij aktiviteti dhe çfarë pretendimesh keni në Balkan League? 
 
Dihet që ky është një aktivitet i rëndësishëm për skuadrën tonë të Vllaznisë, por mendoj dhe për kushtet ku operon basketbolli shqiptar. Është një mundësi të cilën ne duam ta shfrytëzojmë. U bënë kohë që ne nuk marrim pjesë në rang ekipor në aktivitete të tilla dhe kjo pjesëmarrje duhet të na shërbejë për të parë veten e për të marrë masat e duhura për përmirësim të cilësisë. Kjo pjesëmarrje u arrit edhe falë ndihmës së federatës, pasi siç e dini basketbolli ynë ka buxhet të vogël, pra klubet nuk kanë shumë mundësi financiare. Një krahasim i vogël midis nesh dhe Prishtinës, të cilën e kemi rivale në grup në Balkan League, na tregon se ata kanë një staf prej 16 vetësh, që këtu tek ne nuk mendohet dot.
 
Gjithsesi, ambiciet tuaja ekzistojnë. Për më tepër që rivale në grup keni dhe skuadrën e Sigal Prishtinës dhe kjo e bën interesante përplasjen. Ku synoni të arrini?
 
Ekipi e ka nisur fazën përgatitore, por ne kemi pak ambiente në dispozicion. Për momentin stërvitemi në një ambient universitar. Palestrat janë shumë të vogla dhe kushtet nuk janë të mira. Me pak fjalë punojmë pak në stërvitje, pasi nuk kemi hapësirë, kurse pasdite bëjmë sallë force. Urojmë që salla të rregullohet e ne të kthehemi tek stërvitjet normale. Do të zhvillojmë miqësore me Prizrenin, por më duhet ta pranoj se nuk jam i kënaqur ende me ekipin, ka ende vend për të përmirësuar. Këtë edicion kemi afruar katër lojtarë të huaj, që shpresoj të sjellin një dimension më të mirë në prezantimin tonë.
 
Sa mendoni se këta lojtarë do të bëjnë diferencën në garat ku do të merrni pjesë, përfshi dhe kampionatin?
 
Të huajt që ne kemi marrë kanë cilësi të mirë, por kur folëm më lart për buxhetin kuptohet që ky buxhet nuk lejon afrimin e më cilësorëve, por realisht këta që kanë ardhur janë të mirë.
Në Balkan League do të keni përballë, krahas të tjerëve dhe Sigal Prishtinën, por duket se skuadra kosovare qëndron lart, apo jo?
 
Prishtina është pretendente për ta fituar këtë trofe këtë edicion, ka një skuadër shumë të mirë, por këtu ndikon buxheti 700 mijë euro i saj. Së fundmi ata kanë marrë një lojtar qendre me 15 mijë euro. Edhe skuadrat e tjera në grup janë shumë të forta. Ky kompeticion ka nivel të lartë dhe skuadrat e Ballkanit e vendet e Ballkanit në tërësi, siç edhe e dini, kanë nivel shumë të lartë të basketbollit. Sa na takon neve, duam eksperiencë e të luftojmë për paraqitje dinjitoze. Kur them dinjitoze jo thjesht në një kuptim të ngushtë të fjalës, por të paktën në Shkodër ne duhet të surprizojmë, pra ndeshjet brenda ti kthejmë në befasi.
 
Pallati juaj i sportit (“Qazim Dervishi”) ka pasur probleme dhe vetë organizatorët kishin vënë theksin tek plotësimi i standardeve. Mendoj se në impiantin e ri Vllaznia duhet të jetë më e motivuar...
 
Aktualisht po vendoset parketi, rikonstruksioni po bëhet e po vihen tabelat. Natyrisht që problem më vete është elektronika, pasi nuk i ka të kompletuara si personalet, kohën e 24 sekondëshit, pra ka ca probleme. Fatkeqësisht ne e kemi të vjetër pajisjen dhe këtu duhet dora e bashkisë, pasi pallati i sportit është i qytetit. Sidoqoftë, dhomat dhe dushet janë në rregull e sa u takon aksesorëve të tjerë shpresoj të zgjidhen. Unë uroj të na ndihmojë dhe federata në këtë drejtim. Sa i takon ekipit, siç thashë, nuk jam plotësisht i kënaqur dhe po bëjmë ndeshje miqësore që të rritemi në kristalizim. Kundërshtarët tanë janë shumë para nesh, por ka një të mirë, se të gjithë ata e kanë pritur me entuziazëm ardhjen e një skuadre nga Shqipëria.
 
Po dakord, por si duket nuk e dinë në çfarë mjerimi operon sporti ynë. Se ekzistojnë dhe mundësitë të mos fitosh asnjë takim dhe këto gjëra duhen marrë në konsideratë. Ju si mendoni?
 
Unë gjykoj se kjo pjesëmarrje duhet t’u shërbejë dhe ekipeve të tjera në kampionatin tonë të forcohen e të rivalizojnë, e pse jo të marrin dhe ato pjesë. Ne jemi duke përgatitur dhe fansat tonë për çdo të papritur, pasi diferencat janë të ndjeshme dhe lojtarët tanë duhet të rrisin nivelin. Mos harrojmë se ne bëjmë një kampionat me gjashtë muaj garë e gjashtë muaj pushim, kurse bota vetëm dy javë pushon, pjesa tjetër është garë e stërvitje.
 
Kampionati ynë, më fal që po e them, nuk është gjëkundi, ka mangësi plot dhe cilësia lë për të dëshiruar, gjithmonë në krahasim me vendet e rajonit, se ndodhemi në një rajon ku basketbolli kap nivelet më të larta në botë. Edhe kampionati ka pak rivalitet...
 
Unë mendoj se Tirana e Durrësi duhet të rivalizojnë me ne. Edhe Kamza Basket është skuadër rivalizuese. Me pak investime dhe organizim më të fortë do të rritet cilësia dhe, duke u rritur rivaliteti e cilësia, na vijnë spektatorët në pallatin e sportit. Këto klube duhet të marrin të paktën shembull nga Vllaznia e viteve të fundit, që po ngrihet mjaft mirë. Vitin e kaluar ne vendosëm të merrnim edhe të huaj, përpos se gjetëm mbështetje, pra sponsor, se pa para nuk bëhet sport. Natyrisht fituam shumë por edhe humbëm në disa momente, pasi nuk ishim konsoliduar sa duhet. Fituam eksperiencë dhe u rritëm shumë dhe mendoj se edhe këtë herë Vllaznia është pretendente për të fituar. Kampionati, kuptohet, është i një niveli të dobët krahasuar me fqinjët.
 
Duke bërë një krahasim mes vitesh, çfarë përshtypje keni për nivelin e kampionatit tonë, është në rënie apo në rritje?
 
Ka dy vite që kampionati ka filluar të ketë rivalitet, pasi u shtuan ekipet pretendente. Tiranës e Kamzës iu shtua Vllaznia, ndërkohë që duhet të shohim dhe Partizanin, apo dhe Fierin, që të kuptojmë ku jemi duhen parë licencimet e klubeve.
 
Sa mendoni se ka ndikuar mospjesëmarrja e Kombëtares në aktivitetet ndërkombëtare?
 
Kombëtarja ka probleme se ne zhvillojmë një kampionat ku luhet vetëm gjashtë muaj. Në Shqipëri ka 6-7 lojtarë, e ku shkojnë ata fitojnë kampionatin, por ky brez nuk arrin të na përfaqësojë si duhet. Unë kam qenë dhe vetë në Kombëtare dhe e di mangësinë. Edhe ne rrallë fitonim ndonjë ndeshje me skuadra si Luksemburgu etj. Kemi nivel të dobët dhe praktikisht nuk kemi lojtarë cilësorë. Unë gjykoj se ishte gjë e mirë që e nisëm nga poshtë, pasi mendoj se me 16 vjeçarët e sotëm do të mund të kemi rezultate më të mira dhe shenjat janë dhënë. Unë e di që Shqipëria është prapa në basketboll dhe asaj i duhen vite të afrohet me fqinjët. Një basketbollist cilësor kërkon dhjetë vjet punë. Kuptohet, duhet dhe një vëmendje e medias, që basketbolli të marrë pozitat e duhura.
 
Pse kjo gjendje e dobët?
 
Më së pari, ne nuk kemi infrastrukturë, pra s’kemi kushte. Ka plot të rinj që më thonë “mirë mo profesor, dua të luaj, por ku të luaj, ku të stërvitem?”. Ne s’kemi ambiente. Na kanë ardhur skuadrat e tjera në eliminatore e ne jemi gjobitur se pallati i sportit në Tiranë nuk ka dushe e s’plotëson kushtet. Futbolli i zgjidhi disi problemet se mori lojtarë shqiptarë nga jashtë, unë mendoj se edhe basketbolli duhet ta bëjë këtë gjë dhe ka plot elementë të rinj shqiptarë që kanë cilësi në klubet e huaja. Të marrim eksperiencë dhe nga basketbolli kosovar, që është shumë para nesh. 
 
Si e shihni të ardhmen e Vllaznisë?
 
Ne kemi një sponsor hë për hë, por mund të ndodhë edhe që të ikë, se basketbolli shqiptar nuk është futur në ekonomi tregu. Sidoqoftë, unë vetë jam optimist, pasi kemi dhe disa të rinj të talentuar, dy prej të cilëve do t’i ngjisim shpejt në ekipin e parë. Optimizmi im lidhet dhe me një propozim që shpresoj të realizohet, për të bërë kampionat kadetësh (U-16), që do të ishte një arritje e madhe, se këtu do të dilnin shumë lojtarë cilësorë.
 
Po të ardhmen e basketbollit në tërësi në vendin tonë, si e shihni?
 
Për basketbollin nuk ka pasur interes, siç ka munguar për sportin në tërësi. Por duket se kohët e fundit gjërat po ndryshojnë për mirë, pak nga pak por po ndryshojnë. Unë mendoj se gjëja e parë që duhet të rregullojmë është infrastruktura se kemi shumë pak impiante. Pra edhe kur ke elementin nuk ke terrenin. Së dyti, duhet të bëjmë më shumë me organizimin, se jemi dobët dhe në këtë aspekt. Në federatën tonë punojnë 3-4 vetë se nuk kemi buxhet, ndërsa vetëm klubi në Prishtinë ka afro 20 vetë. E thënë ndryshe, duhet t’i kapim gjërat që në themel. Na duhet më shumë eksperiencë, më shumë aktivitete, më shumë investime. S’mund të pretendojmë kurrë të kemi basketboll të zhvilluar kur bëjmë 6 muaj garë e 6 muaj pushim. Unë mbetem optimist, pasi po na rritet një brez i mirë. Le ta ndihmojmë të gjithë së bashku basketbollin e ta çojmë atje ku dëshirojmë.
Intervistoi: Adriatik BALLA
 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 42

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/11/2018 - 07:49

Artistët nuk kanë deri tani vlerësimin e duhur nga institucionet. Aktiviteti artistik i përball me jo pak probleme dhe shpeshherë ata punojnë dhe në kushte që lënë për të dëshiruar.

Postuar: 18/11/2018 - 07:36

Peshëngritja është sporti që ruan një staturë të fortë elitare ndër të gjitha disiplinat sportive

Postuar: 13/11/2018 - 07:29

Piktorët në aktivitetin e tyre vazhdojnë krijimtarinë, duke u përballur me probleme të cilat prej

Postuar: 09/11/2018 - 10:10

Ish-ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj ka komentuar ditën e djeshme zhvillimet më të fundit polit

Postuar: 09/11/2018 - 07:26

Poeti Bardhyl Londo shprehet se deklarimet që bën ministrja e Kulturës janë dhe si një tallje për

Postuar: 08/11/2018 - 07:32

Teatri shqiptar është i izoluar dhe duhet të prezantohet jashtë në skenat e huaja.

Postuar: 07/11/2018 - 07:29

Artistët pohojnë se në krijimtarinë e tyre nuk kanë përkrahje nga institucionet.